More
    KreuIn memoriamAkad. Shaban Sinani: Vepra e Kadaresë do të jetë gjithnjë buka jonë...

    Akad. Shaban Sinani: Vepra e Kadaresë do të jetë gjithnjë buka jonë e përditshme, dhe për këtë do t’i jemi gjithnjë mirënjohës

    Do të them pak fjalë në këtë eulogji për disa merita përjashtimore të opusit letrar, eseistik dhe publicistik të Ismail Kadaresë.

    Me veprën e tij, sidomos me prozën, Ismail Kadare e nxori letërsinë shqipe përtej kufirit të ngushtë të gjuhës sonë, një gjuhë me numër relativ lexuesish dhe pa motra apo lidhje farefisnie. Për katër shekuj radhazi gjuha tjetër për letërsinë shqipe ka qenë gjuhë burimi e garancie, gjuhë rikrijimi. Pjetër Bogdani, Giuseppe Schirò prosenior, Jeronim de Rada, Fan Noli dhe Migjeni, me letërsinë e tyre, provuan t’ia ndryshojnë statusin shqipes. Kurse Ismail Kadare e bëri letërsinë shqipe letërsi metropolitane. Kalimi prej statusit të një letërsie lokale dhe të mbyllur në letërsi europiane e botërore; prej letërsisë së provincës në letërsi të kryeqendrës, është me karakter epoke. Cilësimi si letërsi europiane apo botërore i veprës së tij është terminologjik. Një letërsi kombëtare lartësohet si letërsi europiane jo thjesht prej numrit të përkthimeve, të lexuesve apo të tirazheve të shitura, por kur bëhet pjesë e programeve të rregullta universitare dhe e studimeve monografike. Letërsia e Kadaresë e ka fituar me kohë këtë privilegj. Kadareologjia është tashmë një nëndisiplinë e re e albanologjisë.

    Ismail Kadare e ktheu letërsinë në qytet, e shkëputi prej miteve romantike të vonuara, prej madhështimit të malit, malësorit, kullës, kanunit, duke i zëvendësuar të gjitha këto me Gjirokastrën, Tiranën, Moskën, Parisin; qytetarin që ka dalë prej kodit tradicional. Ai e bëri letërsinë shqipe letërsi urbane. Kthimi i letërsisë në qytet pas një shekulli e gjysmë idilizimi të jetës në fshat dhe të virtytit kalorësiak, tipik për shoqëritë e mbyllura, është gjithashtu një ndryshim me karakter epoke, që shenjon një prej shkëputjeve progresive më të mëdha të letërsisë shqipe. Vetëm Migjeni kishte provuar ta sillte këtë ndryshim rendi në letërsi para Ismail Kadaresë.

    Letërsia e Kadaresë u bë për herë të parë pasqyrë e dukurive metafizike të botës njerëzore. Bashkë me të hyri në letërsinë shqipe dhimbja, trishtimi, vuajtja e brendshme e njeriut, ndarja, vdekja, murana, humbja, zymtësia, vjeshta, shiu, karakteri pa emër, njeriu në margina, shoqëria pa heronj klasikë – larg shembëlltyrës që kërkonte “dekalogu” i dhjetë cilësive të njeriut-model të kohës kur shkroi. I. Kadare i refuzoi optimizmin pa themel, retorikën e patetizmin.

    Ismail Kadare provoi të shkruante letërsi cilësore edhe për motive arketipale, që i kishin kthyer në vepra krijuese të tjerë mjeshtra para tij, i bindur se kishte fuqi krijuese për të sfiduar me cilësi estetike. Shkroi romanin Ura me tri harqe dy dekada pasi Ivo Andrić kishte botuar veprën Na Drini ćuprija, me të cilën fitoi çmimin Nobel; ndërsa Nikos Kazanzakis kishte botuar me të njëjtin motiv romanin e mirënjohur Krishti kryqëzohet përsëri. Shkroi e botoi novelën Nata me hënë duke e shpërfillur faktin që dy shkrimtarë me njohje botërore, Gabriel Garcia Markez dhe Hienrich Böl, prej vitesh e kishin provuar shijen e suksesit me novelat e tyre Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe Nderi i humbur i Katerina Blumit. Shkroi pas tyre, por i sfidoi paraardhësit me origjinalitetin dhe thellësinë e artit të tij. Ai e çliroi letërsinë shqipe nga kompleksi i temave të zëna, nga kompleksi i meritës së të parit thjesht për arsye kronologjike. 

    Me veprën e tij Ismail Kadare krijoi një Shqipëri paralele, të fisnikëruar, të denjë për familjen që i kishte takuar prej kohës kur europeizmi ishte shfaqur si ide e projekt, prej shekujve të ndritur të Renesancës. Shqipëria e Kadaresë është e barabartë me atdheun e lexuesit tjetër. Ka ndodhur që kjo barazi në letërsi ndonjë studiues e ka shqetësuar. Në pasthënien e Dimrit të madh botuar rusisht tri dekadash thuhet se Kadare e ka oksidentalizuar qëllimisht vendin e tij, për të rritur kontrastin me vendet e kampit nga u shkëput.

    Këto merita, që janë të njohura e të konfirmuara botërisht, i kanë ndryshuar rrënjësisht raportet midis letërsisë shqipe dhe asaj europiane. Për herë të parë kjo letërsi fitoi rolin dhënës në thesarin botëror.

    Kadare nuk është më, por vepra e tij do të vazhdojë të jetë buka jonë e përditshme, dhe për këtë do t’i jemi përgjithnjë mirënjohës.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË