Në 8 Prill të këtij viti u shua një yll i poezisë bashkëkohore shqipe: Lindita Ahmeti. E lindur në Prizren dhe e shkolluar në Shkup, ku kaloi pothuajse gjithë pjesën tjetër të jetës, Ahmeti la pas disa permbledhje me poezi. Ndër vëllimet përmendim: “Mjedra dhe bluz” (1993), “Ishulli Adular” (1996), “Brezi i Zonjës” (2000), “Vetë përballë Erosit” (2004), “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim” (2015), “Dhoma pa derën dalëse” (2015), “Lulja Alba” (2015) dhe “Mbrojtja e Hekubës” (2020). Poezia e Linditës u shqua prej fillimeve të saj, si poezi thellësisht moderne, ku lënda e miteve të lashta greko-romake dhe bota folklorike shqiptare lanë një vulë të pashlyeshme në ekstraktin e një poetike sa flladitëse për nga njomështia poetike, po aq edhe vibruese për nga damarët ku rrjedh e nuk ndalet gjaku i jetës dhe mëmës natyrë. Kjo e fundit shpirtëzohet me bukuri shtangëse; me po atë lloj freskie foshnjarake e habitëse që e hasim si në skenat plot dritë të lirizmit të De Radës, si në mitet e legendat e lashtësisë. Habisë foshnjarake të njeriut përballë natyrës Ahmeti i hedh përsipër dhe vellon mahnitëse të qenies përballë botës e mëmës natyrë sj përvojë e harmoni universale. Pikërisht te kjo e fundit, Ahmeti e mbrun modernitetin e vargjeve të saj. Vëllimi më mbresëlënës në këtë kontekst mbetet “Nga mështeknaja e babait, me malléngjim”, arritje jo vetëm e autores, por e kujtesës më të mirë të poezisë shqipe në tërësi. Për të analizuar tiparet e krejt vëllimit, do të ndalemi te poezia bërthamë “Udhëtimi i babait nëpër këngën e vjeshtës” .
Metafizika e vdekjes, si shenjuesi më “i papranishëm” në tekst, por që zbulohet hap pas hapi si pamjet në udhëtimin e babait, është karremi që mrekullon lexuesin fare pa e kuptuar. Sepse Ahmeti nuk rrëfen përvojën e babait në këngën e vjeshtës, por e sugjestionon mjeshtërisht recepientin e tekstit përmes hipnozës së imazheve që rrahin ta zbulojnë tronditjen e qenies përballë asaj që me frikë njerëzore e shohim si fund. Uni lirik e kryen aktin sugjestionues përmes emocionesh që e kapërcejnë besimin në përvojën e prekshme, duke na i qetësuar shpitrat e frikësuar me tonin e përmallshëm të miklimit baladesk. Ka aq shumë dashuri nëpër detajet përshkrimore, aq shumë butësi në narracionin lirik të të panjohurave që e kalojnë sferën e perceptimit mbi gjithë ç’kemi të ngulitur si dije absolute të botës, të të pathënave të natyrës së qenies dhe qenies që provon të ecë këmbëzbathur në mbarim të udhëtimit. Po le ta prekim më nga afër rravgimin e qenies në pyllin e baladës ku jehojnë zërat e përjetësisë. Zëra që duhen zgjuar nga përgjumja brenda nesh.
“hapat e babait nëpër natën vjeshtore me selenën e purpurt që hedh dritë në shteg
e nxisin komunikimin me qetësinë e pyllit
dhe kuptohen mirë mes vetes babai e qetësia”
Çdo rravgim nis përmes hapash. Udhëtimi i babait ndodh gjatë natës kur drita ka shtegtuar dhe për më tepër në një natë vjeshte. Vera ka ikur dhe pritet të vijë dimri. Udhëtimi rrok hapësira pa dritë dhe rrethi ciklik rrok kohën kur errësira bëhet bashkëudhëtare me ngrehinat e lulëzimit. Bash në atë çast ndjejmë hapat e babait, sikur të jemi në aktin e parë të një drame. Por nuk është dramatike atmosfera. Babai hyn në skenë “me selenën e purpurt që hedh dritë në shteg”. Shtegu i errët i natës vjeshtake përndritet. Mështeknaja e babait nuk është më pikëlluese, por mallëngjyese, sepse hapat e të ardhurit mbjellin dritën.
Figura e babait, në narracionin lirik të poetes rrok misteret e njeriut në vjeshtë të jetës. Vjeshta e kësaj poezie ngjizet kështu në vetëdijen e lexuesit si vjeshtë faktike dhe alegorike. Babai është përvoja e njeriut që ka udhëtuar gjatë. Vargu “nën këmbët e lodhura të plakut” përforcon idenë. Urtia e përvojës njerëzore nuk na i shpjegon dot të gjitha. Njeriu përherë ruan në shpirt e mendje një të vetme pyetje që ende s’e ka marrë përgjigjen shterruese, edhe kur njohja e tij mbi botën dhe sendet duket se është kryer.
“babai ndonëse e ka një pyetje nostalgjike për vjeshtën
s’e thotë me gojë”.
Mirëpo “janë foljet e shpërndara gjithandej që e çojnë babanë të ngrihet në këmbë”. Folja është pjesë e ndryshueshme e ligjëratës që tregon një veprim apo një gjendje. Foljet e shpërndara sapo i kanë zbuluar babait misterin e pyetjes. Dialogu i babait me qetësinë bëhet frytdhënës. Kallëzimet e foljeve të shpërndara ndërtojnë hartën e veprimeve dhe gjendjeve të pathëna të pyllit si pjesë e nënës Natyrë. Babai është i lodhur. Njeriu plaket, lodhet dhe dorëzohet. Por kur vjen me dritë në shpirt honeve të jetës, preket po nga drita. Pyetjet i kanë ngjallur atit zërat e një drite të panjohur më parë. Prandaj babai nuk dorëzohet, por çohet në këmbë, për të vazhduar rravgimin.
Më tej lexojmë se “dalja në skenë e mbiemrave të përmallshëm janë në të vërtetë përgjigje e vjeshtës për babanë”. Mbiemri tregon cilësi të emrit. Roli i tij semantik është të ndryshojë informacionin e dhënë nga emri. Kur babai zbulon dritën e panjohur edhe brenda ngrehinave të vjeshtës, ndryshojnë dhe mbiemrat. Ata bëhen tashme të përmallshëm si drita. Pamja e vjeshtës ringjallet. Vjeshta nuk është më vjeshtë. “Zogjtë kërkojnë shpresën e mirë”, por babai është njeri dhe si i tillë ka mëdyshjet e veta. Befas te “foljet e ngarkuara me pikëllim” të shpirtit të tij, ai luhatet dhe e pushton sërish trishtimi. Duket sikur dorëzohet në një çast. Përmendet teoria darviniane, si një habitat ku babai nuk arrin dot t’i shpjegojë tërë pse-të. Përvoja njerëzore, sado e thelluar, nuk i rrok dot tërë të panjohurat. Balada mbyllet me dorëzimin e babait në krahet e një përvoje të parrokshme nga njohja njerëzore.
“babai i heq këpucët atëherë dhe i dorëzohet harmonisë së pyllit
e koha rrjedh”.
E gjithë kjo ndodh kur pesha e udhëtimit rëndon shpirtin e babait. Aty ai dorëzohet në krahët e një tjetër harmonie, të një tjetër kohe, përtej kohës tokësore. Babai ecën i zbathur përmes pyllit alegorik, duke na transmetuar mesazhin mesianik të dashurisë, paqes dhe përjetësisë. Babai që hedh hapat nëpër këngën e vjeshtës, na ngjiz imazhin e një qenie mbinjerëzore që ringjall këngën e vdekur dhe i fal hymne gëzimi jetës, duke mundur vdekjen.
Lindita Ahmeti është mjeshtre e narracionit lirik. Ajo hedh baladën mbi shpinë dhe udhëton përmes e përtej kohësh e realitetesh poetike, që jo çdo poet shqiptar ka mundur t’i eksplorojë. Në ligjërimin shkencor, që nga shekulli i 18-të, nëpër disiplinat e gjuhës, letërsisë, muzikologjisë dhe folklorit, balada është një këngë narrative e vendosur në një melodi të rrumbullakosur – domethënë, stanzaike – ose një poezi letrare e modeluar sipas këngëve të tilla.[1] Ndërkohë, krahas përcaktimit të baladës si këngë narrative, duhet te theksojmë se balada ka të shkrirë elementët epikë, lirikë dhe dramatikë. Ndërsa dy elementët e parë i adresohen zhanrit, elementi i tretë ka të bëjë me gjendjen e brendshme të protagonistit. Në vëllmin me poezi “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim” kemi të pranishëm të tri elementët e lartpërmendura në raport gati të njëjtë.
Në mënyrë tipike, baladat fokusohen në një episod të vetëm, ku komploti përfshin një kast të vogël personazhesh dhe drejtohet drejt një katastrofe.[2] Vëllimi poetik i Ahmetit edhe pse frymon me mushkëritë e baladës, ka karakteristikat e veta dalluese nga ky zhanër, pasi është letërsi e kultivuar; për më tepër poezi moderne që lëndën baladeske e merr si referencë zanafillore, por më pas lë vulën e origjinalitetit individual të krijueses. Poetja në vëllimin “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim” fokuson vetëm episodin e udhëtimit të babait në pyllin me mështekna. Përshkrimi i duelit shpirtëror të babait e shmang tragjiken dhe katastrofën. Babai i dorëzohet përjetësisë dhe jo përkohësisë. Kemi pra një poezi baladë me fund të lumtur. Koha e ngrirë e epikes në episodin e rrungajës së atit, ngjiz një nga hymnet më të bukura të fitoreve “të vogla” ekzistenciale të qenies njeri, që në rastin e Ahmetit, frymon shqip.
[1] Greene, Roland. Cushman, Stephen. Cavanagh, Clare. Ramazani, Jahan. Rouzer, Paul. Feinsod, Harris. Marno, David. Slessarev, Alexandra. (2012). The Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton and Oxford: Princeton University Press.
[2] Po aty.
UDHËTIMI I BABAIT NËPËR
KËNGËN E VJESHTËS
hapat e babait nëpër natën vjeshtore me selenën e purpurt që hedh dritë në shteg
e nxisin komunikimin me qetësinë e pyllit
dhe kuptohen mirë mes vetes babai e qetësia
babai ndonëse e ka një pyetje nostalgjike për vjeshtën
s’e thotë me gojë
s’e turbullon qetësinë
po e shkruan pyetjen në fletët e heshtjes ulur në rrënjën e bungut
janë foljet e shpërndara gjithandej që e çojnë babanë të ngrihet në këmbë
ecën ai
ndërsa gjethet e thata zgjohen dhe bëjnë muzikë xhazi nën këmbët e lodhura të plakut
pastaj fryn pak eoli
tingujt e butë të erës së freskët kur i ledhatojnë gjethet
dhe dalja në skenë e mbiemrave të përmallshëm
janë në të vërtetë përgjigje e vjeshtës për babanë e cila pëshpërit
ju iku vera e blertë
ju iku vera e blertë
zogjtë të renditur si fjalët e demostenit para athinasve
kur filipi futej në polis me ushtarët e tij
kërkojnë shpresën e mirë duke lënë mbrapa ngjyrat e vjeshtës
pastaj tingujt e freskët të gjetheve të thata kërcëllojnë
bëhen vërejtje për krijesat e imta të pyllit
për merimangat që prodhojnë mëndafshin më të mirë
për mizat gjarpërinjtë minjtë buklat e shqarthat
për ndonjë hardhucë të blertë që s’ndalet së vrapuari nëpër bar pas ndonjë kandre
dhe për breshkat që e demonstrojnë hijerëndësinë kur ecin
dhe ta merr mendja edhe për sutat e buta që e zbukurojnë pamjen e pyllit kur i bie hëna
për të gjithë banorët e gjelbërimit që janë rehatuar në mbretërinë e gjumit
jepet alarmi e shtohen thirrmat e larëve
kujdes
ndonëse babai shpërndan ëndrrën e bukur në këtë mbretëri magjepse si gjithmonë
bota e pyllit ka rendin e vet dhe e dëgjon vetëm përvojën
e veshur me njëqind ngjyra që hedh hëna ajo shkon shtigjeve të saj
pa e dalluar babanë nga kalimtari i pakujdesshëm i cili kënaqet kur shkel flutura
dhe babai ecën ecën nëpër këtë botë që e bën të prekshme vetminë
dhe me gjithë kujdesin që ka
ndonjë thnegël e pëson prej këmbës së tij
duke dështuar në luftën e egër të darvinit për një kënd të padukshëm ngrohtësie
kapërcejnë pastaj nëpër mendjen e babait foljet e ngarkuara me pikëllim
për një mijë këngë të lisnajës që treten
pastaj babai ulet sërish në rrënjë të bungut
përballë një ketri që kërcen nga imazhi në imazh
atëherë visorja e hap faqen e magjisë së saj
në dritë të këtij tregimi shfaqen kuqëloret si ombrellat e zanave
vendosur nëpër shtigjet kah kalon diana
dhe dalin si në shuplakë pikturat e pyllit
babai vazhdon udhën
vihen në lëvizje mijëra zëre nga frika kur ofshan ai nga pesha e udhëtimit
kjo në pyll merret si bori e faunit
babai i heq këpucët atëherë dhe i dorëzohet harmonisë së pyllit
e koha rrjedh
duke sjellë mëngjesin e kuqërremtë
harabelat nëpër degëzat e kaçubave dhe të fijeve të barit të gjatë me fara të imta
e ndërpresin ëndrrën
ia nisin këngës korale
dhe bashkë me kandrat e hapin librin e muzikës
me tinguj të cilët nga shporta semasiologjike e asaj bote e shpërfaqin hijeshinë
e kërpudhave kuqëlore
të mijëra e mijëra kuqëloreve që e stolisin pyllin
dhe e gjithë kjo do të jetë një poezi e pashkruar e sapfos që është dashur të bëhet himn
për mrekullinë e kuqëloreve
midis të cilave kalon zbathur
në majë të gishtave
im atë i mirë
dhe të cilat i mbledh e i ruan nimfa në herbariumin prej papirusi
e që më vonë do të flasin
si një ditar i shkruar shqip.