Novelat “Cipa e dëborës” dhe “Heretiku i Mirditës” të Fatos Arapit
Në të vërtetë, për prozën e Fatos Arapit është shkruar fare pak, ndonëse ai ka nisur ta lëvrojë novelën dhe romanin prej viteve ’70 dhe vëllimin e fundit me tregime e botoi më 2007. Përgjatë katër dekadave në krijimtarinë e tij renditen këta tituj: “Patat e egra”, novelë (1970); “Dhjetori i shqetësuar”, roman” (1970); “Dikush më buzëqeshte”, novelë” (1972); “Shokët: roman” (1977); “Deti në mes”, roman (1986); “Cipa e dëborës”, novela (2000); “Nuk shitet shpirti në tetor”, novela” (2002); “Në Tiranë kur s’ke ç’të bësh…”, tregime” (2003) dhe “Horrat e ndershëm”, tregime” (2007). Kulmin e vet shkrimtari do ta arrinte me përmbledhjen “Cipa e dëborës”, ku dy prej novelave të përfshira në këtë botim, “Cipa e dëborës” dhe “Heretiku i Mirditës”, janë jo vetëm dy gurë shumë të çmuar të prozës së Arapit, por të krejt prozës moderne shqipe në tërësi. I cilësuar si poeti më modern i gjuhës shqipe dhe i studiuar në këtë lëmi nga shumë lëvrues të saj, për Arapin prozator dhe veçmas për këto novela nuk është shkruar thuajse asnjë rresht, për arsye që mbeten ende shumë të paqarta. E gjithë pjesa tjetër e krijimtarisë në prozë, edhe pse sjell një përmasë interesante për lexuesin, mbetet disi larg nivelit të lirikës së tij dinjitoze, por novelat e lartpërmendura janë dy diamante që e nderojnë autorin, në të njëjtën masë me lirikën e tij antologjike. Për nivelin mrekullor të lëvrimit të gjuhës, analizat psikologjike të personazheve dhe situatave, tensionet dramatike në atmosferën e krejt rrëfimit dhe abstragimet e natyrës filozofike, këto novela e vendosin Arapin në panteonin e artë të prozës shqipe.
Vrojtues dhe ndriçues i skutave më të thella të qenies, Arapi ngulmon në këto novela, sikurse edhe në poetikën e tij, në gjetjen e atyre udhëve që do të na çonin në kthimin tonë drejt njeriut. Nëse te Cipa e dëborës ky rravgim kryhet duke zbuluar hap pas hapi para syve të lexuesit shkëmbinjtë e krenarisë në koshiencën dhe subkoshiencën e protagonistes Ajkunë, te Heretiku i Mirditës, personazhi e di prej fillimit kuptimin e rravgimit. Gjon Keqi vuan plot fisnikëri për papërmbushjen e tij, pa fajësuar askënd dhe pa mpakur qiejt e askujt për të krijuar të vetët, sepse ai ka shumë qiell brenda tij, edhe atëherë kur loja e dritës dhe e errësirës përleshen në psikikën e tij në një betejë për jetë a vdekje.
“Ajkuna po zbulonte shkëmbinjtë e krenarisë së saj, Ajkuna fliste sikur ajo tjetra, Varfa, të mos ishte fare aty. E pra, Delushin e kishte pjellë Varfa. Dhe “nëna” ishte Ajkuna.”
“Dhe sytë iu hapën gjer në synoret më të skajshme që mund të hapen sytë njerëzorë; thua se po e shihte për herë të parë atë përleshje të tmerrshme të errësirës e të dritës në kullën e vet. Ndjeu të ftohtë dhe një frikë të pakuptimtë që e akulloi: në atë gjysmerrësirë dhe gjysmëdritë njeriu ishte bërë fare i vogël; kurse hija e tij herë zmadhohej, herë rritej në sajesa nga më të çuditëshmet që lëviznin nëpër muret. Ngado që kthente kryet hija e tij e gjallë i kanosej”.
Të dy personazhet e të dy novelave janë qenie të papërmbushura dhe vuajnë pikërisht prej kësaj. Ajkuna nuk mundet të sjellë dot në jetë një fëmijë, ndërsa që ka në krah një dashuri të thellë dhe të vërtetë. Ndërkohë që për Gjon Keqin zbrazëtia shpirtërore është e dyfishtë; ai as nuk mundet të ketë dot trashëgimtarë dhe as nuk mundet ta ketë dot ndër krahë për bashkëshorte gruan e sëmurë Dranen. Ajkuna e kërkon mbushjen e zbrazëtisë përmes marrjes së qiellit të të tjerëve, ndërsa Gjon Keqi i lutet me përdëllim qiellit që ka mbi krye. Ajkuna është një krijesë që nuk del për asnjë çast jashtë kohës dhe egos së saj. Gjon Keqi prej fillimit është jashtë kohës së tij mesjetare dhe ka krijuar a ndoshta është krijuar ai vetë prej një kohe ku i falet dashurisë dhe besimit, sipas mënyrës së tij. Ajkuna, duke mpakur qiejt e të tjerëve për të zgjeruar të sajtë mbetet një dhimbje e pakohë, një klithmë epike pa cak e zanafillë e maleve të saj. Gjon Keqi duke qenë që në fillim jashtë kohës së tij reale, mbetet akohor deri në fund, si e vetmja udhë për ta shndërruar hijen e tij të gjallë në njeri plot jetë e dashuri përbrenda. Në të kundërt, Ajkuna, prej të qenit njeri e kthen veten dhe të tjerët në hije të gjalla që e kryejnë odisenë e tyre jetësore me të njëjtin varr mbi shpinë: kujtimin e Delushit të vdekur.
Në këto novela faktet e shenjuara kuptohen: për këtë mjafton të dish gjuhën e shkruar të tekstit. Faktet e simbolizuara interpretohen: dhe interpretimet ndryshojnë nga njëri subjekt te tjetri.[1] Po të përpiqemi të kuptojmë universin imagjinar të ndërtuar nga Arapi përmes rrëfimit të tij, do të arrijmë të interpretojmë dhe simbolikën e universit imagjinar të krijuar nga lexuesi. Faktet e shenjuara në këto novela nuk janë shkakësia kryesore e asaj çka ndodh në psikikën e personazheve. Domethënia që vjen prej tyre në rrëfimin e Ajkunës, përcakton një simbolikë të përkundërt për lexuesin, nga ajo çka pretendon protagonistja, ndërsa në tekstin e novelës “Heretiku i Mirditës” faktet e shenjuara për Gjon Keqin nga rrëfimtari i gjithëdijshëm, përcaktojnë të njëjtën simbolikë, si për atë që rrëfen, si për atë që lexon. Rrëfimi i Ajkunës për veten apo universi imagjinar që ajo ndërton për historinë sipas versionit të saj, nuk përputhet absolutisht me universin imagjinar të lexuesit. Për Gjon Keqin, universi imagjinar i lexuesit përputhet plotësisht me universin imagjinar të atij që rrëfen[2]. Arsyeja e mospërputhjes për protagonisten është se ajo kërkon njeriun që nuk është paracaktuar të jetë, kurse protagonisti lutet për njeriun që është. Filozofia si të pranojë njeriu atë që është paracaktuar të jetë, e ndjek Gjonin në çdo hap. Ai jep dritë edhe kur nuk merr. Në fund të rrëfimit ai shpërblehet shumë më përtej masës që ka dhënë dhe është lutur të ketë. Litania e tij “Mo-zo’ ma keq” e shndërron çdo grimcë të errësirës në dritë shpirti dhe përtëritjeje. Në të kundërt Ajkuna nuk mëson kurrë të bëhet ajo që është. “Gruaja që nuk lind është dënim për gjithë jetën. E unë nuk lindja. Më vinte plasja që ky dënim më kishte rënë mua për hise”, shprehet ajo. Dënimi i saj bëhet dënim për të tjerët dhe kështu duke mos dashur të bëhet ajo që është, shndërrohet në atë që nuk është. Pikërisht këtu ajo dënohet dyfish, duke u ndjerë e përmbushur vetëm për pak vjet me rolin e nënës. Vdekja e Delushit është një lloj shpagimi për të dhënë mbrapsht atë çka ajo ka marrë prej Varfës. Ajo mpaku qiellin e saj dhe ky veprim i marrë krenarie, iu kthye mbrapsht me humbjen e asaj çka kishte përvetësuar pa i takuar.
Në novelën “Cipa e dëborës” kemi katër rrëfimtarë: rrëfimtarin që rrëfen ngjarjen e tërë, duke na sjellë përmes tij dhe tri rrëfime të tjera, me anë të të cilave ai ndërton vetveten, rrëfimi i Ajkunës për ngjarjen, rrëfimi i Buqarit si rrëfim shtesë qoftë për rrëfimtarin, qoftë për rrëfimin e Ajkunës dhe rrëfimi i munguar/heshtur i Varfës. Rrëfimtari që rrëfen ngjarjen, njëherazi edhe personazh është larg rrëfimtarit të gjithëdijshëm në rastin e novelës “Heretiku i Mirditës”. Rrëfimtari te “Cipa e dëborës” është një personazh që gjatë shtjellimit të subjektit shprehet se gjithçka ishte e pakuptueshme, ndërsa në fundtë rrëfimeve arsyeton me habi: “Unë po kuptoja se asaj nate kishte ndodhur diçka tjetër, asaj nate jo unë, ata njerëz më kishin krijuar mua”. Njerëzit-rrëfime ndërtojnë rrëfimtarin që i sjell lexuesit ngjarjen, duke u habitur shpesh me të njëjtën logjikë që do të habitej dhe lexuesi. Rrëfimtari kalon pra, në të njëjtat faza ndërtimi që kalon edhe lexuesi, duke dëgjuar tri rrëfimet e tjera. Të dy zemërohen njëlloj për fatin e trishtë të Varfës, të dy rebelohen ndaj arsyetimeve të pabaza të Ajkunës, sa herë që kjo e fundit e justifikon dëshirën e saj për fëmijë me papërmbushjen e Buqarit. (Që të vrisja dashurinë time, po…por, që të të mohoja Delushin ty…nuk e bëja dot…murmuriste Ajkuna). Ndjenja e thellë e xhelozisë për Varfën tregon se Ajkuna ka vrarë në fakt dashurinë e Buqarit për të dhe dashurinë e Varfës për Buqarin, ndërkohë që mohimi i fëmijës është e pathëna gërryese e papërmbushjes së saj si grua. Universi imagjinar i lexuesit ndërton kështu një rrëfim përtej fjalëve të protagonistes. Rrëfimi i mungesave të tjetrit është në fakt rrëfimi i mungesës së asaj që rrëfen.
Rrëfimi i zbrazët nga fjalët i Varfës shton së tepërmi tensionin dramatik në atmosferën e tri rrëfimeve të tjera. Rrëfimtari-personazh shkruan se Varfa ishte njeriu që bisedonte në heshtje. Heshtja e saj e vazhdueshme më tepër se heshtje është zbrazje e detyrueshme nga fjalët. Për lexuesin një heshtje simbolike, sepse Varfa nuk flet dot për ndjenjat e saj si grua në prani të Ajkunës, nuk flet dot si nëna e Delushit në prani të saj dhe më e tmerrshmja nuk e vuan dot me fjalë pikëllimin e humbjes së të birit, për sa kohë de juro nuk gëzon dot statusin e nënës. Varfa është varfëruar nga të gjitha këto dhe prandaj i kanë shterur fjalët. Në optikën e rrëfimtarit-personazh, ashtu e varfëruar nga mëmësia dhe dashuria për veten, Varfa pas humbjes për herë të dytë të djalit dhe pasi Buqari për të ishte vetvetja, nuk është më një qenie e plotë, por pjellë e egos së sëmurë të Ajkunës, vazhdim i ëndrrës së saj të mëmësisë dhe objekt i thellë i xhelozisë për të shoqin. Varfa ishte pjesë e asaj gruaje, pjesë e atij burri, që ndjente për të keqardhje të thellë dhe në anë tjetër ishte skllav i dashurisë të parë në shpirt, ndërsa fizikisht kryente ndaj saj detyrën e mashkullit. Për sa kohë nuk është qenie e plotë, Varfa nuk ka se si të shprehet me fjalë, por vetëm me dritën e dhimbjes dhe të tragjedisë për gjithë humbjet e saj të njëpasnjëshme. Shpresa e Varfës ka sy tragjedie, ndërsa heshtja e saj e padurueshme mban në shpinë peshën e elegjisë për gjithë çka nuk pati dhe gjithë çka nuk arriti të ish.
Konteksti shoqëror, në të cilën zhvillohen rrjedhat e ngjarjeve në fabulat e të dy novelave, përcakton dhe veprimet dhe vendimet e personazheve. Te “Cipa e dëborës” mendësia sociale ka ngjizur mendësinë e personazheve në atë shkallë, sa tragjedia e Varfës dhe Buqarit kanë pjellë dy fajtorë të pafaj.Si ai lumi midis shkëmbinjve, Buqari kishte hapur udhë vetëm midis atyre mendimeve , dhe atje rridhte. Po aty rrjedh Varfa me nënshtrimin e saj në formën e një altruizmi në kufijtë e absurdit, po aty rrjedh dhe egoizmi i Ajkunës. Ky i fundit arrin ta justifikojë protagonisten e vërtetë të rrëfimit, vetëm në njëfarë mënyre, si nëuniversin imagjinar të sjellë nga autori, si në universin imagjinar të ndërtuar nga lexuesi. Te “Heretiku i Mirditës” mendësia mesjetare jo vetëm se nuk arrin as ta prekë protagonistin, po ngjiz të tillë rebelim në shpirtin e tij, që nga çasti kur ka kuptuar se Mirdita, lum miku, shkon pas sulltanit dhe i falet Jezu Krishtit, sa ky personazh simbolizon antitezën e plotë të kohës së tij. I qëndron deri në fund besnik figurës së gruas dhe dashurisë, pranon vendimet e Zotit në jetën e tij dhe lutet e vuan në heshtje për gjithë dramën që i ka rënë mbi krye. Një heretik që kurrsesi s’mund të jetë heretik, në një kohë si Mesjeta, që ngatërron çfarë është dritë dhe çfarë është errësirë. Gjon Keqi është pra heretiku që nuk pranon të kryejë asnjë herezi, duke vënë dashuri në gjithçka, si dhe i gatshëm të sakrifikojë veten për gruan e sëmurë, edhe pse thellë vetes (asaj vetes që dëshiron përtej dashurisë shpirtërore) ai ëndërron pasionet egërshane të mashkullit dhe sedrën e burrit për t’u ndjerë atë i një trashëgimtari. E megjithatë ai zgjedh dashurinë shpirtërore për Dranen. (Gjon Keqi ndjente një barrë të rëndë në shpirt, po shkonte tek Drania dhe nuk ishte i gëzuar). Në mohimin e vetes për sakrificën ndaj tjetrit, Gjon Keqi është një gjysmëvëlla i Varfës dhe një antitezë e plotë e Ajkunës. Kjo e fundit është një heretike e vërtetë në gjuhën simbolike të universit imagjinar të ndërtuar nga lexuesi. Sepse Ajkuna me pasionet e saj të shfrenuara të xhelozisë nuk e le Varfën të përjetojë një dashuri si e saja me Buqarin (Unë i dërgova këta të dy në mal. Nuk i duroja dot në shtëpi. Le të ishin vetëm atje.); madje xhelozia arrin kufijtë e çmendurisë për femra që nuk janë veçse sajesa të mendjes së saj e të ëndrrave që sheh (E shihja atë grua pranë burrit tim dhe doja ta mbysja me duart e mia.); i mohon mëmësinë Varfës dhe mbi të gjitha nuk e pranon kurrsesi vdekjen si vullnet të Zotit. Ajkuna është dashuria dhe vdekja. Era shkumë qumështi për burrin e saj dhe cipë dëbore e ftohtë për shkëmbinjtë e saj të krenarisë, që shterin diellin e jetës së Varfës. Arapi është një psikolog i jashtëzakonshëm në përshkrimin e pasioneve, bëmave dhe zbulimin e atyre skutave të ndërgjegjes njerëzore, ku jo çdo rrëfimtar arrin të hyjë. Në një lexim të lexuesit model, pa asnjë mëdyshje themi se gjithë simbolika e këtyre novelave shtrihet përtej fabulës, apo ndodhisë së ngjarjeve në nivel social dhe shoqëror. Ajo çka është thelbësore në këto rrëfime janë qeniet dhe e pathëna e shpirtrave. (Unë nuk kam qenë shumë i mençëm: kam qenë burrë dhe këto të dyja nuk kanë kafshuar aq njëra-tjetrën, sa më kanë ngrënë mua).
Simbolika e emrave në këto rrëfime vjen pikërisht ne funksion të të pathënave të shpirtit, që duhen zbuluar nën dritën e interpretimit të faktet të shenjuara në rrëfim. Ajkuna është simbol i dhimbjes dhe i kujës së pambarimtë epike për mungesat e saj, me të cilat nuk pajtohet kurrë. Dranja (shkurtim i emrit Drandofile) simbolizon vyshkjen nga jeta, brishtësinë dhe shpirtin e bukur, më anë të të cilit i tregon bashkëshortit se Drania s’është më e kurrkujt dhe nuk vij dot me ty, Gjon vllai. Gjon Keqi simbolizon me anë të mbiemrit tragjedinë e tij njerëzore, kurse me anë të emrit bekimin hyjnor. Ai bekohet me ringjalljen e dashurisë, që është gruaja me emrin Pashkë. Gjoni si emër me një simbolikë të dyfishtë, është gjoni si emër zogu vetmitar, që këndon netëve me një zë të përvajshëm dhe Gjoni pagëzori në Testamentin e Ri. Pashka e Uc Dedës pagëzohet prej Gjonit të saj me emrin Diella e Gjon Keqit. Ujërat e dashurisë së thellë të Pashkës përtërijnë dhe e bëjnë një njeri të ri burrin e saj dhe atë vetë. Emri i Delushit si kryefjalë e tërë rrëfimit te novela “Cipa e borës” simbolizon delen e humbur nga grigja e jetës. Trajta përkedhelëse e emrit, bymen përmasën tragjike të mallit të tmerrshëm prej mungesës njerëzore. Delushi është personazhi për të cilin flitet sikur të jetë gjallë, ndërsa mospranimi i realitetit të vdekjes shton heshtjen te nëna Varfë, e bën më fisnik shpirtin e atit (ai ngrihet mbi dhimbjen për të mos u prishur gëzimin të tjerëve) dhe e kthen gjumin e Ajkunës në gjumë vdekjeje. Në vend të prehet netëve në shtrat, ajo gdhihet mbi varrin e birit të shpirtit.
Novelat “Cipa e dëborës” dhe “Heretiku i Mirditës” janë proza të një poeti. Disa romancierë kërkojnë ta arrijnë poetikën; të tjerët e kundërshtojnë. Nëse vetë një roman është poetik, poezia ia zgjeron tematikën veprës dhe ia rrit ndjeshmërinë.[3] Në rrëfimin e Arapit ndjeshmëria rritet përmes përshkrimeve të jashtëzakonshme të natyrës në paralelizëm me gjendjet shpirtërore të personazheve. Ja si e përshkruan rrëfimtari ndjenjën e mëmësisë personazhi i Ajkunës: “Tek Ajkuna gjithçka kërkon fëmijën, gjinjtë e fryrë, barku i ngrohtë, sytë e shqetësuar e të ndezur. Diçka e ëmbël, e dhimbshme dhe e trishtuar donte të merrte tek ajo formën e një foshnje të vogël”. Një nga dallimet thelbësore mes prozës dhe poezisë ka të bëjë me synimin e kësaj të fundit për të rrokur të parrokshmen, për të thënë të pathënshmen, për të shprehur të pashprehshmen.[4] Përshkrimet shpesh rrokin honet e pambërritshme të shpirtit dhe mund të kthehen në një lloj të ardhmeje profetike të ngjarjeve që do të ndodhin më pas në shtjellimin e subjektit të novelës. Në fillim të rrëfimit kemi këtë përshkrim të Ajkunës: “Ç’ishte ai zë? Gjer atëherë unë nuk kisha dëgjuar një zë të atillë njerëzor. Ai zë murmurues dhe i lehtë sikur vinte thellë prej kohëve. Dhe ishte vetëm femra ajo që fliste”. Ky përshkrim poetik do të shenjojë tërë simbolikën e mëvonshme të figurës së Ajkunës dhe rrëfimit të saj. Ai rrok prej fillimit të parrokshmen që do të shpërthejë hap pas hapi para syve të lexuesit.
Atmosfera e vdekjes faktike që rri pezull gjithë kohën në tri rrëfimet e mikpritësve në novelën “Cipa e Dëborës” (Ja, ti erdhe sonte dhe na e mbushe shtratin e Delushit), apo atmosfera e vdekjes heroike në novelën “Heretiku i Mirditës”, shtojnë tensionin dramatik në shpirtrat e personazheve, dhe nëse në rastin e parë e bën të padurueshme jetën, në rastin e dytë e shtyn personazhin më fort drejt tingujve të saj. Në novelën e parë, rrëfimtari bëhet edhe vetë jehonë e mungesave të personazheve të tjera dhe e mbyll bujtjen e tij me një vizitë në varrin e Delushit, apo deles së flijuar të dashurisë së madhe të tri prindërve të tij. Nëse te “Cipa e dëborës” vdekja i ka mundur personazhet, duke i përmbytur jetët e tyre me kobin e saj, te “Heretiku i Mirditës” personazhet e mundin vdekjen faktike dhe atë alegorike. Kuptimi i thellë i vuajtjes njerëzore të Gjonit, një vuajtje që ai e sheh me dritë trishtimi në sy dhe e prek me duar të dridhura, misioni i rravgimit të shpirtit të qenies së përkohshme nëpër netët e ekzistencës së përhershme (udhëtimet e personazhit ndodhin nën një qiell pa yje, kurrë ditën) i kthejnë Gjonit lumturinë absolute. Personazhi kërkon dhe i jepet. Lutet dhe merr përgjigje. Refreni i tij i pikëllimit “Zot që jemi xixëllonja nëpër këtë terr…”, i çel Gjon Keqit dyert e përndritjes, përtëritjes së shpirtit dhe dashurisë absolute, për të cilat ai ndiente tërë kohën një etje të pashuar dhe nostalgji të pangushëllueshme.
Vlorë, gusht-tetor 2021
[1] Todorov, Tzvetan. (2000). Poetika e Prozës, Përkthyer nga Gj.Kola dhe N.Papleka. Tiranë: Panteon, fq. 169-170.
[2] Te “Leximi si ndërtim” Todorovi dallon këto lloje rrëfimesh: “1. rrëfimin e autorit, 2. universin imagjinar të sjellë nga autori, 3. universin imagjinar të ndërtuar nga lexuesi dhe 4. rrëfimin e lexuesit. Lidhje domethënieje krijohen ndërmjet rrëfimeve 1 me 2 dhe 2 me 3, ndërsa lidhje simbolike midis rrëfimeve 2 me 3”.
[3] The Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton and Oxford: Princeton University Press, fq. 43.
[4] Lëngu, Ilia. (2007). Vështrimi i Orfeut. Tiranë: Argeta-LMG, fq.15