More
    KreuOpinionAndreas Dushi: Një përvijim historik i familjes Kamsi nëpërmjet emocioneve të Miryam

    Andreas Dushi: Një përvijim historik i familjes Kamsi nëpërmjet emocioneve të Miryam

    Nga familja Kamsi kam njohur vetëm Miryam, ose Milën sikundër më kërkoi ta thërrisja. Nëpërmjet emocioneve të saj teksa më rrëfente historinë e familjes, shkrova këtë përkujtim për Willy Kamsin, më së pari dhe gjithë brezin e fundit të dinastisë së tij, pasardhëse e Engjëllorëve të Drishtit

    Biblioteka “Zoja e Shkodrës” pranë famullisë me të njëjtin emër ka vendosur që katin e dytë t’ia kushtojë bibliografit, studiuesit, përkthyesit dhe diplomatit Willy Kamsi, si peng nderimi e shenjë kujtese për një figurë të shquar me kontribut të shtrirë në disa fusha të shoqërisë. Në këtë rast, kjo bibliotekë e vogël shlyen një borxh që e ka e gjithë shoqëria ndaj një personaliteti që me punë e mundim e mbrojti qytetin atëherë kur e shkuara e tij synohej të zhbëhej e në këtë mënyrë, e ardhmja të ishte e njëtrajtshme me të çdo qyteti të ri plot me njerëz të rinj në një sistem të ri, por në vetvete aq të vjetër sa vetë mizoria.

    Ky akt i vogël dhe domethënës më shtyu edhe mua ta përkujtoja në “ExLibris” bibliofilin erudit, njeriun që gjithë jetën e përkushtoi në mbrojtjen dhe promovimin e idealeve ku besonte, të përmbledhura më së miri në binomin që jeta e tij huazoi nga françeskanët, fe e atdhe duke i shtuar edhe një tjetër përmasë, kulturë. Një përkujtim pak më i veçantë, nëpërmjet dikujt tjetër, një gruaje e cila përmendet shumë pak, Miryam Kamsi, ose Mila, kaq, thjeshtë Mila.

    Unë nuk e kam njohur personalisht Willyn. Atëherë kur krijova interesin tim për filologjinë, ai kishte ndërruar jetë. Por motra e tij, Mila jetonte akoma, në shtëpinë që ndau gjatë gjithë jetës me të vëllanë. Sepse të dy qenë të pamartuar, bashkudhëtarë të njëri-tjetrit përgjithnjë. Isha tetëmbëdhjetë vjeç dhe punoja në portalin konica.al. Mila, pasi e telefonova në telefonin e shtëpisë, më priti dhe më tregoi, aq sa mundi e ashtu si mundi, mijëra libra të vendosur në çdo skaj të shtëpisë dhe pjesën e dytë, kuti plot me libra të futura në jerevi. Amaneti i Willyt ishte që librat e tij dhe të familjes t’i bashkoheshin koleksioneve të bibliotekës “Atë Gjergj Fishta” në Shkodër, bashkë me objektet  personale. Dhe kjo ndodhi, jo shumë kohë më vonë, në një ceremoni të posaçme pranë teatrit “Illyricum” të fretënve minorë.

    Mila më tha shumëçka, e ndër të tjetra, më dhuroi edhe njërën prej bibliografive të përgatitura nga Willy me këtë dedikim:

    Po si ka mundësi që kishin aq shumë libra? Aty u njoha për herë të parë me historinë e familjes, lidhjen stërgjyshore me Engjëllorët e Drishtit dhe miqësinë e atit të tyre, Gjonit, vëllai i folkloristit, leksikografit dhe arsimdashësit Kolë, me Luigj Gurakuqin. Në vazhdim, do të përpiqem të bëj një përvijim historik të familjes nëpërmjet fjalëve të Milës, duke ruajtur të drejtën për një dozë të lehtë subjektiviteti. Hapësira për secilën figurë dhe ngjarje të kësaj familjeje mund të mos jetë proporcionale me rëndësinë që mbart, por patjetër, është e njëjtë me peshën e emocionit që shoqëronte Milën teksa m’i rrëfente.

    Willy

    Lindi në Bari me 17 dhjetor të vitit 1926. Në vendlindje ndoqi shkollën fillore e të mesme, në institutin Di Cagno Abbrescia që drejtohej prej etërve jezuitë. Më ’43, u kthye në atdhe dhe akoma student, nën drejtimin e Filip Fishtës, filloi të parin angazhim me karakter bibliofil si punonjës me kohë të pjesshme në Bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Më ’48 përfundon edhe maturën në Gjimnazin e Tiranës.

    Komunizmi sikurse gjithë familjet shkodrane që jetonin në Tiranë, i dëbon nga kryeqyteti dhe për fat të mirë, familjen Kamsi e kthen në Shkodër aty nga viti 1953. Nuk i ndahet dot bibliotekës, ndaj sapo kthehet, kërkon dhe fillon punë vullnetarisht pranë bibliotekës së qytetit. Pasi arrin të punësohet në zyrën teknike të Bashkisë Shkodër, kontributi dhe rëndësia e tij bëhet e njohur, kështu më 1963 emërohet si përgjegjës i Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, sot Biblioteka e Universitetit Luigj Gurakuqi. Punon aty për njëzeteshtatë vjet dhe dymbëdhjetëfishon koleksionet, nga dhjetë mijë njësi në njëqindenjëzet mijë sosh duke hedhur themelet e një fondi albano-balkanologjik ndër më të mirët në Shqipëri pas atij të Bibliotekës Kombëtare. Qe politika e tij në drejtimin e institucionit që jo vetëm pasuroi  fondet e bibliotekës, por ruajti edhe disa nga librat më me vlerë të familjeve të vjetra shkodrane. Bëhet fjalë për libra që nuk i mbanin dot në shtëpi pasi regjimi i kishte kthyer në të ndaluar, kështu Willy u ofrua t’ua blinte dhe ia doli të ruante edhe librat nga regjimi, edhe familjet nga librat. Vetë Willy thotë në shënimet e veta biografike se ishin libra të blemë kryesisht nga familje katolike të Shkodrës. Rreziku i këtij vendimi sot mund të kuptohet me vështirësi e po ashtu, rëndësia e tij për kulturën e qytetit ndoshta ngjan pa ndonjë rëndësi të veçantë. Por është krejt e kundërta! E shkuara duhej zhdukur, pasi vetëm kështu njeriu i ri mund të krijohej i lirë. Gjetja e një mënyre për ta ruajtur këtë të shkuar dhe në të njëjtën kohë, ndihma e dhënë për ata që më së paku përkraheshin nga shteti, klasa intelektuale e para ’44 pasi ajo zotëronte bibliotekat më të mëdha, është një ndër veprimet më gjeniale që dikush mund të ketë bërë atëbotë. 

    Shërbeu në atë detyrë deri më 1990, për t’u emëruar mandej, një vit më vonë si Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Vatikan. Willy Kamsi është i pari ambasador i Shqipërisë në Vatikan, pasi deri më atëherë nuk kishin ekzistuar marrëdhënie diplomatike mes shtetit Shqiptar dhe Selisë së Shenjtë. Letrat Kredenciale i dorëzoi para Papa Gjon Palit II (tani shën Gjon Pali II) më datë 22 prill 1993, pak ditë para vizitës së Tij në Shqipëri. E ushtroi këtë funksion deri më 1996.

    Willy Kamsi duke i dorëzuar letrat kredenciale Papa Gjon Palit II

    Kthehet në Shkodër dhe jep një ndihmesë të jashtëzakonshme në ngritjen e bibliotekës së Institutit Teologjik dhe Filozofik “Zoja e Këshillit të Mirë”, seminari ku formohen meshtarët e të gjitha dioqezave shqiptare. Ja del të ngrejë një bibliotekë të pasur teologjike por pa harruar edhe pasurimin e fondeve albano-balkanologjike. Falë punës dhe përkushtimit të tij, katalogjet e saj pasqyrojnë një pasuri të pashoqe ndër biblioteka të institucioneve private. Me iniciativën e tij, biblioteka merr emrin “At Zef Valentini S.J.”, kështu bëhet i pari institucion që mban emrin e albanologut tejet të rëndësishëm por pak ose aspak të përmendur.

    Ndër të tjera, hartoi edhe katër bibliografi retrospektive kronologjike për periodikët kryesorë të para ’44-ës: “Hylli i Dritës”, “Albania”, “L.E.K.A” dhe “Shejzat” e “Shkëndija” në një vëllim të vetëm.

    Pasi Mila m’i tregoi këto, u ngrit dhe kërkoi në morinë e paimagjinueshme të librave. Ishin disa revista të lëna bashkë horizontalisht mbi disa libra me lartësi të ndryshme. “Këtu ashtë Vili,” më thotë. Mendova mos ishin foto të tij, por jo, bëhej fjalë për artikuj të ndryshëm me karakter gjuhësor, arkeologjik apo historik, si dhe të një fushe ku nuk e njihja kontributin e Willyt, studimin e monumenteve.

    Mandej, tek po kërkonte një kumtesë të të vëllait mbajtur në L’Orientale në vitin 2005 me temë Thirrja e krishterë dhe europiane e Gjergj Kastriotit Skanderbegut, gjeti disa kartolina dhe m’i solli.

    “A e di çfarë janë?” më pyeti.

    “Kartolina,” i them.

    “Po,” – tha dhe mori të fundit. Ishte bardh e zi, dukej shumë e vjetër. “Vit për vit, të gjithë sa ishim në shpi shkrunim një kartolinë të përbashkët për Kshnella. Shihe, ktu janë baba, nana, Vili edhe unë. Te tana këto jena te katërt. Ndërsa te këto, ne të tre, pa baben. Te këto të tjerat, me ma shumë ngjyra se janë mbas ’90-ës, jam vetëm me Vilin. Ndërsa tesh, i bjen ta shkruj vetem, për vedin, po çka mund t’i uroj vedit tem?”

    Prej asaj dite, mbetem jashtëzakonisht shumë kureshtar t’i lexoj ato kartolina. Jo nga përmbajtja, por nga emocioni. Vetëm ideja se janë më mbush me një përjetim të panjohur, diçka mes trishtimit tek sheh si firojnë emrat e anëtarëve të familjes dhe gëzimit për një kujtim kaq të bukur që është bashkëndarë mes tyre. Nuk e di si po vijon, madje as nëse ka filluar apo ka mbaruar puna me katalogimin e bibliotekës, arkivit dhe sendeve personale të familjes Kamsi në bibliotekën e françeskanëve, është shumë e vështirë të marrësh ndonjë informacion aty. Sidoqoftë, ky rrëfim i Milës më vjen shpesh në mendje dhe falë tij e kuptoj se jeta e saj ka qenë një jetë e kaluar në plotni, paçka se përkushtimi deri në vetëmohim për t’i shërbyer të atit e të vëllait bashkë me zgjedhjen për të qëndruar përherë në hije krijojnë një ide krejt të kundërt nga kjo e vërtetë madhështore.

    Willy vdiq më 24 janar, 2017 në shtëpinë e tij në Shkodër. Ndërsa Mila, më 21 nëntor, 2021 në shtëpinë e kujdesit të motrave të Nënë Terezës në Tiranë.

    Kolë Kamsi

    në shënimet e të vëllait, treguar

     prej mbesës së tij

    Lindi në Shkodër më 24 shtator, 1886. Shkollën e ndoqi në Shën Dhimitër Korone, kolegji italo-arbëresh ku njohu shumë mirë edhe dialektin e arbëreshëve. Kthehet në Shqipëri, mbaron Normalen e Elbasanit dhe emërohet mësues në filloren italiane të Vlorës. Jemi në vitin 1907. Është po ai vit kur boton dy artikujt e parë në “Albania”, me pseudonimin Komneni.

    Ndaloj këtu për të parë bibliografinë e nipit të tij për “Albanian” dhe gjej pa vështirësi artikujt e përmendur. I pari titullohet “Do karaktere të veçanta të dijetarëve”. Kërkoj “Albanian” dhe shkoj aty ku më orienton bibliografia. Në shkrim përshkruhen tiparet karakteriale të disa personaliteteve shumë të njohura nga çdo fushë e kulturës si Rossini, Njutoni, Volteri, Petrarka, Franklin, Shopen, Vagner, Monteskje etj. Unë në jetëshkroje t’shkrimtarëve, thotë në tekst, kam gejtë shumë ksi karakteresh t’çuditshme dhe ato i tregon me një dozë të lehtë humori, me shumë gjasë të paqëllimtë.

    Shkrimi tjetër është për Graziadio Isaia Ascoli, si përkujtim pasi kishte ndërruar jetë një vit më herët në moshën 78 vjeçare, Ai ishte historian dhe një ndër gjuhëtaret e parë italianë, sipas Kamsit.

    Nga figurat ndërkombëtare, pesë vjet më vonë do të orientohej te figurat me kontribut në dhe për Shqipërinë. Më 1912 shkruan për Edith Durhamin në “Kalendari Kombiar” që botohej në Sofie. Ndër të tjera, në shkrimin e titulluar “Një zemër bujare” thotë: Me ndihmë të saj, lëvizja jonë muer nji sulm të madh, fitoi nji emen e nji famë të naltë përpara kombeve t’Evropës e të Botës [së] Re, e si popull i Anglisë qi veçan e përkrahu ma tepër kombin tonë me anë të shtypit e me ndihma [të]  tjera…. Si shihet, Shqyptarët sot për sot janë zemra e sajë. Po aty, një vit më vonë shkruan edhe për Françesk Santorin. 

    Si njohës shumë i mirë i arbërishtes, arrin të paraqesë në kompleksitetin e tyre edhe shkrimtarë të tjerë arbëresh, ku vend shumë të rëndësishëm zë de Rada. Gjithsesi, përtej aktivitetit të përhershëm në shtypin e kohës, jep një ndihmesë të jashtëzakonshme në themelet e arsimit shqiptar, duke hartuar e botuar shkrime të ndryshme me karakter didaktik, si për shembull “T’i mësojmë fëmijët me folë”, “Historija”, “Gjeografija”, “Rendi qi duhet në mësimin e gjeografisë”, “Ortografija”, “Edukimi e morali” etj., të gjitha të botuara në organin e Ministrisë së Arsimit “Shkolla e re” në vitin 1920.

    Është një nga të parët që bën edhe përshkrime antropologjike të jetës arbëreshe, veçanërisht në “Kalendarin” e Veprës Pijore të vitin 1927. Vite më vonë, në “L.E.K.A” fillon të botojë monografinë “Shqiptarët e Italisë”, nga ’34-’44. Por kjo punë dhjetëvjeçare nuk e shkëputi nga angazhimet në fusha të tjera. Më ’34 boton një recesion për veprën e atë Justin Rrutës “Letratyra Shqype” bashkë me artikullin shumë të rëndësishëm “Nji letër e Abdyl Frashërit Françesk Krispit”.

    Me rastin e njëzetepesë vjetorit të pavarësisë, më 1937 mblodhi nga të gjitha gazetat shqipe brenda e jashtë vendit shkrime me karakter historik dhe kombëtar për t’i botuar po atë vit, sërish te “L.E.K.A”.

    Për herë të parë boton një vepër të panjohur të Santorit me titull “Nji dorëshkrim i panjoftun i At Anton Santorit – Prralla të zgjedhuna” në vitin 1943, vit kur mblodhi po ashtu të gjitha proverbat e botuara deri m’atëherë te “L.E.K.A”.

    Në revistën “Agimi” krijoi rubrikën “Exlibris” ku botonte herë pas here shprehje nga autorë të ndryshëm për fusha të llojllojshme, nga historia te letërsia, filozofia, shoqëria etj.

    U mor gjatë me shkrime historike, përkthime e studime, të orientuara kryesisht nga arbëreshët, çka u përmblodhën më së fundmi në Fjalori i Dialektit Arbëresh, botuar shumë vonë, aty nga fillimi i viteve 2000 falë Willyt.

    Profesor Jup Kastrati tregon se një ditë para se të vdiste ai i dorëzoi në shtrat, në shtëpinë e vet në Shkodër, profesor Mahir Domit veprën e tij jetësore dhe më të mirën e krijimtarisë së tij shkencore: “Fjalorin e dialektit arbëresh” me 23 shkurt, 1960. I tha këto fjalë: Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e mbajta.” [1]

    Në vitin 2005, Këshilli Bashkiak i Shkodrës vendosi të krijojë me emrin Kolë Komsi një titull nderimi për profesionin e mësuesit.

    Gjon Kamsi

    Lindi më 20 prill, 1894. Qe mik i afërt me Luigj Gurakuqin dhe përgatitësi për botim i poezive të tij, shoqëruar me jetëshkrimin që përgatiti po vetë. Ndodhej në të njëjtin qytet me Luigjin kur shtjenë mbi trupin e tij, i shkoi pranë dhe i mori këmishën e gjakosur për ta sjellë në Shqipëri. Me këtë vepër e çoi në një përmasë tjetër historinë e patriotit të vrarë pabesisht.

    Ishte miku i mirë i personaliteteve më të rëndësishme të kohës si atë Gjergj Fishta, atë Pal Dodaj e të tjerë. Mila më tregoi edhe dy stilografë, tanimë pjesë e bibliotekës françeskane, që vetë Fishta ia kishte dhuruar asaj e të vëllait në vegjëli.

    Për të atin, Mila kishte atë soj adhurimi sa ta ruante edhe prej fjalëve të saj.

    “Ai e zhvilloi aktivitetin e tij në Bari të Italis”, më thotë. “Ishte bashkëpunëtor i shtypit kombëtar brenda dhe jashtë vendit dhe anëtar i [lidhjes së] gazetarëve të huaj në Itali. Ka botue në revistat e njohura të asaj kohe: “Posta e Shqypnisë” dhe “Bashkimi i Kombit”. Gjithashtu ka bashkëpunuar edhe me shumë gazeta e revista të tjera, ku ndër to dallohet bashkëpunimi pesëvjeçar me ‘Hylli i Dritës’.”

    Edhe shkrimet e tij janë me karakter antropologjik si dhe, ndryshe nga pjesa tjetër e familjes, ka një vetëdije ekonomike dhe tregtare që më vonë do t’i vihej në dobi krijimit të institucioneve financiare të shtetit shqiptar. Në 1935 boton te “Hylli i Dritës” shkrimin: “Kriza dhe tregtija e jashtme e Shqipnís” e po atë vit, kohë kur bashkë me familjen ishte akoma në Bari, “Shqipnija ndër marrëdhanje tregtare me Italí, Greqí dhe Jugoslaví”.

    Edhe vitin pasardhës, vijon me shkrime të kësaj natyre si  “Ngjarje anasjellse n’ ekonomín kombtare të Shqipnís” apo “Rrugë të reja në politikën tregtare të Shqipnís”. Madje në tre numra rresht, të nëntorit dhe të dhjetorit të ’36 si dhe të shkurtit ’37,  bën edhe një analizë programit të kryeministrit për ekonominë.

    Pa u ndarë asnjëherë nga shkrimet e këtij karakteri, boton edhe një përkujtimore për Gurakuqin me titull “Nji «28 Nanduer» gjaku (1926)” në dhjetor të 1939 si dhe përgatit për botim  “Pavarsija e Shqipërisë” të Gurakuqit në ’43, shkrim i cili sipas të birit qe nxjerrë prej dorëshkrimevet të lanuna nga L. Gurakuqi [Gjon Kamsit dhe plaçkitë prej Sigurimit komunist në vjetin 1967].

    Fritz Radovani ka lënë një dëshmi shumë të bukur se si Gjoni, pas një festivali të Gjirokastrës çon një letër pranë Institutit të Etnografisë ku sqaron se gruaja shkodrane, në fakt nuk ishte paraqitur me dinjitet pasi i qe përçudnuar veshja. Mund të gjendet edhe në internet kjo letër, bashkë me përgjigjen e marrë.

    I mbylli sytë më 7 mars, 1992, si dëshmitar dhe dëshmues i të gjitha epokave historike të formimit të shtetit shqiptar.

    Pjesë e bibliotekës dhe arkivit të familjes Kamsi, dhuruar bibliotekës së françeskanëve

    Dhe Mila

    Për të nuk di asgjë. Dhe më vjen shumë keq për këtë. Nuk e pyeta as kur lindi, as për fëmijërinë, as për pasionet, ëndrrat, dëshirat, ndoshta ngase i shihja të gjitha të  jetuara teksa më tregonte jetën e familjes, historinë nga ajo e Engjëllorëve të largët, te Kamsit e mesjetës që dalin në Zara e deri te të djeshmit, i ati, i ungji  dhe i vëllai. Të paktën, Mila ishte ura që më njohu më konkretisht me to dhe falë bisedës me të, ky shkrim aq modest sa përvujtnia e saj botohet, edhe si shpagim i një detyrimi të brendshëm për figurat e mbetura padrejtësisht në plan të dytë të historisë.


    [1]  Kastrati, Jup, “Kolë Kamsi, Punëtor i palodhur në lëmin e arsimit e kulturës kombëtare”, “Shkenca dhe Jeta”, nr. 1, fq. 127, 1991.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË