More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlfred Çapaliku: “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës” i Kolë Ashtës –...

    Alfred Çapaliku: “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës” i Kolë Ashtës – pasuri e paçmuar e thesarit të shqipes

    Lexuesit e interesuar dhe posaçërisht studiuesit e opusit mjedian janë tani të pajisur me një guidë të pafund linguistike, me një “vademecum” të imët gjuhësor  të titulluar “Kolë Ashta. Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës” (shtypur nga Fiorentia, Shkodër 2023), me të cilin mund të zbulojnë pothuajse gjithçka në laboratorin krijues të një prej figurave më të shquara të letrave shqipe.

    Ky lajm i ri kulturor – shkencor e ka origjinën para rreth shtatë dekadave, kur ish – anëtari i Institutit të Studimeve Shqiptare “Skanderbeg” në Tiranë, mësuesi i letërsisë në  gjimnazin “28 Nëntori” të Shkodrës (më pas pedagogu i leksikologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës), hulumtuesi i palodhur prof. dr. Kolë Ashta përfundoi me shkrim dore në 655 faqe blloku një nga veprat themelore të opusit të tij shkencor filologjik titulluar “Fjalori i plotë i nxjerrun nga shkrimet e Ndre Mjedës dhe rimari. Shkodër 1955”.

    Prof. dr. Kolë Ashta (Shkodër 03. 07. 1918 – Shkodër 22. 01. 1998) qe një leksikolog i lindur, ekselent. Ai ia kushtoi jetën vjeljes leksikore, shqyrtimit kuptimor dhe hartimit të fjalorëve të tri dokumenteve të para të gjuhës shqipe, të Buzukut, të Matrëngës, të Budit, të Mazrrekut, të Bardhit, të Bogdanit, të Kuvendit të Arbnit, të  Da Leçes, të Kazazit, të Varibobës, të Kavaliotit, të Voskopojarit, të Meksit.

    I gjithë ky fond i vyer leksikor i evoluimit të gjuhës sonë është vënë në qarkullim prej vitit 1996 gjer në vitin 2018 nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Qendra e Studimeve Albanologjike, përmes veprave voluminoze seriale “Leksiku historik i gjuhës shqipe I – VII”.

    Në sajë të punës së programuar, serioze, ngulmuese, shumëvjeçare, karakterizuar nga  akribia shkencore, të zhvilluar prej një grupi të formuar me anëtarë të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe atyre të Departamentit të Gjuhës shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, arriti të shohë dritën e botimit në Shkodër gjatë vitit 2023, vepra e Kolë Ashtës “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës” me 5682 njësi leksikore (përfshirë variantet etj).

    Rijetësimi i dorëshkrimit të Kolë Ashtës në një libër prej 394 faqesh u bë i mundur nga bashkëpunimi skrupuloz i gjuhëtarëve, studiuesve dhe pedagogëve prof. dr. Artan Haxhi, prof. dr. Mimoza Priku, dr. Erzen Koperaj, dr. Zamira Shkreli, doc. Bora Logu. Ky ekip pedagogësh specialistë të fushës së studimit, duke pasur ekspertë redaktorët shkencorë prof. Tomor Osmanin dhe prof. dr. Tefë Topallin, përgatiti për botim dhe plotësoi me shënime të nevojshme e me  sqarime të hollësishme veprën e  prof. dr. Kolë Ashtës. Ky grup kërkimor pune bashkëshoqëroi me plot 1086 shënime në fund të faqeve lehtësimin e përdorimit të veprës “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës” nga ana e lexuesve të interesuar, veçanërisht prej mjedologëve.

    Burimet e këtyre saktësimeve të grupit të punës shkencore shprehur me shën. ynë shoqërohen me të dhëna nga tradita letrare e gjuhësore shqiptare, me citime nga studimet albanologjike, me shembuj nga fjalorë  enciklopedikë të gjuhës shqipe e asaj italiane apo me krahasime nga fjalorë dygjuhësh, si dhe me sqarime të vetë autorit Kolë Ashta.

    “Fjalori i plotë i nxjerrun nga shkrimet e Ndre Mjedës”, i titulluar kështu prej autorit në  origjinal, nis me “Hyrje” (f. 29 – 33) e më pas ndiqet nga “Pasqyra e shkurtimeve” (f. 37 – 39) dhe mbyllet me “Pasqyra  e alfabeteve të përdorura nga Mjeda” (f. 387 – 388), të konceptuara nga autori Kolë Ashta në vitin tashmë të largët 1955.

    “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës”, i  titulluar kështu nga grupi i punës që e përgatiti për botim dhe e plotësoi me shënime, nis me “Të primitë përpara letërarit” (f. 5 – 25) dhe përfundon me rubrikën “Bibliografi” (f. 389 – 390),  përpiluar në mars të vitit 2023. 

    Kuinteti harmonik i studiuesve A. Haxhi, M. Priku, E. Koperaj, Z. Shkreli, B. Logu, në faqen 18 të parathënies me titull “Të primitë përpara letërarit”, zbulon kësisoj metodën e ndjekur në trajtimin e materialit leksikologjik:

    “Ajo që na ka udhëhequr që në fillim të punës ka qenë ruajtja e tipareve thelbësore të tekstit në dorëshkrim. Kemi ruajtur modelin gjuhësor të shkruar nga Ashta, një gegërishte e mesit të shekullit të kaluar, në mënyrë që teksti të mos i humbasë “ngjyrat origjinale”…”

    Një punë e dukshme është bërë nga pesë gjuhëtarët e lartpërmendur në plotësimin e veprës me sqarime rreth kuptimit të fjalëve të Ndre Mjedës apo të vetë Kolë Ashtës, të cilat sot nuk janë pjesë e leksikut aktiv të shqipes.

    Grupi i punës studimore jo në pak raste është shfaqur në rolin e “restauruesit” të ndonjë pjese ligjërate të lexueshme me vështirësi nga veprimi i agjentëve atmosferikë, për shkak të efektit kohë, por edhe në rolin e “rikrijuesit” të ndonjë hapësire lënë bosh qëllimisht nga autori i Fjalorit me idenë e rikthimit më vonë  për ta plotësuar saktë fjalën a shembullin, veprim që është harruar (pa dashje)  të bëhet në fund të punimit prej Ashtës.

    Grupi i punës me kompetencë profesionale në përzgjedhjen e ndjekur rrëfehet kështu në faqen 18,  në mars të vitit 2023, para përdoruesve të veprës së prof. dr. Kolë Ashtës “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës”:

    “Ne e kemi gjykuar të arsyeshme të mos ndërhyjmë në pikëpamjet e autorit qoftë në çështje të gjuhës, qoftë edhe në pikëpamjet e tij gjuhësore, ndonëse gjuhësia shqiptare sot mban një qëndrim tjetër për disa prej tyre. Në disa raste, kur përcaktimi i një leme në një pjesë të ligjëratës  nuk është në përputhje me realitetin e sotëm gjuhësor apo edhe me kontekstin, kemi bërë sqarimet përkatëse përmes shënimeve, duke paraqitur mendimin tonë për çështje të veçanta tek disa pjesë të ligjëratës (mbiemrat, ndajfoljet, pjesëzat, parafjalët, numrorët etj.) siç është rasti i të ashtuquajturve numërorë rreshtorë, të cilët në morfologjinë e sotme përfshihen në klasën e mbiemrave apo ndonjë rast tjetër i ngjashëm, p. sh. :

    I PÊSTË: numror

    “i pêsti urdhnim” (Kat. III, 70);

    AFER:ndajfolje

    “pati ndejë … afer Rrjollit” (Mri 5, 7), që në këtë rast është përdorur si parafjalë.” 

    “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës” është një monument prej fjalësh që Ashta i ka ngritur Poetit, ndërsa grupi i punës Haxhi, Priku, Koperaj, Shkreli, Logu këtë monument e kanë vënë mbi piedestal.

    Ky Fjalor, thënë ndryshe  “Fjalë – ar”, sjell  një pasuri të paçmuar për leksikografinë e shqipes e veçanërisht për thesaurusin e saj.

    Duke e përmbyllur veprën “Fjalori i plotë i nxjerrun nga shkrimet e Ndre Mjedës dhe rimari. Shkodër 1955” dr. Ermira Alija dhe një koleg-profesor, anëtarë të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u kujdesën për publikimin e dhe plotësuan me 243 shënime  pjesën V “Rimari  i Mjedës”, që figuronte në faqet 591 – 655 të dorëshkrimit të Ashtës. “Rimari i Ndre Mjedës”, si libër më vete me 176 faqe, botim iUniversitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Qendrës së Studimeve Albanologjike, doli në qarkullim në Shkodër po në vitin 2023.  

    Vepra e Kolë Ashtës “Fjalori i gjuhës së Ndre Mjedës”, e përgatitur për botim dhe e pajisur me shënime nga grupi i  pesë pedagogëve studiues të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr. Artan Haxhi, prof. dr. Mimoza Priku, dr. Erzen Koperaj, dr. Zamira Shkreli, doc. Bora Logu  është një ngjarje e mirëpritur për antropologjinë tonë  kulturore.

    Në të ardhmen e afërt duhet të  nxiten e të përkrahen më tepër studimet  për gjuhën me amë kombëtare  të autorëve të tjerë të spikatur të traditës, të cilët formojnë gjerdanin e florinjtë të letërsisë shqiptare.

    Shkodër,  10. 10. 2023.     

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË