Në një prej të paktave intervista që ka dhënë gjatë jetës së tij, Francis Bacon thotë se epiteti “i llahtarshëm” i duket tërësisht i papërshtatshëm për pikturën e tij. Kjo, pasi ai, mendim i imi ky, nuk krijon art për frikë (arti s’mund të të frikësojë), por për të freskuar estetikën e deriatëhershme, joperfekte (po në të njëjtën intervistë, thotë se pas Picassos, nuk gjen një tjetër piktor për ta vlerësuar).
Ai e dha intervistën pak para vdekjes, kohë kur e imagjinoj të lodhur, të molisur, me pamje plot elementë nga formatimet artistike të pikturave të tij dhe e gjitha kjo tablo nga imagjinata mu kthye në tekst ndërsa lexoja tregimet e “Lepurushi i mallkuar”. Po të vazhdoj t’i qëndroj analogjisë me pikturat, libri duket si ekspozitë horror, sikurse hamendësoj duhet të kenë qenë ekspozitat e Baconit në gjallje të tij.
E gjithë natyra e pjesës më të errët të një kombi, ajo e palavdishmja që mbahet e fshehur për të mos u rrëfyer kurrsesi, asnjëherë, shpaloset në plotni brenda kornizës së librit, por sigurisht, korniza nuk mjafton, prandaj vërehet se diku ndodh shkëputja e njërës anë të saj dhe aty zë fill një tjetër kornizë, me në brendi mundësinë të shpalosë të sotshmen e ndërsyer prej keqmenaxhimit të kapitalizmit (jemi në Korenë e Jugut – Korea e Veriut i tmerron me mungesën e mëvetësisë së kapitalit). Historia si e shkuar nuk është më magistra vitae, sikurse thonin latinët. Tanimë ajo i përket një konteksti krejt të parrokshëm, ku nuk përket asnjëri prej tregimeve, përveç atij që i jep titullin, ku dhe dua të ndalem pak më gjatë, duke e parë pikërisht në këtë këndvështrim.
Fetishizmi me të mallkuarën, nevoja për të thirrur të keqen për tjetrin që të triumfojë e mira për veten ka nsur njëkohshëm me zanafillën, është pika ku filli rroket (shiko Kainin, e vret Abelin pse flitë e atij drejtuar Hyjit pëlqeheshin – kështu, po ta vriste, mendoi se pëlqimin e Hyjit do ta merrnin flitë e tij). Vëllavrasja nuk është objekt i këtij tregimi, por diktonomia mes së mirës dhe së keqes si hapësirë ku ndodh zhbërja e dilemës morale dhe konkretizohet mungesa e parimeve të atilla, shtruar prej Platonit.
Po koka e një tufe mbetjesh? Çfarë njeriu nxjerr jashtë vetes, i mendon si tërësisht të padobishme, pasi jeta, duke u shkëputur prej bartëses së tyre, pra njeriut, ka marrë fund. Jo! Fundi është fillimi i ri. Kjo sentencë e famshme, atribuuar kushedi sa filozofëve e sa popujve, merr trajtë konkrete në tregimin Koka.
E papritura a është një tipar thelbësor i letërsisë? Thuhet se po, ndonëse në letërsinë realiste, deduksionet shpjenin kollaj në shpjegime që e shmangnin tërësisht idenë e së papriturës. Ndërsa sot, në bashkëkohësi, e kërkojmë, duam të befasohemi, paçka se ndodh përherë e më rrallë, ndoshta ngaqë, ndonëse mund të mos e besojmë, të gjitha historitë kanë ndodhur. Pra, jemi në një rreth vicioz kur rindodh e njëjta gjë, pambarimisht, e ndarë në miliarda gjëra të vogla që gjithashtu përsëriten në jetën e gjithkujt. Kur njerëzimi a njeriu të jetë në gjendje ta gjej cila dhe si është apo ishte ajo gjë e njëjtë para se të ndahet, atëherë bota do ta humbasë kuptimin dhe njerëzimi do të kthehet në makineri e vënë në punë prej aplikimit të Inteligjencës Artificiale, pasi ajo natyralja do të jetë zbërthyer tërësisht.
E gjitha kjo bën që befasia të transmetohet si normalitet, ndaj edhe ne, edhe pse e dimë që po befasohemi, e pyesim veten me qetësi, mos vallë asgjë s’ka ndodhur?
Kështu ndodh në tregimin trupëzimi. Një vajzë, pa asnjë marrëdhënie seksuale, ngelet shtatzënë pasi merr pilula kundër shtatzënisë për të ndaluar menstruacionet. Sigurisht, atë e shoqëron befasia, por shpejt s’ka më kohë për të: Tani i duhet të gjejë baba për fëmijën. Befasitë zëvendësojnë njëra-tjetrën deri në atë pikë saqë kuptimi i tyre zhbëhet në të zakonshmen, ose më mirë, e zakonshmja i gllabëron.
Lufta mes nevojës për ekzistencën e befasisë dhe jetës në një pikë përtej asaj sendërton materialin e disa tregimeve në vëllimin që modestisht po shqyrtojmë.
Po mirë, cili është tregimi që i jep titullin vëllimit? Çfarë ndodh aty? Ngjarja, historia…? Asgjë! Nuk mund të tregoj asgjë! Përkundrazi, mund të mos tregoj. Mbajtja e të fshehtave… Është edhe ky një lloj fetishizmi? Nxitemi, ndjellemi ne nga ky shkak? Apo na ndjell nxitja e fantazisë së atij prej të cilit po e mban të fshehtën? Po cila, dreqi e mori është kjo e fshehtë? Dhe, mbi të gjitha, pse i kemi dhënë statusin e së fshehtës?
Letërsia është një lloj interteksti i pafundëm. Ndër legjenda, shpesh kafshët flasin. Ezopi u jep atyre jo veç fjalë (logos, pra aftësi për të menduar e për të folur), por edhe shpirt, aftësi për të ndjerë. Këtu e kap Chang fillin e lëshuar dhe e ngre në piedestalin e faqes së bardhë, në tregimin Çarku. Dhelpra flet, flet dhe vuan. Prej saj djali nuk flet, nuk flet dhe bën të tjerët të vuajnë. Personazhet e tjerë përziehen mes këtyre dy gjendjeve, të folur – të mosfolur dhe vetëm vuajnë, edhe kur mendojnë se nuk po u ndodh kjo.
Kapitalizmi si kapistall i sjelljes njerëzore, në këtë tregim, merr përmasën e tij më reale. Për hir të krijimit të kapitalit, njeriu sakrifikon humanizmin, por hierarkia e sakrificës shkon përtej: Ai është gati të shpërbëjë familjen, të shkatërrojë jetën dhe të sakatojë e mandej shpjejë drejt vdekjes krijesat e tija, fëmijët!
Grykësia, sipas Dantes, është mëkat po aq i madh sa kurrnacëria. Të dy këto kategori prehen në të njëjtin rreth të ferrit. Ndoshta sepse të dy janë të gatshëm të ndërtojnë vetë ferr për të tjerët.
E përmenda diku më lart Inteligjencën Artificiale. Sot ChatGTP është burim bashkëbisedimi për shumëkënd, sikundër Siri ishte dje apo Bixby pardje. Kolektivizimi i gjithë këtyre inteligjencave artificiale çfarë sjell? O Zot, as nuk do të doja ta imagjinoja, po mos të ma tregonte Lamtumirë, dashuria ime e Borës. Nga çasti kur e mora vesh, jo vetëm nuk resht dot së imagjinuari, por as nuk mund t’i jap fund së përjeturarit të frikës dhe ankthit nga ky realitet që jo vetëm nuk po provojmë ta shmangim, por po e thërrasim buzëqeshur, sikur po bëjmë pstpstpst kur shohim ndonjë mace.
Ne përndiqemi nga vetja jonë! Kontekstet mund të krijojnë hapësira fikse jashtë të cilave, po dolëm, do të gjykohemi njëlloj si brenda tyre. Kjo ndodh te Shenja ku pafajësia nuk shihet si mundësi, sepse mundësia për ta treguar veten, jashtë gllabërimit prej të padrejtit a padrejtësisë i është mohuar përherë. Ai di të jetojë si dikush që mbrohet, askush s’e ka mësuar ndryshe, askush s’e ka lënë të provojë se si është ndryshe!
Ndërsa tre tregimet e fundit nuk kam pse t’i përmend! Në to, rrokullisja e botës dhe kokëposhtësimi i saj paraqiten në tre dimensionet e tyre: Atë të frikës, atë të ankthit dhe atë të dashurisë! Është e çuditshme sesi një autore ia del t’i ndërtojë me thjeshtësi rrëfimet për këto tre tema, rrëfime me qetësi të ndërlikuar ndër nyja ku limfa e jetës së tekstit nuk resht së lëvizuri, por kthehet në helmin e fundit të aftësisë perceptuese njerëzore. Gjithë mësimet e deritanishme shndërrohen në pluhur buzë dallgëve të së mundshmes, por që burojnë nga deti për të cilin deri tani kushdo e ka quajtur Det i së pamundshmes.
Sikur dikush të ulej e të shkruante një studim për këtë libër, titull metaforik shumë i përshtatshëm kish për të qenë “Notimi i dallgëve të së mundshmes dalë prej detit të së pamundshmes”. Ose kjo është sentenca e zbërthimit të kuptimit që merr perceptimi i mundësisë se ndërgjegjja njerëzore zbërthehet edhe nëpërmjet një libri. Një libri si “Lepurushi i mallkuar”, një mallkim aq i egër për zvetënimin njerëzor nga një krijesë kaq e butë!
Foto nga Aliona Pogaj