More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAndi Nika: Bota e "Bar Sahara"

    Andi Nika: Bota e “Bar Sahara”

    Avull, mjegull, tym, rrota e tela. Një botë e ftohtë gri. Një botë mekanike që e ka humbur shpirtin e saj dhe e kërkon atë si e marrë. Një botë ku copëzat e mbetura të një lidhjeje të shëndetshme të njeriut me natyrën paraqiten tanimë si horrore paradoksale. Një kokë gomari që pëllet, si ofshama e fundit e një natyre që përdhunohet, gjehet në kroskotin e një makine pune, si shëmbëlltyra e jetës teknike. Shpirti i kësaj natyre nuk mund të integrohet në mënyrë të shëndetshme në këtë lloj jete, larg saj, në zhurmat e rrotave të qytetit. Por njeriu ngulmon ta bëjë, duke e zbutur atë nën shërbimin e tij. Por, fatkeqësisht, kjo natyrë e zbutur s’është gjë tjetër veçse një kokë gomari që pëllet.

    E tillë është bota e Bar Saharasë. Është një botë ku individi frymon i pashpresë brenda ‘kutisë’ së ndërgjegjes së vobektë, duke përmbushur kështu profecinë Platonike të njeriut shpirthekur i cili, i prangosur në zinxhirët e frikës dhe padijes në shpellën e tij të ngrohtë, adhuron etshëm hijet që e rrethojnë.  Ai e ka humbur sensin e dritës, ngjyrës, vetë jetës. Jeta tanimë ka rrota dhe këtij të mjerit i duket sikur mund ta ngasë. A thua të jetë e justifikuar krekosja?

    Por peisazhi që pikturojnë këto tregime është një peisazh jo për të gjithë; një peisazh i cili, pas ‘nënqeshjes së tij të çuditshme’, fsheh një detyrë të rëndë; një thirrje për guxim. Nuk ka asgjë të këndshme rreth ankthit ekzistencial që ofrojnë këto tregime. Por përballja me këtë ankth është e vetmja antidotë ndaj marrëzisë së modernizmit. Ankthi Kierkegardian, si kusht i nevojshëm i misionit arkaik të arritjes së të mirës dhe të vërtetës Sokratike, është i vetmi korrier i shpirtit si të tillë, dhe një botë që e ka humbur shpirtin e saj është një botë nevojtare ndaj këtij korrieri.

    Këtu qëndron dhe origjinaliteti i këtyre tregimeve. Nga njëra anë kemi vrazhdësinë e modernitetit, me të gjithë teknologjinë e tij si panacea përfundimtare e njeriut, dhe nga ana tjetër absurditetin me të cilin karakteret përballen. Kjo martesë midis vrazhdësisë moderniste dhe absurdit karakterizues sjell dhe ndjesinë e pashmangshme të Ankthit. Absurdi ndodh pikërisht kur, nën atmosferën e një rendi vlerash që po bie, ndërgjegja e patabantë ngre pyetjen e pashmangshme mbi vërtetësinë e tyre dhe, si rrjedhojë, mbi kuptimin e vetë jetës. Dhe Mëkati Fillestar i jep këtij absurdi një përgjigje aporike: nën petkun e teknologjisë, pjellës më të arrirë të kohës sonë dhe shenjuesit më të përsosur të një ndërgjegjeje racionale e post-dogmatike, Aleksandri kryen aktin tipik irracional, ritualin Biblik të vrasjes së parë në ‘botën e re’. Dhe Abeli i tregimit si personifikimi arketipal i ndërgjegjes moderne, ngre pyetje që e përforcojnë absurdin. Në çastet e fundit të jetës së tij ai rrethohet nga supozime, në dukje të palogjikshme, por që përbëjnë dhe simptomën karakterizuese të kësaj kohe. Çështja nuk është më përjetësia e shpirtit, por zgjatja e agonisë së jetës, pra, mbijetesë veç për hir të mbijetesës. Kjo ndërgjegje është aq e frikësuar dhe burracake, saqë edhe nën agoninë e dhimbshme të pranëvdekjes, përsëri përgjërohet për jetën e mishtë. Edhe pse e mbyllur në kutinë e dëshpërimit izolues, përsëri kërkon të qëndrojë brenda saj, me justifikimin se bota jashtë s’ka ndonjë vlerë të madhe, duke u identifikuar kështu me antinominë e élan vitalit, tkurrjen e pashmangshme të forcës jetësore.

    Nga ana tjetër Abeli ynë na shpall pikërisht rënien e një rendi vlerash: kush e dënon ‘Vrasjen e Parë’ të dytë? Kush e dëbon Aleksandrin nga Edeni? Askush. Askushi si i tillë: dogma që i zë vendin çdo sistemi teologjik, idhulli i një metafizike të plotë nihiliste. Sepse zotat vdiqën. Dhe ky mëkat arketipal i dyfishtë, ai i vrasjes së zotave dhe të një kushtetimi të tërë ndërgjegjësor, bartet kudo ku njeriu shkel. Të gjithë brezat pasardhës të planeta64040 do kenë në ballë damkën e Kainit që karakterizon etërit e tyre. Ky njeri që përpiqet ta çrrënjosë veten nga tradita tërhiqet zvarrë nën prangat saj. Ndërgjegja e tij fëminore do qëndrojë e prangosur derisa ajo të veshë dhe njëherë mantelin e lashtë të virtyteve më të larta të njeriut dhe të përballet me vetveten. Vetëm kjo përballje mund t’i japë zgjidhje Ankthit. Dhe në këtë kontekst, këta tregime na ftojnë drejt një rruge heroike, e cila, si kusht fillestar, ka pikërisht këtë përballje. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË