More
    KreuForumi mbi përkthiminAndreas Dushi: Një vëzhgim mbi tre variantet e përkthimit në shqip të...

    Andreas Dushi: Një vëzhgim mbi tre variantet e përkthimit në shqip të pjesës së parë të romanit “Don Kishoti i Mançës”

    Përkthimi i parë i “Don Kishotit” nuk është realizuar nga Fan Noli, por nga Ndoc Vasija në vitin 1928. Dukuria unike që na tregon mbi ç’variant të “Don Kishotit” e realizoi përkthimin e tij Fan Noli. Në Panairin e Librit, Tiranë 2022 u paraqit ripërkthimi i pjesës së parë të “Don Kishoti” nga Bajram Karabolli.

    Në Panairin e Librit, Tiranë 2022 shtëpia botuese “Albas” i paraqiti lexuesit ripërkthimin e pjesës së parë të “Don Kishoti” nga Bajram Karabolli. Gjerësisht, përkthimi më i hershëm i është atribuar Fan Nolit i cili, në fillimin e viteve ’30 botoi në Boston ndarë në pesë vëllime pjesën e parë të aventurave të Sojliut mendjemprehtë të Mançës. Por në fakt, po të shkojmë edhe pak vite më para, do të shohim se më 1928, “Tipografia e Zojës së Papërlyeme” është ajo që ia ofron për herë të parë lexuesit shqiptar veprën në fjalë nëpërmjet një përkthimi të lirë, realizuar nga Ndoc Vasija.

    Përkthimi i parë nga Ndoc Vasija

    Një biografi për të mund ta lexojmë në “Shtëpia botuese më e vjetër e Shqipërisë dhe kontributi i saj për Lëvizjen Kombëtare, arsimimin dhe kulturën” të Markus W. E. Peters:

    Ndoc Vasija u lind më 27 dhjetor 1902 në Shkodër. Në vitin shkollor 1908/09 ai hyri në Kolegjën Saverjane të Jezuitëve. Pas maturës, Vasija fitoi një bursë austriake dhe studioi e u diplomua për shkenca politike në Universitetin e Vjenës. Pas përfundimit të diplomës ai u kthye përsëri në Shkodër ku qe aktiv si mësues në Kolegjën Saverjane, të paktën nga viti 1919 deri në vitin 1925, por edhe në vitet e mëvonshme.

    Midis viteve 1924 dhe 1927 nga penda e tij dalin disa kontribute lirike që botohen në kalendarët vjetorë të Veprës Pijore[1], ndërsa në vitet 1927 ai iu dedikua më tepër gazetarisë dhe punoi për gazetat “Gazeta Shqiptare” (që nga viti 1927), “Vullneti” (1929 – 1930) apo “Besa”, një gazetë ditore, kryeredaktori i parë i së cilës qe vetë Vasija (1931 – 1936).

    Për shkak të së kaluarës së tij letrare dhe gazetareske që nuk ishte më konform me regjimin, pas Luftës së Dytë Botërore ai qe i detyruar të ndryshonte orientimin profesional. Vasija vdiq më në fund në Durëss më 5 shkurt 1985.[2]

    Autori bën edhe një bibliografi të botimeve që Vasija realizoi në bashkëpunim me Tipografinë apo periodikët që ajo shtypte:

    1924: Boleshevikët [Vjershë kundër bolshevizmit];

    1925: Herojt Fashist [Vjershë në vargje];

    1926: Leter e hapun njerzve t’egjer [Vjershë në vargje];

    Kpucët me dhapa të Kasem Agës [Tregim];

    Nji padi e nji vendim [Vjershë në vargje];

    Footbal çok jasha! [Vjershë për futbollin në vargje];

    1928 (përkthim) Aventurët e Don Kishjotit të Cervantes. Përkthim i lir[3]

    Ndërsa në “Bibliografinë e Librit Shqip” të përgatitur nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë nën kujdesin e Maksim Gjinaj, Margarita Mele dhe Myrvete Mazi shohim edhe një tjetër libër ku Ndoc Vasija dha kontributin e tij: “Shqypnija. Njoftime dheshkrojtore shtetistike – administrore” i plotësuar, sipas parathënies, nga Ndoc Vasija. Viti 1922. (BLSh, 1113).

    Pra, përkthimi i parë i “Don Kishotit” nuk është realizuar nga Fan Noli, por nga Ndoc Vasija.

    Duke parë përkthimin e Vasijajt, vëmë re se ka retushime të shumta, pjesë të pafundme që janë hequr, ngjarje të cilat as që përmenden, çka sigurisht, e zbeh vlerën e përkthimit. Por ama, dhe kjo më duket shumë e rëndësishme, mendoj se këto retushime nuk janë të Vasijajt, por i përkasin një varianti të atillë në një tjetër gjuhë nga e cila Vasija ka përkthyer. Pra, nga Vasija është përkthyer një përshtatje e “Don Kishotit”. Kjo nisur edhe nga parathënia e librit ku vepra quhet romanx i vogël. Gjithsesi, meqë nuk e kemi botimin origjinarë të përkthimit, ne mund veçse të hamendësojmë:

    Ktû Z. Ndoc Vasija ká nji perkthim të lír me nji giuhë popullore fort të bukur e të pasun me frazeologji, e ká dít me mjeshtrí të madhe me u dhânë hokave e thanjeve gazmore të romanxit njatë shpírt e njatë gjallsí qi lypë bukurija e giuhës shqype.

    Këndoje, o lexues, me vêmendje ket romanx të vogel se ké me i kalu plot gzim e shênd disá orë të mira.

    Pesë vjet më vonë, Fan Noli na e thotë se ka bërë të njëjtën gjë, pra ka hequr pjesë, duke na vënë në dijeni, gjithnjë në vija të përgjithshme, për cilat pjesë bëhet fjalë dhe duke e përligjur veprimin. Kështu, ai na tregon se në fakt është bazuar në versionin intergral të tekstit dhe heqjet kanë qenë të tijat:

    Pjesa e parë e Don Kishotit u përmbloth në pesë vëllime, e jo në gjashtë, siç e bënja hesap në krye nga shkaku i disa shkurtimeve që kam bërë. Për shëmbëll, lashë jashtë pothua gjithë vjershat, se vlera e tyre nukë m’u-duk shum e lartë, dhe përktheva vetëm tri prej këtyre që kanë një farë lezeti. Gjithashtu lashë jashtë një kritikë të gjatë, që bën prifti mi artin dramatik të Spanjës, se kjo ësht interesante për shtudentët e specializuar të leteratyrës spanjolle, po fare e mërzitur për këndonjësit profanë. Shkurtimet e tjera janë bërë në novellat e interkalluara dhe në episodet e dorës së dytë. Më vjen keq që nukë bëra kësisoj shkurtime që në krye, po që nga mezi e këtej. Sido qoftë, u mbetem borç një vëllim atyre ndihmëtarëve që paguan për gjashtë vëllimet. Si çpërblim, jam gati tu dërgonj dy libra të tjera, të cilat munt ti zgjedhin vetë nga lista e Librarisë Letrare, që botohet në krye të këti vëllimi.

    Boston, Mars, 15 prill 1933.

    Përkthenjësi

    Ndërsa Bajram Karabolli nuk e bën diçka të tillë. Që në krye, ashtu edhe në fund e sigurisht, përgjatë tekstit, shohim pjesët e hequra nga dy pararendësit, kryesisht poezitë, njëlloj sikundër shohim fare qartë se përkthimet e tyre shpesh janë shumë larg nga njëri variant në tjetrin.

    Por në këtë shkrim, duke qenë se duhet t’i vëmë një objekt konkret, do të ndalemi në dy çështje, fillimi i librit si dhe emri i personazhit Sanço Pança.

    Varianti i përkthimit të N. Vasijajt është botuar vetëm një herë e po ashtu, edhe ai i B. Karabollit. Ndërsa i F. Nolit ka njohur dhjetra botime në Shqipëri, Kosovë e diasporë. Për të qenë sa më pranë vullnetit të tij si përkthyes dhe në një linjë të njëjtë për punën, do t’i referohem edhe në rastin e tij botimit të parë, atij të Bostonit në vitin ’32 dhe ’33, kohë gjatë së cilës shtrihet shtypi i të gjithë tomeve, pra vëllimeve të pjesës së parë.

    Fillimi i librit

    Që në faqet e para të përkthimit që realizoi Ndoc Vasija (në vijim “Varianti N.V.”), vëmë re që, më shumë se me një përkthim, kemi të bëjmë me një rrëfim të Don Kishotit:

    Don Kishjoti kaluer shetitës. – Vendin se ku me të vertetë ká lé Don Kishjoti, Cervantes e ká pá me rrugë m’e lanë pá e permendë, mbasi i â duke pun’ e mjaftueshme me diftue se jetoj në shekullin XVI, në Mangje qi asht nji krahinë nder male mâ shkretnueme të Spanjës.

    Nonse nder zotní të katundit aj ishte mâ i shkunduni, per krení nuk ja lshote rrugen kuej. Jeten shpijake e shkote dosido por i kishte ânda per kahë vesha me u mbajt e me u ngrehë byber mbi pilav: nder dit diele e të kremte delte i ngrimë kadife, e nder tjerat petka cohet asì miret. Punen e martesës e kishte pasë hjekë myz e e kalote jeten me nji mesen e vet. Të tanë gjindja e shpís së tí ishin pós meset, nji sherbtore, mâ fort plakë, e nji qyqár rrogtarit qi s’ishte i zoti per tjeter veç me kí ndoj hardhi edhe me shilue kualt.

    Në Variantin N. V., tregohet se çfarë zgjedhjeje bën Cervantes-i për personazhet e tija si dhe natyrën e raportit që personazhi kryesor ka me personazhet e tjera, ato me të cilët jetonte.

    Fan Noli në përkthimin e tij (në vijim “Varianti F.N.”) është më i qartë dhe sigurisht, përkthen e nuk tregon. Edhe ky variant zë fill në të njëjtin çast të veprës, ku tregohet për heroin e saj si dhe personazhet rreth tij:

    KAPTINE I

    Qe merret me shkallɛn dhe jetesɛn e soliut tɛ dɛgjuar Don Kishotit tɛ Mannces.

    Nɛ njɛ fshat tɛ Mançɛs, qɛ s’ dua t’ia kujtonj emɛrin, rronte pak kohɛ mɛ parɛ njɛ sojli nga ata me shtijɛze nɛ sallɛn e armɛve, me mburonjɛ tɛ vjetɛr, me kalɛ thatanik e me langua tɛ gjahut.

    Te tre çejreket e iratit tɛ tij i harxhonte pɛr ushqimin, mish tɛ zier prej lope mɛ teper se prej deleje nonjɛherɛ, pastɛrma me hudhra pothua pɛr mbrɛma, korminɛ tɛ Shtunave, thier tɛ Prɛmteve, dhe rall e tek nonjɛ pullump tɛ Dielave. Restat i harxhonte pɛr veshjen, njɛ dolloma prej cohe, tirq prej velludhi pɛr ditɛt e shɛnuara me panduflla prej gjithasaj shtofe, dhe pɛr ditɛt e tjera tɛ javɛs tesha prej shajaku nga mɛ i miri. Mbante nɛ shtɛpi njɛ kujdestare qɛ kishte kapɛrxyer tɛ dyzetat, dhe njɛ mbesɛ qɛ s’kishte arrirɛ tɛ njɛzetat, dhe njɛ shɛrbetor pɛr arɛn e per pazarin, qɛ dinte t’i vente shalen kalit dhe tɛ pɛrdorte kosoren.

    Varianti F.N., i paraqet më qartësisht personazhet, i përshkruan nëpërmjet më shumë detajeve. Gjithashtu, edhe titujt e secilit variant për kreun e parë ndryshojnë. Por kjo nuk e cënon kuptimin që, nga njëri variant përkthimi te tjetri, ka shtegtuar thuajse i njëjtë. Pra, mund të thuhet se të dy përkthyesit i fillojnë njëlloj variantet respektive.

    Thuajse një shekull më vonë Bajram Karabolli, me tekst origjinarë botimin e “Don Kishtotit” nga Akademia Mbretërore e Spanjës[4], ruan që në krye të herës ato që Fan Nolit nuk ju duk se kanë vlerë të lartë: vjershat. Menjëherë pas kushtimit dhe prologut, lexojmë sipas radhës: “E panjohura Ugrandë Për librin Don Kishoti i Mançës”, “Sonet i Amadisit të Galisë për Don Kishotin e Mançës”, “ Sonet i Don Belianisit të Greqisë për Don Kishotin e Mançës”, “Sonet i zonjës Oriana për Dulqinjën e Tobosës”, “Sonet i Gandalinit, shqytar i Amadisit të Galisë për Sanço Pançën, shqytarin e Don Kishotit”, “Nga Donoso, poet i ndërkallur për Sanço Pançën [dhe po nga ai, shënim imi, A.D.] Dhe për Rosinantin”, “Sonet i Rolandit të Terbuar për Don Kishotin e Mançës”, “Sonet i Kalorësit Feb për Don Kishotin e Mançës”, “Sonet i Solisdanit për Don Kishotin e Mançës” si dhe “Sonet – dialog midis Babiekës dhe Rosinantit”. Pra e gjithë kjo pjesë nga “Don Kishoti”, veç tani vjen në shqip për herë të parë.

    Referuar pjesës me të cilën fillojnë dy variantet e tjera, Varianti B.K. është si më poshtë:

    KAPITULLI I

    Ku tregohet se kush ishte dhe me çfarë merrej sojliu i famshëm, Don Kishoti i Mançës

    Në një fshat të Mançës, që s’dua t’ia zë ngoje emrin, jo shumë kohë më parë jetonte një sojli nga ata me heshtë në shkrolc, me shqyt të hershëm, me kalë gërdallë dhe me langua gjahu. Tre të katërtat e të ardhurave të tij i harxhonte për një kusi me më shumë mish të zier lope se dashi, pastërma me qepë thuajse përnatë, vezë dhe proshutë të fërguar të shtunave, thjerrëza të premteve dhe, kur e kur, ndonjë pëllumb të dielave. Ç’mbetej, i harxhonte për veshmbathje: një gubere35 prej cohe të zezë dhe kallca të kadifenjta të kombinuara me pantoflat, për ditët festive, ndërsa, gjatë ditëve të zakonshme të javës, e nderonte veten me veshjen e tij prej stofi nga më i miri.

    Kishte në shtëpi një shërbëtore-amvisë, e cila i kish kaluar të dyzetat; një mbesë, e cila s’i kish mbushur të njëzetat, dhe një shërbëtor për punët e arës dhe ato të shtëpisë, i cili dinte t’i vinte shalën kalit dhe të përdorte kosoren.

    Sikundër shohim në këtë pikë, varianti B.K. është shumë pranë variantit F.N..

    Sanço Pança (apo Sanço Plandci)

    Është një rast shumë interesant ai i shoqëruesit karakteristik të Don Kishotit, Sanços. Naiviteti i tij i jep mundësi të shtrihet në një tjetër dimension konteksti grotesk i karakterit kryesor. Sipas P. M. Pasinettit në volumin e parë të World Masterpieces, Masterpieces of Renaissance (botim i Universitetit të Kalifornisë), Sançoja, ndonëse natyra e tij është përcaktuar fuqimisht nga tipare të tilla si gjykimi i shëndoshë, të folurit me këmbë në tokë, frazat e thjeshta të përziera me proverba (këto proverba dalin më së miri në shqip, sipas meje, në variantin B. K. [shënimi im, A. D.]), vihen kundër elokuencës së lartë të heroit, është karakterizuar kryesisht në zhvillimin e tij nga shkalla në të cilën ai beson në mjshtërinë e tij. Ai është kapur në befazi nga vizioni i Don Kishotit, farat e jetës fantazuese kanë zënë vend me sukses tek ai.

    Por tani, të ndalemi pak tek emri i personazhit.

    Te “Don Kishoti”, janë disa emrat që e kanë një gjegje përtej të qenit patronime. Mes tyre kemi Dulcinea-n që, po e përkthyem fjalë për fjalë do të ishte Ëmbëlakja e po ashtu, edhe Sancho Panza i cili, ardhur plotësisht në shqip do të na jepte Sancho Plëndsi. Por ama, thuajse në asnjë gjuhë të botës kjo nuk ndodh: emri nuk përkthehet. Ama Ndoc Vasija në përkthimin e tij të vitit ’28 vendos të bëjë të kundërtën, vetëm me mbiemrin e Sanchos: ta përkthejë në Plandci. Kështu, emrin e personazhit e kemi Sanço Plandci. Meqë nuk jemi të sigurt nëse ka qenë gjuha origjinale ajo nga e cila e ka marrë Vasija tekstin për ta përkthyer, e kemi të pamunudr të gjurmojmë një variant në të cilin ai duhet të jetë bazuar për këtë zgjedhje.

    Me përkthimin e dytë ndryshon puna. Dhe çështja bëhet më komplekse. Për herë të parë, mbiemrin e Sanços e kemi Pança. Pse, po të kemi parasysh se në spanjishten e fillimit të shekullit XX grafema ç nuk kishte një fonemë së cilës i përgjigjej? Pra, nga e ka marrë Fan Noli “ç”?

    Aq më tepër po të kemi parasysh faksimilet në vijim të përkthimeve në gjuhë e vite të ndryshme, gjithnjë pranë periudhës kur edhe Fan Noli u mor me këtë përkthim, problemi zgjerohet edhe më tepër. Shtoji kësaj edhe një botim të 1923 në Londër që në fakt nuk është gjë tjetër përveçse rishtypje e përkthimit të parë në anglisht mes viteve 1612 – 1620 nga Thomas Shelton. Në tekstin e rishtypur, emrin e Sanços e kemi bashkëshoqëruar me mbiemrin Panca (faksimili nr. 3), ndërsa te parathënia e F. J. Harvey Daston-it, shohim t’i referohet po të njëjtit personazh si Sancho Panza (faksimili nr. 4). Përgjatë viteve, vetë mbiemri i Sanços ka ndryshuar njëlloj sikundër fonetika e gjuhëve dhe paraqitja grafematike e fonemave. Që kjo ka ndodhur vërtetohet lehtësisht edhe nga krahasimi i atij përkthimi të parë nga Shelton me përkthimin e parë të shekullit XX nga John Ormsby. Shtëpia botuese “Gowans & Gray” botoi të gjithë veprën e Cervantes-it e mes tyre, sigurisht, edhe “Don Kishotin” (faksimili nr. 3.1). Aty e shohim mbiemrin e Sanços ashtu sikurse i referohet Daston-i në parathënien e sipërcituar: Panza (faksimili nr.2).

    faksimili nr. 3
    faksimili nr. 3.1
    Faksimili 2
    Faksimli 4

    Edhe botimet në gjuhën italiane, mbiemrin e Sanços e japin po njëlloj, Panza. Ndryshon vetëm shkrimi i emrit, që tanimë është Sancio. Sikurse mund të shihet nga botimi i 1831 në Napoli ku mungon emri i përkthyesit (faksimili nr. 5.1), kemi pikërisht ruajtjen e mbiemrit origjinal spanjisht (faksimili nr. 5). Po ashtu edhe më vonë, më 1876 vërehet i njëjti shkrim i emrit, Sancio Panza (faksimilet nr. 6 dhe 6.1).

    Faksimili 5
    Faksimili 5.1
    Faksimili 6
    Faksimili 6.1

    Ndërsa në gjuhën frënge, vërejmë diçka tjetër. Përkthimet e para, ata shumë pranë periudhës kur u shkrua vepra në origjinal, pra në shekullin XVII, Sançon na e japin me mbiemrin Pança (faksimilet 7 dhe 7.1). Por më vonë, me shekujt që kalojnë, kjo ndryshon dhe mbiemri i Sanços del ngjashëm me gjuhët e tjera, Pansa (faksimilet 8 dhe 8.1). Për të vijuar mandej, me botimet më të vona kur e kemi njëlloj si italishtja, anglishtja dhe vetë spanjishtja, Panza.

    Faksimili 7
    Faksimili 7.1
    Faksimili 8
    Faksimili 8.1

    Po mirë, pse frëngjishtja ku “ç” vijon të ekzistojë edhe sot, veç në fillim e jep me këtë shkronjë mbiemrin e shqytarit karizmatik?

    Kjo na shtyn të shohim botimin e parë të veprës dhe aty gjithçka qartësohet: Sikundër faksimili 9 tregon, në gjallje të vet, Cervantes-i vetë, duke ju referuar (besoj) rregullave gramatikore të spanjishtes së asaj kohe, përdor pikërisht “ç” në mbiemrin e sejmenit të heroit tonë. Në atë që mund të quhet edhe botimi sipas vullnetit autorial të Cervantes-it, bashkudhëtari i Sojliut mendjemprehtë të Mançës quhet Sancho Pança.

    Tani, për aq kohë sa edhe Noli e lë mbiemrin e Sanços pikërisht Pança, kujt botim i është referuar në përkthimin e tij? Apo kjo ka ardhur natyrshëm te Noli, i pandikuar nga varianti prej ku e ka përkthyer tekstin apo nga ndonjë variant në gjuhë të tjera (skurse mund të aludohet për variantin frëng të lartpërmendur)?

    Po të kemi parasysh natyrën e përkthimeve të Nolit, ata i përngjajnë më shumë shqipërimeve. Aq më tepër, nëse lexojmë fundin e “Don Kishotit” të përkthyer prej tij, ndjejmë domosdoshmërinë për ta vënë buzën në gaz me përmendjen e Domosdovës, Librazhdit e Rrogozhinës, si toponime a llagape. Nisur prej kësaj, besoj se po të ishte konsultuar vetëm me një variant ku mbiemri i Sanços jepet si Panza, që sikurse e përmenda disa herë do të thotë plënds, atëherë ai do ta kishte përkthyer a së paku, do ta kishte lënë ashtu, sikundër bëjnë përkthyesit në të tjera gjuhë. Ose – ose, mund ta kishte shqipëruar sipas variantit fonetik, duke e shkruar ashtu sikurse lexohet, pra Pantha. Por nuk ndodh kështu.

    Nuk e them dot se Fan Noli gjatë gjithë përkthimit i ka qendruar besnik atij botimi të parë në spanjisht, kur Cervantes-i ishte akoma gjallë, por me bindje them se cilindo variant të ketë përdorur si bazë për përkthimin e tij, me patjetër ka konsultuar edhe të tjerë, në mos të parin apo të dytin në spanjisht, të parin në frëngjisht. Ai ishte njohës shumë i mirë i të dyja këtyre gjuhëve. Sipas Efthim Dodonës në “Noli i panjohur”, shohim madje se frëngjishten e njihte para spanjishtes dhe, kur aplikon për t’u pranuar si student në Harvard, tregon se frëngjishten e njeh pasi ka studiuar për gjashtë vjet, nga katër orë në javë në Gjimnazin Grek, nga frëngjishtja e folur, nga drama romantike franceze dhe nga shkolla verore e Universitetit të Harvardit[5] dhe po aty, thotë se ka dhjetë përkthime nga greqishtja dhe frëngjishtja. Po Dodona na thotë se Noli ka qenë mësues i Greqishtes së Vjetër dhe të Re si dhe i Frëngjishtes për dy vjet (1904 – 1906) në Egjipt (Shibin-el-Kom dhe Fajtum)[6].

    Ndërsa për njohjen e spanjishtes prej tij, shohim se më 1911 (dy vjet pas aplikimit për në Harvard dhe fitimit të së drejtës së studimit), ai njihet me vendimin që ka marrë Komisioni i Pranimit [në universitetin e Harvardit, shtesë imja A. D.] për të kaluar në “Senior”.[7] Që të marrë pikët e nevojshme për këtë kalim, pak a shumë sikurse janë sot kreditet universitare, ai jep disa provime, mes të cilave edhe spanjishten. E gjitha kjo, dy dekada para se të fillonte botimi i “Don Kishotit” përkthyer prej tij.

    Paçka se përkthimi i përket gjysmës së parë të shekullit XX, ai nuk është mjaftuar me botimet që masivisht gjendeshin në atë kohë nëpër librari, por ka qëmtuar biblioteka apo dyqane antikuarësh për të shkuar tre shekuj më heret, në mënyrë që teksti me të cilin punonte të jetë sa më pranë origjinalit dhe origjinarit. Në një kohë si ajo kur Noli jetoi e punoi, ky ishte mundim më vete dhe, në qoftë edhe veç për këtë, ai meriton lavdërim.

    (Dhe meqë ra fjala te mundimet e vështirësitë e kohës kur Fan Noli jetoi e punoi, duhet të them se për të gjitha faksimilet e mësipërme që nuk janë shqip, kreditet i takojnë Google Books… Nuk pata nevojë të udhëtoj botën për të gjetur botimet në fjalë: mjaftoi laptopi dhe interneti. :))

    Prap se prap, me patjetër nuk mund të mos thuhet se kjo vlerë për qëmtimin deri në imtësi të atilla venit apo fanit mungesat e tjera të përkthimit që u cituan qysh në krye të shkrimit. Ato mangësi përmbushen vetëm me ripërkthime – puna me këtë shkrim më mësoi se në gjuhë të tjera prej katër shekujsh “Don Kishoti” është ripërkthyer dhjetra, në mos qindra herë, ndërsa në shqip vetëm tre – prandaj kushdo vendos të rimarrë në dorë një klasik për ta sjellë sërish në shqip, bën një punë të madhe duke e ripropozuar në një gjuhë më të re, më pranë lexuesit të kohës kur ripërkthimi realizohet dhe, për më tepër, kur përkthimet janë copë-copë, u kthen atyre nderin e humbur. Por kush mund ta gjykojë diçka të tillë? Të rrallë janë ata që vërtetë kanë aftësinë ta bëjnë! Dhe akoma më të rrallë ata që mund ta zhbëjnë subjektin e ankesës. Ndaj edhe secili ripërkthim i klasikëve duhet mirëpritur dhe çmuar, por edhe (thuajse) secili përkthim duhet përshëndetur dhe vlerësuar.


    [1]  Sipas Hamdi Bushatit (Shkodra dhe motet, vëll. I, fq. 123), “Vepër pijore” ishte një shoqëri kulturore e përbërë nga laikë katolikë nën drejtimin e jeuzitëve me pikësynimin për të mbledhë fonde dhe për të botuar letërsi […] Në këtë seri bënte pjesë edhe “Kalendari i vjetit…” që shtypej në shtypshkronjën e Zojës së Papërlyeme, dhe u botua në vitet 1908 – 1928. Kishte karakterin e një almanaku me rubrika interesante kushtuar kronikave, ngjarjeve historike, figurave historike e personazheve të kohës, letërsi etj., shoqëruar me klishe. (Shënimi im, A. D.)

    [2]  Markus W. E. Peters, “Shtëpia botuese më e vjetër e Shqipërisë dhe kontributi i saj për Lëvizjen Kombëtare, arsimimin dhe kulturën”, përkth. Edmond Malaj, qendra botuese “Shoqata e jezuitëve”, 2016, fq. 546-547.

    [3]  Po aty.

    [4]  Sipas fontespicit të veprës, ky është teksti nga i cili Bajram Karabolli ka përkthyer “Don Kishotin”.

    [5]  Efthim Dodona, “Noli i panjohur”, shtëpia botuese “Enciklopedike”, Tiranë, 1996, fq. 20

    [6]  Po aty, fq. 27.

    [7]  Po aty, fq. 43.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË