Letërsia shqipe, pak e njohur në Spanjë, u gjallërua në shekullin e XlX, si rezultat i ringjalljes së frymës kombëtare dhe një nga qendrat e para letrare e pati në Shkodër. Në fillimet e shekullit të XX intensifikohet përhapja dhe studimi i gjuhës me ndihmën edhe të komuniteteve shqiptare të vendosura në Greqi, Turqi, Itali dhe Bullgari. Ky fragmentarizim mes autorëve që jetonin brenda vendit dhe të tjerëve në emigracion, vazhdoi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës, shumica e autorëve shqiptarë ndoqën rrugën e realizmit socialist. Aktualisht, midis të gjithëve, shquhet, me një ndriçim vetiak, Ismail Kadare, vepra e të cilit është e njohur botërisht. Mund të përmendim emra të tjerë shkrimtarësh të njohur si Petro Marko, Spiro Çomora, Dritëro Agolli, Ernest Koliqi, Martin Camaj etj.
Tanimë janë bërë të njohur edhe Ridvan Dibra, Ben Blushi, poetesha Luljeta Lleshanaku, të cilëve u bashkoj edhe figurën e Namik Dokles, hispanist i shquar, i cili, përmes karrierës së tij shumëplanshe si shtetar ( kryetar parlamenti, zëvendëskryeministër), gazetar i mediave të njohura, përkthyes nga spanjishtja, por mbi të gjitha, si romancier i madh dhe dramaturg, zë një vend të privilegjuar mes nesh, duke e njohur veprën e tij në spanjisht, nëpërmjet përkthimit të kujdesshëm që Maria Roces Gonzales i ka bërë romanit “Vajzat e mjegullës”- pjesa e parë e triologjisë së Gorës.
Gora, vendi i narrativës së autorit, është një tokë e ndarë mes tre kufijve shtetërorë, në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar; Shqipëri, Maqedoni, Serbi (tashmë në kufi me Kosovën) në të cilën, nëpërmjet rrëfimit të një fëmije 13 vjeçar, me dhunti mençurie, vëzhgimi dhe guximi, na përshfaqet një afresk i historisë së një Shqipërie të zhytur në një regjim stalinist, të drejtuar nga Enver Hoxha. Nëpërmjet vështrimit dhe epopesë personale të një djali, para syve tanë shfaqen personazhe dhe rrëfimtarë të tjerë si Majka, referencë magjike e pakohëshme e një plake që na tregon historinë qindra vjeçare të zakoneve dhe traditave të një krahine, ku dielli lind dy herë çdo ditë dhe hëna shfaqet dy herë çdo natë, në Bukojnën e kufirit, të hedhur mes bjeshkëve dhe mjegullës, përmes të cilave enden goranët, me torbë në krahë, si migrantë të përjetëshem, në kërkim të një jete më të mirë e të lumtur
Në këtë suazë të një vendi të varfëruar e pa mundësi jetese, personazhe të tjerë përbëjnë contrapuntin e rrëfimit. Shquan figura e Mësuesit, referues intelektual i historisë së Gorës në roman, njëherësh edhe mbrojtës i vlerave dhe të vërtetës, për të cilat, më në fund shkon drejt pushkatimit. Figura e tij përballet me parimet e rendit të ri, të vendosura mbi dogmat e Stalinit, mentor i qeveritarëve të rinj, të cilët, nëpërmjet komiteteve të tyre partiake, të bodrumeve të errëta e torturuese, të shkeljeve mbi pronat e komunitetit, e zhytin fshatin në terror e shkatërrim.
Vajzat e mjegullës janë adoleshentet e Bukojnës që i japin gëzim jetës me këngët e tyre, çdo mbrëmje, përpara të shtatë portave të fshatit, duke hedhur kështu farën e të ardhmes ndryshe, me takimet e tyre me djemtë që frymojnë për to dhe ëndërrojnë dashurinë në ditët e festës së Shëngjergjit. Rrëmbimi i të gjitha vajzave nga regjimi stalinist, ndalimi i tyre për të ardhur në ditët e festës, për arsye absurde, vjen e bëhet nyja qendrore e romanit. Rreth kësaj ngjarjeje, prezantohen dhe zhvillohen personazhe dhe rrëfime që na përshfaqin pjesë të historisë, traditave dhe mënyrës së jetesës të asaj Shqipërie që jetoi në errësirën represive deri në fundin e shekullit të kaluar dhe, tani, rilind e ndriçuar dhe tërheqëse përpara botës me gjithë forcën shpirtërore dhe dëshirën e saj për t’u integruar në Europë, si anëtare e një globaliteti të nevojshëm, por që nuk harron vlerat autentike, aq shumë të gdhendura në historinë dhe kulturën e saj. Romani i Namik Dokles është një portë e madhe hyrëse për njohjen e një vendi që shfaqet mikpritës dhe i dëshiruar që ta njohim më mirë historinë dhe trashëgiminë e tij. Dhe kësaj i kotribuon, pa dyshim, leximi i këtij romani të shkëlqyer, të cilin ua rekomandojmë me entusiazëm dhe admirim.
Shënim: Artikulli është botuar në revistën “El curioso impertinente”, organ i Shoqatës së shkrimtarëve të Kastija La Mançës- Spanjë.
ALFREDO VILLAVERDE GIL, shkrimtar, kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve të Kastija La Mançës-Spanjë