Në opusin poetik të Fatos Arapit gjenden disa lirika kulmore, të cilat i bashkon me njëra-tjetrën motivi i ëndrrës. Të shkruara në kohë të ndryshme dhe të dala në dritë në vëllime të ndryshme, po të renditen sipas kohës së botimit, këto lirika krijojnë idenë e një cikli poetik të shkruar me një frymë nga poeti. Kronologjia përfshin poezitë “Duke dalë prej ëndrrës”, ‘”Dikush tani të bën ty ëndërr”, “Mos eja në ëndërr”, “Gjysëm ëndrre në sy”, “Dhe nata u zgjua”, “Jemi takuar e ndarë në një ëndërr”, “E paëndërrta ime”, “Ne jemi në ëndërr” dhe “Një zë i pazë”. Poet i dashurisë dramatike, Arapi e ngjiz dhimbjen e tij në këtë “cikël poetik” përmes topikëve ëndërr dhe vdekje, ndërsa ajo, e dashura e paëndërrt prej malli e bryme na shfaqet si një shkrepëtimë hutuese.
Ti ishe një dritë që ecën,
Një këngë që ecën ti ishe.
Mes dashurive të ditës,
Hutim i vegimit mahnitës.
“Duke dalë prej ëndrrës”
Në këto vargje kuptimi i misterit të shenjtë formësohet nga përzierja mes realitetit të ëndrrës dhe realitetit të zhgjëndrrës. E dashura si vegim mahnitës hyn e del nga ëndrrat e subjektit lirik, andej nga ky i fundit ose e mban të ngujuar për ta mbrojtur nga harresa, ose ajo vetë ia pushton pavetëdijen “me kast”, duke ia bërë të padurueshme ditën që e sheh me sy ëndrre.
Si ta duroj ditën,
që më sheh me sy ëndrre?
“Mos eja në ëndërr”
Ëndrra është hapësira ku poeti rilind pandërprerë një dashuri të largët, nga frika se një ditë ajo mund t’i vdesë. E paëndërrta e tij nuk është e dashura pa ëndrra, por e dashur reale, ndjenjë e groposur thellë në kraharorin e jetës. E paëndërrta nuk është fanepsje e ardhur nga kushedi cila skutë e pavetëdijes, nga nevoja për të shpikur një dashuri si mungesë e etshme papërmbushjeje. Dashuria ka qenë aq e prekshme dikur diku, sa ardhja vetëm në ëndrra, nëse në njërën anë ia shuan sadopak mallin e pashuar, në anën tjetër e pikëllon pa masë. Pse duhet të vijë vetëm në ëndrra në fund të fundit?! Është ndoshta kjo pyetja hipotetike që e mundon subjektin lirik, ndërsa i lutet dashurisë – të mos i vijë më në ëndërr. Është ajo lloj lutje, si kur i thua dikujt se duhet të bëhet realisht i gjallë dhe jo të mbetet dhimbje e pandërprerë, edhe pse një dhimbje e denjë për t’u jetuar. (Shumë e denjë dhimbja për t’u jetuar.)[1] Ëndrra si dëshirim, ëndrra si përmallim, ëndrra si krijim i realitetit të munguar dhe ëndrra që ther në kraharor (e mbetur përherë zhgjëndërr) është trualli ku ngjizet shenjtëria e kujtimit të dashurisë në këto lirika të Arapit.
Misteri i ëndrrës, diku i prekshëm nga lexuesi dhe diku tjetër paksa i pakapshëm e surreal, e ka burimin e vet pikërisht në përsiatjen dramatike të mallit. Mallit si ndjenjë dhe mallit si mendim. Malli si ndjenjë lind dëshirimin e ëndrrës, e thërret atë më ngulm, ndërsa malli si mendim kundërshton jo vetëm takimin në ëndërr, por deri dhe realitetin e një kujtimi që ia bën të padurueshme të tashmen. Në lirikat “Jemi takuar e ndarë në një ëndërr” dhe “E paëndërrta ime” më shumë se me të dashurën, subjekti lirik dialogon me dhimbjen, që duket se është mishëruar në shpirtin e dashurisë. Në poezinë e parë, dyshimi nëse ajo është dhimbja apo dhimbja është ajo, vjen i turbullt edhe për lexuesin model. Reale dhe e dukshme në të dyja krijimet mbetet atmosfera e vdekjes në hapësirën e ëndrrës.
Dora jote, e dalë si prej një ikone,
U zgjat drejt meje:
– Kujdes, tek këmbët tona
gurgullon Akeronti.
“Jemi takuar e ndarë në një ëndërr”
Dikush, prej zhgënjimit të egër,
mbërthen kryqe të reja
I hedh një gjysmë leku
dhe blej kryqin tim.
“E paëndërrta ime”
Ëndrra e dashurisë është më i bukuri sublimim i shpirtit të përndritur, si antipod i realitetit të zbrazët përplot shpirtra joshpirtëra që shkojnë[2] e vijnë. Poetit i mjafton edhe një gjysmë ëndrre si arratisje nga ky realitet. Një gjysmë ëndrre, qoftë edhe për t’u ndriçuar përgjysmë nga dielli i dashurisë. Ëndrra, si harresë e vdekjes së dashurisë dhe si ringjallje e dritës së lëmekur, (kur zgjimi nuk është tjetër veç truall i vdekjes) është kryqi në të cilin poeti vdes për të riardhur rishtas në një trajtë tjetër më të përsosur.
Përtej lirikës dashurore, në lirika të tilla si “Gjysmë ëndrre në sy” dhe “Një zë i pazë”, motivi i ëndrrës ngjizet brenda kontekstit ekzistencial të lirikës së Arapit. Gjysma e ëndrrës dhe terratisja nga irrealiteti drejt vetes reale mbartin në ashtin e tyre misionin më sublim shpirtëror: kthimin te njeriu. (Kthehu te njeriu).[3] Ky kthim/rravgim duhet të ndodhë me patjetër kur vdekja e dashurisë ka bujtur në më të shenjtin habitat të saj.
Rrenës ky diell i janarit
thëllimi i ftohtë shkund e shpërbën
hijen time atje në tokë.
“Një zë i pazë”
Një monolog tragjik i poetit nga qiejt e përtej jetës, përtej ëndrrës dhe përtej hijezimit të shpirtit. Ambiguiteti i fjalës e zbret surrealen “me këmbë në tokë”, duke e ritrupëzuar vegimin e fyer të shëmbëlltyrës së dritës në një gjysmë shprese të ringjalljes së saj. Ëndrra bëhet kështu atdheu ku do të ndodhë ringjallja. Por nëse në lirikën dashurore është ringjallje e një kujtimi që mund ta vdesë harresa, këtu është ringjallje e shpirtit të dritës në gjithë skutat e tij më të padukshme.
Përgjysëm u çova në në shpresën time,
si Llazari në varr përgjysëm.
“Gjysmë ëndrre në sy”
Shohim se ëndrra si rravgim drejt një plotnie apo paplotnie shpirtërore (sipas kahjes së leximit) është idili më i thellë i Arapit. Aksioma aq kuptimplote e Gëtes, se as në ëndërrimet më të bukura njeriu nuk ia kalon dot natyrës do të rifunksionalizohej në këtë abstragim: vetëm në ëndërrimet më të bukura të shpirtit, natyra e tij do ta rilindë vetveten përmes vdekjesh fenikse.
Përpos poezive ku motivi i ëndrrës del i drejtpërdrejtë apo vetëzbulohet në një lexim denotativ, Arapi ka një numër të konsiderueshëm lirikash minimaliste apo poezish të shkurtra në të cilat gjendja e ëndrrës vjen si atmosfera ngjizëse e vetë poezisë. Përmendim “Te gryka e Akerontit në Bistricë”, “Qiriri” “Në vorrezën e fshatit”, “Këmbana funeralesh të mëdha”, “Asgjë, e dashura ime, asgjë”, “Udhës shkon një qiparis”, “Burri i rrugës”, “Manjolat” etj. Janë lirika ku imazhet e vargjeve sendërtojnë para syve të lexuesit shpirtin e dritës tek luhatet si flakë e qiririt, herë drejt shuarjes e një vdekje që duket si e pashmangshme, herë duke u përtërirë me një guxim të pashoq. Shenjuesit tekstorë të shuarjes së dritës në katër poezitë e para janë: 1. botë e nëndheshme, terr-: 2. fundi i qiririt digjej, flaka ndizej më shumë-:3. vaji i kumrive, këmbana e thyer, kryqet fundosen-: 4. mbi copën e diellit që ka rënë atje poshtë. Shenjuesit tekstorë të guximit të dritës dhe ringjalljes po në këto poezi janë: 1. kandile të ndezur-emrin e saj-: 2. ikte vdekja e dritës me një mall pafund-: 3. të vdekurit falen te unë-: 4. këmbana funeralesh të mëdha. Shëmbëlltyra e vegime poetike ku çdo fjalë është në vendin e vet dhe në funksionin e plotë të së tërës. Qoftë kur kjo e tërë është subjektive, si në rastet kur vargjet na vijnë në formën e “përçartjeve monologuese”, qoftë edhe kur kjo tërësi ngjizet në formën e një narracioni lirik.
Procedimi i mësipërm i teknikave poetike të Arapit në këtë grup lirikash të ndërmend dy nga parimet bazë të imazhinizmit: trajtimin e drejtpërdrejtë të “sendit”, qoftë ai subjektiv apo objektiv dhe mospërdorimin absolutisht të asnjë fjale që nuk ka kontribuar gjatë paraqitjes.[4]
Dielli im dy copësh u thye:
njëra është natë, –
e tjetra po shuhet.
Trajtimi i “sendit”, thelbit poetik apo “ndodhisë poetike” (thyerja e diellit) është njëherazi subjektive dhe objektive. Objektive, sepse rrëfehet në vargje ajo çka po ndodh në natyrë. Subjektive, sepse uni lirik nuk rrëfen për një diell larg tij. Sintagma dielli im e rrok fuqishëm subjektivizmin përmes përemrit pronor “im”. Dielli i tij (referuar unit lirik) është peizazhi shpirtëror diku i përnatur sa hap e mbyll sytë dhe diku tjetër i shtrirë në hapësira ku drita është në shuarje e sipër. Kallëzuesi i parë në të tashmen e dëftores (është natë) na dëften një veprim plotësisht të kryer. Drita është errësuar pa kthim tanimë. Kallëzuesi i dytë ka përpara pjesëzën po (po shuhet), duke na treguar për një veprim që po ndodh para syve tanë në të tashmen, por që nuk është një veprim i kryer. Ky veprim i dëftyer për lexuesin e poezisë është në process, në kryerje e sipër. Kemi imazhe zinxhir që i paraprijnë njëri-tjetrit dhe çdo imazh jetësohet për hir të imazhit tjetër. Si pikënisje kemi një diell që thyhet, një imazh mëmë që ngjiz dy imazhe të tjera: imazhin e menjëhershëm statik të natës dhe imazhin lëvizës të procesit të shuarjes së dritës së diellit. Një kataklizmë shpirtërore e vizualizuar mjeshtërisht në vetëm tri vargje dhe dhjetë fjalë.
Limfa poetike e Arapit ngjiz përfytyrime trajtash irreale prej shenjuesish tekstorë realë dhe anasjelltas, formëson në imagjinatën e lexuesit një pamje shumë të kthjellët prej shenjuesish irrealë në kohë dhe hapësirë. Poezia me vetëm katër vargje “Burri i rrugës” përcjell dramën e njeriut modern në vetminë e tij të vetizolimit. Burri i rrugës është njeriu mjegullor, i cili jeton në mjegullën që ka filluar të përhapet edhe brenda mendjes së tij. Ai sa vjen e bëhet fir për të tjerët dhe për lexuesit, duke u shndërruar në një tymnajë ekzistence. Ai është dhe nuk është aty si imazh, pasi sa fillon të jetë shndërrohet saora në një të panjohur, pa qenë për asnjë çast i njohur më parë. Burri i rrugës është odiseja tragjike e rrugës pa cak e zanafillë të burrit askurrë të përcaktuar si trajtë reale. Dilema se ç’është në të vërtetë ajo siluetë burri që dialogon pa zë më të tjerë zëra po aq të panjohur, e bën këtë poezi minimaliste nga më mistiket dhe modernet në poezinë shqipe. Ndërkohë pamje të kthjellëta, por prej shenjuesish irrealë sjellin poezitë “Udhës shkon një qiparis” dhe “Manjolat”. Habia mitike zhvoshket sapo ia beh në përfytyrimin e lexuesit qiparisi që shkoka udhës njëlloj si një qenie frymore dhe manjolat që u ndezkan nga zoti i diellit. Në një meditim normal qiparisi është i palëvizshëm, ndërsa lulet çelin pa qenë nevoja të ndizen si të jenë yje.
Shpirtëzimi i botës bimore vjen në sinkron të plotë me motivin e ringjalljes së dashurisë. Irrealja në funksion të dramës së reales dhe çmitizimi në funksion të mitit modern krijojnë një pamje tejet simbolike gjithashtu. Surrealja është realja e shumëdëshiruar dhe e fortëndërruar në lirikën “Udhës shkon një qiparis”. Këtu qiparisi nga simbol i vdekjes kthehet në simbol të jetës. (Po ti ecën udhës së gjerë të qytetit,/spërkat e shpërndan hutimin e blertë). Ndërsa në lirikën “Manjolat” poeti kërkon t’i përngjasë zotit të diellit dhe si një dishepull drite përpiqet të kthejë në jetë një shpirt që është duke vdekur te këmbët e tij me lutjen drithëruese: “Jeto, qoftë midis hijesh, ia vlen…”.[5] Reale apo irreale, imazhet poetike në këto poezi antologjike të Arapit, i mëshojnë fuqishëm idesë se ai mbetet nga poetët më modernë të gjuhës shqipe, në kuptimin më bashkëkohor të këtij koncepti.
Vlorë, gusht-shtator 2021
Fotot nga Qerim Virioni
[1] Varg i poezisë “Dhe nata u zgjua”.
[2] Varg i poezisë “E paëndërrta ime”.
[3] Varg i poezisë “Një zë i pazë”.
[4] The Selected Letters of Ezra Pound, ed. D.D.Paige (1950; rpt. London: Faber, 1982).
[5] E gjithë fjalia është perifrazim i vargjeve të Arapit në poezinë ‘Manjolat”, ndërsa lutja mes thonjëzash është varg i cituar drejtpërdrejtë nga kjo poezi.