More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAgron Tufa: Imazhe testamentale mbi luftën, mbijetesën dhe dashurinë

    Agron Tufa: Imazhe testamentale mbi luftën, mbijetesën dhe dashurinë

    1. Patosi i distancës si kusht i çlirimit nga dëshmitë ngallmuese të luftës

    Për kujtesën e përgjithshme shqiptare Kujtim Shala, më së pari, është i ngulitur në perceptim si një personalitet i njohur politik dhe akademiko-universitar, sidomos në sferën e studimeve kritiko-letrare – një vijues i dyfishtë i shkollës së Rugovës (në letra dhe në botëkuptimin politik). Por për kujtesën e elitave letrare, Kujtim Shala njihet prej kohësh si poet me një profil të spikatur që në fillim të viteve 1990, që ka ardhur duke e përplotësuar profilin e tij poetik nga njëri vëllim në tjetrin, deri tek vëllimi i tij i dhjetë, në mos gaboj, “Idioma”, për të cilin do të mundohem të hedh disa mbresa fill pas leximit.

        “Idioma” është një vëllim stilistikisht i dallueshëm nga librat e mëparshëm të poetit. Sigurisht gjurmët karakteristike të peridhave të mëparshme të autorit ruhen e rrimerren në ciklin e fundit “Lëkura”, vetëm në kuptimin formalist të metrikës e strukturës grafike të poezisë. Shkurt: “Idioma” është një vëllim me një origjinalitet si në krijimtarinë e gjerë e të larmishme të Kujtim Shalës, po aq dhe një stacion i rëndësishëm në gjendjen dhe peizazhin e poezisë së sotme bashkëkohore shqipe. Është jo thjesht një libër për Luftën e Kosovës, por një libër për Kosovën dhe veten e tij, si dy pasqyra që derdhin reflektimin e ndërsjelltë në njëra-tjetrën. Është dhe libër i pasluftës: se si përthyhet lufta dhe pasojat e saj të përçudshme në shoqërinë e pasluftës. Është libër që, falë dhuntisë, e çliron subjektin lirik nga një peng i gjatë, i brendshëm, që e bën të dëshmojë me mjetet gjuhësore të poezisë. Është një libër që çdo poet ëndërron, por ka frikë ta shkruajë dhe e shtyn gjithmonë për më vonë. Për poetin Kujtim Shala kjo kohë e shtyrë, nuk duhej shtyrë më, andaj ai zgjodhi mjetet e përballjes dhe çlirimit nga ky peng çerekshekullor për të dëshmuar përmes subjekteve, zërave, hijeve, imazheve, fantazmagorive, ngjyrave, reve, vezullimeve dhe feksjeve therëse metalike: personazhe më së shumti janë detajet, ngjyrat, stinët dhe kontrastet. Lufta, paslufta dhe dashuria si Kryq sublim, përbëjnë diptikun e poezisë së këtij vëllimi poetik të Kujtim Shalës.

       Çfarë e bën të veçantë dhe të dallueshëm këtë libër? Çfarë e ka shtyrë poetin të ndryshojë shumëçka në fizionominë e tij stilistike dhe mjetet e shprehjes? Është një pyetje që bëhet për çdo poet, kur shohim një ndryshim stilistik e formal. Sipas meje, hamendësoj së kemi të bëjmë me një etapë të re në krijimtarinë poetike të Kujtim Shalës. Poeti duhet të ketë bërë sprova për të përvijuar një shkrim me karakteristika ligjërimore sa më të përshtatshëm stilistikisht, të aftë të përcjellë një lëndë të mbrujtur me kohë, në të gjitha rrafshet e kujtesës, e më së pari, të rrafshit ontologjik – që është, përvoja tronditëse e Luftës së Kosovës dhe për disa “efekte anësore” të përçudshme në liri. Për këtë poetit i është dashur, kuptohet, intuitivisht, të zgjedhë tonin dhe intonacionin, llojin e vargut dhe natyrën e tij, që të mund të përcillte atë album shtangues pa sforcime, pa patetikë (me ngathtësinë e ritmit të kujtesës), që i sjell disa pamje më qartë e më të detajuara dhe disa të tjera – më të turbullta e më flu. Mendoj se me kalimin e viteve, kujtesa e ka fituar atë “patos të distancës” për të shpjeguar tmerret dhe habitë, logjikën absurde të luftës, të ngjashme me makthet torturuese. Për këtë është dashur një model në larminë e shumanshme të metrave poetikë ndër traditat letrare të përbotshme, një instrumentar prozodik të çlirshëm, diç, njëkohësisht, thellësisht të vjetër e pafundësisht të re – një poezi dhe prozë poetike, miniaturë dhe alegori, një kimerë e nënshtruar e muzës nën frerë. Vargu dominues i poezive është një varg i bardhë, ku shenjat e pikësimit nuk ekzistojn, as shkronjat e mëdha, me përjashtime të rralla simbolike, sepse pikësimi i vërtetë aty është ritmi dhe pauzat e vargut, sipas dihatjes së diafragmës. Ky mjet stilistik përshtatet mirë me kërkimin e një gjuhe të re poetike dhe, në përgjithësi, me dëshirën për të kthyer ose të paktën për të shkundur artin nga patetizmat, dehjet pindarike hymnizuese, për ta gërshetuar poezinë me eksperimente në kufij të pikturës, arkitekturës dhe prozës. Kjo formë e regjistrimit të tekstit poetik tashmë mund të konsiderohet pjesë e kulturës së postmodernizmit, por tashmë për poetin as paradigmat e “izmave” nuk kanë vlerë para shqetësimit më të thellë e më të shenjtë të çlirimit nga dëshmia ngallmuese e luftës. Si mund të dëshmohet poetikisht për tragjikën akullese të luftës me mjetet e poezisë?

    2. Rrëfimet zëvendësojnë fytyrat

    Hapet pamja, me ciklin e parë të librit – “Stacioni i vjetër”. Është një poemth i kompozuar me tetë pjesë, me tetë stacione ankthi. Godina e stacionit, që ka numëruar disa metamorfoza stadesh të pasigurta e të dyshimta qytetërimi, pa ndonjë fiksim fotografik bardhë e zi, që është ndërtuar nga të huajt, të cilët kinse e kanë sjellë metastazën e qatetërimit aty dhe kani kthyer shpinën e kanë ikur mandej, siç thotë poeti, “kur nisën rrugëtimin drejt kapitujve të rëndë të librave të historisë”. Kujtesa për të mbetet bardhë e zi në apokaliptikën e njerëzve që po braktisin qytetin, në ngjethjen dridhëruese të tmerrit të ekzistencës, pengut e pezmit të burrave për të qëndruar e vdekur, por që mbetet privilegj, të cilin e zbaton ndonjë plak i vjetër.

    Stacioni bëhet pikëshpërndarje e gjindjes së qytetit “pikë-e-pesë”, pa identitet, vetëm me peshën e emrit anonim, si një mallkim; stacioni është instaca e fundit e dëbimit apokaliptik nga arena e mizorive të vdekjes, për të marrë “rrugëtimin që shuan atdheun”. Qytetësi le prapa identitetin, topografinë e kujtimeve, shtëpinë e re me kopshtin e vjetër, sepse tani “shtëpia e re ka zot të dhunshëm me sy të përgjakur”, në retinat e të cilit ia vlen të pasqyrohet i zvogëluar vetëm ndonjë plak, që ka vendosur të vdesë aty, në pragun e shtëpisë.

    Stacioni grumbullon shpirtin e Qenies së qytetit, të zbrazur, të shfytyruar, një makth të cilin me mjete të kursyera dhe të mpiksura të shprehjes, poeti Kujtim Shala e “saldon” në kujtesën tonë përmjet detajesh që mbajnë peshën e një sage makthi e dëshpërimi:

    “…dhe gjiri i nënës

    së re nuk pikon nuk rrjedh rrugën ia ka prerë frika për fëmijën nën shkëlqimin

     e ftohtë të thikës së xhelatit të tjerë që kanë hequr dorë nga vetja…

    kështu merr fund bota përmjet jetës një plaku në shtëpinë e tij

    …askush nuk flet fëmijët qajnë zonjat e reja dridhen prej frikës

    burrat të zënë si në kurth për herë të parë ëndërrojnë të vdesin në fushëbetejë

     ajo është lavdia edhe kur vdes i pari… (fq 16)

    Si në thelbin imagjinar e kuptimor, ashtu dhe strukturimin kompozicional, poemthi “Stacioni i vjetër” hap vetëm një të çarë të parë, për të shpaluar perspektivën fragmentare të një honi të zi, apokaliptik, që pret para të dëbuarit, etninë. Është vetëm preludi i siparit të tragjedisë antike, si me thënë, kori tragjik me hijet e antistrofave. Shtjellimi dhe vijimi i preludit plotësot me tablonë akulluese të Qenies së qytetit të braktisur, ku nuk gjendet më askush “për të mbyllur derën e rëndë për të dalë në rrugë…”. Tashmë kemi të bëjmë me zbrazëtinë e Qenies së qytetit, pa njerëzit, kemi punë me përjetimin e përzishëm të enës së zbrazët, që qyteti rreh ta mbushë, në mungesë të njerëzve, me diç nga projeksioni i tyre i frymës, si një avatar i paabstragueshëm që lidh pashqitshëm praninë me papraninë. Dhe ja se si këtë enë të zbrazët të qenies e mbushin –

    “…hijet zërat e largët fantazmat

     kujtimet lidhen degëve të drurëve të dikurshëm

    që mbolli Gjyshi në moshën e tij të burrërisë … (“Idioma”, fq. 20)

    Por a është krejt e zbrazët kujtesa e ekzistencës? Ka një pikëtakim virtual të kujtesës së të gjallëve me të vdekurit, një projeksion që përplaset-pasqyrë në enën e zbrazët të qenies së qytetit, por që, megjithatë, e bën metamorfozën e re si një Urë lidhëse midis realiteteve të pranishme dhe njëherësh të papranishme: është fryma e qenies së qytetit si strumbullar shpirtërash të banorëve të dëbuar, një trascendencë që rri pezull, por edhe një metafizikë racionale e kujtimeve, të cilat –

    “…Gjyshi pret nën hijen e drurit më të madh me degët

    e hapura me fytyrën që ka filluar të humbasë pamjen

    e njohur të hequr hijerëndë të brishtë dhe të shuar në ekranin

     e vjetër të natyrës të gjitha kujtimet marrin pamjen

     e gjërave që preken por që askush nuk mund t’i prekë më”

    (“Idioma” – po aty).

    Poema “Idioma” është zgjerim organik i tablosë së zbrazëtisë së përzishme të qytetit, pas dëbimit të gjindjes prej tij në “Stacioni i vjetër”. Mishërim të mbushjes së zbrazëtisë bëhen zërat dhe hijet, përftesa efemere kujtimesh, thelbe fluturake që konturojnë tri kohët e ekzistencës, por vendin qëndror të strumbullarit të përjetshëm e zë imazhi i Gjyshit. Bëhet fjalë për artikulime dhe shenjime tejet të rrëshqitshme nga gjuha konvencionale, qoftë kjo dhe gjuha e poezisë. Poeti projekton një ligjërim atipik për traditat tona poetike, qysh në emërtimin e poemthit – “Idioma”, si një teknikë matanë projeksionit të njohur të fjalëve, diç që të jetë e aftë për mbushullinë e zbrazëtisë regëtitëse. Idioma, rëndom, është një frazë ose shprehje që mbart kryesisht ose ekskluzivisht një kuptim figurativ letrar ose joletrar dhe jo ndonjë kuptim të mirëfilltë. E klasifikuar si gjuhë formulash, kuptimi i një shprehjeje idiomatike ndryshon nga kuptimi i mirëfilltë i secilës fjalë brenda saj, ndonëse është figurë e pandashme e të folurit të natyrshëm. Ky pozicionim i gjuhës poetike funksionalizohet jo për rrëfimin, por për njollën, dritën e blanës së saj (aporinë), të mbresuar në shpirt, sikurse në vargjet: – “…hijet dhe drurët kanë lënë gjurmët e fundit në dheun/ përreth si hartë e kujtimeve të brezave të shtëpisë së tyre/ të shumtët humbur në zemrën e errësirës së dheut të tyre…” (fq. 23). Është mungesa, privimi nga prania që përndez një horizont lëndimi, të përftuar nga reflekset e papranisë – një konstrukt tejet fluid i ankthit torturues  – në monologun midis kujtesës dhe zbrazëtirës në konflikt të dhembshëm e të pandërprerë:

    “…shtëpia nuk është më ëndrrat të gjitha lidhen

     me shtëpinë e vjetër e reja mban trupin

     shtëpia e vjetër është për frymën për frymët

     e qenieve që imagjinuan gjëra të bukura… (fq. 24, po aty). 

    Ritmi i njëtrajtshëm i ligjërimit pa pikësim, vjen si i bjerrë, si i ngjirur, si enumerativ, për pohime dhe nënkuptime që shumëfishojnë e përplasin jehonat në zbrazëti, apo si teknikë e instalacioneve me fraktura të shumëfishta, shpesh duke theksuar konturin e ndonjë gjësendi a ideje me theks të spikatur, si në teknikën e vizatimit frotazh. Por është gjithashtu njëherësh dhe një ligjërim poetik “me një frymë”, një rrjedhë e pandalë, ku pa u shuar një valë monotone, nis tjetra – një teknikë e “vala-valën shtyn”, derisa “…deri në frymën e fundit kur mbyllen kapakët/ e syve dhe drita kthehet në gjirin e errësirës/ së përjetshme mbyllet harku i kohës/ kohë nuk ka më në zemrën e zezë të dheut/ ana e errët e natyrës zbulon veten...” (fq. 28). Kështu pak nga pak, këto fije instalacioni endin rrathët e thurimës së fundamentit të qenies paralele – të Shtëpisë si qenie (me hojet e kujtimeve vetjake), si qeliza zanafillore e patrie-s dhe – si Shtëpi e Gjuhës, – një ontologji e dyfishtë, ku: “… rrëfimet zëvendësojnë fytyrat/ si pamjet në pasqyrën plot dritë pastaj si hije/ kur drita zë të shuhet në cepin më të largët të natyrës…”. Poema përfton pak e fije një thurimë narrative me skicime fatesh, si një album fotografish, që bëhet shkas për domethënien e rrugëtimit dhe pengun e mbramë të personazhit që vritet, pa lënë prapa një shpresë të sigurtë për të ardhmen e shtëpisë, atdheut. Skicohen konturet e burrave të shtëpisë dhe fatet e tyre ndër luftëra, të cilët “…asnjëherë/ nuk e kishin menduar të luftonin të vriteshin/ të humbitnin të fitonin të bëheshin heronj…”. Dhe duket se gjithmonë ka qenë kështu, gjithmonë ka vazhduar të sundojë fatin, historinë, shijen tragjike e ankthin e mbijetesës, një konstante përmbledhëse si në afreskën e këtyre vargjeve:

    “…dimri u vuri hijeve nga një kurorë të bardhë të plakur dukeshin

    të gjithë të rrënuar pa ëndrra pa jetën që kishin dikur

    më parë me mallin për fushëbetejën e bijve të tyre

    të vrarë ose të gjallë letrat nuk vinin era ngrinte dimrin… (fq. 39, po aty).

    Poema nis këmbëngulshëm të ketë një subjekt me skicimet, që bëhen gjithë e më të qarta. Në fillim kishim jehona zërash që përplaseshin, një mjegullazë zërash e hijesh, ndërkaq ngjizet gjithë e më qartë shembylltura konkrete njerëzore, sepse në thelb, materia e poemës është lufta: “…Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur e vranë ditë vere…/ ai ishte luftëtari më i ri më i pafajshmi/ atdheun e njihte në trajtën e shtëpisë së tij në fytyrën e prindërve dhe të motrës...” Nuk ka dyshim që gjithë libri është një homazh për tragjedinë, masakrat çnjerëzore, qëndresën dhe luftën e fundit të Kosovës, veçse ky thelb tragjik e ngadhënjyes i përvojës, përcillet me mjete dhe efekte artistike jashtë çdo përfytyrimi patetik e derdimen, duke theksuar motivin e vetvetishëm njerëzor të qëndresës: (“…ndiente se ishte hyjnia e shtëpisë së tij/ se duhej të kthehej te njerëzit e tij/ për t’i mbrojtur prej luftës së re…”).

    Në fund të plojës zë të dalë në pah pak e fije përmasa e katastrofës së luftës dhe masakrës, mllefi mizor i krimit mbi jetën, nisin – si në çdo fund tragjedie të hartohen listat zyrtare të humbjes dhe pasojat e parrokshme nga imagjinata. Por gjithkund në këtë tablo të përzishme e makabre mbisundon ajo fije e përmbajtur e narratives së mpirë në ligjëratë të shtangët e të njëtrajtshme, si në epokat antike të dezintegrimit të hekzametrit – toni i një kronike enumerative, i cili qëmton, para së gjithash jo informacion, por gjendje, të tilla si: “…rrugët e vjetra i kishte zënë bari i ri mbretëri e gjelbër/ e shkretë fytyrat e njerëzve ishin fshirë përnjëherë nga mendja…”. Bilanci dhe shestimi më vete i të kthyerve të mbijetuar nëpër shtëpitë jepet me mjete të kursyera, të dënesjeve të heshtura, të monologut më vete, të shestimit më vete pas përvojës së plojës, ashtu sikur bën besatimin e heshtur me vete, i trendur në mendimi, babai:

    “…dhe tha që nuk do të largohej nga shtëpia në jetë

     të jetëve qielli le të thyhet në majat e nëmura në ujin e vjeshtës

     së errët të humbasë pamjen e qartë trazim i frymës së lashtë

    shtëpia është streha e fundit jo varri i zi i netëve të Ferrit” (fq 50, “Idioma”).

    Kjo “shtëpi” me theksin gjithmonë “e lashtë” dhe e pleksur gjithmonë me dallgë kujtimesh që shtyjnë njëra tjetrën nga brezi në brez është njëherësh një sinektodë dhe similitudë e patries që zgjerohet në një pafundësi variacionesh e metamorfozash, është “shtëpi e qenies” dhe “shtëpia e gjuhës” në sprovë mbijetese, në krejt metrikën e valëve të ekzistencës. Të folurit për këtë stinë tragjike dhe njëherësh – mbijetese ngadhënjyese është, ndoshta, detyrimi më i lartë i bardit, poetit, që nga antropoidi ynë letrar Homeri e këtej. Aktualizimi në një të tashme të vazhdueshme të kujtesës për luftën, plojën e saj dhe triumfin e mbijetesës së shqiptarëve të Kosovës, mbetet një mision prore i pakryer, kurrë i mjaftueshëm, sepse riaktualizimi i kujtesës së saj – pa asgjë hymnizuese e patetike, është, sipas poetit – të jesh ushtruar me mësimin e përjetshëm të pasigurisë dhe stabilitetit të ekzistencës, sikurse përkufizon filozofikisht në një varg: “kush flet për luftën dëshiron të mësojë forcën e shkatërrimit”. Me që ra fjala, përkufizimet sentenciale vijnë vetvetiu në këtë vëllim, si sintezë e lirikës meditative të poetit, një llojë finalizimi i frymës së “pleqnimit më vete”. Vargje të tilla sentenciale (sepse me këtë vëllim, Kujtim Shala është një poet-filozof), shaqen papritmas në poemën “Idioma”, të kompozuar në njëzetë e dy kantata.

    3. Zanafila dhe molepsja bashkëkohore

    Shpina është një metaforë e zgjeruar, që shënon përçudnimin e fizionomisë dhe vlerave njerëzore, tashmë në hapësirën e lirisë. Është fshehja, bjerrja e konturit individual, për t’u tretur në mjegullën e manipulimit, demagogjisë, përuljes dhe servilizmit. Është humbje në anonimitetin e turmës së farisejve, që i kundërvihen së shenjtës për të përdhosur vlerat e njerëzimit. Është kundërvënia universale e forcave të liga, tinëzare, ndaj përpjekjeve të së mirës.  Shpina nuk ka një tipar të vetin – ajo është turma që udhëhiqet nga demagogë, qofshin këta edhe heronj në pikëpamjen e turmës. Është kthim krahësh, pabesi, intrigë, përçudnim.

    Gjithë cikli i poezive “Shpina”, na shpërngul në një fushë semantike krejt të ndryshme nga hapësira e makthit të luftës, ndonëse mbetet një makth i pafund. Tekstet kanë një tjetër alkimi këtu: referencat nga miti dhe realiteti përftojnë një alegori universale të kapërthimit të demagogjisë utilitare që shkreton e rrënën me themel çdo vlerë të shenjtë, çdo progres, çdo vizionit largpamës.

    Me rishkimin në një dritë të re të këtyre miteve aq të glorifikuara ndër shekuj, poeti Kujtim Shala provokon dhe ndërton diskurse filozofike befasuese, duke përmbysur të kuptuarit tonë të ngulitur skolastik. Jeanne Hersch në leksionin e saj për Hegelin thotë se “Hegeli mendonte se mendon mendimet e Zotit”. Një pikëvështrim i tillë imagjinar i përshtet më së shumti poetit, sikurse ia qëllon (nga pikëvështrimi i Hyjit) bëmës së Prometeut dhe pasojave të kësaj bëme:

    pa se çfarë

    do të bënte raca e njeriut me zjarrin

    do të ngrohte kockat reumatike do të zhdukte pyjet

    e egra shfaqjet e vërteta të natyrës

    do të bënte bombat shkatërrimtare…”

    (fq. 56 “Prometeu”)

    Ka vazhdimisht në këtë cikël poezish filozofiko-alegorike një përplasje të elementëve primordialë: është një betejë e lashtë qëndrese e trasformimi të parreshtur të stihive elementare:

    Uji ha tokën që e mbron të mos zbrazet në shkretëtirë

    një betejë që pushton kohën pa u mbyllur asnjëherë (fq. 58. “Toka”)

    “…uji nuk paqetohet asnjëherë i egërsuar i zi keqbërës

    i përjetshëm armik i tokës së vet i Zotit të vet

    se uji nuk ka Zot tjetër nga toka…” (po aty)

    Kjo paradigmë vjen duke u zgjeruar filozofikisht nga elementët e Zanafillës tek marrëdhëniet e tankohshme njerëzore, duke përftuar kështu një kundërvënie binare midis kulturologjemave – Natyrë/Civilizim – cila është  e “natyrshme”  dhe e cila rrënon shenjtërinë dhe drejtpeshimin e të natyrshmes. Civilizimi, mendja e njeriut, e shfrytëzon Natyrën (të natyrshmen), përpiqet ta nënshtrojë, ta bëjë zap, përndryshe ta vrasë, derisa të marrë, herëdokur, kundërpërgjigjen e natyrës. Dhe kundërpërgjigja e saj, dihet, është e zhbalancuar:

    “…gruaja që vret burrin nuk mund të martohet për herën e dytë

    ajo mund vetëm të vdesë edhe një herë

    në errësirën e hiçit të amshuar në çastin e fundit

    i duket sikur burri e nxori nga brinja e tij... (fq. 59. “Shpina”).

    E njëjta shtysë dhe tekë mizore e nxit, e përndez Helenën e përjetshme të durojë, si “murgeshë e vuajtjes”, për të përsëritur vazhdimisht në historinë njerëzore trandjen morale dhe fillimin e një gjakderdhjeje të re. 

    “…Helena la fronin murgeshë e vuajtjes e urtë pret me durim

    ditën kur do të takojë luftëtarin e ri që të rrënojë qytetin e radhës…”

    (fq. 59. “Helena”)

    Djallëzitë e botës së re janë shtegtimet e po atyre thelbeve të miteve të vjetra, por veçse krejt të deformuar e të përçudnuar. Atlasi i ri, Cerber i ri, Juda përjetësisht i ri dhe sigurisht fatthënësi Kalkant. Ky i sotmi është jo më Fjala (kalkeno, në greqishten e vjetër), falltari që parashikoi se sa vjet do të zgjaste lufta e Trojës, por shefi i ndonjë qendre studimesh e prognozash; shefi i ndonjë zyre shtypi, partie apo ideologjie, parashikimin e të cilit e shfrytëzojnë politikisht dhe atë vetë e bëjnë viktimë:

    “…morën tehet e mprehta

     të gjitha veglat e tortures

     bashkë me thashethemet

    që duhej të përsërisnin pa fund…”

                                              (fq. 61. “Kalkanti”)

    Më në fund – molepsja bashkëkohore me mijëra trajtat e Judës, bota e kredhur në fariseizëm dhe në pabesi, krenaria cinike dhe e poshtër e lëndës së zezë me ngushëllimin se “veprën time nuk kanë për ta harruar kurrë” (fq.62, “Juda”). Diskurset alegoriko-filozofike që hapin poezitë më pikënisje mitet, përtej natyrës së tyre referenciale të përjetshme, i flasin gjendjes së shoqërisë bashkëkohore kosovare të pasluftës, ku përditshmëria është pushtuar, sikur të qenë hapur qiejt e Ferrit, me mishërimin e një ligësie e kobi të maskuar si në një maskaradë saturnale. Nganjëherë, për të shenjuar realitetin, poeti ecën nëpër teh, për aq sa lejon gjuha e poezisë, t’i ndërmend lexuesit  “Listat e zeza” dhe vrasjet e heronjve të luftës e të rezistencës, pasi lufta kishte mbaruar:

    “…lufta kishte mbaruar kur vdiqën heronjtë

    lista nxinte mbi të gjitha afishet e zeza…

    … në fund të rrugicës priste vrasësi

    pa gjuhë me fytyrë të shëmtuar nga egërsia

    ziliqar dikur kishte thurur vargje të dobëta

    pastaj parulla të dobëta

    i nxitur për të vrarë njerëzit…” (fq. 63. “Lista”)

    Vini re se çfarë trasformimi të sketerrshëm ambiciesh kanë këto vrasës, pas dështimeve, çfarë egërsie projektojnë për marrjen e pushtetit me terror, me qëllim që të dehen me epshin e hakmarrjes. Po për çka? Për dështimet e tyre, se pse “vrasësi… dikur kishte thurur vargje të dobëta, pastaj parrulla të dobëta…”.

    4. Kush do të më falë për dritën që humba ndër vite?

    Lëkura  është një pergamenë, një palimpsest që përmbledh mbresat dhe kujtimet tona, kujtesën emocionale, si të ishte një hartë e vjetër e kufijve tanë shpirtërorë. Edhe Aristoteli ka theksuar se prekja mund të konsiderohet si shqisa më inteligjente. Shembulli më i qartë i alegorive filozofike është “Lëkura Shagrenit”, të cilën Balzaku e quajti “formula e shekullit tonë, jeta jonë, egoizmi ynë”, ai shkroi se gjithçka në të është “mit dhe simbol”. Vetë fjala franceze Le chagrin ka një homonim të njohur për Balzakun: – “trishtim, pikëllim, brengë”. Dhe kjo është e rëndësishme: lëkura fantastike, e plotfuqishme shagrenit, e cila i dha heroit lehtësim nga varfëria, në fakt ishte shkaku i pikëllimit edhe më të madh.

    Me ciklin “Lëkura” përmbyllet dhe triptiku e i vëllimit “Idioma” të poetit Kujtim Shala. Lëkura mund të merret këtu dhe si një imazh i mundshëm i identitetit të fshehur dhe të hapur të subjektit lirik, që perceptohet gjithnjë e më shumë si një mbartëse kujtimesh, në të cilat jeta ka lënë gjurmë të pashlyeshme përgjatë viteve. Lëkura është arkivi që ruan këtë kujtesë, këtë frymë:

    “… frymën e dashunisë mbi ujna ruen

     nji skelet njeriu t’epokave të tjera”.

                                              (fq. 90. “Varka e vjetër”)

    Lirikat e këtij cikli përmbyllës janë të gjitha poezi të dashurisë, jo të dashurisë si ndjenjë ekstatike ngazëllimi, por të ndjenjës së pavdekshme e të ngulitur të dashurisë si fytyrë konkrete, si adresat i një dialogu intim e të thellë (“… ti je ëndrra e fundit që çan jetës sime/ dashuria më e fortë se vdekja”), si mahni me të cilën përndizet gjithë hozizonti i qenies përballë forcës rrënuese të kohës dhe moshës. Se këndejmi dhe toni fund e krye elegjiak i këtij cikli dhe, në fakt, ato janë brenda kuptimit klasik të zhanrit të elegjisë. Stilistikisht dhe natyra e vargut, dhe metri, dhe intonacioni i këtij cikli ndryshon në raport me dy ciklet e tjera, është më pranë krijimtarisë së mëparshme të poezisë së Kujtim Shalës.  Edhe në këto lirika elegjiake të dashurisë, përpos elegancës së detajeve e figurave, zotëron një maturi meditative, një ngjeshje e imazhit dhe mendimit metaforik:

    “…dashuria rrënon muret më të larta

     vret kur nuk të zë fryma e saj

     flokët kur zë bryma dora ngrin

     fytyra ndizet në prushin e fundit…”

                                               (fq. 91. “Pamja”)

    “…nuk ka shpëtim për mëkatarin edhe kur njeh mëkatet e veta

     ti nuk sheh nuk prek nuk e di sa e madhe është shkretëtira ime

    e zgjeruar pa fund kur ikën lë trupin merr frymën e jetës sime

     (fq. 94. “Fundi”)

    “…nuk e kisha kuptuar se humbja nis me errësimin e dritës

    (fq. 95, po aty)

    “…kush do të më falë për dritën që humba ndër vite

    (fq. 96. Po aty)

    “…asgjë nuk zgjat më shumë sesa fundi

                                                                      ( fq. 97. Po aty)

    *   *   *

    Me këto lirika elegjiake mbi intimitetin e fytyrës më të shtrenjtë, të dashurisë, mbi totalitetin ekzistencial të kuptimit të saj të njëjtësuar me shpirtin dhe frymën, mbyllet vëllimi poetik “Idioma”. Por jehona që lë në ndërgjegjen e lexuesit vazhdon të të grishë për rikthime të reja e të sërishme në lexim. Sepse poezia e një vizioni të thellë, të koklavitur e shumështresor, siç është në këtë vëllim, nuk kalohet as me një dhe as me dy lexime. Në këtë kuptim ajo i ngjet kompozimeve të linjave dhe ngjyrave abstrakte në pikturën moderne, e cila kërkon të mësohesh e familjarizohesh pak nga pak për të depërtuar në shtresa e nuanca të planave e pikëvështrimeve të reja, për të rizbuluar çfarë nuk arrin të përthithë vështrimi i parë. “Idioma” shkapërcen këtu vlerën e njohur shenjuese për të përftuar një nyje polisemtike, e aftë për një spektër tej mase të gjerë referencash e asociacionesh, nënkuptimesh e zhvendosjesh të fshehura kuptimore.

    Në letërsi, veçanërisht në ligjërimin specifik të poezisë, idiomat përmbushin një funksion të rëndësishëm stilistik, kur poetët zgjedhin t’u hapin udhë, të përcjellin ndjenja të një pengu të madh e të mbledhura ndër vite, të çlirojnë imazhe testamentale  dhe të rrisin ndikimin dramatik e bashkëkrijues te lexuesi. Ata shtojnë një pasuri nuancash dhe kuptimesh në tekstet që nuk janë gjithmonë të dukshme me leximin e parë. Përdorimi i idiomave i lejon autorët të flasin “mes rreshtave”, duke sjellë kontekst kulturoro-historik dhe duke mbivendosur shtresa e kode të shumëfishta në vepër.

    Zvicër, 28. 12. 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË