More
    KreuLetërsiBibliotekëAna Dostojevskaja: Dita kur Dostojevski më shprehu dashurinë

    Ana Dostojevskaja: Dita kur Dostojevski më shprehu dashurinë

    Ishte një ditë e kthjellët, me ngrica. Po shkoja në këmbë te Fjodor Mihajlloviçi, prandaj u vonova nja gjysmë ore nga koha e caktuar. Dukej që po më priste më herët, sepse, sapo dëgjoi zërin tim, vrik doli në paradhomë.

    – Më në fund, ja, erdhët! – tha gëzueshëm dhe nisi të më ndihmonte që të zgjidhja kapuçin dhe të hiqja pallton.

    Në studio, ku hymë së bashku, këtë herë kishte shumë dritë dhe gjithë habi vërejta se Fjodor Mihajlloviçi ishte ca i tronditur. Kishte një shprehje fytyre të ngazëllyer, gjithë shend, dukej krejt i rinuar.   

    – Sa gëzim që erdhët, – filloi. – Më kishte zënë frika se mos harronit premtimin tuaj.

    – Po përse menduat kështu? Nëse unë e jap fjalën, e mbaj gjithmonë.

    – Ndjesë, e di, ju i mbeteni besnike fjalës së dhënë. Jam kaq i gëzuar që ju shoh përsëri!

    – Edhe unë jam e gëzuar që po ju shoh, Fjodor Mihajlloviç, aq më tepër kaq të ngazëllyer. Ju ka ndodhur diçka e këndshme?

    – Po, më ka ndodhur! Kam parë një ëndërr të çuditshme këtë natë!

    – Ama vetëm kjo!

    Dhe zura të qeshja.

    – Mos qeshni, ju lutem. Ëndrrave u jap një kuptim të thellë. Ëndrrat më dalin gjithmonë. Kur shoh në ëndërr vëllain e ndjerë, Mishën, veçanërisht kur më fanitet babai, e di që po më kërcënon një hata.

    – Ma thoni, pra, ëndrrën tuaj!

    – E shihni atë sënduk të madh prej palisandri? Është një dhuratë prej shokut tim siberian, Çokan Valihanovit, dhe e kam shumë për zemër. Ruaj aty dorëshkrimet e mia, letrat, gjërat që i kam të shtrenjta nga kujtimet. Kështu, pra, shoh në ëndërr sikur jam përballë këtij sënduku dhe ftilloj shkresat. Befas, në mes tyre përshkëndit diçka, një yllëz e ndritshme. I prek një nga një shkresat, kurse yllëza herë shfaqet, herë zhduket. Kjo më intrigon: filloj t’i zhvendos  ngadalë shkresat, kur midis tyre gjej një grimcëz brilanti, por shumë të ndezur dhe shkreptitëse.   

    – Po çfarë bëtë me të?

    – Kjo është brenga që nuk e mbaj mend! Vijuan ëndrra të tjera dhe nuk e di se çfarë u bë. Veçse ishte një ëndërr e bukur!

    – Sikur ndodh e kundërta e asaj që sheh në ëndërr, – vërejta  dhe në çast u pendova për atë që thashë, sepse fytyra e Fjodor Mihajlloviçit ndryshoi menjëherë, u ngrys krejt.

    – Pra, ju mendoni se asgjë e lumtur nuk do të më ngjasë? Që kjo s’është veçse një shpresë e kotë? – thirri gjithë pikëllim.

    – Unë nuk i kuptoj ëndrrat dhe në përgjithësi, as që u besoj, – u përgjigja.

    Më erdhi aq keq që Fjodor Mihajlloviçit iu fashit ajo ndezulli dhe u përpoqa ta bëj të qeshë. Pyetjes, si i shihja ëndrrat, iu përgjigja në një mënyrë komike.

    – Më shpesh shoh në ëndërr ish-drejtoren tonë të gjimnazit, një damë e rëndë, me bukla dalëmode në tëmtha dhe kurdoherë duke më hequr veshin për diçka. Po ashtu më shtihet në ëndërr maçoku qimekuq, i cili kërceu një herë mbi mua që nga gardhi i kopshtit tonë dhe më trembi deri në palcë.

    – Ah, e vogla, ju, e vogla, – përsëdyti duke qeshur  dhe më përkëdheli me vështrim, – edhe ëndrrat po ashtu i keni! Pa më thoni, si e kaluat në festën e emrit të nunës suaj? – më pyeti.

    – Plot mirakande. Pas drekës të moshuarit u ulën të luajnë me letra, kurse ne, rinia, u mblodhëm në studion e të zotit të shtëpisë dhe gjithë mbrëmjen llomotitëm sa mundëm. Ishin edhe dy studentë shumë të këndshëm dhe të qeshur.

    Fjodor Mihajlloviçi u ngrys përsëri. Më befasoi se sa shpejt ndryshoi këtë herë gjendja e tij shpirtërore. Ngase nuk i njihja mirë shenjat e epilepsisë, mendova se mos kjo gjendje shpirtërore e ndryshueshme paralajmëronte afrimin e krizës dhe u tremba…

    Prej kohësh e kishim bërë zakon, qysh kur erdha të stenografoja, që Fjodor Mihajlloviçi të më rrëfente se çfarë kishte bërë dhe ku kishte qenë ato orë që nuk ishim parë. Nxitova ta pyesja se me çfarë ishte marrë ditët e fundit.

    – Kam në mendje një roman të ri, – u përgjigj.

    – Ç’thoni? Është interesant?

    – Për mua shumë interesant: por fundi nuk më ngjit. Këtu ndërthuret psikologjia e një vajze të re. Të isha në Moskë, do të pyesja mbesën time, Sonjeçkën, prandaj, hë, po ju drejtohem juve për ndihmë.

     U përgatita krenarisht të “ndihmoja” shkrimtarin e talentuar.

    – Po cili është heroi i romanit?

    – Një piktor, jo dhe aq i ri, hëm, le të themi në moshën time.

    – Më tregoni, më tregoni, ju lutem, – iu përgjërova, në kulm e interesuar për romanin e ri.

    Dhe si përgjigje për lutjen time u derdh një improvizim i shkëlqyer.

    As më parë, as më pas, kurrë, nuk dëgjova nga Fjodor Mihajlloviçi një rrëfim kaq të frymëzuar si këtë herë. Sa më tej përparonte, aq më e qartë më bëhej që ai po tregonte për jetën e tij, veçse duke i ndryshuar personazhet dhe rrethanat. Ishte gjithçka që më kishte treguar më parë shkarazi, pjesë-pjesë. Rrëfimi i tanishëm, i vijueshëm, më shpjegoi shumë për marrëdhëniet me gruan e ndjerë dhe të afërmit. Në romanin e ri ishte po ajo fëmijëri e vështirë, humbja e herët e babait të dashur, ca rrethana fatale (sëmundja e rëndë), të cilat e kishin shkëputur piktorin nja dhjetë vjet prej jetës dhe artit të dashur. Ishte këtu edhe kthimi në jetë (shërimi i artistit), takimi me gruan që dashuroi, vuajtjet shpirtërore prej kësaj dashurie, vdekja e gruas dhe njerëzve të afërt (motrës së dashur), varfëria, borxhet… Gjendja shpirtërore e heroit, vetmia e tij, zhgënjimi nga të afërmit, etja për një jetë të re, nevoja për të dashuruar, dëshira e zjarrtë për të gjetur rishtazi lumturinë ishin përshkruar kaq gjallërisht dhe mjeshtërisht, saqë dukej sikur ishin vuajtjet e vetë autorit, nuk ishin vetëm pjellë e fantazisë artistike.

       Në përshkrimin e heroit të tij Fjodor Mihajlloviçi nuk i kishte kursyer ngjyrat e errëta. Sipas fjalëve të tij, heroi ishte një njeri i plakur para kohe, vuante  nga një sëmundje e pashërueshme (paraliza e duarve), i vrenjtur, që dyshonte për çdo gjë; ç’është e vërteta, me një zemër të ndjeshme, por që nuk dinte t’i shprehte ndjenjat e veta; piktori, mbase, edhe i talentuar, por ishte një dështak që nuk kishte mundur sikur një herë të vetme në jetë të mishëronte idetë e tij në ato forma, për të cilat kishte ëndërruar dhe prej të cilave torturohej.

    Duke parë te heroi i romanit vetë Fjodor Mihajlloviçin, nuk u përmbajta dot që të mos e ndërprisja me fjalët:

    – Po përse ju, Fjodor Mihajlloviç, e keni fyer kështu heroin tuaj?

    – E shoh, për ju nuk qenka simpatik.

    – Përkundrazi, shumë simpatik. Me një zemër të mrekullueshme. Mendojeni, sa fatkeqësi i ranë mbi krye dhe i duroi pa u ankuar! Një tjetër, të kish provuar kaq hidhërime në jetë, ndofta, do të ishte ashpërsuar, kurse heroi juaj ende i do njerëzit dhe u shkon atyre t’i ndihmojë. Jo, jeni krejtësisht i padrejtë me të.

    – Po, e pranoj, ai ka një zemër vërtet të mirë, një zemër që dashuron. Sa i gëzuar jam që e kuptuat! Dhe ja, – vazhdoi rrëfimin e tij Fjodor Mihajlloviçi, – në këtë periudhë vendimtare të jetës, piktori takon në rrugën e tij një vajzë të re, vërsnike me ju ose një a dy vjet më e rritur. Le ta quajmë Ana, që të mos e themi heroinë. Ky emër më mirë…

    Këto fjalë më forcuan bindjen se me heroinë ai nënkuptonte Ana Vasiljevna Korvin-Krukovskajan, ish-të fejuarën e tij. Atë minutë harrova krejt që edhe mua më quajnë Ana. As më shkonte në mend se ky rrëfim kishte lidhje me mua. Tema e romanit të ri mund të kishte lindur (mendoja unë) nga përshtypja e përftuar prej letrave të Ana Vasiljevnës të dërguara nga jashtë shtetit, për të cilën Fjodor Mihajlloviçi më kishte folur ditë më parë. Zemra po më shtrëngonte sëmundshëm prej këtij mendimi.

    Portreti i heroinës ishte përshkruar me të tjera ngjyra, ndryshe nga heroi. Sipas fjalëve të autorit, Anja ishte e ëmbël, e mençur, e mirë, i gëzohej jetës dhe prekatare në marrëdhëniet me njerëzit. Duke i dhënë një kuptim të thellë bukurisë femërore, nuk u përmbajta dhe e pyeta:

    – Është e bukur heroina juaj?

    – Nuk është bukuroshe, natyrisht, por shumë e fisme. Më pëlqen fytyra e saj.

    M’u duk se Fjodor Mihajlloviçit i shkau goja dhe diçka më sëmboi në zemër. Më përfshiu një ndjenjë jo e mirë për Ana Korvin-Krukoskajan dhe vërejta:

    – Megjithatë, Fjodor Mihajlloviç, si tepër e keni idealizuar “Anjën” tuaj. E tillë është, vallë?

    – Pikërisht, e tillë është! E kam studiuar mirë! Piktori, – vijoi rrëfimin e tij Fjodor Mihajlloviçi, – e ka takuar Anjën në rrethet artistike dhe sa më shpesh që e shikonte, aq më tepër i pëlqente, aq më e fortë i krijohej bindja se me të ai mund të gjente lumturinë. Megjithatë, kjo ëndërr i dukej pothuaj e pamundur. Dhe vërtet, çfarë mund t’i jepte ai, plaku, njeriu i sëmurë, i mbytur në borxhe, kësaj vajze të re, plot shëndet, që i gëzohej jetës? A nuk do të ishte dashuria për këtë piktor një sakrificë e tmerrshme nga ana e kësaj vajze të re dhe a nuk do të pendohej pikëllueshëm që e kishte lidhur fatin e saj me të? Dhe, në përgjithësi, a do të ishte e mundur që një vajzë e re, kaq e ndryshme nga karakteri dhe nga mosha, ta dashuronte piktorin tim? Nuk do të ishte kjo një pabesnikëri psikologjike? Ja, pikërisht për këtë do të dëshiroja të dija mendimin tuaj, Ana Grigorievna.

    – Po përse e pamundur? Nëse Anja juaj, siç po thoni, është pa spitullime, ka një zemër të mirë, të dhembshur, pse të mos e dashurojë piktorin tuaj? Sepse është i sëmurë dhe i varfër? Po pse, vallë, mund të dashurosh vetëm për pamjen e jashtme dhe pasurinë? Po ku është sakrifica e saj? Nëse ajo e dashuron, atëherë edhe vetë do të jetë e lumtur dhe kurrë s’ka për t’u penduar!

    Kisha folur me rrëmbim. Fjodor Mihajlloviçi më vështronte i mallëngjyer.

    – Dhe ju besoni seriozisht që ajo do të mund ta dashuronte çiltërsisht dhe për gjithë jetën? – Heshti pak, sikur po mëdyshej. – Vëreni veten një minutë në vendin e saj, – tha me zërin që i dridhej. – Përfytyroni që ky piktor jam unë, që unë ju shpreha dashurinë dhe ju kërkoj të bëheni gruaja ime. Më thoni, si do të më përgjigjeshit?

    Fytyra e Fjodor Mihajlloviçit shprehte aq hutim, aq vuajtje zemre, sa më në fund e kuptova që kjo nuk ishte një bisedë letrare dhe se mund t’i jepja një goditje të rëndë egos dhe krenarisë së tij nëse do t’i jepja një përgjigje dredhuese. E vështrova atë fytyrë kaq të dashur, kaq të mallëngjyer dhe i thashë:

    – Unë do t’ju përgjigjesha se ju dashuroj dhe do t’ju dua për gjithë jetën!

    Nuk po tregoj ato fjalë të ëmbla, plot dashuri, që më tha ato minuta të paharruara Fjodor Mihajlloviçi: ato janë të shenjta për mua…

    E befasuar, e shembur nga mali i lumturisë sime, nuk po mundja ta besoja për një kohë të gjatë. Mbaj mend kur, pas ndonjë ore, Fjodor Mihajlloviçi nisi të më thoshte planet e së ardhmes sonë dhe më kërkoi se çfarë mendoja.

    Iu përgjigja: 

    – Po vallë mundem tani të ftillohem? Po jam kaq tmerrësisht e lumtur!

    Pa e ditur se si do të thureshin rrethanat dhe kur mund të bëhej dasma jonë, e vendosëm që të mos flisnim me askënd para kohe, me përjashtim të nënës sime. Fjodor Mihajlloviçi premtoi se do të vinte nesër gjithë mbrëmjen dhe më tha që e priste me padurim takimin tonë.

    Më përcolli deri në paradhomë dhe u kujdes që të më lidhte kapuçin. Gati të dilja, kur më ndaloi me fjalët:

    – Ana Grigorievna, po unë e di tani se ku ishte fshehur ai brilantth.

    – Mos ju kujtua ëndrra?

    – Jo, nuk m’u kujtua ëndrra, por, më në fund, e gjeta dhe do ta ruaj enkas për gjithë jetën.

    – Gaboheni, Fjodor Mihajlloviç! – qesha. – Nuk keni gjetur një brilantth, por një guriçkë zalli.

    – Jo, jam i bindur. Këtë herë nuk gaboj, – foli seriozisht, tashmë, kur po  ndaheshim.

    Ishte tetë nëntor 1866. Që nga ajo kohë ka kaluar gjysmë shekulli, por hollësitë e kësaj dite i kam aq të qarta në kujtesën time, thua se kanë ndodhur një muaj më parë.

    [Shënim i përkthyesit:

    Atë ditë, më 8 nëntor 1866, Dostojevski ishte 45 vjeç, kurse Ana sapo kishte mbushur 20 vjetët.

    Fjodor Mihajlloviç Dostojevski u lind më 11 nëntor 1821 në Moskë dhe vdiq në  Peterburg, më 9 shkurt 1881, në moshën 59 vjeçare.

    Ana Grigorievna Dostojevkaja u lind më 12 shtator 1846 në Peterburg dhe vdiq në Jaltë, më 9 qershor 1918, në moshën 71-vjeçare.]

    Përktheu nga origjinali: Bujar Hudhri

    Në foton kryesore: Dostojevksi me gruan e tij Ana, në serialin rus “Dostojevski”

    2 KOMENTE

    1. E kisha lexuar nja 35 vite të mira më parë, në një pêrkthim nê anglisht, por kjo qê sapo lexova më shijoi sikur ta lexoja për herë të parë: përkthimi ka freski, falë natyrshmerisë sê gjuhes, rrjedhshmërisë dhe mungeses së pompozitetit! Përgëzime, Bujar!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË