1.
Ervin Nezhën ma prezantoi shkrimtarja Majlinda Rama, e cila, këmbënguli që ai të vlerësohej me çmim në Panairin e Kombëtar të librit në Fier, duke argumentuar se dy librat e tij ishin një befasi në letërsi, nga një i ri i brezit të Ervinit. Pas kësaj, u nxita ta lexoj dhe i dhashë të drejtë Ramës. Libri “Erërat që trazojnë mjegullat”, si lexues, që në pasuesin e parë, në hapje, më dha ndjesinë e sigurisë. Qysh në krye, ndjehet dora e narratorit, me zërin bindës, të besueshëm, shpesh me atraksione narrative, estetike, zë që prin drejt thellësive arbërore, përtej historisë dhe shtresave të mitit. “Erërat që trazojnë mjegullat” sjell lëndë narrative nga mesjeta arbërore, por dhe përtej saj, duke i bërë bashkë historinë dhe mitin…
Një ekspeditë ushtarake venedikase, e radhës, ka mbërritur në kufirin e Naltinisë, provincë arbërore. Prijësi i saj jep urdhër të ndalen dhe ushtarët të ngrenë tendat për të kaluar natën. Në horizont shfaqet fshati i parë arbëror mbërthyer në pllajën e malit mbi të cilin lundrojnë fasha mjegullore. Misioni i ekspeditës është t’i japë një dajak Naltinisë së rebeluar, që, jo vetëm se refuzon të paguajë taksa, por sulmon dhe plaçkit karvanët, tregtarët e Venedikut të mallrave drejt perëndimit. Për ta shtruar, sidomos rebelimin e një prijësi fisnor të tyre, me emrin Gjergj Elez Alia, trimëria dhe mizoria e të cilit ka bërë jehonë të madhe që nga Galia, Bizanti e deri në Stamboll dhe tej. Ndeshja me Naltininë pra, sipas vendimit të gjeneralit, Mark Gali, do të shtyhej për të nesërmen, duke shmangur natën e paparashikueshme.
Rrëfimi romanor që starton pikërisht nga kjo pikë gjeografike, hapësinore, fiksohet edhe te perceptimi i të ardhurve mbi Arbërinë. Koha, ndërkohë, do të shtrihet e hapur drejt së kaluarës, njësoj si pritja dhe sfidat që do të pasojnë nga mëngjesi i së nesërmes; ndjesi perspektive kjo e dy hapësirave, përbërës të poetikës narrative, që autori e sjell me lehtësi elegante. Herë buzagaz e qesëndisës, herë me ngrohtësinë e trashëgimtarit kureshtar, me përshtypjen se libri ofrohet pa pretendime sensacionale, por thjesht si një sprovë për të prekur një thesar arbëror, gjithë nën mjegulla.
Në kapitujt e parë të librit, narratori, sjell ndërmend ekspeditën ushtarake të para nëntë viteve, në krye me gjeneralin Teodato Zorzi, që, jo vetëm u thye turpshëm prej Gjergj Elez Alisë, por përjetoi një kurth nga më mizorët që mund të imagjinojë mendja e njeriut. Pasi ia shpartallon ushtrinë, Gjergji e zë rob gjeneralin, bashkë me 10 ushtarët e tij më besnikë. Pas disa ditëve qëndrimi në burg, Gjergj Elez Alia i Naltinisë e fton për darkë në sarajet e veta Gjeneralin Zorsi, dhe ia kumton vendimin: të gjithë do përfundojnë në varje publike; por gjeneralit i ofron një shans që të mos përfundojë në litar, vetëm me një kusht: të marrë rolin e xhelatit në ekzekutimin e ushtarëve e vet, të cilin gjenerali e refuzon me neveri. Gjergji, megjithatë, i jep kohë për reflektim. Pas disa ditëve e fton përsëri në saraje, Zorzi mohon sërish. Gjergji e informon për vendimin e prerë se të njëjtin shans do t’ia ofrojë ushtarit të parë deri tek i fundit. Dikur gjenerali dorëzohet! Kështu, një mëngjes oborri i sarajeve të Gjergjit do të gdhihet me trekëmbëshat dhe litarët mbi kokë, të gatshëm për ekzekutim. Platforma e skenës paraqitet e rrethuar nga banorët e provincës, që shprehnin keqardhje për jetët e këtyre “të rinjve dhe të pashëm”, që nuk dinin gjë për kontratën mes shefit të tyre dhe Gjergjit, i cili dirigjon me ceremoninë mortore nga ballkoni i sarajit.
Zorzi merr thasët nga punëtori i dërguar dhe fillon t’i mbulojë kokat e ushtarëve të vet, duke u sjellë si prind që u gjendet në çastet e fundit të jetës dhe që edhe vetë do përfundojë njësoj si ata në litar. Pas kësaj, Gjergji jep urdhër për të ngrehur mekanizmin e trarit, lëvizja e të cilët, do ta heqë fronin ku qëndron trupi i ushtarit të parë. Llozi koçitet dhe s’ndodh asgjë. Zorzi provon për herë të dytë dhe kur prapë s’lëvizi asgjë, atij vetëtimthi i kujtohet hataja e kurthit dhe, në çast, dëshiroi të vdisnin që të dhjetët, të vdiste edhe ai vetë, ta përpinte toka, të përmbysej gjithësia. Por ishte tepër vonë. Kur punëtori, gjithnjë sipas udhëzimeve të Gjergjit nga ballkoni, fillon të heqë thasët një nga një prej kokave të ushtarëve, ata, ushtarët përpara kishin një fantazmë njeriu. Mizori kjo, që, ndër ndëshkimet e tiranëve ndaj kundërshtarëve, të kujton atë të librit “Zotit President”, të Asturiasit apo tmerret psikologjike të Dostojevskit.
Këtë histori të para nëntë viteve mbase sillte nëpër mend gjeneral Mark Gali, duke bërë planin e përballjes të së nesërmes në çadrën e vet para gjumit, në kufirin e Naltinisë arbërore. Gjenerali ishte i vetëdijshëm për rëndësinë e ekspeditës së radhës për të cilën, Republika e Venedikut, kësaj here, kishte zgjedhur pikërisht atë, gjeneralin më të mirë të republikës në krye të kësaj ekspedite. Për ta shtruar rebelimin e principatës arbërore dhe sidomos atë të Gjergj Elez Alisë, ndonëse, kronisti narrator, Mark Galin e përshkruan ushtarak me vizion që përjashton dhunën dhe vdekjen si mundësi, ai ëndërron që ushtaraku venedikas të shpresonte të gjejë një rrugë, e cila përjashton dhunën dhe viktimat nga të dyja palët, pra, shkon me vizion për ta bërë Naltininë vend të jetueshëm. Megjithatë, fundi dhe kurthi më mizor dhe më i llahtarshëm që i përgatiti Gjergji paraardhësit të gjeneral Markut, e bënte atë vigjilent nga të papriturat.
Marrë parasysh të gjitha këto, hyrjen në fshatin e parë arbëror me emrin Lidekus, togu ushtarak i kalorësve sipas taktikave ushtarake të parapërgaditura mirë, fshati me shtëpi të boshatisura, etj, në fillim duket si kurth, që s’ishte. Meqë qëlloi ditë e diel, banorët qënkëshin te kisha rrëzë fshatit. Duke shfrytëzuar këtë rrethanë, gjenerali venedikas vë kontakt me priftin e fshatit, por edhe me besimtarët, të qetë dhe gati mikpritës. Nga biseda e gjatë me priftin, gjenerali informohet se Gjergj Elez Alia, plot nëntë vite, dergjet në shtrat me plagë të hapura dhe nuk e ka parë asnjeri përpos motrës, e cila hera – herës vjen në kishë, por nuk hapet lidhur me Gjergjin. Principata, ndërkohë, është katandisur si mos më keq. Fqinjët përreth, trebinasit, ato sllave sidomos, hyjnë e dalin nëpër të, duke bërë zullum, vrasje dhe plaçkitje. Dora – dorës, përmes priftit Nikifor, gjenerali venedikas do të mbërrijë deri në qendrën e Naltinisë dhe në sarajet e Gjergjit ku e pret Naisina, motra e tij që i shtron darkë. Gjenerali do të mahnitet nga bukuria dhe çiltërsia e saj. Tani e tutje, në roman, do jetë i pranishëm rrezatimi i brendshëm, i pa shprehur mes këtyre dy personazheve, që është fryma më e shëndetshme dhe më njerëzore, pos përçudnimeve dhe mizorive, që nuk do të mungojnë edhe në këtë ballafaqim mes Naltinisë dhe Venedikut. Gjenerali do arrijë të afrohet me Naltininë, ta ndiejë nga brenda shpirtin, natyrën e saj. Ai nuk shpreson se do ta shohë Gjergj Elez Alinë dhe shpesh beson se ai nuk jeton më; ka shpresë se me këtë rrugë, përmes paqes, do arrijë ta kthejë përsëri Naltininë nën ombrellën e Venedikut. Gjergji, nga ana tjetër, pas betejës së para nëntë viteve me Zorzin, kishte ndërprerë çdo lidhje me republikën dhe kishte dhënë urdhër të ndëshkonte çdo karvan të tyre drejt Lindjes përmes Arbërit. Tani, përballë ekspeditës së radhës dhe ofrimit nga gjenerali për të dorëzuar administrimin e Naltinisë nën ombrellën e Venedikut, pa luftë, përmes pajtimit, Gjergji nuk e pranon. Pas ndërhyrjes zë Zanave, përmes ndërmjetësimit të Naisinës, gjithashtu e sojit të Zanave, nxiret nga burgosja Ora e ngrirë e Gjergjit, duke e rikthyer fuqinë e tij dhe, në vend të paqes, Gjergji zgjedh dyluftimin me Bajlozin e radhës. Krahu dhe topuzi i tij e dërgon në atë botë edhe gjeneral Mark Galin. E solla në vëmendje fillin narrativ të përmbajtjes të këtij libri të parë të shkrimtarit të ri, Ervin Nezha, për të qenë më të qarta disa veçori të diskursit dhe poetikës narrative të këtij vepre, si dhe veçori zhanrore dhe poentimi.
2.
Autori Ervin Nezha, në lëndën rrëfimore, të librin “Erërat që trazojnë mjegullat”, siç kemi thënë, bën bashkë mitin dhe realitetin. Bëmat, personazhet, kohën dhe hapësirën, përbërës të poetikës narrative, arrin t’i sjellë të besueshëm. Nga trualli i Naltinisë, autori sjell këta personazhe: Gjergj Elez Alinë dhe motrën Naisinë, me një krah qiellor dhe një tokësor; Naisina është edhe me ADN zanash dhe shtojzovallesh, ndërsa Gjergji, i sojit homerik, gjysmë perëndi dhe gjysmë njeri; gjithashtu komandanti i ushtrisë arbërore Monuni, dhe prifti Nikifor, puro naltininas; dhe dy gjeneralët venedikas, Teodato Zorzi në ekspeditën ndëshkuese të Venedikut të para nëntë viteve dhe Marku Gali, ky i radhës, në qendër të rrëfimit që sjell libri. Motra Naisin që ka lidhje misterioze me Kryezanën dhe njëkohësisht motër e përkushtuar që i bart natyrshëm dy fillet e bëmave, duke balancuar besueshmëri; ajo ndjehet mirë në prani të gjeneral Markut dhe e ftohtë ndaj kryeushtarakut vendas Monunit, që mëton dhe shpreson konsideratën dhe pëlqimin e saj. Motra Naisina, pas paktit me Kryezanën, për ta nxjerrë nga shpella Orën e Jetës së fshehur të Gjergjit, do të ndahet nga bota reale për t’u kthyer në gjirin e origjinës. Pas dyluftimit mes Gjergj Elez Alisë dhe Markut, ajo, të vetmin gjest tokësor do ta bëjë duke u kthyer te varri i gjeneralit venedikas për të vendosur lule. Edhe Gjergji e di vendimin suprem: pas dyluftimit të fundit me Bajlozin, i jep fund të qenit tokësor, e di gjithashtu se betejën me të e ka të fituar, si gjithë të kaluarat. Është e qartë se autori në këtë roman lëviz bindshëm mes reales dhe sureales.
E solla në vëmendje këtë për të thënë se libri në fjalë është substrat i ngjeshur, vendosur në një sfond historiko-mitik pa fund. Të pesëmbëdhjetë kapitujt e tij janë medalione që qëndrojnë më vete, thuajse të pavarura në sfond. Lidhja mes tyre është e brendshme, përmes hapësirave funksionale, të natyrshme. Rrjedha narrative me ledhe të buta e nxit dinamikën e ritmit narrativ, i shpeshton atraksionet estetike dhe përqendrimin e lexuesit. Mëtimi ‘kokë më vete’ i pesëmbëdhjete njësive të librit, në këtë rast, kanë funksion edhe si mekanizëm mbrojtës nga ndërhyrjet e narratorit, në kuptim të parapërcaktimit të rrjedhave narrative, në lëvizjen e personazheve, etj…
Thënë kjo, teksti i këtij rrëfimi romanor ngado që ta prekësh, dhe nga të gjitha perspektivat, vlon nga simbole, metafora dhe aluzione. Që nga titulli “Erërat që trazojnë mjegullën”, autori insiston që ta lexojmë edhe njëherë atë titull. Erërat sikur vijnë në vend të ngasjeve krijuese, sinonim i frymëzimit, atij qiellorit që trazon mjegullën që pengon depërtimin thellësive mitike, përkatësisht që me këtë rast mëton ta davaritë, ta kthjellojë objektivin nxitës. Gjithandej përmes atributeve metaforikë, dalë nga fenomenet e botës reale, përmasat e mbinatyrshme të Gjergjit, raporti i tij me Zanën, ngjashëm me perënditë e Homerit, e përkrahin, apo e ndëshkojnë, njësoj edhe ato të Naisinës me shtojzovallet dhe Zanat, të shtrira si frymë dhe ndjesi gjatë rrjedhës së rrëfimit, që e bëjnë atë, tekstin, të shenjëzuar që mëton dekodim, përfshirë edhe toponimi Naltinia, gjithnjë i kësaj sëre.
Autori mbase mund të ketë kaluar fëmijërinë në rrëzë malesh të lartë, shpesh me maja të zbardhura apo nën mjegull, shoqëruar nga legjenda vendase mbi bëma kreshnikësh e zanash. Megjithatë Naltinia, në këtë roman, përballë botës, vjen vend i përzgjedhur, njerëzish e perëndish dhe kjo nuk mund të mos krijojë, tek lexuesi, vizionin e tillë të rilindësve mbi etninë, mbi Arbërinë, si një zonjë e rëndë.
Ajo që doja të vija në theks është klasifikimi zhanror i librit. Ky është një klasifikim që nxit ngasje për debat, sidomos për sqarimin e radhës të autorit, i cili përfundi titullit “Erërat që trazojnë mjegullën”, në kllapa ka shtuar (Kronika të Naltinisë). Libri ka rreth 80 faqe, shtrirë brenda 15 kapitujve, me nga rreth 5 – 6 faqe tekst secili, të lidhura dhe të palidhura brenda një boshti, që si konvencë realiste, në këtë rast është shmangur. Ndërkohë, fundi i librit vjen si një fillim i ri, sepse gjithçka paraqitet fare spontanisht, sikur ndodhet në fillim të një shtegu të ri narrativ. Mbase autori po na fton drejt një megaprojekti narrativ, të cilin, jam i sigurt që do ta mbyllte po me sukses. Prandaj, po përmend një shprehje të një mikut tim, “Mbajeni mend këtë emër!”