Proza romanore e Mehmet Krajës që nga fillimet e saj, ndjek një hartë historiko-gjeografike shqiptare; dëshmi edhe e besimit për misionin e letërsisë në artikulimin dhe leximin e historisë. Fillimet krijuese të Krajës lidhen me vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Si student dhe gazetar në Prishtinë, imagjinatën ia trazoi fenomeni arbëresh, fanar etnie që s’u shua për pesë shekuj, refleks i parë ky që po linte gjumë krijuese të të riut krajan. Kjo periudhë e vizionit të lashtësisë etnike, nxitur edhe nga gjurmë e dëshmi të prekshme, solli romanin ‘Moti i madh’. Po me të njëjtën ngarkesë vizionare, do të vinte edhe proza tregimtare e tij, me bëma dhe heronj, pak historikë e pak mitikë, vendosur në një hapësirë të mjegulltë e kaotike, por gjithnjë në kohë dhe hapësirë të etnisë.
Por, saga romanore e fazës së dytë, e shtrirë në shekullin XX, është ajo që Krajën e nxjerr ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Ky hark kohor në narrativën e Krajës, lidh nyje nga më të rëndësishmet e historisë shqiptare, duke filluar që nga luftërat ballkanike dhe themelimi i shtetit shqiptar, në atë të çlirimit të Kosovës, duke shkelur edhe në dy dhjetëvjetëshat e parë të shekullit njëzetenjë. Në këtë logjikë përfshihen edhe nëntë rrëfimet e nëntë personazheve në romanin më të ri, ‘Liria ime’, me të cilin, ciklin romanor, sa e përmbyll, po aq e lë të hapur.
Për ta rikujtuar ‘udhëtimin’ e tij, përmendim se copëtimin e hapësirës shqiptare, të fillimshekullit të kaluar, Kraja e sjell në faqet e romanit ‘Selvitë e Tivarit’ dhe tek ‘E zeza dhe e kuqja’; luftën e dytë dhe përmbytjen e dytë të madhe përfshirë në faqet e romanit ‘Im At e donte Adollfin’; raportet dramatike gjatë monizmit mes shqiptarëve Kosovë-Shqipëri e sjell përmes romanit ‘Hotel Arbëria’; lufta e Kosovës dhe ndërhyrja e Natos tek romani ‘Edhe të çmendurit fluturojnë’, si dhe romanin ‘Prishtina’ me lirinë e vonuar të vitit 1999…
Romani ‘Liria ime’, që vjen zgjatim i romanit ‘Prishtina’, sjell faqen e dëshpërimit dhe zhgënjimit nga liria e vonuar, mbase e pamerituar, që është vepra artistikisht më e arritur e Mehmet Krajës dhe një nga më të shquarat e romanit shqiptar.
Në tërë ciklin romanor të këtij autori, ( trembëdhjetë, 13 romane) burim frymëzimi ai ka fillin e historisë arbërore ndër shekuj; dritë-hijet e fatit, çaste dramatike, tragjike, beteja për ruajtjen e qenies, ekzistencës së etnisë; golgotat sidomos të dy luftërave të shekullit njëzet, por edhe para tyre.
Meqë bëhet fjalë për rast konkret, letërsia, edhe romani ‘Liria ime’, përtej historisë si fakte, “lexon” gjurmët e regjistruara në botën e individit, ndriçon shenjat e regjistruara në kohë, në kujtesë; gjakon të përkapë kuptimin, moskuptimin, absurdin e bëmave në histori të luftërave; të gjitha betejat, edhe përmbysëse, sidomos, apokaliptiket, në objektivin e vet rrëfimi romanor i ndjell, i ndjen dhe i parandjen, i shpalos përmes rrëfimit të individit, të personazhit; kështu që nga Homeri i madh; përmbysja historike kosovare e fundshekullit që shkoi ishte përmasash të tilla, përmbysëse; ajo, Kosova shqiptare, pas një shekulli robërie, del e lirë, falë edhe fuqisë ushtarake më të madhe e të gjithë kohëve të globit; golgota nëpër të cilën kaloi ajo, Kosova, shqiptarët, ishte përmasash të tilla, edhe gjurmët dhe traumat të këtyre përmasave, e që i sjell romani ‘Liria ime’.
Në këtë roman, autori qytetin, Prishtinën, e ka shtëpinë e vet dhe këtë nuk e fsheh, përkundrazi; shenjat njohëse të tij, topika, rrugët, sheshet, lagjet, kafetë janë po ata që i frekuentojmë çdo ditë; personazhet, kryesorët dhe episodikët janë të njohurit, bashkëqytetarë me të cilët ka kaluar, kalon, të njëjtën përditshmëri autori; ndonjëri nga ata vjen me emër e mbiemër real; shumë sosh, me emër pak të shtrembëruar por që, lehtësisht të identifikueshëm; shkurt fjala: unë jam njëri nga ata, thotë Kraja, identifikim që e sugjeron edhe titulli i romanit; mbase edhe me ndjesinë se është fatkeq që i ka rënë përsipër të rrëfejë historitë e personazheve.
Është uni i shkrimtarit, i cilitdo qoftë, ai që bëhet një me personazhin dhe, autori që merr përsipër ta dëgjojë rrëfimin e tij; duke e provokuar njëri-tjetrin, ata mëtojnë depërtim thellësive të errëta të personazhit, në rastin Kraja, të sjellë botën e individit që ka kaluar nëpër katrahurën Kosovë; varet nga fuqia rrëfyese, nga kreativiteti i imagjinatës, se sa thellë do penetrojë drejt objektivit, për ta sjellë atë, personazh Selimin, bie fjala, njërin nga të nëntët, deri në shkallën zero, të përjashtuar nga çdo mundësi kthimi në jetë, në dëshirën për jetë, nga bota e cila edhe ashtu është e përfundimisht e përçudnuar, e përbindshmëruar; atij Selimi, të cilit pasi ia dhunojnë gruan e bukur, Sanijen, tre bashkëfshatarë, kodrave të Prishtinës turmave refugjate drejt kufirit në jug, i përmbyset bota; dhunuesi i parë, Bekimi, me uniformën e luftëtarit të çlirimit, në prani të tij, do ta ndjekë hije që s’shkoqet, kudo, kampevet për refugjatë nëpër botë, me Sanijen e përhumbur, që di të shkojë vetëm deri te dyqani dhe të kthehet te baraka në kamp. Në qenien e tij funksionon vetëm një nerv apokaliptik: si të zhbëhet bota e tillë me gjithë bëmat, tani të regjistruara në shiritin kohë-hapësirë. Klithmat e përmasave të tilla të Selimit s’ka kush t’i dëgjojë në këtë ferr, pyetjet që i shtron ai botës, Zotit, janë pa përgjigje, për të dhe për të gjithë ne; deri në këtë status i zhvesh personazhet e vet Kraja, i cili, me një rast do shprehet: “… mos u befasoni nëse ju them se ata janë “të lumtur” në palumturinë e tyre, sepse shumë prej tyre kanë arritur fundin, përtej të cilit nuk ka asgjë, nuk ka as kuptime të fshehta, nuk ka as arsye për ekzistence”. Nga kjo perspektivë dëshpërimi, Selimi do provojë të zhbëjë botën tonë të ligë, duke ia shtrënguar fytin Sanijes në gjumë, duke dale nga baraka e kampit dhe duke humbur thellë në terrin e pyllit mbi kamp, andej nga do ta takojë sërish Sanijen e pastruar nga ligësitë tona planetare; ngjashëm me Raskolnikovin e Dostojevskit, që, për t’i bërë katarsisin botës tonë vret fajdexheshën plakë.
Secili nga të nëntë personazhet dhe rrëfimet e tyre, është majë tragjizmi në vete; secila më e zezë; të gjitha bashkë sjellin një roman që të shkund… ‘Liria ime’ sjell personazhe me rrëfime, secili me tragjizimin e vet kulmor, secili me të zezën e vet, prandaj edhe ky kozmos i ndërtuar prej Krajës është një realitet egërshan, në një roman imazhesh makthi të dala nga ferri.
Autori e ka emërtuar roman-alternativ, atribut zhanror që përjashton ngarkesën e vlerësimit cilësor. Duhet thënë se ai, kësaj here vjen me veshje të re, të veçantë nga ajo që njihet deri tani krijimtaria e tij; vjen me një poetikë narrative të veçantë, në njëfarë mënyre, unike në prozën tonë romanore. E them këtë, pasi romani ‘Liria ime’ nuk ka shtrat fabular të standardit fillim-zhvillim-mbyllje, as personazhe që lidhen me njëri-tjetrin; ai thuret përmes nëntë personazheve që vijnë secili me rrëfimin e vet që nuk lidhen mes vete por që, të gjithë, në sfondin narrativ kanë gjenezën e përbashkët, që është lufta, dhuna, vdekja tragjike, që është Kosova e luftës dhe pasluftës. Janë të gjithë në arratisje dhe të palumtur, përfundimisht, me vulën e të palumturve; të gjithë këta, mund të jenë, përkatësisht janë bashkëkohanikë dhe bashkëqytetarë të autorit, kryesisht të njohur që para lufte dhe në vazhdim; edhe brenda këtyre njëzet viteve pas saj, rastis që ai t’i takojë personalisht, duke e zhvendosur për një çast narratorin, që është, gjithashtu, një perspektivë narrative ndryshe në poetikën e Krajës.
Romani ‘Liria ime’, siç përmendëm, vjen brenda nëntë krerëve, në treqind faqe tekst, që i bie afërsisht nga tridhjetë faqe secilit; çdo rrëfim ka një personazh kryesor që rrëfen një pjesë të jetës së vet, e që lidhet me harkun kohor të Kosovës së luftës dhe pasluftës, (rreth njëzet vjet pas saj); që do të thotë se sfondi kohor dhe hapësinor në këtë roman është kornizë reale; siç e kemi theksuar më sipër, është harku historik kosovar dhe shqiptar nga më dramatikët dhe më vendimtari, luftë nga e cila Kosova del e çliruar, por liria nuk vjen siç ish ëndërruar, ajo është një liri konfuze dhe e pasigurt, e paplotë, shpesh e egër.
Nga perspektiva e nëntë fateve, Mehmet Kraja rreket të sjellë ëndrrën dhe zhgjëndrrën e kësaj lirie, iluzionin dhe zhgënjimin, të kapë kuptimin dhe moskuptimin e saj, përmes personazheve tmerrësisht të vetmuar dhe të palumtur, që rreken të kuptojnë enigma jete, njerëzore, mistere të qenies, ekzistencës; të tillë, edhe në gjendje depresive, ka nga ata që penetrojnë, përsiatshëm, përtej historisë së dramave personale, ata rreken të marrin përgjigje për pyetje të cilat, nga perspektiva që i shtrojnë, mbesin pa përgjigje, madje që nuk kanë arritur të marrin përgjigje qysh nga krijimi i botës.
Shqetësimet psiqike të traumave tragjike që rrëfimi na i sjell shkallë-shkallë, tek secili personazh, falë iluminimit nga brenda të ferrit, (aty prej nga duket se edhe dalin), por të pranguar nga brenda, të ngujuar përjetësisht, përtej limiteve, sjellin faqet e përsosura romanore të shqipes. Prandaj, Zija Çela, në një vlerësim për romanin e Krajës, shprehet: “Një roman i shkëlqyer. E gjithë lënda e zezë, më e zezë se katrani dhe prapë misterioze si vetë materia e zezë. Këtu nuk është fjala për absurdin në jetë, por për hiçin e saj. Me këtë roman më dukesh i ri si shkrimtar, thellësisht dramatik në përmbajtje, thellësisht vërshues në stil, kompakt në kompozicion si një poemë. Mos u habit që aty vezullojnë edhe ca xixa nga bota e gjeniales”.
Diskursi narrativ i Krajës me këtë rast synon të prek zonat përtej dijes e ndërdijes. Madje, të shpeshta janë çastet e ecejakeve haluçinante, reflekse deri në absurd, gati – gati kafkiane dhe me një frymë hashekiane.
Lëvizja e statusit të narratorit, kompetencat që ia jep apo merr atij autori i romanit, e që janë çështje edhe të poetikës narrative, që përmenda më sipër, të shfrytëzuara në romanin më të ri të Krajës, sjellin risi në krijimtarinë e autorit, por edhe në prozën tonë romanore. Gjatë leximit vëmë re se, duke rrëfyer nga perspektiva e vetës së tretë, narratori tërhiqet papritur, për t’ia hapur udhën, vetes, alias autorit, zërit të tij, për të qenë edhe personazh në hije, ( ndonëse nuk thotë, filan personazh jam unë), i heshtur dhe që fundja, sugjeron edhe vetë titulli i romanit ‘Liria ime’, edhe liria e tij mund të jetë një variant, prandaj edhe lexuesit fare natyrshëm i sjell ndërmend shprehjen e Floberit “Ema Bovari jam unë”, apo të natyrës borgesiane, “Unë dhe Borgesi”.
Dhe, në këtë kuptim, ndërhyn… sikurse ndodh edhe tek kreu i pestë kur autori, duke e ndjekur rrëfimin e personazhit (Selimit), si të gjithë lexuesit, befas shfaqet si personazh rasti, shkrimtar në një orë letrare në një klub në Gjermani, ku, pasi lexon një tregim mbi një mbret, i afrohet një person që më shumë ngjan hije e përhumbur (e ky do të jetë Selimi) dhe e pyet: “Më fal, tha duke belbëzuar, ai mbreti, në tregimin që lexuat, a ishte Ibrahim Rugova? Zot i madh, jo i thashë, ishte një sundimtar i të gjithë kohëve”. Autori, me gjysmëstatusi narrator, me bisht të syrit e përcjell Selimin që humb në terrin e natës pas derës së madhe nga xhami i klubit të zhurmshëm, duke humbur në trishtimin e tij planetar, në kërkim të vrimës së zezë, diku në kozmos, ku do të fshiheshin nga regjistri i mbamendjes, të gjitha dëshmitë rrëqethëse nga koka e tij, bashkë me Sanijen dhe dhunuesit e saj…
Personalizimi i poetikës narrative nga një perspektivë e tillë, me këtë rast vjen edhe në funksion të shmangies së përshtypjes për mungesë uniteti tematik të romanit; tek romani ‘Liria Ime’, nuk sfidohen konvenca kanunore, tabu narrative romanore; ndërhyrjet e tilla më të shpeshta të autorit me këtë rast, vijnë në funksion të kohezionit tematik; mbase edhe për një arsye më thelbësore: për të dëshmuar praninë, përkatësisht për t’u identifikuar me secilin personazh autori; ai qëndron ballëpërballë me ta si me bashkëqytetarët e vet të njohur, të përfshirë njësoj në përditshmërinë e qytetit. Këtë ndërpleksje me personazhet e gjejmë edhe te romani ‘Prishtina’, por përsaktësohet edhe më qartë te romani ‘Liria ime’. Identifikimi me personazhet, kësaj here, vjen si fat i përbashkët, si ferr i përbashkët, në nje vend të minuar nga palumturia, si një mallkim i njeriut që vuan në robëri, por që nuk di ç’të bëjë me lirinë… Një roman i madh, një gjuhë e përsosur, stil klasi, imazhe dhe vezullime drite të brendshëm,thellësi, shkëlqim përsiatës që, së bashku e mbajnë mbërthyer lexuesin gjatë dhe pas leximit…