More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAgim Vinca: Stili ballkanik i sjelljes

    Agim Vinca: Stili ballkanik i sjelljes

    Në intervistën e shkrimtarit maqedonas Bozhin Pavllovski me titull Të sjellit ballkanik në rreth, të botuar në numrin e Vitit të Ri të së përjavshmes Danas, në pjesën ku flitet për bashkëpunimin me shkrimtarët shqiptarë, janë shfaqur disa të dhëna të pasakta dhe janë bërë disa vlerësime e konstatime të gabueshme. Me të drejtë ky shkrimtar i njohur maqedon angazhohet për një kualitet të lartë në bashkëpunimin kulturor midis popujve të Ballkanit, por mënyra se si sillet dhe qëndrimi që mban ai ndaj kulturës shqiptare dhe posaçërisht ndaj disa kolegëve të tij shkrimtarë nga Shqipëria është nën nivelin e standardit të sjelljes dhe të komunikimit kulturor. Si njeri që profesionalisht merrem me historinë e letërsisë shqipe, nuk mund të mos i vë në pah disa nga këto lëshime, por as t’i lë mënjanë disa çështje të tjera që nxit kjo intervistë.

    Duke folur për bashkëpunimin kulturor të RS të Maqedonisë me vendet fqinje e, në këtë kontekst, edhe me RPS të Shqipërisë, Pavllovski, ndër tjera, thotë:

    “Me siguri e dini se shkrimtari Ismail Kadare ka dy versione të romanit Dimri i madh: në të parin heronj kryesorë dhe sypatrembur janë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, në versionin e dytë ky i dyti s’gjendet askund!”.

    Nuk e di se sa e njeh Pavllovski opusin krijues të Kadaresë (për çka, natyrisht, nuk është i obliguar), por kur ka vendosur të flasë publikisht për të, do të ishte normale që ta konsultonte së paku bibliografinë e tij. Për këtë e obligon, përveç të tjerash, edhe ai qëndrimi i tij i flaktë verbal për vendosjen e bashkëpunimit cilësor kulturor midis popujve. Sepse, për njohësit e veprës letrare të Kadaresë, e të tillë ka gjithnjë e më shumë jo vetëm në këtë hapësirën tonë ballkanike, por edhe në relacione botërore, pohimet e tilla s’janë tjetër veçse një hile, dredhi apo mashtrim ballkanik, thjesht një dezinformatë.

    Është e vërtetë se romani Dimri i madh i Ismail Kadaresë i ka dy versione, por arsyet për këtë nuk janë ato që autorit në mënyrë malicioze, pra me keqdashje ia mvesh, kolegu i tij maqedon: heqja e Mehmet Shehut nga romani! Versioni i parë i këtij romani, me titull Dimri i vetmisë së madhe u botua në vitin 1973, ndërsa versioni i tij i dytë, i ripunuar dhe i zgjeruar me titull Dimri i madh, pas katër vitesh, pra më 1977, në kohën kur Mehmet Shehu ishte ende në funksion të lartë shtetëror në Shqipëri (bëri vetëvrasje, sipas versionit zyrtar, në fund të vitit 1981). Bëhet fjalë, pra, për motive të natyrës letrare e jo politike.

    Motive të ngjashme e kanë shtyrë Kadarenë që t’i hyjë ripunimit edhe të disa veprave të tjera të tij, të botuara më parë e që tematikisht nuk lidhen më kohën e sotme, me realitetin bashkëkohor, siç është rasti, fjala vjen, me romanin e tij të njohur Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i cili po ashtu ka dy variante, pastaj me romanin Kronikë në gur, i cili është krijuar mbi bazën e novelës së dikurshme (Qyteti i jugut), si edhe me një varg tregimesh, novelash, vjershash, poemash, romanesh etj., të cilat kanë një koherencë të fortë ideotematike dhe estetike, gjë që ta kujton atë mendimin e njohur se shkrimtari gjithë jetën shkruan një vepër të vetme. Ekzistimi i dy, tre e më shumë versioneve të një vepre letrare është dukuri e njohur historiko-letrare, kurse te shkrimtarët e mëdhenj kjo paraqet pothuajse një metodë pune, sepse shkrimtarët e mëdhenj pothuajse gjithmonë kanë qenë të pakënaqur me punën e vet edhe kanë pasur qëndrim kritik ndaj veprave të veta.

    Kështu duhet shpjeguar edhe ekzistimin e dy versioneve të romanit Dimri i madh, të cilin Bozhin Pavllovski, edhe vetë romancier, duket pa e lexuar as njërin, as tjetrin version, pra as të parin, as të dytin, e paraqet në mënyrë tejet të shtrembër e të thjeshtësuar si vepër në të cilën “heronj kryesorë dhe sypatrembur janë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu”! Të themi kalimthi me këtë rast se ky i fundit as që paraqitet si personazh në asnjërin nga versionet e këtij romani, ngjarjet e të cilit zhvillohen në fillim të viteve gjashtëdhjetë, ndërsa heronj kryesorë të tij janë njerëzit e thjeshtë (gazetari Besnik Struga e të tjerë), të cilët e mbajnë mbi supe barrën e rëndë të ngjarjeve, të proceseve, të vlimeve dhe të kthesave historike, shoqërore, morale, psikologjike edhe politike të kohës.

    Përkitazi me Kadarenë, të cilin e quan “penë brilante shqiptare”, Pavllovksi lanson në opinion edhe një të pavërtetë tjetër apo, thënë më drejt, një gjysmë të vërtetë jo të pasherr. E, gjysmë e vërteta, thonë, është më e dëmshme se e pavërteta! Duke folur për Kadarenë si për një shkrimtar të privilegjuar, për të cilin “investohet me të madhe!” (Ku vallë kështu: në Shqipëri? në Kosovë? në botë?) ai thekson se atij, d. m. th. Kadaresë, “në Kosovë i është botuar gjithçka”, gjë që, për fat të keq, nuk është e vërtetë. Nuk e di a është fjala këtu për mungesë informimi apo ngatërrim me qëllim të gjërave, që s’është tjetër veçse shprehje e mënyrës ballkaniko-bizantine të sjelljes dhe e mentalitetit makiavelist, sipas të cilit: qëllimi e arsyeton mjetin!

    Është e vërtetë se në Prishtinë, në vitin 1980, në botim të Redaksisë së botimeve të “Rilindjes”, doli një zgjedhje e veprave të Ismail Kadaresë, por zgjedhja, megjithatë, nuk është gjithçka, sepse opusi i veprave të këtij shkrimtari të frytshëm është shumë i gjerë. Sipas Pavllovskit rezulton se në Kosovë ende vazhdon të botohet gjithçka që del nga pena e Kadaresë, edhe pse ai, ndoshta, e di (do të duhej ta dinte) se pas vitit 1981, shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli në Kosovë dhe në Maqedoni janë ekskomunikuar krejtësisht: janë hequr nga programet shkollore dhe nga tekstet shkollore, redaktorët e gazetave dhe të revistave në gjuhën shqipe nuk “lëshojnë” asnjë rresht nga krijimtaria e tyre, por shumë vështirë depërton edhe ajo që shkruhet për ta si shkrimtarë të rëndësishëm edhe të paevitueshëm të letërsisë se sotme shqipe. Në një bisedë në Entin Krahinor për Botimin e Teksteve dhe të Mjeteve Mesimore të KSA të Kosovës, autorëve të kishin marrë përsipër të shkruajnë historinë e letërsisë shqipe për shkollat e mesme, u është thënë shkoqur e zyrtarisht nga personat përgjegjës se pjesa për letërsinë e pasluftës duhet të shkruhet pa e përmendur emrin e Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit (e kuptohet edhe pa analizën e veprave të tyre), me çka ata, natyrisht, nuk janë pajtuar dhe e kanë kundërshtuar kategorikisht. Do të prisja nga Pavllovski si shkrimtar me ndikim dhe si drejtor i shtëpisë më të suksesshme botuese në Maqedoni (Misla), që të protestonte kundër trajtimit të tillë të kolegut të vet, kësaj “pene brilante”, siç e quan ai Kadarenë, e jo ta dezinformojë opinion se gjoja në Kosovë atij i botohet “gjithçka”, gjë që nënkupton edhe veprën, të cilën ai, sipas tij, e paska shkruar “kundër vendit tonë”. E dihet se ç’do të thotë një pohim si ky kur flitet për Kosovën! Po hyjmë në vitin e dhjetë qyshse në Kosovë, e për Maqedoninë as mos të flasim, nuk botohet asgjë që mban emrin e Ismail Kadaresë, megjithëse ndërkohë u mbajt Konferenca ballkanike e ministrave të punëve të jashtme në Beograd; takimi i shkrimtarëve të Ballkanit në Bor, në të cilin mori pjesë edhe vetë Kadareja dhe me gjithë faktin se veprat e tij përditë e më shumë po pushtojnë botën.

    Në intervistën e tij pretencioze e me ngjyrim të theksuar nacional, Pavllovski nuk lë pa përmendur, krahas Kadaresë, edhe një shkrimtar tjetër: “klasikun shqiptar me prejardhje maqedone’’, Sterjo Spassen, i cili vdiq para do kohe në Tiranë dhe i cili, gjithashtu, sipas tij, “qe vënë përpara ultimatumit që ta sulmojë vendin tonë’’. Kur, ku, si dhe me ç’rast “klasiku i gjorë shqiptar me origjinë maqedone” qenkësh vënë në një situatë të tillë – para atij farë ultimatumi, Pavllovski nuk e sheh të udhës të thotë asnjë fjalë më shumë.

    Kam pasur rastin ta njoh personalisht “klasikun shqiptar me prejardhje maqedone’’, Sterjo Spassen, madje në rrethin familjar dhe për këtë kam shkruar me rastin e vdekjes së tij.

    Nuk e di a e di Pavllovski se në mes të Tiranës jeton dhe punon i biri i Sterjos i quajtur Ilinden – Ilinden Spasse. Dhe, me sa di, kjo gjë askënd nuk e pengon dhe askush prej saj nuk krijon farë problemi. Mirëpo, në republikën përfaqësues shpirtëror i së cilës është Pavllovski, prindërit shqiptarë nuk mund t’u venë fëmijëve të tyre të porsalindur emrat që dëshirojnë, nuk mund t’i pagëzojnë ata me emra që përkujtojnë të kaluarën kombëtare, historinë dhe kulturën shqiptare, me emra, pra, të tipit Ilinden. Emra të tillë si: Kastriot, Flamur, Vlora, Valon, Shqipe, Arben, Dardan e të tjerë të ngjashëm, në republikën përfaqësues shpirtëror dhe mendor i së cilës është Bozhin Pavllovski, janë shpallur “të papërshtatshëm’’dhe janë ndaluar me dekret! E kjo është, besoj edhe Pavllovski do të pajtohet me mua, e drejtë elementare njerëzore; e drejtë që shqiptarëve në Maqedoni, sikurse edhe shumë të drejta të tjera kombëtare e njerëzore, u mohohet sistemakisht!

    I vetëdijshëm se i ekspozohem rrezikut permanent të etiketimit brutal dhe të fillimit të një fushate të re e të egër kundër meje (siç pat ndodhur para diç më pak se dy vitesh), nuk mund të mos e them se në qëndrimin e intelegjencies maqedone ndaj shqiptarëve (e për politikanët të mos flasim) ka diçka të pashpjegueshme e irracionale. Dihet se Shqipëria është i vetmi vend fqinj që e njeh pakicën maqedonase në territorin e saj e, ç’është më me rëndësi, ekzistencën e maqedonasve si komb, të cilët i mohojnë kategorikisht vendet e tjera fqinje, Greqia e Bullgaria e, madje, edhe disa qarqe të caktuara në Beograd. Megjithatë, qëndrimi i politikës zyrtare maqedonase ndaj Shqipërisë është tejet i ngurtë dhe i ashpër, më i ashpër sesa ndaj të tjerëve, kurse ndaj shqiptarëve në Maqedoni zhvillohet politikë e egër çkombëtarizuese, përkatësisht asimiluese, që ka marrë hov veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit. Si të shpjegohet ndryshe kjo, pos si shprehje e mosdurimit patologjik ndaj shqiptarëve dhe e frikës irracionale prej tyre. Dhe, ec e thuaj tani: a ka logjikë një sjellje e tillë dhe a ka perspektivë kjo politikë? Sigurisht që jo.

    I preokupuar për së tepërmi me sindromin historik maqedon dhe me fatin aktual të maqedonasve në vendet fqinje dhe në botë, Pavllovski sikur e harron fatin e të tjerëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. “Nuk e di a ekziston në planet ndonjë popull tjetër që për kah numri të gjendet më shumë në enklavë sesa në republikën e vet”, thotë Pavllovski, duke i harruar me këtë rast komshinjtë e vet të parë, shqiptarët (a thua nuk e di se edhe shqiptarë ka shumë më tepër jashtë sesa brenda kufijve të shtetit amë?), ata, të cilët i ka, në numër aq të madh, edhe në mjedisin e vet dhe të cilët janë “përjashtuar” nga “versioni” i ri i kushtetutës së RS të Maqedonisë; ata, të cilët, janë të përfaqësuar aq pak në punësim; ata, krenaria dhe dinjiteti kombëtar i të cilëve fyhet dhe nëpërkëmbët për çdo ditë; ata, të cilët në jetën publike janë të detyruar të komunikojnë vetëm në gjuhën “zyrtare”, “shtetërore” maqedone, madje edhe në mjediset ku përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë, siç janë komunat e Maqedonisë Perëndimore; ata, të cilët as emrat e qyteteve dhe të fshatrave të veta, sikurse edhe emrat e tjerë gjeografikë me trajta dyshe, nuk mund t’i shqiptojnë në “versionin” e parë, të gjuhës amtare; ata, të cilët edhe emrat e fëmijëve të vet, siç e theksuam tashmë, nuk mund t’i zgjedhin lirisht, sipas dëshirës vetjake etj. etj.

    Përse shkrimtarët e afirmuar si Pavllovski, por edhe intelektualët e tjerë maqedonas, të cilët me aq zell angazhohen (parimisht) për liri, demokraci, humanizëm e të drejta njërëzore dhe që protestojnë me aq zjarr për pozitën e bashkëkombësve të tyre në vendet e tjera, sillen me aq indiferencë e nonshalancë, por edhe në mënyrë jokorrekte e destruktive (herë-herë edhe me agresivitet të paparë) ndaj vuajtjeve dhe padrejtësive që në republikën e tyre u bëhen të tjerëve, në radhë të parë shqiptarëve? Përse shkrimtari Bozhin Pavllovski, autor i librave me tirazh të lartë dhe laureat i shpërblimeve të rëndësishme letrare, nuk e sheh të udhës të thotë një fjalë për pozitën diskriminuese të gjuhës shqipe në Maqedoni, pra për diskriminimin drastik të gjuhës në të cilën janë përkthyer tre nga gjithsej gjashtë romanet e tij?

    A ka pasur rast ose më mirë të themi ka gjetur kohë e modesti që ta lexojë letrën tronditëse të punëtorëve të shkollës fillore Liria nga fshati Poroj i Tetovës, të botuar në të njëjtin numër të Danas-it, në të cilin qe botuar edhe intervista e tij, pasi më parë kishte refuzuar ta botonte Nova Makedonija, atë letër të hapur drejtuar organeve më të larta republikane dhe federative, partiake dhe shtetërore, në të cilën, mësuesit e fshatit, me fjalë të thjeshta e të prekshme, ankohen për vendimin e padrejtë ligjor që ua imponon atyre mbajtjen e tërë evidencës dhe dokumentacionit shkollor në gjuhën maqedone dhe betohen për dashurinë e tyre të sinqertë ndaj këtij vendi, por edhe ndaj republikës ku jetojnë, të cilën ende e konsiderojnë të vetën?

    “Ne nuk na pengon gjuha maqedone – shkruajnë punëtorët e shkollës fillore të këtij fshati – ne e dëgjojmë, e flasim, e shkruajmë, e dimë, e nderojmë atë, por disave u pengon gjuha dhe shkrimi i kombësive, në rastin konkret gjuha e kombësisë shqiptare, sepse me këtë Ligj (fjala është për Ligjin mbi arsimimin dhe edukimin parashkollor dhe fillor të RS Maqedonisë – A.V.) ne na merret e drejta më elementare njërzore, e garantuar me kushtetutën e RSM dhe RSFJ, të cilat janë ende në fuqi; e drejtë kjo të cilën e kemi pasur prej çlirimit e deri më 1. 9. 1989”.

    A nuk është ky, vallë, një shembull “brilant” (e shembuj të tillë ka shumë në “hapësirën multikulturore” të Maqedonisë) i “të sjellit ballkanik” jo vetëm “në rreth”, por edhe – prapa?!

    Mendoni pak (edhe) për këtë, zoti Pavllovski!

    Botuar (me pak shkurtime) në të përjavshmen “Danas” të Zagrebit

    më 23. I. 1989.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË