Timo Flloko vjen si një krijues me formim letrar, kulturor dhe përvojë të gjatë jetësore, që, të gjitha së bashku, janë sa barrë e rëndë aq edhe favor lehtësues në krijimtarinë artistike, veçmas në poezinë lirike, me këtë rast, arrin të krijojë distancim ekuilibrues ndaj dy ngasjeve.
Në librin e tij “Trup e shpirt”, autori është në kërkim të shkathët drejt balancimit mes dy boshteve tematike, atij intim dhe atij persiatës nëpër rrjedhat e përditshme të botës. Kjo qasje, kjo lëndë, ky përjetim dhe këndvështrim i autorit na sjell një libër të qëndrueshëm dhe unik… Më të realizuara artistikisht janë poezitë e shtratit të parë, siç është poezia ‘Sytë’:
Sytë shohin, shihen, fshehin, fshihen.
Sytë ikin, largohen, sytë mërgohen.
Sytë ndrijnë, qeshin, ndizen, ndezin.
Sytë dashurojnë, dashurohen, sytë
verbohen.
Sytë lotojnë, pikëllojnë, harrohen, harrojnë.
Sytë ftohen e s’flasin, sytë vrasin.
Apo poezia tjetër, ‘Në ardhsh’:
Nëse ndodh me trup të mos vish,
bëhu e padukshme
dhe eja
si frymë, si hije.
Po ashtu, në të njëjtën trajektore, si poezi të ndjenjave intime të njeriut, të cilat autori i sjell të hapura dhe të drejtpërdrejta, vjen edhe poezia ‘Mbi urën e Bruklinit’:
Kam mall… Eh, ç’mall ta dish!
Ç’mrekulli kur shoh në park,
Se si zogjtë në arrati,
Marrin sytë e mi për larg.
…
Mister dashuria, fshehtësi,
Një rebus i përhershëm mbetet,
Kë braktis, për ty jep edhe jetën,
Ajo që lakmon, tjetrit i jepet.
Ndërsa tundimet dhe sfidat e përshkojnë në tërësi librin, tek personalet ato janë më të mprehta. Te vargjet e poezisë ‘Dyshimi’, urtia elegante e zërit ecën tehut e duket sikur vihet, pro dhe kundër, bukuria e gruas dhe e burrit që magjeps e pushton këtë bukuri. Me një qetësi konstante e mbyll në fund me vargjet:
Një fjalë e pathënë më mbet në fyt,
Si kafshim i Mollës së Adamit.
Tek poezitë e shtratit real-përditshmëri – absurditete, etj. si tek ‘Estetika’, poeti sjell të tjera tundime, teksa hedh në diskutim, bukuri artificiale apo natyrale? Duket i hapur, kur thotë që, atë që e ka ndëshkuar zoti me shëmti fizike (të pamjes), pse të mos ketë të drejtë të ndjehet i bukur dhe i lumtur… Pra, një ide a mendim që gabimet e tilla të zotit mund t’i përmirësojë njeriu dhe kjo do të ishte fare normale.
Atë çfarë Zoti e krijoi të mangët,
Mjekësia estetike e kthen shpejt në hir,
Rilind krijesa me pamjen e ndryshuar,
Shndërrohet defekti në përsosmëri.
Ithtarë të natyrës klithin: Herezi!
Por shëmtimit, si djallit, i ikin me të katra,
I mallkojnë ndërhyrjet në trup e fytyrë,
Ndonëse e vuajnë dramën që u sjell plakja.
Rebelim ndaj natyrës, thërrasin, sakrilegj,
Por atë që vuan e çliron ky ndryshim,
Ia fshin përjetë ndjesinë e përuljes,
Që Krijuesi ia la mbi shpinë si mallkim.
Ky tis përsiatës që i përshkon vargjet e këtij libri poetik, e bën autorin të veçantë dhe tërheqës. Duke e lexuar, sidomos poemat në fund të librit, të cilat mbajnë peshën kryesore të tij, do të thosha, krijohet perceptimi mbi mendimin, shpirtin, botën, këndvështrimin ndjenjat, tërë botëkuptimin dhe formimin e këtij artisti të njohur në jetën kulturore të shqiptarëve.
Vëmendjen e lexuesit e marrin edhe poezi të tipit ‘Rob i manive’, ‘Transgresion’, ‘Ceni i Davidit’, poezi të cilat nuk të lejojnë të lexohen si rutinë, porse të mbeten në mendje pas përfundimit të leximit, sepse janë gjetje interesante.
Për ta mbyllur, poezitë e këtij libri, nuk i përkasin fondit të poezive që të vënë në mendime për të zbuluar çfarë fshihet ndër rreshta, këto poezi janë të tejdukshme dhe vijnë si rrjedhojë e çasteve, përjetimeve. Ato janë ndërtuar si një panoramë e hapur, si një fushë e gjelbëruar që na shpaloset para syve dhe çdo gjë që është duket…