Pas leximit të “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” (2011), duke e njohur krijimtarinë e autorit, përshtypja e parë ishte: po ai rrëfim i një shkalle estetike majash në prozën tonë, po ajo poetikë narrative që vjen dhe degëzohet në ecje e sipër duke u bërë gjithpërfshirëse, po ajo mjeshtëri identifikimi dhe fokusimi i detajit ku autori shkëlqen, po ai korpus personazhesh që vijnë secili me natyrë e personalitet të veçantë.
Ndryshe nga praktikat shkrimore letrare nga lashtësia e këndej, ku bëhet i mundshëm kalimi i të gjallëve në botën e të vdekurve (kujtojmë Danten me “Komedinë hyjnore”), në romanin e ri të Zija Çelës gjejmë të pangjashmen: shkrimtari ndërmerr rrugën e kundërt të Hadit, ai i sjell të vdekurit në mesin e të gjallëve. Dhe jo për të shuar mallin e ndërsjelltë, por për t’i ballafaquar të dyja palët, çka do të nxjerrë sheshit egoizmin, hipokrizinë, anët e errëta të shpirtit e plot tjetërsime të mbrapshta të njeriut, të shfaqura a të fshehura, përkatësisht për të provokuar të gjitha format shkatërruese e vetëshkatëruese të tij, kësaj here me pasoja para apokaliptike në kryeqendrën e shqiptarëve.
Në horizontin e një përplasjeje dramatike, tmerrësisht të gjallë si në një shirit filmik, shpërthen lumë, me prirje për t’u bërë njësh, engjëllorja dhe djallëzorja te njeriu, i zhveshur kësaj here lakuriq, pa mundësi strehimi nga sytë e vet e të botës. Dhe po ashtu, siç jemi ndier të gjithë fifaras në romanin e tij “Goja e Botës”, përgjatë rrëfimit që përfshin mbarë shtresat shoqërore, tani ndihemi të gjithë edhe të këtejshëm edhe të andejshëm, pra edhe gjallëvdekur edhe vdekagjallë.
“Apokalipsi” i Zija Çelës, me spikamën që ka ky tundim i radhës së autorit, vjen në prozën romanore të shqipes jo vetëm plot jehona trazuese, por edhe si tërmet estetik. Është roman që, përveç kompleksitetit përmbajtjesor dhe poetikës narrative, shtrirjes në hapësirë dhe thellësisë së imagjinatës, të rrëmben me gjuhë, me stil dhe literaritet artistik tekstor. Vjen si një kryevepër e letërsisë shqipe.
*
Romani fillon me një familje tiranase, e cila bën përgatitjet e fundit për dasmën e djalit. Babë e bir kujdesen të sigurojnë nevojat e domosdoshme, sidomos që nga veshja e dhëndrit, deri te salla, ftesat e mysafirëve, banketi, muzika, etj. Në kulmin e dasmës, babai pëson një goditje në zemër dhe, nga kjo pikë, rrjedhat e vargut të ngjarjeve të papritura, dramatike e tragjike njëkohësisht, do të rrokullisen ortek goditës. Nata përfundon me një bilanc viktimash në përmasa të hatashme prej zjarrit që bie në një nga pabet më të mëdha, si dhe me ngjarje të tjera, aksidente, vrasje, vetëvrasje, etj.
Tirana gdhihet në zi e pikëllim të thellë. Edhe kthesat vijuese përmasa të tilla do të kenë. Had e Tokë bëhen bashkë, sepse pas grevës së urisë dhe “ultimatumit” që qytetarët i drejtojnë Zotit për ta çbërë çfarë kishte bërë, nëpër lagjet e Tiranës, në dyert e shtëpive dhe ekranet e televizioneve fillojnë të shfaqen të vdekurit, tashmë të ringjallur. Në fillim me një buzëqeshje të ngrirë përgjysmë, të nemitur para një mrekullie të përçudnuar që thyen ligjet e Gjithësisë, çfarë të bëjnë qytetarët, ish-manifestuesit e grevistët, ish-autorët e kërkesës ultimative për këtë kthim, të gëzohen a tmerrohen përballë të vdekurve të tyre, për të cilët dikur i patën derdhur lotët lumë?! Gjithçka që ndodh gjatë zhvillimit të ngjarjeve, do të mbruhet, plekset e shplekset si valë vullkanike bashkërisht nga të dyja palët, të këtejshmit dhe të andejshmit.
Fenomeni apokaliptik do të çjerrë syprinën e rreme të hapësirës, do të lakuriqësojë deri në palcë botën e vërtetë, degradimin dhe marrosjen shqiptare me shtrirje gjithëkohore e gjithëhapësinore. Të matanshmit dhe të këtejshmit, duke u mbrojtur, përkatësisht ballafaquar njëri-jetrin, duke u ndërsfiduar përmes pretendimeve dhe synimeve nga kjo perspektivë apokaliptike, nuk do të mund të fshehin absolutisht asgjë, sidomos degradimin moral dhe dehumanizimin tronditës.
Brenda kësaj hapësire artistikisht krejt të përjetueshme, të përshtatshme tani për çdo mrekulli, do të shfaqen hamendësime universale të llojit: Pse njeriu, që nga fillimi, qëndron i nemitur përpara mistereve të pazbërthyera; pse njeriu nuk disponon urti për të parë dhe deshifruar kode e shenja të përcjella nga përvoja e universit? Në këtë parapërmbytje biblike, në diskursin narrativ të Zija Çelës përvidhet diskretshëm dhe me elegancë estetike kjo jehonë e pazëshme, si një tundim metafizik: Pse njeriu i pranon me bindje e nënshtrim si të paprekshme misteret që, sipas tij, s’duhen provokuar? Vallë, ekziston një frymë. që vë dhe mban rregull përballë kësaj pafundësie të pakapshme për perceptimin e mendjes njerëzore? Jo pa qëllim, Çela vë në ngasje përsiatje të tilla, sidomos në nja njëqind faqet e fundit, ku është më i pranishëm narracioni eseistik e kontemplativ.
Asgjë nuk merr ngjyrim festiv në këtë roman: që në prag të dasmës, në ditët dhe orët e përgatitjes së saj, ngazëllimi për aktin martesor vjen si nismë gëzimi në tragjeditë antike, ku orakujt paralajmërojnë funde tragjike të përmasave kozmike. Zija Çela e paralajmëron lexuesin se njëri nga dy familjarët, babai ose djali, pikërisht në natën e dasmës do të mbyllë sytë. Kështu, lexuesi di atë që ende nuk e dinë personazhet. Autori, me këtë gjest brilant të poetikës narrative, arrin një ngjyrim emocional dhe estetik që zotëron tërë rrëfimin.
*
Për t’ia dalë mbanë, për t’i prirë dhe për ta përballuar ngasjen e brendshme, për të mos heshtur, për të folur, për të ulëritur në ballafaqim me marrosjen e botës përreth, shkrimtarit Zija Çela i është dashur ta vërshojë hapësirën tiranase me një kaos edhe më të përçudnuar, duke i vënë të bashkëjetojnë të gjallë e të vdekur. Dhe ajo që paralajmëron apokalipsin, vetë përmbytjen e përmbysjen, dëshmohet nga realiteti ku të gjithë janë kundër të gjithëve.
Autori e potencon konfliktin shkallë-shkallë me shpërthime të njëpasnjëshme. Një detonator i tillë, ndër të tjera, është fakti se të vdekurit janë kthyer bashkë me të vërtetat që kanë marrë me vete, ato që konsideroheshin të groposura, bëmat e fshehta dhe sekretet që nisin të dalin në shesh, duke e ndezur edhe më tepër atmosferën, kur realiteti edhe pa këto shpërfaqje është i kontaminuar deri në absurd. Bie fjala, një vdekje që dikur është mbyllur si vetëvrasje, tani rezulton si vrasje, sepse është gruaja e ringjallur që denoncon të shoqin.
Të vërtetat e vdekagjallëve jehojnë si klithje fatthënash. Realiteti i egër i përditshmërisë do të bëhet skajshmërisht më i egër nëpërmjet ballafaqimit për nevojat ekzistenciale: të ardhurit duan të kthehen në vendet e punës që kanë patur, por që tashmë u janë zënë; ata duan pasurinë e tundshme dhe të patundshme që kanë lënë, por që të afërmit e tyre ua kanë tjetërsuar ose e kanë bërë rrush e kumbulla; ndërsa pleqtë kërkojnë t’u jepen pensione, në mos për kohën sa kanë qenë matanë, domosdo për bukën e gojës në këtë anë. Pushteti fillon ta ndiejë veten ngushtë e më ngushtë dhe, kur vdekagjallët formojnë edhe partinë e tyre, pra kur mëtojnë të marrin pjesë në zgjedhjet politike e mundësisht të marrin në dorë frenat e qeverisjes, arrihet kulmi i konfliktit.
Nën pretekstin se mund të sjellin prej matanë gjithëfarë mikrobesh, sëmundje të panjohura që mund të shfarosin njerëzimin, fillon gjuetia e barbarëve (siç cilësohen të kthyerit) dhe izolimi i tyre nëpër kampe. Pak nga pak, për shumicën e të gjallëve kthimi i të vdekurve, edhe i atyre më të dashurve, bëhet krejtësisht i papranueshëm. Madje edhe i panevojshëm, shprehen të këtejshmit me hipokrizi në manifestimet dhe mitingjet që organizojnë. Derisa peticioni ndaj Hyjit bëhet përsëri gati, por tashmë me kahje të kundërt. Kësaj here kërkesa e parë ultimative është: Zot, nuk ka nevojë as për ringjallje të pjesshme dhe as për ringjalljen e përgjithshme biblike, ne që jemi gjallë na bëj të përjetshëm dhe puna mbyllet me kaq… Kërkesat e tjera sikur relativizohen vetiu, përpara kësaj zhveshjeje përfundimtare të maskës.
*
Ajo që në përballjen e parë të befason dhe kapitull pas kapitulli sikur të lë pa frymë, është ai depërtim në terrinat e brendshme të njeriut, i cili nga dyfytërsia e sheqerosur, nën intensifikimin e ngjarjeve kalon në egoizëm dhe mizori të hapët. Janë zgavrat e fshehta të nënvetëdijes njerëzore, që në çaste të ballafaqimeve të mëdha dalin në sipërfaqe, bëhen ndërgjegje e njeriut, duke përcaktuar gjithashtu artikulimet dhe sjelljet e tij.
Në roman rrëshqet me shpejtësi tërheqëse rrjedha e bëmave, duke krijuar një realitet të dytë plotësisht të besueshëm për lexuesin, i cili bën analogji me brutalitetin që ka përditshmëria dhe përgjithësisht tjetërsimi i vazhdueshëm i qenies humane.
Por jo vetëm si fenomene shqiptare, edhe universale. Ajo çfarë po ngjet në Tiranë, nga të huajt pranohet se mund të ngjasë edhe në kryeqytete të tjera. Jo më kot Europa hyn menjëherë në lojë, ajo e kërcënon Tiranën zyrtare me rrethim sanitar dhe izolim nga jashtë. Nga ana tjetër, vendasit ftojnë forca globale për të marrë pjesë në “betejën përfundimtare” kundër barbarëve, domethënë kundër njerëzve të vet.
Njësoj si romanet më të fundit të Zija Çelës, përkatësisht si tërë krijimtaria e tij, ngasjen e parë, atë vendimtare, frymëzimi e merr nga akumulimi i çrregullimit të botës njerëzore, në këtë rast asaj kryeqytetase. Pritat që ngre autori për të penguar derdhjen drejt gjendjeve apokaliptike të çrregullimeve, vijnë alternativë krijuese imagjinative jo vetëm nga më të çuditshmet, por edhe plotësisht të bindëse si mundësi.
Realitetet alternative që krijon e ofron shkrimtari, përballen edhe ato me pengesat e veta. Por autori nuk i shmang. Edhe kur janë mistere të pazbërthyeshme, i sfidon nga perspektiva pyetjesh e përgjigjesh të shumta. Në këtë ballafaqim tronditës, përpara të cilit nuk fshihet e nuk mbrohet gjithashtu asgjë personale, autori duket si një Promete që hap gjoksin për shigjetat zeusiane.
Të njëzetetre kapitujt e parë, sipas një ecurie kompozicionale të sigurt, e përgatisin kapitullin kurorë të “Apokalipsit”, të njëzetekatërtin (biblik). Në afro gjysmën e hapësirës së rrëfimit, koha rrjedh me prurje të reja të vdekagjallëve, prania dhe kërkesat e të cilëve shtohen vazhdimisht, çka rrit armiqësimin e tyre me të këtejshmit. Në gjysmën e dytë, rrjedha e rrëmbyeshme e bëmave dhe diskursi narrativ shndërrohen gradualisht në gjuhë narrative përsiatëse, refleksive, fraza qetësohet për përqendrim thellësish. Derisa në kreun e fundit lëvizjet e turmës, në mitingun dhe antimitingun e palëve, kthehen në një lëmsh të pleksur, duke u shkrirë në një.
Brenda këtij lëmshi shfaqen pamje të larmishme dhe dinamike, fragmente të gjalla, klithje të sinkopuara apo të plota, ndërhyrje e dialogje që dëshmojnë çfarë ndodh, dhe të gjitha së bashku jehojnë biblike si klithmat në pragun e përmbytjes së madhe, kur mbetej për shpëtim vetëm barka e Noes.
Fragmente të tilla plot kumte kanë forcë tronditëse, ato të zënë pezull, hyjnë në rezonancë me dijet historike dhe jehojnë ngjashëm me katastrofat e çdo kohe, çdo hapësire. (Zemrat e tyre janë mbyllur, u ankua dikush për palën tjetër, ata që na përkrahnin më parë, tani po shkatërrojnë dashurinë që predikonin. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi, e plotësoi Alma Kuculi. Kush e përmendi dashurinë këtu?, pyeti një vdekagjallë me pak dregëza në fytyrë. Unë, u përgjigj Sami Çami. Thuaj më mirë po shkatërrojnë mëshirën, sepse vetëm mëshira mund të triumfojë mbi gjykimin, tha ai me dregëza. Pastaj u lut: Mos i fal, o Zot, se e dinë çfarë bëjnë!)
Kamera e Mark Palit, njërit prej kryepersonazheve apo syri i orakullit, shtegton duke kaluar sa në bulevardin Dëshmorët e Kombit, sa në tokë e qiell njëherësh. Në syrin e kameras regjistrohet kordoni i helmetave, murit prej çeliku që përpiqet të pengojë përplasjen e palëve të kërleshura, të gatshme për ta asgjësuar tjetrën, duke derdhur mbi kokën e saj gjithë papajtueshmërinë e akumuluar. Dhe, në rrethana të tilla, nis të reshë: nga lart nuk bien as pika shiu, as fjolla bore, por shkulma pështyme si një ndot për turpin e mizorinë e përgjithshme. Dhe në tërë këto reflekse të Xhehnemit, pikërisht nga goja e regjisorit që regjistron me kamera, si për t’u përhapur në gjithësi, jehojnë fjalë të tilla përjetësie: “Pse njerëzit i gënjen mendja se mund të gjejnë ndryshime në ligjet e Hyjnisë? Ç’apokalips tjetër pritet, këtu s’jemi në Tregun e Iluzioneve dhe apokalipsin po e shohim me sy. Veçse s’po arrij t’i ndaj palët, kush janë barbarët dhe kush… Kam mjegull në kokë, po më dalin trutë nga rrashta.” Dhe më pas: “Unë po shkoj, ti mos pyet se ku po shkoj, unë po shkoj me qa, me qa derisa të verbohem.”
Mos paskësh ndodhur përmbytja e vërtetë, mos qenka Katastrofa vetë ky tjetërsim, ky degradim moral i njerëzimit?
*
Zemra e autorit të romanit “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, nën peshën e ankthit që përjeton bashkë me të tjerë, nuk pushon së rrezatuari dritë mirësie mbi terrin shqiptar.
Por sa do të mund të përballojë zemra, duke parë sa poshtë ka rënë njeriu? Jemi në skenën finale, në manifestimin ku të gjallët janë mbledhur për dëbimin përfundimtar të sivëllezërve, kthimin e të cilëve vetë e patën kërkuar me përgjërim. Dhe ndërsa në kor duartrokitet kërkesa: “Ndërprite këtë ringjallje të pjesshme, Zoti ynë, dhe na bëj ne të pavdekshëm, a nuk e sheh se jemi të vetëmjaftueshëm?!”, pikërisht në këtë çast vjen edhe finalja e finales:
“Mirëpo nuk zgjati dhe u dëgjua një shpërthim. Mbi kokat e turmës u formua një kube gjithë cifla dhe vezullime gjaku, njëfarë shatërvani që brafulloi njëherësh dhe u shua njëherësh. Çfarë ndodhi, çfarë ndodhi?, pyesnin andej-këtej. U tha se kishte shpërthyer një zemër njeriu. Markut i shkoi mendja te zonja Lahori, pastaj te zoti Santo, pastaj u kujtua për atë zemrën e shkruar të Zamir Golemit. Në fund dyshoi për veten, ç’e kishte atë dhembje të patretshme, ç’i kishte ato halucinacione, ishte apo s’ishte më ndër të gjallët? Më vonë e mori vesh çfarë kishte ndodhur. Kishte plasur aorta e atij që ishte shkrirë me turmën amorfe, kishte qenë dëshmitar në të gjitha ngjarjet, por në të gjitha si një qenie e padukshme, sepse nuk ishte tjetër veçse fantazma e autorit të këtij libri. Fantazma. FantaZ…”
Do ta shpëtojë vallë ambientin shqiptar të kontaminuar shpërthimi i metaforës universale, zemra e plasur e autorit, shpërfaqja e asaj drite që llamburit si përftim i vetëtimtë? Është gjithçka që dikush mund të bëjë për të tjerët, para se dërrasa e kalbur ku kemi shkelur, të thyhet me gjëmë e të marrim rrokullimën e pakthyeshme. E këtë dritë të zemrës së flijuar sjell “Apokalipsi” i Zija Çelës, roman që mëton të ngjallë dashurinë e munguar, të sprapsë ligësinë dhe urrejtjen mes njerëzve, në një rrëfim tundues ku çdo detaj vjen si shpalim i beftë, si refleks e shkrepje estetike, ndërsa së toku vijnë si tërësi e përsosur harmonie.
Zaten, tërë krijimtaria letrare e Zija Çelës është refleks i botës së tij të brendshme, është ai vetja, vizioni i tij për botën, për njeriun. I beson zemrës së vet që i ushqen njerëzit me dashuri, i bindur se njerëzit e meritojnë atë edhe kur humbin ekuilibrin e marrosen; është zemër bujare ajo e krijuesit, që qorton rreptë por edhe fal, që rrugëton sipas aspiratës në përqafim të botës, në depërtim të thellë për t’i hapur zemrat e mbyllura. Zija Çela u beson njerëzve të formatit të madh. Ja përse zemra e plasur e autorit të “Apokalipsit” depërton në dashuri përtej limitit të së mundshmes, vë në lëvizje të gjallë dhe të vdekur, tundon tokë e qiell, flet me Zotin para se të ndeshet me Djallin, shkund nga vendi dete e male, dhe gjithnjë nëpërmjet një force lëvizëse: dashurisë për njeriun, humanes universale.
*
Borgesi i madh thotë: “Nëse autori në fund mendon se bëri atë që kishte menduar, që kishte planifikuar, vepra nuk bën.” Nga bashkëbisedimi i tij me Sabaton, ky i fundit e përforcon edhe më tej mendimin e të parit: “Mbase projektet e fillimit shërbejnë si një trampolinë për t’u kredhur pastaj në ujëra më të thella. Aty zënë e punojnë të tjera forca të pavetëdijshme, të fuqishme dhe më të mençura se të vetëdijshmet. Ato që më në fund zbulojnë të vërtetat e mëdha.” Rrënjët e gjeniut gjenden në të pavetëdijshmen, jo te mendja e vetëdijshme, thotë shkrimtarja amerikane Dorotea Brend në tekstin “Të shkruarit kreativ”, qysh në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, dhe vazhdon më tej: “Vepra e madhe nuk lind nga maturia e balancimi, as nga hapësira që i kushtohet vëmendjes për vetëdijen. Forma e saj artikulohet në rrëshqitje nga domeni i intelektit të vetëdijshëm.” Mbase prej këndej është nxjerrë edhe aforizmi që kush është më inteligjent se vepra e vet, le të mos merret me krijimtari.
Qysh nga ngjizja fillestare e rrëfimit romanor, deri në fjalinë përmbyllëse të “Apokalipsit” shtrihet rrugë e gjatë, e shtruar dhe e thepisur njëkohësisht, me hapësira të pafundme, me tunele të ankthshme që shpesh nuk u dihet fundi. Në ç’masë funksionon gjatë këtij kalvari ndërhyrja e arsyes së shëndoshë, në ç’masë imagjinata krijuese, përkatësisht çfarë është në këtë mes përmasa e së parashikuarës qartë për tërësinë e veprës dhe ndërhyrja e së paparashikuarës, pra: si qëndron raporti i së vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes në romanin e Zija Çelës?
Që edhe e pavetëdijshmja është pjestare e sigurt gjatë formësimit të plotë të këtij romani, dëshmohet nga skenat e larmishme, kthesat e befasishme, personazhet e shumta, rrjedhat thuajse spontane të rrëfimit, pamjet e atilla që kurrë s’i ka parë syri i njeriut dhe, mbi të gjitha, nga ajo gjetje e jashtëzakonshme, diçka si përtej mendjes njerëzore, mbi të cilën bufton ngrehina e madhe e romanit.
Në intervista të ndryshme, duke folur për procesin krijues, Çela është shprehur se, kur shkruan, të gjithëve u kthen shpinën, pasi në atë proces ka vetëm një kundërshtar: pikërisht Zija Çelën. E kur beteja është e brendshme, dihet se vetëdija e nënvetëdija japin dhe marrin, duke pasuruar njëra-tjetrën.
Hapësira, ambienti, përditshmëria e njerëzve, e botës që sjell romani, përjetohen përmes një gjendjeje të çuditshme, të pakapshme, fluide. E ke, e sheh, përkatësisht bëhesh gati ta prekësh rrugën, sheshin, të afërmin, njeriun e njohur, dhe në çast të rrëshqet fatamorganë, përfton tej duke të përcjellë shenja sa konkrete aq misterioze, sa të mbështjella në kode, po aq në dritë të ditës. Dhe vazhdimisht duke të tërhequr me vete, një tërheqje e pashqitshme që t’u biesh pas personazheve, të shkosh mbas tyre sa i mahnitur, po aq i përfshirë në makth, meqë hapëron në mjegull, me ndjenjën se aty pranë, ndoshta në hapin e parë, do të gjendesh buzë humnere.
Është e thjeshtë: një magnet e magji dhuntie narrative e Zija Çelës të përthith, të rrëmben me pasionin e madh për të iluminuar hapësirat e jetës, për të mbjellë e për të sjellë mirësinë, për të mos e humbur sa nuk është vonë një shans, që për njerëzimin kushedi nëse përsëritet.
E pranëvënë ndaj shprehjeve të gjenive se krijimtaria do ta shpëtojë njerëzimin (Niçe), e bukura do ta lumturojë njerëzimin (Dostojevski), apo mbështetem në plagët e fshehta që bart me vete, shkruaj sepse nuk mund ta duroj ndryshe realitetin përveçse duke e ndryshuar (Orhan Pamuk), përgjigja e pyetjes për zemrën e plasur të shkrimtarit tonë sikur rimbushet me kuptim. Është sublimja, më e veçanta dritë, ndriçimi që buron prej kësaj lënde, prej këtij zjarri të pasionit, prej fantazisë dhe talentit të Zija Çelës.
*
Duhet thënë se “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” ruan karakteristikat shkrimore të njohura dhe të mirëdallueshme të Çelës: thellësinë emocionale dhe imagjinative të të përjetuarës, degëzimin refleksiv të lëndës, kthjelltësinë dhe bukurinë e të rrëfyerit. Në tërë opusin krijues, Zija Çela e ngjiz frmyzimin jo vetëm në enigmat e marrëdhënieve të tij metafizike, por edhe në çfarë sheh përreth e përjeton përditë, brenda një universi dhe shtjelle që natyrshëm e përfshin me vete autorin dhe lexuesin bashkë.
Kjo reflektohet gjithashtu në kompozicionin e romanit, shtrat që i jep lirshmëri, pa e kufizuar ndaj konvencave rrëfimore e kaskadave shkallëzuese, por as nuk e çon në rrjedha që dalin dore. Mund të thuhet se bëhet fjalë për poetikë, për kompozicion model që meriton vëmendje të veçantë të shkencës sonë mbi letërsinë.
Imazhet reale dhe ëndërrore autori i pleks, duke i shtrirë bindshëm në rrjetin tregimtar, në atë mënyrë që edhe vezullimet imagjinative të mëtojnë realen. Sipas këtij universi me shtresa të shumëfishta, Zija Çela i flet gjithnjë aktualitetit, botës së sotme shqiptare edhe kur i vendos ngjarjet në Bardhgolem (“Gjaku i dallëndyshes”), në Mamac (“Gjysma e Xhokondës”), në Balbonë (“SOS, një buzëqeshje”), në Fifarë (“Goja e Botës”), në Tiranë me “Apokalipsin” apo në Lavidan (“Arkipelagu Spiritus”).
Nuk nis e nuk vjen asgjë e programuar, asgjë si projekt i paracaktuar. Autorin e vë në lëvizje një shqetësim që zmadhohet vazhdimisht, që shndërrohet në dhembje e duhet qetësuar, sepse vjen si hapësirë gërryese që duhet mbushur. Diku në këto gjerësi valësh ndodh hapja e madhe, ngritja e perdes së padepërtueshme deri në këto çaste, llamburitja nga thellësitë e pavetëdijes. Edhe parapërgatitja imagjinative e apokalipsit, katastrofës kërcënuese që autori e ngre si shpatën e Demokleut, mbruhet si lëndë që rrjedh nga vetë realiteti, dhe në fakt është vazhdim i atij realiteti, përndryshe do të refuzohej.
Pikërisht në këtë organicitet lind natyrshmëria e më fantastikes dhe më magjikes në rrëfimin romanor të Çelës, çka e bën krejt të besueshme edhe atë që e cilësuam të pangjashme, bashkëjetësën midis të gjallëve e të vdekurve. Kështu ndodh me të mëdhenjtë. Në mbështetje të dëshmisë së Zija Çelës, më vijnë ndër mend këto fjalë të Orhan Pamuk-ut në ceremoninë e çmimit Nobel: “… disa fjali, disa faqe që më kanë bërë pafundësisht të lumtur, më janë shfaqur nga hiri i një fuqie të jashtme.”
Thelbi i asaj që troket dhe ushtron trysni absolute në paradhomën e krijuesit, është i panjohur. “Mosnjohja është thelbësore për artin, është ajo që lejon krijimin e artit. Pa procesin e depërtimit në thellësi…, pa gjasën që mendja të vejë në drejtim të paparashikueshëm, nuk do të kishim krijim”, thotë Donald Barthelme në veprën “Mosnjohja – ese dhe intervista” (1997). Që shkrimtari duhet t’i bindet kësaj alternative, kjo nuk ka dyshim. Por kapërcyelli nga ky prag deri te tjetri, vjen si një humnerë e papërballueshme. Ai e ka fare të qartë se kthim prapa nuk ka, ndërsa kapërcimi matanë, në bregun tjetër, është torturë e frikshme. Edhe në këtë pikë të ecjes si nëpër terr e nëpër ëndërr, intuita që jep shenjë gjallërimi sikur ruan në vete një shteg, i cili është dhe s’është, shfaqet e zhduket, pastaj sërish përftohet brenda çastit dhe kalimi përtej errësisë, përtej së panjohurës, bëhet krahëhapur…
Pikërisht këto faza të procesit krijues, gati-gati të pashpjegueshme për ndërlikimet që mbartin, ndihen të gjalla tek “Apokalipsi” i Zija Çelës, ku rrëfimit ia thellojnë perspektivën ato inkandeshencat që, duke u ngjitur nga puset e brendshme, buftojnë përmbi terr.
Por edhe mbasi është bërë i qartë shtegu fillestar me disa faqe të romanit, autori nuk i paracakton rigat pasuese të horizontit, prandaj mbeten të hapura dilemat se si do të degëzohen rrjedhat, nga do të shtegtojnë personazhet. Sa më serioz dhe sa më skrupuloz të jetë shkrimtari, aq më të vështira dhe më të pakapërcyeshme shfaqen pareshtur pengesat. Përgjithësisht krijimtaria e Zija Çelës është tërheqëse edhe për shqyrtime teorike, ajo ngjall mjaft pyetje të profesionit. Tek “Apokalipsi” mund të pyesësh: Ç’bën në fakt autori me lëndën që është derdhur shkulma-shkulma, pasi i krijon iluzionin lexuesit se Shpirtrat e dëbuar, ata të përtejshmit, po fluturojnë drejt botës së përkatësisë së tyre, asaj qiellores? A ka arritur që atë përftim drite ta ketë regjistruar vetëtimthi paraprakisht me sytë e mendjes? Kur fillon selektimi dhe gdhendja me daltën në dorën e sigurt të shkrimtarit, zbutja dhe fisnikërimi i veprës nëpërmjet estetizimit total të tekstit, shndërrimi në art rrëfimtar? Kur dhe si bëhet qetësimi i shumëzëshmërisë së korpusit të madh të personazheve?
Tërë kjo prurje vërshuese, me tingëllima alarmi, sa më thellë që shtrihet në hapësirë dhe kohë përgjatë rrëfimit romanor, gradualisht fillon të kanalizohet.
Këtu do të vëreja kalimthi lëvizjen që bën autori nga romani “Goja e Botës”, duke kaluar tek “Apokalipsi”. Në të parin ngjyrimet dhe dallimet e personazheve janë më të skajshme, tek i dyti kanë prirjen që në “turmë” të përafrohen disi, në mënyrë që shumica e tyre të mbeten siç i gjejmë në roman, as engjëj të përsosur dhe as djaj pa kurrfarë shansi. Ndërsa të parët nuk janë imunë ndaj tundimeve për rebelime brenda përmasës së njerëzores, të dytëve, edhe gjatë çasteve tunduese për ligësi, u qëllon të mendojnë mbarë. Por pikërisht kakofonia morale që personazhet krijojnë së bashku tek “Apokalipsi”, përbën kërcënimin kolektiv që nderet mbi hapësirë. Që të gjithë, sa të vetëdijshëm dhe sa nën shtysa stihike, pra qorrazi siç e kemi zakon pa përjashtim, marrin pjesë në thurjen e dramës, duke dhënë një mozaik të papërsëritshëm.
Fjala artistike e Zija Çelës edhe në këtë roman vjen e privilegjuar, meqë mëton të qëndrojë si paralajmërim përballë vërshimit të së Keqes njerëzore. Mos parandien shenja se, në mungesë të bekimit qiellor, jo rastësisht rrezikojmë terrin?
Nuk është fjala për dhunti profetike, por për vizione të shkrimtarit. Mjafton thellësia e njohjes së realitetit, që leximi i së nesërmes të vijë si përfundim i shkallës maksimale të njohjes së botës. Me plagë të trashëguara dhe të ndodhur përballë mjaft rrjedhave negative sot, pa imunitet e mekanizma të nevojshme për t’u mbrojtur, mbase çdokush përjeton kapërcyellin më të rrezikshëm për qenie dhe identitet. Dhe të gjithë ne jemi dëshmitarë të asaj që ndodh, të gjithë personazhe e karaktere, kritikues e mohues, lavdërues e mburrës, përkrahës të së vërtetës dhe të gënjeshtrës, të kaosit dhe të anarkisë, të Shqipërisë së refuzuar dhe të Shqipërisë së pranuar.
Të tillë, bashkërisht me personazhet dhe me shkrimtarin, jemi të përfshirë në romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, në këtë tërmet përmbajtësor dhe estetik të Zija Çelës.
Një monument epik
Ndjeshmërisë krijuese të formatit Zija Çela i mjafton një bamirës anonim, që depoziton një çek, për t’ia ndezur sensorët e imagjinatës krijuese dhe për të sjellë “Arkipelagun Spiritus” (2014). Është një vepër plot rrjedha të ndërlikuara e të pleksura, përballje e përplasje, mjedise të prekshme e zvetënim shpirtëror të jetës, një roman gjithashtu plot shenja të universales.
Duke i krahasuar gjallimet paralele të “Arkipelagut” me të vërtetat reale, romani artikulohet si monument epik i madh i kohës shqiptare, por edhe i njerëzimit. Në krahët narrativë të këtij fluturimi, Lavidani është sa qytet (a kryeqytet) shqiptar, sa qytet global. Rrugët e letërsisë gjithnjë janë të panumërta dhe lexuesit hyjnë në komunikim, duke kërkuar çelësin e veprave. Zija Çela, në veprën e vet të madhe, përmes shumësisë së personazheve gjakon ta kuptojë botën dhe universin.
Ngjarja vendoset në qytetin e Lavidanit, që kësaj here vjen nga një tjetër perspektivë dhe ofron një tjetër perceptim, sado që si valë narrative kemi sërish një portret artistik të përditshmërisë shqiptare. Ashtu si te romanet paraardhëse të shkrimtarit, edhe tek “Arkipelagu Spiritus” pulson shqetësimi dramatik për njeriun dhe njerëzimin, brengë e ankthshme e autorit. Brenda një harku kohor dhjetëvjeçar, Zija Çela lëshon ngulmueshëm alarmin në kërkim të mirësisë njerëzore, ulërimën kundër urrejtjes dhe gojës që vjellë helm, klithmën për nevojën e humanitetit dhe mbrojtjen e shpirtit që përditë e më shumë thahet, mposhtet nga lakmia e grykësia, nga egoizmi e zullumi, nga shkelmimi i vlerave morale dhe etike.
E madhe është klithja romanore e këtij autori të shquar, jehona e së cilës shtrihet përtej qytetit shqiptar.
*
Le të provojmë të depërtojmë, përmes portave narrative të Zija Çelës, në qytetin imagjinar me emrin Lavidan.
Në këtë qytet kalohet përmes një kumti, i cili të step dhe ta ngrin gjakun që në faqet e para. Nga Instituti Ndërkombëtar Spiritus, i cili monitoron shpirtin e qyteteve të botës, vjen lajmi se Lavidani është futur në regjistrin e qyteteve me shpirtin në grahmat e fundit. Kujt i adresohet ky lajm? Bestar Kalarit, drejtorit te filialit lokal të Instituti. Por këtë kob të rëndë ai s’mund ta mbajë vetëm për vete. Prandaj, megjithëse e ka të ndaluar nga qendra eprore, ia jep edhe Aleksandër Markajanit, kryepar i Lavidanit. Por, nga ana e tij, as kryebashkiaku s’mund t’ua fshehë qytetarëve lajmin e kobshëm, prandaj e bën publik. Veçse e bën publik bashkë me thirrjen mobilizuese për të shpëtuar Shpirtin e qytetit.
Dhe betejat nisin gjithë stimuj. Kush shtron një rrugë, e pagëzon me emrin e tij. Kush hap një shesh të ri, përveçse i jep emrin, vendos aty edhe bustin e vet. Kush gjen Kodikun që ka humbur, merr mirënjohjen e qytetit. Kush i kthen Lavidanit lavdinë që ka pasur në kohët e moçme, ia zbardh faqen dhe shpallet shpëtimtar. Dhe del se, sipas disave, këtë lavdi e paska pasur vërtet dikur, pasi Troja nuk gjendet atje ku thotë Shlimani, po diku pranë qytetit të tyre, në mos është vetë ky qytet, Lavidani i sotëm. Kështu, të lëshuar në një dalldi serioziteti e kompleksiteti, lavidanët nuk lënë asgjë mangut. Për të provuar prejardhjen e lashtë, ata improvizojnë edhe luftën e Trojës, duke arritur vetëm një përfundim të sigurt: vrasin njëri-tjetrin.
Këto janë disa nga goditjet e narracionit furioz, që në afro 600 faqe do të rrokin çdo skutë të Lavidanit, do të shtrydhin çdo qeskë vreri e ligësie, zilie e dashurie, marazi e marrëzie, të mbledhura dhe të shtresuara nëpër mote.
*
Nën kontrollin e tempos së rrëfimit nga autori, lexuesi do të shohë e do të bindet pse lavidanëve përditë e më shumë u thahet shpirti.
Është narratori ai që e udhëheq në shpalosjen e shtigjeve të mbidheshme e të nëndheshme, dramave, hireve individuale dhe kolektive, psikozave të engjëjve dhe djajve. Dhe, gojën plot, si të parët e si të dytët njësoj hiqen, hiqen sikur, për ta shpëtuar shpirtin e qytetit, jepen pas bëmave që bëjnë… Këta të dytët sidomos, edhe kur dhunojnë e vjedhin, edhe kur përdhosin e orgjinojnë, edhe kur tradhtojnë shtratin bashkëshortor, edhe kur ia hedhin njëri-tjetrit e veçmas komunitetit. Fshikullon diskretshëm dhe me elegancë autori, ndërsa në çaste të veçanta shigjeta e tij flakëron edhe haptazi.
Zija Çela krijues e vuan rëndë krizën e vlerave shpirtërore. Kur nuk u mungon hapësira për të qenë të lirë, pra pikërisht kur janë të lirë, lavidanët nuk dinë t’i japin vlerë lirisë, përkundrazi e gërryejnë nga themeli qytetin e tyre, e bëjnë model abuzimi, arenë tregu të egër, ku lufta për pushtet e pasurim, metodat mafioze, grykësia e bërrylave dhe stërkëmbësave janë brutalisht marramendëse dhe vënë çdo gjë në lëvizje. Modeli i lirisë shqiptare e trondit shkrimtarin që, sa më tepër e vuan bjerrjen e vlerave shpirtërore të qytetit të vet, po aq e acarojnë veprimet e protagonistëve. Dhe, me synimin si nëntekst që të ndryshojnë, merr penën-kamzhik për t’u mëshuar dhe për t’i mëshiruar njëherësh, ashtu si në romanet e këtij cikli që siç e kemi theksuar, së bashku me “Arkipelagun”, shkrimtari Mehmet Kraja i ka cilësuar si saga alegorike më e madhe e letërsisë shqipe.
*
Parakalojnë në faqet e këtij romani më shumë se njëqind personazhe. Janë të të gjitha ngjyrave e strukturave, profesioneve e prirjeve, veseve e virtyteve. Të hapura e të gërshetuara janë edhe storiet e degëzuara lagjeve të Lavidanit, vargbëmat sa në rrafsh fantastik e sa në atë real, kufi që poetika narrative e Zija Çelës e kapërcen natyrshëm, me lehtësi dhe bukuri estetike.
Të mpleksura, me rrezatim të ndërsjelltë vijnë ëndrrat e gëzimet, dhimbjet e trishtimet, dashuritë e mëritë, besimet e mosbesimet, bindjet, frika dhe Zoti, vdekja dhe lindjet, familja, bashkëshortja, seksi dhe jeta e dyfishtë, varfëria, pasuria, morali. Vijnë valë të qeta por edhe vërshime kërcënuese, që paralajmërojnë, ftojnë dhe përgjërojnë krejt në frymën e mbrojtjes së Lavidanit, i cili, ashtu si shumë qytete të tjera të botës, rrezikon ta humbasë individualitetin e Shpirtit të vet.
Zija Çela ia del të menaxhojë me kompetencë tërë korpusin e personazheve, tërë atë zinxhir të pafund veprimesh e situatash. Po me kaq siguri arrin të mbajë nën kontroll “penjtë” që e vërshojnë qytetin nga të gjitha anët, duke përfshirë edhe personazhet që heshtin një kohë, por që përsëri do të shfaqen në skenë gjithnjë me hiret e karakteristikat, ngjyrat dhe individualitetin e tyre.
Duket qartë se narratori e njeh mirë e me themel qytetin, prandaj portretin dhe rrëfimin i sjell në plotësi. Ai e njeh historikun, të sotmen e të nesërmen e tij, vizion që ia parandien intuita e saktë krijuese, i njeh qytetarët nga nxjerr shumësinë dhe pakicën përballë tyre. Narratori, po ashtu, bën kujdes të mos ndërhyjë, të mos flasë në emrin e asnjërit; nuk i qorton drejtpërdrejt të parët, nuk i mburr as të dytët; i lë të sillen, të flasin, të veprojnë siç janë në thelb, duke i nxjerrë sheshit edhe atëherë kur mëtojnë të fshihen.
Pikërisht në këtë rrafsh, si tekst që përshfaq atë që e fsheh, është e veçanta e diskursit narrativ të Zija Çelës. Edhe personazhet që me kast sillen si kalimtarë të rastit, edhe qytetarët e ngulitur në Lavidan, grykësit që përpiqën të rrembejnë çfarë u sjell dita, apo ata që të nesërmen e mendojnë jo të sigurt, si në psikoza parapërmbytëse, autori i mirëpret në sheshin narrativ të qytetit.
Në rreth pesëdhjetë rrëfimet që përbëjnë tërësinë e “Arkipelagut Spiritus”, gjejmë po kaq këndvështrime, horizontale e vertikale, mbi qytetin dhe karakteret e lavidanëve. Në përgjithësi, magjia tërheqëse narrative e shpalimit dhe vetëshpalimit vjen shije mirësie. Autori vetëm sa nxjerr në skenën e madhe qytetarët, aktorë dhe auditor bashkë, duke e përfshirë edhe veten si dëshmitar i pakontestueshëm, i cili herë sikur e fsheh lotin, herë sikur qesh e përqesh fisnikërisht, pa helm në pendë.
Rrëfimi romanor i Zija Çelës ka dy shtylla kryesore mbështetëse: në njërin krah personazhet, në tjetrin imazhin e situatave. Nervi qendror narrativ funksionon përmes sjelljes, veprimeve, zbulimit dhe shpalimit të botës së personazheve që, pavarësisht statusit të tyre, kanë objektivitetin dhe besimin e plotë të autorit. Prandaj të besueshme bëhen edhe skenat përgjatë romanit. Është besim që bartet gjithashtu te lexuesi. Sepse çdo qytet, shqiptar e global, ka personazhe të dorës së parë që i japin ngjyrimin dhe aromën kryesore ambientit, në këtë rast Lavidanit. Mund të veçohet kryepari i qytetit, Aleksandër Markajani, i cili i thotë njëherë kryepersonazhit tjetër, Bestar Kalarit, shefit të filialit Spiritus:
“A di të më thuash, o Kalar, si shpjegohet që ngado të shkosh dhe këdo të takosh në këtë qytet, të vjen të çmendesh?”
Këto veçori identitare të secilit personazh, jo vetëm që ruhen saktë gjatë tërë rrëfimit romanor, por edhe më periferikët janë plotësisht vetvetja, një mrekulli e poetikës narrative të Zija Çelës, e prozës së tij në përgjithësi.
*
Edhe në nivel të diskursit narrativ, ky autor i veçantë është i formatit të madh. Turbulencat e brendshme, të kontrolluara e të artikuluara me mjeshtëri, janë tharmi estetik i kësaj poetike. Rrëfimi i Zija Çelës të mban përherë zgjuar, meritë edhe e ritmit të gjallë dhe pasurisë së detajeve, të nxit kërshërinë për atë që sjell fjalia, pasusi i radhës, ritmi i situatave që rrjedhin pandërprerë. Në këtë diskurs narrativ, tërë personazhet e korpusit të madh janë në lidhje e raporte të gjalla komunikimi me njëri-tjetrin dhe lexuesi bën kujdes të përqendruar për statusin e tyre, karakterin, filozofinë, veçoritë njerëzore.
Ardhja romanore e “Arkipelagut Spiritus” në prozën shqipe ka parashenjën njohëse vetëm të Zija Çelës, në frymën edhe të një perceptimi borhesian për botën e njerëzimin, për gjithësinë. Në ndërtimin e personazheve, karaktereve, kjo poetikë është e shkollës borhesiane, bulgakoviane, salmaniane dhe të shkollave të tjera të mëdha, por të ngjizura e të rritura në truallin shqiptar. Modelet teorike, si lexim, janë të papërdorshme në zbërthimin e modelit narrativ të këtij romani.
Fundja, çdo model teorik për leximin e letërsisë nuk është tjetër, pos konstrukt teorik. Asnjëherë nuk ekziston një teori, që do ta përkapte tërësisht cilëndo vepër letrare. Romani i Zija Çelës mund të thuhet se është thurje mes romanit realist, atij magjik dhe fantastik. Realist është diskursi, përqasja paralele me botën që sillet tërthorazi, hapësira, gjeografia, koha reale e ireale, historike e mitologjike, personazhet reale, por jo rrallë me prirje fantastike, kur e kur me prirje të papritura, të pakontrolluara, fluturuese… Vetë Instituti Ndërkombëtar Spiritus me filialin në Lavidan (si të themeluara nga një qendër tokë-qiell), nga ku vijnë impulse e shenja misterioze për treguesit shpirtërorë të botës, janë një poetikë mikse, këmbë e kokë zijaçeliane. Dhe, në këtë kontekst universal, janë gjithashtu përbërës të rëndësishëm të natyrës narrative postmoderne.
Ja përse, siç kemi argumentuar edhe më parë, besojmë se Zija Çela është shkrimtar formati me qëndrim dhe vizion qartësisht të formuar ndaj njeriut dhe botës.
Është përditshmëria, kërkimi dhe vetëkërkimi dramatik i saj, që e nxisin dhe e shqetësojnë këtë shkrimtar, tema që e ndjell dhe përthith ndjeshmërinë e frymëzimit të autorit; është vizioni i tij ndaj realitetit të sotëm shqiptar dhe përtej këtij realitetit, si kapërcim i hapësirës dhe kohës reale; janë fuqia dhe origjinaliteti i ekspresionit narrativ, perceptimi e filozofia origjinale mbi gjithësinë; janë rezonancat e kumteve të forta dhe fryma gjithëherë e pranishme e dashurisë përballë urrejtjes, e jetës përballë vdekjes, që e bëjnë shkrimtar të madh Zija Çelën.