More
    KreuOpinionAlexander Larman: A është nepotizmi artistik një e keqe apo nevojë?

    Alexander Larman: A është nepotizmi artistik një e keqe apo nevojë?

    Para ca ditësh, zbulova se një shkrimtare e re, e talentuar, po botonte romanin e saj të parë. Dukej se kishte një histori të mirë, madje edhe të pazakontë, kishte punuar si shitëse librash në librarinë e vlerësuar Mr.B Emporium dhe kishte botuar si debutuese një përmbledhje me tregime. Pastaj më kapi syrin emrin, Naomi Ishiguro. Reagimi i parë ishte të pyesja nëse ishte thjesht rastësi që ajo kishte të njëjtin mbiemër me autorin anglo-japonez, fitues të çmimit Nobel, Kazuo Ishiguro, por doli që s’ishte rastësi. Ajo u intervistua nga The Guardian për shkrimet e saj dhe dukej gjakftohtë për të atin e famshëm, duke thënë për Çmimin e tij Nobel se “mezi arrija të flisja me të në telefon sepse ishin gjithë këta gazetarë jashtë shtëpisë”. Ajo vuri në dukje po ashtu se me të atin shkrimtar kishte ndjesinë se karriera e shkrimtares “ngjan e mundur, s’është diçka krejt mistike” dhe se “ti mendon: mund të më ndodhë nëse dua, vetëm se duhet të punoj shumë”.

    Ideja e nepotizmit është çështje që të ngjall kaq shumë ndjenjën e zemërimit dhe mllefit, veçanërisht në kontekstin artistik ose letrar. Për shumë shkrimtarë ose aktorë rishtarë, sidomos, dyshimi më i madh është se të dyja industritë në thelb funksionojnë si një dyqan i mbyllur dhe leja e hyrjes në këto profesione magjepsëse dhe të paguara mirë mund të merret vetëm duke pasur lidhje me një emër të famshëm ose lidhje të ngjashme me njerëz që kanë status të lartë shoqëror.

    E mbaj mend ende sagën fatkeqe të gazetarit të ri Max Gogarty, të cilit iu kërkua nga The Guardian të shkruante një seri blogësh për udhëtimet e tij gjatë lejes njëvjetore të dhënë nga gazeta. Gogarty i atëhershëm 19-vjeçar, fillimisht u rraskapit për shkak të mënyrës pakëz të sinqertë dhe këndvështrimit parodik për veten si pjesëtar i klasës së mesme i cili – “punonte në një restorant me shumë njerëz të bukur, argëtues; po shkruante një dramë; i dërgonte shkrime revistës Skins; të gjitha paratë që fitonte i shpenzonte për ushqim dhe blerje xhinsesh të ngushta, jepej pas pijes gjatë një udhëtimi dymujor goxha të shtrenjtë nëpër Indi dhe Tajlandë ”, por më pas doli se nuk ishte ai por i ati gazetari i pavarur që i bënte këto udhëtime dhe ia shkruante artikujt që ai herë pas herë ia dërgonte gazetës, dhe kjo shkaktoi një skandal të paparë. Po të kishte Twiter asokohe, do të flisnin për të me ditë të tëra.

    Blogë të Gogarty-t në të vërtetë s’pati, por që prej atëherë ai ka pasur një karrierë të suksesshme në media, duke punuar si menaxher botimesh në BBC. Mund të ketë ende disa luftëtarë të pakënaqur të tastierës që mërmërisin se suksesin e ka për shkak të të atit, por shumë të tjerë kanë pasur arritje gjatë këtyre 12 vjetëve qëkur Gogarty u përpoq dhe s’arriti të bëhej një gazetar i pavarur. Përveç kësaj, ka patur shumë objektiva të tjerë që nga ajo kohë. Shfaqja e shkëlqyer e Netfliksit për edukimin seksual është një nga programet më të reja dhe më të mprehta që ka dalë prej platformës që nga fillimi, por shumë ngritën dyshime për faktin se nga doli aty krijuesja e saj Laurie Nunn, duke pasur parasysh që ajo s’kishte asnjë histori suksesi para se të drejtonte një program të tillë me shikueshmëri kaq të lartë. Pati disa shpjegime në një intervistë të pashmangshme me The Guardian – a shohim të jetë krijuar një model këtu? – ndërsa artikullshkruesi komentonte, “E ëma është aktorja australiane Sharon Lee-Hill; i ati është regjisori britanik i teatrit Trevor Nunn”.

    Laurie Nunn, megjithatë, ashtu si Naomi Ishiguro, nuk shfajqësohet që përdor statusin e saj të privilegjuar dhe emrin e njohur të familjes për të vazhduar karrierën. Siç tha në intervistë, “Duke pasur një familje të dhënë pas artit më bëri të ndiej që në moshë shumë të re, se kjo ishte një mundësi edhe për mua. Kam miq në fushën e arteve, familja e të cilëve s’është e lidhur me këtë fushë, dhe u ngjan si një perspektivë e frikshme. Ata patjetër që më kanë nxitur ta ushqej pasionin tim”. Padyshim që ndihmon për t’u vënë re, nëse yt at është ish-kreu i Teatrit Kombëtar, por është po aq e vërtetë që programi i saj është një punë e vërtetë e jashtëzakonshme. Mbiemri i famshëm mund të ketë hapur dyer dhe të jenë bërë disa takime, por talenti i ka siguruar sukses në karrierë.

    Çështja e nepotizmit kanë qenë thelbësore për letërsinë gjatë shumë e shumë brezave. Ndërsa shumica e shkrimtarëve legjendarë anglezë të shekullit të njëzetë, Dickens, Shakespeare, Austen dhe të tjerë – nuk vinin nga familje me traditë letrare, profesioni asokohe varej shumë nga individët e talentuar të cilëve u jepej mundësi për shkak të meritave, në vend se të mbështesnin shkrimtarë që rrekeshin të ecnin në gjurmët e prindërve të njohur. Ndoshta shembulli më i shquar i kundërt me këtë traditë gjendet në letërsinë e shekullit të njëzetë me Martin Amis-in, romani i parë i të cilit “Letrat për Rashelën” u botua më 1973, kur ishte 24 vjeç.

    Ai ka bërë komente të ndryshme rreth asaj se si shkrimtaria për të s’ishte asgjë më shumë sesa “marrja me një punë të familjes”, sikur letërsia të ishte një zanat si të jesh kasap ose drejtor funerali, dhe vërejti se ishte e pashmangshme që çdo botues donte të investonte në brezin e dytë të një dinastie shkrimtarësh. I ati, Kingsley ishte një nga më të njohurit e letrave në Britani në fillim të viteve shtatëdhjetë dhe vazhdoi të ishte një nga shkrimtarët kryesorë të vendit derisa ndërroi jetë më 1995, kështu u krijua përshtypja e fortë se ishte fama e tij që ia kishte shtruar rrugën të birit në krijimtari. Jo pa ironi ai u shpall nga Neë Statesman, për librin “Martin Amis: Lufta ime”, fitues i konkursit për titullin e librit që s’ngjan fare si titull libri.Mbetet gjithsesi ndjesia se ata që kanë koniunktura të mira janë në gjendje të luajnë pa ndonjë vështirëse rolin e më të mirit.

    Nëse nepotizmi është një faktor kryesor në letërsi, ai është edhe më i përhapur në profesionin e aktrimit. Gjithmonë ka pasur dinasti të mëdha pjesëtarët e të cilave zakonisht kanë patur pozita të larta profesionale që në hapat e pare, familjet e artistëve Fondas dhe Barrymores në Amerikë, Redgraves dhe Foxes në Britani – dhe, duke pasur parasysh sa mllef ngjall kjo tek shumë aktorë pa punë, mbetet ajo përshtypja se vetëm ata që kanë lidhje të forta dhe arsimohen privatisht dhe në Oxbridge janë në gjendje të zgjidhen për rolet më të mira pa ndonjë vështirësi. Për të përmendur vetëm disa prej aktorëve më të suksesshëm të Britanisë sot si Benedict Cumberbatch, Kate Beckinsale, Samuel Ëest, Daniel Radcliffe, Rory Kinnear, Harry Lloyd dhe Hattie Morahan, secili prej tyre ka prindër që janë ose aktorë të respektuar (si në rastin e Beckinsale, Ëest, Cumberbatch ose Kinnear), regjisorë (Morahan) ose të përfshirë në industrinë e argëtimit në nivele të larta; babai i Lloyd Jonathan-it është presidenti i agjencisë kryesore të talenteve. Në Amerikë, situata është pak më ndryshe, dhe pa dyshim edhe më e keqe. Shihet ngritja e Maya Haëke, Kate Hudson, Dakota Johnson, Jaden Smith, Lily-Rose Depp dhe shumë të tjerëve dhe thjesht tregon se në industrinë miliarda dollarëshe e filmit disa nga rolet më të mira janë për ata me prindër të famshëm të cilët kanë lidhje të ngushta me biznesin. Kështu ka qenë qëkur John dhe Lionel Barrymore filluan karrierën në ditët e hershme të kinemasë, duke u siguruar që emrat e tyre të njohur të vazhdonin të ishin brenda industrisë, veçanërisht në rastin e Dreë Barrymore-it. Pavarësisht nga diskutimet e hapura të industrisë për “barazi” dhe “drejtësi”, të shprehura së fundmi me përqindje tek të gjithë filmat e nominuar për Çmim e Akademisë, askush s’ka provuar seriozisht të argumentojë se fëmijët e të famshmëve dhe aktorëve s’duhet të kenë trajtim të veçantë. Duket se nepotizmi është gjallë, mirë dhe midis nesh, për të qëndruar gjatë.

    Ndoshta jeta ime do të ishte më e lehtë nëse do të kisha mbiemrin Stoppard ose Mantel. Pyetja është se sa duhet të shqetësohemi nga ekzistenca e tij dhe çfarë mund të bëhet për këtë. Nga njëra anë, është pa dyshim krejt e padrejtë dhe zhgënjyese që industritë letrare dhe të aktrimit, e kanë mbiemrin e famshëm dhe përkatësinë në një familje të njohur gjithnjë e më shumë një parakusht për të filluar një karrierë. Megjithatë, nga aktorët britanikë të përmendur më lart, të gjithë (me përjashtim të Radcliffe-it) shihen si ndër më të shquarit në fushën e tyre, të vlerësuar për punën e shkëlqyer në film, televizion dhe skenë. Është e mundur të argumentosh, siç bën Laurie Nunn, që duke u rritur në një mejdis me aktorë, shkrimtarë dhe regjisorë, ata kishin besim dhe përvojës për ta karrierën, e cila u mungonte bashkëmoshatarëve të tyre, gjë që shpjegon pse karriera e tyre ka lulëzuar ndërsa shumë të tjerët nuk e kanë patur një karrierë të tillë. Po ashtu, do të kishte qenë befasuese për vajzën e Kazuo Ishiguros që të mos ishte rritur në një atmosferë respekti dhe kureshtjeje për letërsinë, është edhe puna si librashitëse dhe tani po hedh hapat e parë në karrierën e shkrimit.

    Nepotizmi është fjalë e shëmtuar dhe shumë mendojnë se situata në të cilën ndodhemi është një situatë e shëmtuar dhe e padrejtë, e cila duhet të ndryshoj. Si dikush që e ka filluar karrierën gazetareske dhe të shkrimtarit pa një emër të famshëm apo mbështetje nga një i afërm i njohur, s’mund ta mohoj ndjesinë se pa dyshim në shumë raste jeta ime do të kishte qenë më e lehtë nëse mbiemrin do ta kisha, letë themi, Stoppard ose Mantel. Por shumica e shkrimtarëve, dhe shumë aktorë, e kanë bërë karrierën pa përfitime të tilla. Është e pamohueshme që ekziston një hamendësim se fëmijët e të mirënjohurve, të cilët shpesh lindin në pasuri të madhe dhe privilegje gjithsesi, thjesht mund të zënë vendin e tyre në tryezë pa pasur nevojë të luftojnë për të por ata s’do të jenë në gjendje të qëndrojnë nëse aty i ka çuar vetëm emri. Merrni, për shembull, Jason Connery ose Kimber Eastëood, asnjëri prej të cilëve nuk pati kurrë një karrierë që arrinte atë të baballarëve të tyre të famshëm.

    Në fund të fundit, talenti do të ngadhënjejë. Nëse është i trashëgueshëm, aq më mirë, por frekuentuesi mesatar të kinemasë apo një blerësi të librit i bën përshtypje vetëm një emër i njohur. Në fund fare, do të indoheshim më mirë nëse merremi më pak me përparësitë (e padrejta ose jo) që duket se gëzojnë të mirënjohurit dhe në vend të kësaj të sigurohemi që këta që nuk kanë prindër të njohur të kenë gjithashtu mundësi qasjeje në këto industri ku është e vështirë të hysh. Përndryshe, rrezikojmë të kemi një mungesë kaq të madhe larmie, sa edhe The Guardian do të detyrohet të resht së botuari intervista dhe të botojë shkrime për fëmijët e të famshmëve (përfshirë shkrimtaren Bella Mackie, vajza e ish-kryeredaktores së kësaj gazete Alan Rusbridger) – se pastaj kush e di se sa pa përmbajtje do të jenë?

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË