More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAgim Vinca: Si e zbuluam Jeronim de Radën ne studentët e Prishtinës

    Agim Vinca: Si e zbuluam Jeronim de Radën ne studentët e Prishtinës

    (Për brezin tim, që i filloi studimet në vitin akademik 1966/67, Jup Kastrati ishte Kristofor Kolombi që zbuloi kontinentin De Radë)

    Fizikisht profesor Jup Kastratin e kam takuar për herë të parë në vitin 1993, kurse shpirtërisht shumë kohë më parë. Për takimin e parë, fizik, real, kam folur në një shkrim të botuar në shtypin e Tiranës dhe të Prishtinës në vitin 2021,[1] të cilin e kam përfshirë edhe në librin tim Jetë e vdekje përqafuar, që doli nga shtypi vitin e kaluar (2023), kurse për të dytin, takimin shpirtëror, letrar, do të flas sot për herë të parë.

    Unë dhe brezi im i studentëve të Letërsisë në Prishtinë, kontaktin e parë me Jeronim de Radën si poet e kemi pasur nëpërmjet profesor Jup Kastratit. Në vitin e dytë të studimeve e kishim në program Letërsinë e Rilindjes, të cilën na e ligjëronte profesor Latif Berisha, i ekzekutuar mizorisht në shtëpinë e tij në Mitrovicë natën e parë të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999.

    Kryevepra e De Radës, Këngët e Milosaos, qe botuar për herë të parë këtu te ne në vitin 1965. Ky libër, me titull Kangë të Milosaut bir i sundimtarit të Shkodrës Poezi shqipe e shekullit XV, u botua nga Enti i Teksteve i Republikës së Serbisë – Reparti në Prishtinë në një tirazh prej 3000 kopjesh. Libri hapej me një parathënie të shkruar nga poeti Din Mehmeti, mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Normalen e Gjakovës, por gjithçka tjetër në të i përkiste dikujt tjetër dhe pikërisht profesor Jup Kastratit.

    Ishte kohë kur në Kosovë, për shkaqe politike, emrat e studiuesve nga Shqipëria jepeshin në mënyrë gati të padukshme. Kështu ndodhte edhe me botimin e parë të Milosaos këndej kufirit, ku vetëm në fund të librit me germa të imëta shkruante: “Transliterue, përshtatë në gjuhën e sotme dhe komentue nga Jup Kastrati”. Kaq.

    Ende e ruaj atë ekzemplar të Këngëve të Milosaut, ku më shumë se gjysmën e librit e zënë shënimet, komentet dhe shpjegimet e njohësit të mirë të kësaj vepre dhe të krijimtarisë së De Radës në përgjithësi, studiuesit Jup Kastrati. 

    Në qoftë se vetë vepra, që jepej për herë të parë e plotë: në origjinal arbërisht dhe e përshtatur në shqipen e sotme, zinte 63 faqe, nga faqja 32 deri në faqen 95, pjesa tjetër, nga faqja 95-180, përmban shpjegime fjalësh e shprehjesh, analizë gjuhësore, komente shkencore e të tjera, pa të cilat lexuesit e zakonshëm e kanë të vështirë t’i lexojnë veprat e shkrimtarëve arbëreshë të shek. XIX si De Rada, Dara i Ri, Serembe e të tjerë.

    Libri për të cilin e kemi fjalën (Kangë të Milosaut bir i sundimtarit të Shkodrës Poezi shqipe e shekullit XV), i botuar vite më parë në Tiranë (1956), ishte një botim kritik i përgatitur me përkushtim mbi bazën e botimit të parë, atë të vitit 1836 (ndonjëherë edhe të të dytit, të vitit 1847, për ndonjërin nga kangjelet që mungonte te botimi i parë), ndërsa aty ku kishte ndonjë paqartësi thirrej në ndihmë edhe botimi italisht, gjuhë të cilën profesor Kastrati e njihte mirë.

    Në shpjegimet që u bën fjalëve, shprehjeve dhe vargjeve studiuesi mbështetet te Markianoi, Gualtieri e studiues të tjerë arbëreshë, të cilëve u referohet shpesh, ndërsa për shpjegimet etimologjike citon albanologun gjerman Gustav Majer.

    Pjesa përcjellëse e librit hapet me tekstin: “Shënime mbi alfabetin e De Radës”. Konform traditës arbëreshe alfabeti i De Radës ishte latin ose, më saktë, latino-italian, i plotësuar me shkronja greke (f. 98), ndonëse sistemi shkrimor i De Radës gjatë karrierës së tij të gjatë krijuese ka pësuar ndryshime, madje shumë, siç konstaton studiuesja e talentuar nga Tirana, Jolanda Lila.[2]

    Njohës i mirë i kësaj problematike, çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe, Profesor Kastrati polemizon me disa interpretime të Rrotës, Bebeziqit, Xhuvanit dhe Kodrës lidhur me shkronja të veçanta të alfabetit që përdori De Rada dhe vlerat e tyre fonetike.

    Pas vështrimit mbi alfabetin, pasojnë “Komentet gjuhësore”, të cilat fillojnë nga kënga e parë: ”Ljis jeta kish ndërruar/ ujë të ri ndë detit” dhe arrijnë deri në fund, te kënga XXX, që fillon me vargjet: “Fryni era e malevet/ e rrëzoi hijen e lisit”. Mund të thuhet lirisht se nga këto komente ne mësuam për herë të parë fjalët arbërishte: nëng, lumbardh, kopile, kangjele, gjellë, mall, që korrespondojnë me fjalët: nuk, pëllumb, vashë, këngë,  jetë, dashuri, por edhe deljëmier (bari, blegtor, delmar), shkuntuljim (tërmet),[3] horë (vend), voré (veri), menàt (mëngjes), somenàt (sot në mëngjes) etj. të shqipes këndej Adriatikut.

    Për secilën nga këto fjalë jepen shpjegime të hollësishme. Vetëm për fjalën “kangjelë”, që është fjalë kyçe e veprës, studiuesi jep tetë sinonime: “kangjélji = kangë, këngë, kâjkë, kankë, kënkë, kangjë, gingë, gangë” (f. 108).

    Në adaptimin e veprës profesor Kastrati është përpjekur t’i qëndrojë besnik origjinalit, duke përdorur idiomin arbëresh të zbutur në toskërisht, ndërsa tekstet e komentit janë shkruar në letrarishten gege, që përdorej ende në ligjërimin shkencor në Shqipëri deri në Kongresin e Drejtshkrimit (nëntor 1972), delegat i të cilit ishte edhe profesor Jup Kastrati. Pas kësaj, ai do të përdorë në shkrimet e tij gjuhën e njësuar letrare, gjuhën standarde, duke dëshmuar kështu vetëdijen e vet të lartë shkencore dhe kombëtare.

    Ky ishte kontakti im i parë me De Radën, me ndërmjetësimin e studiuesit nga qyteti i Skutarit, si e quante De Rada Shkodrën, profesor Jup Kastratit.

    Më vonë më ra në dorë monografia Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat), botimi i dytë i vitit 1979 (i pari kishte dalë më 1962), në të cilën merrej në shqyrtim për herë të parë në mënyrë të plotë jeta dhe vepra e poetit të madh arbëresh. Që në hyrje studiuesi e quan De Radën “personalitet poliedrik” dhe flet për De Radën poet, atdhetar, publicist, estet, mësues dhe folklorist, por edhe  për De Radën vizionar, që lëshoi kushtrimin profetik: “Ardhi ditë e Arbërit!”.

    Pa dashur të bëj analizën e kësaj vepre, po ndalem te dy detaje që më patën lënë përshtypje të pashlyeshme qysh në leximin e parë.

    Është i njohur dialogu në distancë i De Radës me Lamartinin. Kur poeti ynë ia dërgoi veprën e tij të rinisë Këngë të Milosaut poetit të madh francez, ai i shkroi, në frëngjisht: “La poésie est né dans vos rivages et doit y se retourner” (Poezia ka lindur në brigjet tuaja dhe duhet të rikthehet aty). Por nga studimi i prof. Kastratit mësojmë një të dhënë pak të njohur në historinë e letërsisë shqipe: poezinë që Naimi ia kushtoi të birit të De Radës, Zef de Radës. Kur “Plakut të Makit” i vdiqën njëri pas tjetrit të katër djemtë, në mesin e të cilëve edhe Zefi për të cilin kishte shpresë se do t’ia zinte vendin, në letrën ngushëlluese që i shkruanin Naimi, Samiu dhe Vretoja, kishte edhe një poezi në të cilën thuhej: “Vllastar i lashtë i Shqipërisë/ në dhéthit të Italisë,/ bir i Radës Josif,/ jetën i rîth e ndërrove/ tët àt fort e helmove,/ edhe këdo që të njif’,/ Shqipëria, kujt mirë i doje,/ në gjuhët tënde e shqip shkroje,/ gjithmonë të kujton,/ mbi varr të shkruan këto fjalë: Josif, o shpirt, o djalë! / Vëdiqe po emri yt rron/ (…) Vretoja dhe Naimi me Saminë të vëllanë brenda në zëmër ju kanë”.[4]

    Kjo letër, tok me vargjet, u botua te “Flamuri i Arbërit” më 13 janar 1884, e shoqëruar me një shënim të vetë De Radës.

    Rilindësit kishin edhe ata hatërmbetjet e veta, por, duke qenë njerëz me kulturë dhe atdhetarë të mëdhenj, nuk i mbanin mëri tjetrit kur kishte zi. Kultura dhe atdhedashuria bënin që ata të ngriheshin përmbi mosmarrëveshjet për çështje të veçanta.

    Në një letër të vitit 1881 Sami Frashëri kërkonte nga De Rada mbështetjen e alfabetit të Stambollit (“Alfabeta që ka bërë shoqëria jonë, na duketë se është shum’ e lehtë e e plotë, edhe gjuha jonë shkruhetë me të shumë mirë (…). Prandaj na duketë që s’është nevojë të kërkojmë tjatërë alfabetë”), por nuk mori përgjigje pozitive. I pakënaqur me disa zgjidhje të alfabetit të Stambollit (fjala është për praninë e disa shkronjave sllave në të), De Rada, shkruante: “… unë do të isha gati të vuaja të gjitha torturat para se të prishja fytyrën hyjnore të gjuhës amtare”.[5]

    Tre vjet më vonë, kur De Radën e goditi fatkeqësia, treshja nga Stambolli iu gjend pranë me letrën ngushëlluese. Mospajtimi për çështjen e alfabetit nuk i ndërpreu marrëdhëniet e tyre, e aq më pak punën për “përlindjen e Shqipërisë”, si e quajti Sami Frashëri Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

    Jup Kastrati u mor pothuajse gjatë gjithë jetës me De Radën, duke filluar nga mosha 16 vjeçare. Filloi nga bibliografia dhe përfundoi te monografia.

    Një kolos si De Rada e meritonte vëmendjen e një studiuesi të përkushtuar e serioz, të një profesori me staturë klasike si pedagogu i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, ku Jup Kastrati punoi një jetë të tërë.

    Për veprën dhe personalitetin e De Radës janë shqiptuar vlerësime nga më të lartat. Unë po citoj me këtë rast vetëm një nga këto. Studiuesi arbëresh Mikel Markiano, studimin e tij Shqipëria dhe vepra e Jeronim de Radës, të parën monografi për poetin e Makit, e mbyllte me frazën lapidare: “Ai (De Rada – A. V.), si gjithë bijtë e lavdisë, nuk pati veçse një lumtëri: detyrën: nuk pati veçse një ngushëllim: punën; nuk pati veçse një zbavitje: të bukurën”.

    Fjalët që Markianoi i tha për De Radën në vitin 1902, do të mund t’i thoshim edhe ne sot (në njëfarë dore) për studiuesin e De Radës, profesor Jup Kastratin, në 100-vjetorin e tij të lindjes.

    Shëmbëllyeshëm korifenjve të fjalës shqipe (De Rada, Naimi, Konica, Fishta, Noli etj.), edhe profesor Kastrati kishte lumturi detyrën, ngushëllim punën dhe zbavitje të bukurën.


    [1]  U botua te gazeta “Dita“ e Tiranës dhe te “Epoka e re” e Prishtinës në tetor 2021.

    [2]  Dr. Jolanda Lila, Njohja e shkrimeve historiko-filologjike dhe publicistike të De Radës përmes prof. Jup Kastratit. ExLibris (Tiranë) nr. 228, 15 prill 2013.

    [3]  Camaj, që e njihte mirë traditën arbëreshe, fjalën shkundullimë do ta ketë marrë nga De Rada.

    [4]  Jup Kastrati, Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat), shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1979, f. 162.

    4 Po aty.

    [5]  Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe. Historia e alfabetit, Tiranë 2008, f. 379-380.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË