Brenda një rrëfimi romanesk të kompozuar prej tri pjesësh, si tri moshat e njeriut, shkrimtari Granit Zela (që vjen po aq edhe nga përvoja e poezisë) na ka dhënë agoninë e një qyteti që vdes dhe përpëlitjet e një qyteti të ri që lind, ndonëse në përçudnimin e vet duket më i vdekur nga i pari në ujëra. Bëhet fjalë për të njëjtin qytet, për të njëjtin organizëm me shpirtin e rimishëruar në një trup të ri. Granit Zela është bindës dhe sugjestionues jo vetëm me idenë e romanit, por edhe me cilësinë e tekstit, pëlhurën e materies rrëfimore – e gjitha një thurimë delikate, e zhdërvjellët dhe e kthjellët, herë në fjali lakonike, herë në periudha të gjata përpirëse, me frymëmarrje të gjata lirike.
Ajo çka përbën edhe të pazakonshmen e menjëhershme të romanit Përmbytja është se personazhin klasik tradicional e zëvendëson qyteti. Ndonëse ai që rrëfen është autori i lindur në këtë qytet, prapëseprapë fati dhe ekzistenca e qytetit eklipson çdo protagonizëm mbizotërues personazhi: kryepersonazh është vetë qyteti me emrin Atjelinda (njëfarë aludimi për Atlantidën e fundosur në ujëra). Është si historia e trupit dhe shpirtit të një organizmi që nuk mund të jetojnë dot ndaras. Kjo ndërmarrje në planin artistik dhe estetik e vështirëson shumë detyrën: të flasësh për fatin e një frymori kolektiv. Strukturimi i lëndës dhe thërrmimi me njësi rrëfimore të shkurtra, episodike, të orkestruara harmonikisht rreth një mbijetese itinerare ekzistenciale të shpirtit të qytetit, e bën tekstin e romanit, përpos kthjelltësisë së stilit, një festë leximi.
Zela ka rrokur që në fillim një të vërtetë universale: atmosfera e një qyteti përjetohet më së miri kur ai përshkruhet si një organizëm i gjallë, që merr frymë, që ekziston pavarësisht nga personazhet. Dhe që kjo të ndodhë, një sërë ngjarjesh të ndryshme duhet të ndodhin në tekst në çdo periudhë të caktuar kohe. Jeta e qytetit është në lidhje organike me jetën e natyrës. Ekzistenca varet sa nga lëngjet e marra nga toka e tij, aq edhe nga lëngjet jetësore të banorëve të tij. Kjo jetë e qytetit nuk varet nga ne, ajo është hedhur në peizazh psiko-politik, që nënkuptohet; ka aspekte publike-sociale dhe intime-personale. Ajo është e lidhur me tokësoren dhe qielloren. Por në çdo rast, ne duhet të shohim në të një organizëm të ngjashëm me njeriun, me ligjet e veta të jetës dhe rritjes, gjalljes dhe vdekjes.
Secili qytet ka fatin e tij, biografinë e tij. Çdo qytet meriton një libër të mirë për të. Pyetja është: Si ta shkruajmë? Pikërisht kësaj pyetjeje i përgjigjet romani Përmbytja i Granit Zelës me theksin e vet metafizik të legjendave, besëtytnive, krijesave fantastike e fantazmagorike, trillet e marrëzishme – elemente dikotomike të mitologjive urbane midis qytetit të shenjtë (Jerusalemit) dhe qytetit të përdalë (Babilonit). Kuptohet që theksi vihet mbi unitetin e përshqyer trup-e-shpirt (ose kohë-hapësinor) të qytetit si Qenie dhe se të gjitha llogaritë bëhen me të, si me të vetmin diell dhe pikë shkrirjeje drejt të cilit gjakojnë njerëzit e tij – gjymtyrët e tij organike e fatidike.
Në shumicën e veprave të trillimit (fiction), qyteti shërben vetëm si një sfond kundrejt të cilit shpaloset veprimi. Por në letërsinë e erës moderniste e deri më sot, herë pas here shfaqen vepra letrare ku qyteti jo vetëm që del në pah, por e lë në hije subjektin dhe bëhet personazhi i vetëm vendimtar. Ky është rasti i veçantë i romanit Përmbytja të Granit Zelës, pa hyrë thellë në thurimën e nginjur me nëntekste të miteve arkaike, aludime historiko-religjioze dhe kumtin (kultin) e mnemozinës në perspektivën kohore. Besoj se këtë përkushtim kanë pasur edhe shkrimtarë që kanë mitizuar në veprat e tyre qytetet-personazhe. Sa për kureshtje analogjish të ndërsjella, po përmend disa që m’u kujtuan ndërsa lexoja Përmbytjen e Granit Zelës.
Menjëherë pas botimit të Uliksit, James Joyce i tha mikut të tij Frank Budgen se ai e shkroi romanin për të “pikturuar një pamje aq të saktë të Dublinit saqë, nëse qyteti do të zhdukej një ditë nga faqja e dheut, ai mund të rindërtohej nga teksti i romanit të tij”. Alan Moore tha diçka të ngjashme 100 vjet më vonë për romanin e tij Jerusalem, i cili zhvillohet në qytetin e lindjes të shkrimtarit, Northampton. Për Moore-in, letërsia është mënyra më e mirë për të ruajtur kujtimet e qytetit, pasi ajo ruan përgjithmonë ngjarjet e së kaluarës.
Studiuesit e veprës së shkrimtarit gjerman Alfred Döblin vërejnë se romani Berlin Alexanderplatz mund të imagjinohet pa personazhin kryesor, ish-kriminelin Franz Biberkopf, por kurrë pa Berlinin. Nju-Jorku është përshkruar në mënyrë të ngjashme në romanin e John Dos Passos-it Manhattan, i cili është quajtur “libri më i mirë i shkruar ndonjëherë për Nju-Jorkun” dhe “i vetmi libër që do t’u tregojë europianëve saktësisht Amerikën që do të shohin pas mbërritjes”.
Romani i Zelës, përpos tekstit letrar verbal, gërsheton edhe një tip teksti vizual në ndihmë të të parit, siç janë vizatimi ose fotografitë, të cilat i ndajshtohen për ta fuqizuar njëmendësinë e tekstit si në teknikat e hyperlink-ut në estetikën e tekstit postmodernist.
<< Përmbytja"romani i Granit Zelës, një njohes,studjues, sidomos përkthyes i merituar kulturë-art nga gjuhët tjera në Shqip padyshim se do jetë një thesar vlere në gjuhën, Shqipe gjeneratave të ardhshme. Për të mbajtur n'mend edhe sgurisht për mos harruar se lexuari A. Tufa një krijues i zoti, mbase i ditur me të drejt ia bën një analizë vlerësimi të merituar duke spikamë vlerat e njëmendeta ndoshta paksa edhe të veqanta poseduese ,ide shkruar nga autori G. Zela tash më mjaft më përvojë në krijimtarinë letrare, sigurisht edhe me ,, shijën" e kulturave tjera të gjuhëve t'botës- sidomos asaj angleze. Pra lexuesi Shqiptar përveç përkthimeve të shkelqyera me vlera të pranuara botërore do kët në duar edhe romanin ,, Përmbytja" , të qelluar dhe të lakmuar nga kush do qe do e lexoj. Mergimtari