More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAkademik Gjovalin Shkurtaj: Pse duhet të shkruajmë më shumë për ligjërimin e...

    Akademik Gjovalin Shkurtaj: Pse duhet të shkruajmë më shumë për ligjërimin e letërsisë artistike të sotme

    Qysh kur kam qenë punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, më është bërë zakon që, në çdo fundvit, në prag të Krishtlindjeve e Vitit të Ri, krahas “relacionit”: “Çfarë bëra sivjet?” pyes veten se çfarë do të bëj vitin që po vjen? Ah, viti që po vjen. Ardhtë i bardhë e i begatë, i mbarë  e i mirë për të gjithë sa jemi shqiptarë në troje e në diasporë. Të rinjve u uroj sa më shumë suksese e realizim projektesh në fushat përkatëse.Për veten, tashmë, gjëra krejt të reja nuk mund të shkruaj, do të kryej detyrën që më takon si përgjegjës grupi në Redaksinë e FJMGJSH-së dhe, po më teproi kohë, nuk do të rri pa “bubërruar” diçka. Natyrisht do të ribotoj ndonjë prej librave që kërkohet edhe nga universitetet, po nuk mund të lë pa i përmbledhur në një vëllim disa prej kundrimeve për gjuhën e letërsisë artistike e të skenës e ekranit, për të cilat, krahas sa kam përmbledhur në librat “Ta duam dhe ta mbrojmë gjuhën tonë të bukur”(1998), “Kundrime gjuhësore”(2006) dhe “Pesha e fjalës shqipe” (2009) kam shkruar e botuar te “Nacional” e në organe të tjera edhe një sasi bukur e madhe artikujsh e vlerësimesh për gjuhën e ligjërimin e disa prej vëllimeve të poetëve bashkëkohorë, që mendoj se duhen botuar në një libër.Kam dhe plot skeda e shënime për autorë si Xhevahir Spahiu, Ylljet Aliçka, Besnik Mustafa, Preç Zogaj etj.për të cilët ma ka pasur ënda të shkruaja dhe do të më mbetet peng po nuk ua dërgova një “falëmeshëndet”…Ndërkaq, derisa të kem gjetur mundësinë për ta botuar librin, nuk më rrihet pa i rivështruar e përpajnuar ato shkrime, natyrisht edhe duke i vënë në shtratin e kërkesës madhore që ka si bosht trajtimi pyetjen: Pse duhet të shkruajmë më shumë për ligjërimin e letërsisë artistike të sotme.

    Këtu e 50 vjet më parë, në artikullin ”Ka ardhur koha të flasim për gjuhën” (“Drita”, 26 mars 1972) Dritëro Agolli theksonte: “Më ka marrë malli të shoh në faqet e shtypit letrar dhe të shtypit profesional të gjuhësisë, artikuj studimorë për evoluimin e gjuhës artistike në prozën tonë të viteve të fundit, në romanin, novelën, tregimin” dhe përmendte aty, me të drejtë, disa anë të rëndësishme të ligjërimit artistik që meritojnë të trajtohen më gjerë dhe më shpesh në faqet e shtypit letrar e shkencor. Me pak fjalë koncepti i autorit për ligjërimin artistik mund të përmblidhej në kërkesat e mëposhtme: domosdoshmëria e ngushtimit të hendekut midis gjuhës apo ligjërimit artistik dhe gjuhës e të folurit të gjallë që ndeshim në jetën e përditshme; detyra që shkrimtarët, tok me një përmbajtje të re, të krijojnë edhe një ligjërim artistik të përshtatshëm e me kërkesa gjithmonë e më të larta për bukuri, pasuri e larmi shprehëse. Parimin e tij themelor që shkrimtari të mos e thajë gjuhën, por ta mbajë atë “me lëng si një pjeshkë”, D. Agolli e mbështet në bindjen e patundur se “lëngu vjen nga gjuha e popullit” dhe gëzohet që “sa vjen dhe më afër gjuhës së popullit po shkon gjuha e shkruar letrare” (Shih: “Gjuha jonë”, 1, 1986, f. 10).

    Pa gjuhë të bukur, pa leksik e frazeologji të pasur nuk ka letërsi të mirë. Dhe, kjo, natyrisht është detyra më e parë e letërsisë si arti i fjalës së thënë ashtu si duhet. Siç shkruante shumë shekuj më parë Dante Aligieri:”Se s’asht’ një punë që i dilet lehtë m’atë anë/T’ përshkuhet  si asht fundi i dynjasë, /S’mjafton një gjuhë që thrret veç “babë e nanë”.( “ Ferri”, Kënga XXXII, Strofa 3).

    Thellimi në njohjen e vlerave gjuhësore e stilistike të ligjërimit artistik të autorëve tanë më të mirë dhe ndërmarrja e studimeve sa më të plota përmbi to përbën një fushë kërkimesh po aq të vlefshme e me rëndësi sa edhe ajo e studimeve kushtuar normës e kodifikimit gjuhësor, terminologjisë e proceseve të ndryshimit e zhvillimit të dialekteve etj. Gjithmonë kam menduar dhe e kam shprehur edhe në artikujt e librat e mi të mëhershëm, se nuk duhet të mënojmë t’i përvishemin një studimi të hapët të prurjeve dhe prirjeveqë shfaqen në krijimtarinë  e sotme letrare, sidomos  në fjalorin e në mishërimin stilistik të ligjërimet të vetë autorit dhe të përsonazheve. Kjo fushë e re e filologjisë dhe e stilistikës gjuhësore të shqipes nuk duhet lënë më tej vetëm në dëshirën e disa  studiuesve, por duhet të jetë objekt madhor i projekteve studimore, duke synuar të hartohen edhe monografi të gjera e fjalorë të autorëve të më të  shquar. Kjo do të ishte një nismë shumë e dobishme dhe e kohës. Lum kush do t’ u përvishet atyre me zellin e përkushtimin e nevojshëm.Mjaft më me “rishikime” e “lotë krokodili” për ndonjë zgjidhje të alfabetit e të drejtshkrimit të njësuar të shqipes. Prurjet dhe prirjet e zhvillimit të sotëm të shqipes së shkruar e të folur shfaqen më gjerë e më kapshëm se kudo tjetër në ligjërimin e poezisë e të prozës artikstike, në dialogun e veprave dramatike, si dhe në gjini  e lloje të tjera, si filmi artistik e dokumentar, emisionet radio-televizive për fëmijë e të rinj etj. të cilat duhen parë me shumë kujdes e duke bërë edhe vlerësimet e duhura për të mirat apo edhe të metat e tyre. Siç tha një ditë poeti i shquar italian Mogol, një nga tekstshkruesit kryesorë të këngëve të muzikës së lehtë italiane, “poezia bën mirë.”  Bën mirë edhe kënga që ka fjalë të bukura, bën mirë letërsia e shkruar bukur, bën shumë mirë krejt shkrimtaria që synon të sjellë hijeshinë dhe shprehësinë sa më të lartë ligjërimore.Natyrisht edhe prurje të nevojshme fjalësore e frazeologjike.

    Hijeshia ligjërimoreve dhe freskia e figurave në poezinë e Shpresa Kapisyzit

    Këto ditë, rilexova librin e Shpresa Kapisyzit “63…” Poezi, Tiranë, 2016, 82 faqe, të cilin autorja ma ka dhuruar disa muaj më parë, e mbaja mend se edhe kisha bërë në të nënvizime me laps, sidomos të disa figurave dhe peizazheve më të vërtet të bukura e që përsëri i rilexova dhe më dhanë kënaqësi të plotë. Diku nga mesi i librit, në anët e vjershës “Muzgu dihat…” kisha shkruar në leximin e parë edhe idenë e titullimit të një shkrimi për këtë vëllim të ish-studentes sime, tashmë edhe ajo në pension. Dhe, teksa lexoj  poezitë e Shpresës, me shumë kënaqësi, po edhe me vlerësimin meritor që të imponon ajo, gjej se figura e nënës është nga më të  shpeshtat, po edhe nga më të bukurat në vjershat e vëllimit “63…Poezi”. Dhe ja, lexues të nderuar, le t’ju mbetet juve gjykimi: a nuk është e bukur dhe e freskët, d.m.th. krejt origjinale midis mijëra e miliona përshkrimesh që i janë bërë nënës nga poetët paravajtës e bashkëkohorë:

    “Nëna ime

     përgjon agimet

    në parvaz të dritares

    mbështetur

    si fuluturz bore

    e vogël, e bardhë, mbas shkundjes që qiejve

    mbetur.

    Nga dhimbja mes brinjëve

                      e kolla e thatë,

    me hapa të vogla

               gjithë natën u end,

    tek feks

            mbi kodra

    i jargavanti ag,

    me dritë,

           butësisht,

               e mbështjell…

    Nëna ime

    përgjon agimet

    në pervaz mbështetur.

    E vogël, e bardhë

               si fluturz bore,

    e bukur, e brishtë,

                   si pikë vese…”(f. 9-10)

    Dy fjalë për autoren.

    Shpresa Kapisyzi (Rama), është një nga pensionistet “e freskëta”. Ka qenë studente në degën e Gjuhës e të Letërsisë të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, është diplomuar aty në vitin 1976 dhe ka shërbyer në institucionet arsimore, pedagoge në Universitetin e Shkodrës dhe si punonjëse në Ministrinë e Arsimit. Ka shkruar  dhe ka botuar në organet letrare të kohës “Drita” dhe “Nëntori” cikle me poezi dhe shënime kritike për autorë e libra të ndryshëm. Në vitin 1977 ka  botuar studimin e plotë monografik “Rreth jetës dhe krijimtarisë letrare të Veli Stafës”  në “Studime filologjike”,  1977/1, i cili ishte i pari studim i plotë, ndërsa  deri në atë kohë s’kishte asnjë studim dhe vepra ishte e shpërndarë, prandaj edhe gati e panjohur. Në vitin 1975 ka botuar edhe studimin  “Rreth botëkuptimit të Zef Serembes”. Në rrjedhë të viteve, si  bashkautore ka botuar studimin monografik  “Paralele folklorike ndërkufitare” (këngët e dasmës, ninullat shqiptare dhe malazeze).Shpresa Kapisyzi është cilësuar si pjesëtare e “shkollës poetike të Lezhës”  dhe sikundër ka shkruar poeti Ndoc Gjetja :”…“Ato (poezitë) më të arrirat na paraqesin një poeteshë tashmë me përvojë, që di të plazmojë bukur materien poetike, duke ndërtuar kështu një urë komunikimi të ngrohtë me lexuesin. Fjala e kursyer, nënteksti plot domethënie, realizuar përmes detajesh origjinale janë tipare të poetikës së saj. “ (Ndoc Gjetja për librin “Koha luan me njerëzit”,  1995).

    Ka botuar vëllimet  me poezi “Ju ndjej pranë”(1979 ),  “Koha luan me njerëzit” (1995 ) dhe, së mbrami, përmbledhjen apo albumin “63… Poezi” (Morava, Tiranë, 2016), me  simbolikë interesante e të shprehur artistikisht. Kundër “mendësisë” që gratë nuk pyeten për moshën, autorja jonë, në përputhje me natyrën e saj të çiltër e të thjeshtë, na e thotë se  albumi i saj poetik ka aq vjersha sa janë  vitet e jetës së saj. Pra, ajo është tashmë, jo ajo vajza e re dhe ende në kërkim të vetvetes, çfarë ishte kur qe studentja jonë, por një zonjë e pjekur, me përvojë, përjetime e  pësime të natyrshme shumëvjeçare, si mësuese e punonjës e MAS-së, si grua e realizuar dhe si nënë e dy fëmijëve, tashmë të rritur, si femër e letrave shqipe ku ka emrin e vendin e vet  në logun e krijimtarisë letrare; pastaj, sikundër del edhe nga përmbajtja e këtij albumi poezish, edhe si zonjë në pension e që pret të bëhet gjyshe. Dhe, ja sa bukur na e thotë këtë ndjesi në vjershën “Takimi i parë”(kushtuar nipit që pret t’i vijë në jetë), ku shkruan:

    “Prej muajsh përgatitesh të vish,

    duke ndjekur fillin e dritës,

    prej kaq kohësh

     zbukurohem  të të pres,

    maskoj rrudhat, thinjat.

    I gëzohem ardhjes, fluturimit të sekondave,

    I numëroj me gishta, ikin sa ngadalë,

    Padurimi si meteor

    Dritëson në rrugën e bardhë.

    Kur?Ku? Si? Në ç‘orë, në ç‘ditë?

    Do të lësh takimin e parë”? (f.29)  

    Mbasi mbaron së lexuari 63 poezitë e këtij vëllimi, të duket sikur kishe në tryezë një shportë me qershi të pjekura, të gjitha të ëmbla, zakonisht edhe të shkurtra, ndonjëherë edhe krejt të shkurtra, por që, secila të mbetet në sy e në gojë me shijen e  aromën e vet sa tërheqëse aq edhe të pëlqyeshme. Krejt jeta e  saj, si femër, si nënë dhe si vizitore në disa vende të Evropës, pa asnjë “pozë” a shtiratje, vjen në këtë vëllim në vargje të bukura, shumë të kursyera, por gjithmonë  me metaforikë e krahasime të vetvetishme, që ta mbajnë vëmendjen të mbërthyer nga faqja e parë deri në të fundit. Dhe, teksa kalon nga një poezi në tjetrën, lexuesi ka  atë ndjesinë e këndshme të udhëtimit në një ditë pranverore nëpër ndonjë zabel gjethebutë, poshtë degëve të të cilit kundërmon  era e mirë e manushaqeve që nuk duken, por që janë atje poshtë, sikundër e thotë edhe kënga e bukur arbëreshe: “Oj manushaqe në dushkut vjuar, më vjen aduri ture shkuar”.

    Ejani me mua, lexues të nderuar, në këtë “udhëtim” imagjinar, duke shkuar në të 63-shkallët e kësaj ngrehine poetike, modeste e të përvujtë në dukje, por jo  pa merita e prurje të vlerësueshme. Le t’i përkëdhelim së bashku disa prej krijimeve të këtij albumi, ju siguroj se do të gjeni aty një tufë manushaqesh erëmira e fjalëbukura, të cilat do t’i bënin nder përfshirjes në çdo antologji të poezisë bashkëkohore, si dhe, në mos tjetër, si lëndë për t’u përzgjedhur në tekstet e leximit e të gjuhës shqipe, si dhe  si njëri prej librave të këshillueshëm për shkollarët, në vend shumë prej atyre botimeve me të cilat ua thartojnë trutë shkollarëve, duke i detyruar edhe t’i blejnë si lexime jashtë klase.

    Madje, sidomos kur kemi edhe njohjen e përvojës së pamirë të përfshirjes në tekstet shkollore  e në listën e librave të këshilluar për t’u blerë nga nxënësit të gjithfarë përmbledhjesh  me pseudopoezi, që nuk kanë vlera as në përmbajtje, as në formë, shpesh edhe me gabime të pafalshme e shkelje të normave të drejtshkrimit, natyrshëm të vjen në buzë edhe kritika e qortimi i rreptë  ndaj atyre që e kanë në dorë  miratimin e teksteve shkollore dhe të librave të rekomandueshëm për shkollarët. Pse nuk përfshijnë në ato lista edhe vëllimet me poezi të mirë, që kanë edhe lajm poetik të këndshëm, po edhe formë artistike e hijeshi ligjërimore, sikundër është, ndër të tjerë, edhe ky vëllim me poezi i Shpresa Kapisyzit.

    Libri është shkruar thjeshtë, po edhe është krahishtuar po ashtu, pa ndonjë ndarje “të prerë” tematike. Aty janë përfshirë 63 vjersha, aq sa është numri i viteve të autores dhe, nëpërmjet asaj tube poezish na vjen, në një farë mënyre, krejt palca  e mëtimeve, përjetimeve (natyrisht edhe e pësimeve), gëzimeve e krejt jeta e një vajze shqiptare, të lindur në qytetin e Shkodrës, por të rritur në Lezhë e të formuar si intelektuale në Tiranë, ku edhe do të jetonte e do të bëhej nënë e, më vonë, me gëzim të papërshkrueshëm, edhe gjyshe. Ashtu si edhe gati të gjithë poetët e tjerë, edhe Shpresa nuk rri pa i përmendur vendet e saj më të dashura, si lagjen “Dërgut” të Shkodrës, ku ka lindur, pa harruar as qershinë në skaj të oborrit, që i zgjon aq shumë kujtime të moshës së njomë; sikundër do të  sjellë edhe emërvendet e shtegtimeve të saj në disa vende të Evropës, duke na shpënë herë në brigjet e Senës e në qytetin e qyteteve, në Paris, herë në brigjet e lumit Neva e në Sankt Peterburgun e “netëve të bardha”, gjithmonë edhe duke shtënë në vargje “gjurmët e njohjes së mirë të letërsisë ruse e të autorëve të shquar të saj, si Dostojevski, Gogoli, Pushkini, Esenini  etj.

    Një nga qasjet  më të bukura e më të pëlqyeshme në poezitë e Sh.Kapisyzit është lidhja e saj me natyrën, vjershat që sjellin panorama e peizazhe aq të bukura, sa të duket sikur autorja, duke qenë e rritur në Lezhë, sikur  ka dashur të matet e t’i bëjë konkurrencë peizazhistit të shquar lezhjan Pashk Përvathi. E tillë, mendojmë, është poezia “Akuarel” (f.26) Po të tilla janë edhe disa poezi të tjera, si “Një re”(f.30), “U zhytën qiejt” (f.47), “Shpërthyen jargavanët”(f.67).

    Autorja, mesa duket, i është qasur vjershës së shkurtër, ndonjëherë edhe  aq fjalëpakë e të përkorë, sa të duket sikur ia përton të zgjatet, edhe kur ajo që  na thotë  është shumë e bukur dhe tërheqëse. Si duket, asaj ia ka ënda të ndikojë më shumë me nëntekstin, sepse synon ta vërë lexuesin në mendime dhe të shkojë vetë ai, me mendjen e shpirtin e tij, atje ku autorja vetëm sa e ka përudhur, pa ia zbuluar gjithçka. Arma e saj e dashur është gjuha e thjeshtë, gjuha e zotëruar mirë, gjuha që mbështetet në njohjen e mirë të shqipes e të leksikut deri edhe krahinor, kur ia kërkojnë nevojat shprehëse, por kurdoherë  duke pasur si “kalë beteje” metaforën dhe krahasimet e vetvetishme e shumë funksionale, natyrisht edhe të freskëta e pa përsëritje e “ripërtypje” reminishencash. Ja, disa prej tyre: “u kërrus gardhi i ditëve të mija” (f.5),”Pylli dremit nën dantella mjegullash” (f.7), “Abazhuri kotet si maçok në mesnatë” (17), “U zhytën qiejt në ujra” (f.47), “Nuse të bardha, pemët e kumbullës, vallëzojnë kodrave, veshur me kith”(f.48.)”U mvrejt fytyra  e qiellit” (f.70) etj.

    Poetja shkon kryesisht në hullinë e traditës së poezisë bashkëkohore shqiptare, mbase edhe  tradicionale, por nuk u trembet edhe sprovave të vjershërisë së shkurtër, ndonjëherë edhe krejt të shkurtër e me ide të ngjeshura, që duken si ungaretiane.  P.sh. poezia “Fati” (f.6) vetëm prej tre rreshtash, që kanë gjithsej trembëdhjetë fjalë (“Në një shteg të kithët ndesha fatin, i zgjata dorën. Nxitonte për diku…”),  e cila ka gati plotësisht përmasat e shkurtësinë e poezisë së mirënjohur të Ungaretit: “M’illumino d’immensitá”. Dhe, të tilla, në album, janë edhe “Poetët vdiqën” (f.20), “Një re” (f.30), “Etyd” (f.35), “U zhytën qiejt”(f.47) dhe ndonjë tjetër.

    Poezi të reja të Shpresa Kapisyzit 

    Shpresa Kapisyzi është krijuese që nuk lakmon as zhurmën, as ceremonitë përuruese të librave të saj. Por shkruan, pak nga pak dhe, para se t’i botojë,  ua jep për t’i lexuar vetëm një rrethi  miqësor të hershëm, kryesisht nga Lezha, sepse atje është rritur dhe atje i ka njohur edhe disa nga koleget e kolegët krijues, si Preç Zogajn, Rudolf Markun etj. Gjatë verës, kur rrimë në Bar “Diamma” dhe kur shihemi për kafe në Tiranë, Shpresa ua tregon edhe Leonorës sime e Sonia Vilës  disa prej krijimeve të saj të mëvonshme, që nuk i ka botuar ende, por që janë tërheqëse si qershitë e shenjura në degë. I lexova dhe unë, janë tamam ashtu si e thotë kënga popullore për shegën e bukur që ka nisur të shenjet apo si qershitë që skuqen në degë e janë aq të lakmueshme. Në pritje që t’i botojë  së afërmi, me lejen e saj, po i përfshij si “vlerë të shtuar”të shkrimit tim të para pesë viteve, i bindur se do t’u pëlqejnë lexuesve, po edhe pse më nxitën të ndërmarr një  rikundrim të prurjeve e prirjeve të kësaj poeteshe, vjershat e së cilës, ashtu si e kam thënë edhe  më parë, me fjalët, metaforat dhe përftimet e këndshme e origjinale, të kujtojnë atë vargun e këngës arbëreshe “oj manushaqe ndë dushkut vjuar, më vjen aduri duke shkuar”.  Po, vjershat e Shpresa  Kapisyzit janë pikërisht si manushaqet e vogla, rrëzë dushkut e rrëzë gardheve dhe, së andejmi, lëshojnë aromën e tyre më të këndshme e më të veçantë se të gjitha lulet e tjera.

    Kur burrat flenë

    malet mendueshëm

    marrin frymë

    nën dritën blu 

    të hapit të lehtë

    të ditës që vjen.

    E në sa gratë,

    Si fëmijë në gjumë qeshin,

    dhe në lëndina të lulëzuara 

    ëndrrat i kthejnë…

    Gjithçka hesht

    Në agun që sapo feks.

    E unë përhumbur,

    Rri e dëgjoj…

    Për këtë vjershë, njëra nga shoqet që sapo e kishte lexuar,  i shkruan:“Shpresa sjell vargje aq të ndjera…unë sikur jam aty brenda…Dy periudha njerëzore: Njëra, e çartur në fluturim,që zemra sikur të del vendit nga një ndjenjë e paprovuar….por që aq shpesh e kërkojmë sot me mendje dhe e gjejmë të strehuar diku larg, larg…Dhe tjetra, një dhembshuri, një zogstrukur dashurie tjetër, një dhimbje e shqetësim në zemër, me kërkesën e vetme të të qenit mirë të njeriut të jetës…Dhe sa emocionuese njëkohesisht! Në 10 vargje është sintetizuar një metamorfozë adrenaline e asaj rinisë sonë të bukur, që fluturoi shpejt, dhe moshës që jetojmë sot e që , gjithsesi, ndonëse ka dridhjen e përçdocasti të zemrës, merakun në detaj, është përsëri e bukur…ndoshta edhe më e bukur….Je talent..Të admiroj dhe të dua fort…” (Sonia Vila)

    Është një grua…

    Është një grua

    Që më hyn në ëndrra s’di se si…

    Nuk arrij t’i shoh fytyrën

    veç siluetën që dridhshëm

    si gjethe në erë përkëdhelet

    e zhduket diku në errësirë…

    Si breshër i pranverës

    gjithë kopshtin në lulëzim 

    brenda meje në çast shkatërron,

    rrëzon lulet e bardha të kumbullës,

    mbi gëmushat kapriçoze

    mbi barin që ndër qerpikë,

    si margaritarë i mbesin lot…

    Në ag e tronditur 

    Të shoh në sy…

    Ajo grua që më hyn në ëndrra

    Që më shkatërron kopshtin,

    Më rrëzon lulet e kumbullës

    Mos vjen tek ti?!

    A e shikoni, lexues të nderuar, sa ndjenjë të bukur, sa bukuri shpirtërore ka në vargjet e kësaj vjershe?

    Mua më pëlqeu dhe, ashtu “kambadoras” sikundër thonë gjahtarët, kur shtien mbi ndonjë shpend që u del përpara papritur, i kam shkruar Shpresës:

    Ah, moj Shpresa,

    Isha duke gjetur vendin se ku i takon ta përmend dukurinë etnolinguistike të “emni në vesh” për të cilin jo vetëm do të citoj, po edhe pres të ma shkruash pak më gjatë e gjerë, sepse është me interes e vlerë shkencore, kur…më dergon Sonia poezinë që nis me fjalët: “Është një grua…”

    E lexova me një frymë dhe gjeta në të vargje ndjenjanjomëse e që të kujtojnë lulet e verdha të pemëve që era e vjeshtës së parë i merr me vete dhe duket sikur me gjuhën fishkëllyese u thotë “ejani, ejani me mua, kushedi se ku ju shpie!”

    Sa e bukur kjo vjershë, sa penetruese në mendim e në ndjesi, gjë që rrallë, përherë e më rrallë na i kap syri në vëllimet që i përurojnë me fjalime përpallëse e me kokteje të shtrenjta…

    Por Ti, ish-studentja ime e mirë dhe që poezinë e ke “krejt prej zemret”, mos resht së shkruari kësodore, se vargjet e fjalët i ke ende të njoma. Po, po, ndjeva një ndjesi të këndshme, të ngjashme me shijen e djathit të njomë apo të shkumës së qumështit të sapo mjelë, që e lëpija me gisht në vedrën plot me tamël lopet kur isha i vogël.

    Shkruaj, pra, shkruaj e kënaqu Ti vetë, po i kënaq edhe lexuesit.

    Buzëmbrëmje të këndshme e darkë të këndshme bashkë me Esatin, burrin tënd që e cilësoj si thonë shkodrançe “djalë zotni”.

    Por, edhe për atë shkruaje ndonjë këso poezish që t’ia zbulosh “rgjãtet” që i ka në gji.

    Por, ajo vjershë, ut video ( si thoshin latinët e urtë) ka edhe nëntekste e kthina të tjera komentesh, se edhe Nora, jo vetëm e rilexoi me ëndje, po edhe theksoi se poezia e vërtetë është ajo që ngjason me ajsbergun. Pjesa që lexohet qëndron mbi atë që ka poshtë: 

    Të lumtë, pra!”

    Dhe, ja, mbas ca kohësh, na vjen edhe një vjershë ku Shpresa, tashmë jo vetëm grua, po edhe gjyshe e zonjë në kohë pensioni, pa e përmednur me emër, i rreshton aq këndshëm ndjenjat e gruas tipike për burrin tashmë jo të ri, por gjithsesi aq të shtrenjtë e të rëndësishëm:

    Dikur, fort më rrihte zemra

    Tani më rri mendja…

    Kujdes, mbështillu mirë me shall

    Kujdes kur zbret shkallët

    A i pive ilaçet!

    Në parvazin e dritares

    Mbështetur, pres të kthehesh

    Aty më rri mendja.

    Tek të dalloj nga larg…

    Rreh fort, s’përmbahet zemra!

    Dhe, për ta mbyllur, ja dhe “qershia mbi tortë”, le ta lexojmë së bashku, lexues të nderuar, jam i bindur se do të me jepni të drejtë: është nga poezitë më të bukura, që mund ta shkruajë vetëm dora e një gruaje.

    Një grua e bukur kaloi…

    Një grua e bukur kaloi në rrugë

    E ti kokën andej ktheve.

    Një degë e lulëzuar u thye brenda meje,

    Si nga peshë e borës

    Në këtë ditë plot diell.

    Vrikas i turbulluar më pe në sy

    Me pafajsinë e një fëmije,

    Ç›të bëja unë me lulet që binin

    Nga dega e thyer brenda meje?!

    Si përmbyllje: Poezia bën mirë.E tillë është pa dyshim edhe poezia fjalëpakët dhe jo e zhurmshme e Shpresa Kapisyzit, e cila si “kalë beteje”ka metaforat origjinale dhe të vetvetishme, shoqëruar dhe me tëhollime e përimtime të kuptimit leksikor e të vlerave stilistike të fjalëve,duke iu qasur krejt natyrshëm edhe një dysorësie formash ku, pa asnjë “pozë” dialektmbrojtëse, por thjesht për volinë që i japin vjershërisë së saj disa fjalë me kuptim të njëjtë me leksemat normative,  por me një “valencë” më tepër në thurimën poetike, u bën vend dhe prej tyre poezia e saj vetëm fiton. P.sh.”Në ujërat e Bunës/digjen perëndimet,/digjen pa fund.”(f.41) ”Nga tmerri verbohet hëna,/në mijëra copa/qafën thyen në Senë./Rrënqethet sheshi Konkord,/Shans Elize”.(f.34) ”U kërrus gardhi i ditëve të mija” (f.5) “Pranë lumit të ditëve të mija,/mendueshëm numëroj,/ gjashtëdhjetë e tre rrathë/të një druri të sapoprerë.” (f.22) “Nësa stina vjen me gjuhën e lulimit, e me puthje petalesh më mbështjell” (f.22) “…Padurimi si meteor/dritëson në rrugën e bardhë.””Kacavirrej sharmasheku, trëndafilat/në gardhin e kërrusur si plak…”(f.72), “Dallgë delfinësh furishëm shpërthenin…”(f.75) etj.

    Sado që e thukët e jo fjalëshumë, poezia e Shpresa Kapisyzit, në tërësinë e saj, lë shteg edhe për t’i parë jo vetëm prurjet, po edhe prirjet e reja të fjalëkrijimit e të pëlqyeshmërisë së disa tipeve fjalëformuese e të prejardhjes kuptimore, të ndryshuar nga trysnia e kërkesave për stilema të reja, mundësisht të panjohura më parë. Të tilla janë, ashtu si dhe te krijues të tjerë bashkëkohës, mbiemrat e  formuar nga emra objektesh me prapashtesën-, si i ylltë (Tash  qiellit kërkoj të ylltën time, f.67); e përralltë (E bardha , e përrallta shtëpi…f.73); ndajfoljet me prapashtesën-as edhe për raste dukshëm të rralla e jo të përdorimit të zakonshëm, si: heshtas (Diçka vdes brenda meje,/shuhet heshtas, pa zë, f.22); vrikas (…me shumë lumenj,/që vrikas,/si kuaj të hazdisur,/dalin grykash…f.38); fjalët e përbëra që kanë si pjesë të parë fjalën gjysmë (gjysmëterr, f.37); prag (pragmuzg, f.57, pragdimër, f.65); fjalët e përbëra me fund (fundmars), që shkon krahas me dendurinë që kanë marrë në këta njëzet vjetët e fundit fjalëformimet sipas  fundjavë (si kalk nga anglishtja wikend)dhe po shohim dendur (fundvit, fundmuaj);  ndajfoljet e krijuara me prapashtesën –shëm (marramendshëm: Marramendshëm,/gjithë etje shiu vjen, f.53). Edhe në poezitë e Shpresa Kapisyzit, ashtu si gati gjithandej në vjerëshërinë e sotme, buthëtohet sadopak, po këndshëm, prirja për t’u bërë vend fjalëve të përbëra të tipit gjinjëshpërthyer (f.35), qielli gushëpëllumb (f.19).Po ashtu duket anësimi apo ëndja e poetes për fjalët onomatopeike,qofshin të njohura, qoftë edhe të sajuara prej saj, si: krikrima e bulkthit (“Krikrima e bulkthit më sillte muzgun, qiellin gushëpëllumb”,f 19); frushullima (“Në garë me erërat,/që vinin nga larg/me frushullima pyjesh,/me zhaurimën e dallgëve/që shuheshin në breg/e më përkëdhelnin miqësisht.”f.24).

    Rileximi i poezive të Shpresa Kapisyzit dhe redaktimi e gatitja për shtyp e këtij shkrimi, që do të jetë pjesë e librit tim më të ri, më solli kënaqësi dhe ma ka anda ta ndaj me të gjithë miqtë e dashamirët e mi këtë kundrim vlerësues të merituar.

    Prej librit “Kundrime për ligjërimin artistik të disa shkrimtarëve të sotëm”

    Tiranë, 23 dhjetor, 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË