Edhe dy fjalë për “Antologjinë e poezisë moderne shqipe” të Rudolf Markut dhe orvatjet e tij për ta mbrojtur me zhurmë e agresivitet proçkën e bërë
Pasi e bëri proçkën, duke e përjashtuar gjysmën e letërsisë shqipe, autori i “Antologjisë së poezisë moderne shqipe”, Rudolf Marku, po zhvillon një luftë donkishoteske me të gjithë ata që kanë shqiptuar qoftë edhe një fjalë kritike për “antologjinë” e tij, duke mos i kursyer “kritikët” nga akuzat, shpifjet, fyerjet dhe denigrimet. Kështu, pasi i qëron hesapet me Ali Aliun, Mehmet Krajën, Sokol Çungën (këtij ia deformon emrin duke e quajtur Çungu), Durim Çaçën, Dem Metalinë, Muharrem Jakupin, Mujë Buçpapën (kalimthi edhe me Ymer Çirakun dhe të ndjerët Dalan Shapllo e Alfred Uçi), e edhe me “zonjushën Klara Kodra”, si e quan me cinizëm, merret doemos, edhe me mua, “Dr. Agim Vincën”, si ka qejf të më quajë ai, edhe pse unë nuk i nënshkruaj shkrimet e mia e as librat e mi me titullin “doktor” e as “profesor”.
Më mjafton emri dhe mbiemri.
Dhe, ja ç’thotë për mua autori i “Antologjisë së poezisë moderne shqipe”, Rudolf Marku, në pretencën e tij groteske me titull “Grotesku i diskutimeve për antologjine e poezisë shqipe”, të botuar në numrin e fundit të gazetës “ExLibris” (6 maj 2023).
“Ndërsa Doktori i hapsirave Maqedoni e Veriut- Kosovë- Shqipëri, i cili është vetë studjues i letersisë, poet dhe hartues Antologjish, jo pak i njohura Dr Agim Vinca, shkruan se Antologjia meriton as më shumë e as më pak se sa asgjësim total!
Ajo që më çudit është se si Dr. Agim Vinca, një dishepull i njohur i doktorit tjetër, Dr. Aliut në katror (shih Hylli Dritës)- viti 1997, një patriot tepër luftarak, zbutet dhe squllet bash atëherë kur duhej të tregohej trim dhe patriot…Para disa vitesh të mira, kur kremtohej dhe 50 vjetori i Festivalit prestigjioz të Poezisë në Strugë, (atë vit vetë Kryetari i Komunës së Strugës ishte shqiptar),u ftuan mbi 100 poetë nga e gjithë bota, mes tyre dhe beatnik i famshëm Alain Ginsberg. Kishte dhe shumë poetë, kritikë, studjues, gazetarë dhe Doktorë shqiptarë, mes tyre dhe Dr. Ali Aliu dhe poeti Doktorial Agim Vinca!”.
Teksti është përshkruar besnikërisht, me copy-paste, ashtu siç ka dalë nga pena e Rudolf Markut. Po e ndërpres për një çast citimin për ta komentuar paksa këtë pjesë të paragrafit dedikuar mua, për t’iu kthyer pastaj vazhdimit të tij.
Askund në shkrimin tim me titull “Poeti laureat me shikim separat!”, të botuar në gazetën “Koha Ditore” në Prishtinë (16 prill 2023) dhe te gazeta “Nacional” në Tiranë, nr. 675, 14-21 prill 2023, nuk e kam përdorur shprehjen “asgjësim total”. (Fjala “asgjësim” dhe togfjalëshi “asgjësim total” nuk hasen askund në shkrimin tim, sepse “asgjësimet”, as të pjesshme e as totale, nuk janë pjesë e formimit tim profesional dhe etikës sime intelektuale).
Kjo një. E dyta. Dishepull i “Dr. Aliut në katror”, siç spekulon Rudolfi, nuk kam qenë ndonjëherë, por loja me emrat e njerëzve (në këtë rast të Ali Aliut) është joserioze dhe e pandershme. Dhe e treta (e vërteta): Në vitin 1997, kur qenkësh kremtuar 50-vjetori i “Festivalit prestigjioz të Poezisë në Strugë”, unë, Agim Vinca, as nuk kam qenë i ftuar e as nuk kam marrë pjesë në këtë manifestim letrar (madje nuk kam qenë fare në Strugë në gusht të atij viti), në të cilin paskësh qenë i pranishëm Rudolfi ynë, siç del nga teksti i tij. Si mund ta quajmë ndryshe këtë pohim pos gënjeshtër? Rrenë klluqe, do të thoshte Podrimja i “Lum Lumi”-t.
Shkojmë tutje, duke ia dhënë fjalën vetë Rudolfit, për të derdhur dëngla të tjera, edhe më skandaloze se të parat.
“Natyrisht maqedonasit e shfrytëzuan rastin për ta kthyer takimin prestigjioz ndërkombëtar në një manifestim të nacionalizmit maqedonas. ‘’ Ishtë si manifestimi në Munich-un e nazistëve të sapo ardhur në pushtet- shkruan më vonë Jigelles Jouanard, ish drejtore e Qendres së Librit të Montpellier, Francë- kudo flamuj maqedonas dhe kudo banda muzikore maqedonase luajtur nga burra me kostume kombëtare. Dhe britma zëlarta për lavdinë e Maqedonisë,, I vetmi që protestoi për manipulimin e Takimit Ndërkombëtar të Poezisë për qëllime propogandistike të nacionalizmit maqedonas ishte Francezja Gigelles Jounard. Dhe ironia më e madhe është se më të zellshmit për ta kundërshtuar protesten e vetmuar të Jigelles Jounard ishin, sipas kujtimeve të Francezes fisnike, vetë poetët pjesëmarrës shqiptar të Maqedonisë (së Veriut, natyrisht)”.
Nuk e di a duhet ta përsëris se unë nuk kam qenë pjesëmarrës i “Mbrëmjeve Strugane të Poezisë” (edicioni i vitit 1997), gjë që mund të verifikohet (po qe nevoja) nga botimet dhe dokumentacioni i këtij manifestimi letrar, prandaj nuk kam pasur mundësi as të protestoj e as të tulatem, por për të parë se sa është serioz antologjisti ynë në përpjekjet e tij për ta mbrojtur proçkën e vet, flet një e dhënë tjetër e këtij paragrafi.
Për të qenë sa më “bindës”, Rudolfi përmend një emër të përveçëm: emrin e “Francezes Jigelles Jounard”. Nuk ekziston në Francë dhe askund tjetër në botë, një grua me këtë emër! Në ngutje e sipër dhe i trullosur nga goditjet që i qenkëshin bërë antologjisë së tij, “poeti laureat” nuk i verifikon gjërat, nuk merr mundimin të hulumtojë sado pak, kështu që poetit francez Gil Jounard ia ndërron gjininë dhe nga burrë e bën grua! (Ec e besoji njeriut që bën këso gafash!).
Më vjen mirë nëse poeti francez Gil Jounard (Zhil Zhunar) ka reaguar kundër euforisë nacionaliste maqedonase, po Rudolfi ynë pse heshti, vallë, pse s’e tha një fjalë, nëse jo si shqiptar, së paku si intelektual?!
Thuhet se fundi e zbukuron veprën, kështu edhe përrallën e Rudolfit për heshtjen “deri në retiçencë“ të poetëve dhe studiuesve nga Maqedonia “në Strugën që përshkruan Jounard”, edhe pse sa më përket mua e vërteta është diametralisht e kundërt me atë që mëton Mic Sokoli ynë Rudolf.
“Dhe janë po të njënjtët poetë dhe studjues të heshtur deri në retiçencë në Strugën që përshkruan Jounard, të cilët shfaqen me një shpirt luftarak guerilas tani, kundër Antologjisë së Poezisë Moderne Shqipe të hartuar nga Rudolf Marku.”
Në librin tim “(Po)etika e fjalës”, botuar në vitin 2010 në Tetovë, kam një kapitull të tërë me shkrime për festivalin “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”: kapitullin me titull “Nën flamujt e albanofobisë”, që hapet me shkrimin “Ku digjen flamujt, ç’kuptim ka poezia?!”, të botuar fillimisht në gazetën “Flaka e vëllazërimit” (29 gusht 1993) dhe mbyllet me polemikën e madhe me kryetarin e atëhershëm të Këshillit Drejtues të Festivalit, shovenin Zoran Ançevski, të zhvilluar në gazetën maqedonase “Utrinski vesnik” në mars-prill 2005.
Dhe reagimet e mia nuk kanë qenë si pjesëmarrës në festival, sepse nuk kam qenë i tillë, por thjesht si krijues dhe intelektual. (Për djegien e flamurit nuk reagoi as i ngarkuari me punë i Republikës së Shqipërisë në Shkup, e as grupi i poetëve pjesëmarrës nga Tirana, për nder të të cilëve edhe qe vënë flamuri shqiptar, sepse përdorimi i tij në IRJM atëbotë ishte i ndaluar, kështu që reagimi im qe i vetmi për këtë akt shovinist në “qytetin e poezisë”).
Ndaj manifestimit letrar “Струшки вечери на поезијата”, që mbahet në vendlindjen time, kam qenë gjithmonë kritik dhe mendimin tim e kam shprehur publikisht, jo vetëm në shqip, por edhe në maqedonisht.
Në vitet 2002-2004 kam qenë anëtar i Këshillit Drejtues të MPS, që përbëhej nga pesë anëtarë (katër maqedonas dhe një shqiptar) dhe kam dhënë dorëheqje para se të më kalonte mandati për shkak të Statutit të ri të Festivalit, ku nuk parashihej përdorimi i gjuhës shqipe. E pata dërguar punën deri në Gjykatën Kushtetuese, por pa sukses dhe kur statuti u miratua me shumicë votash, duke më mbivotuar mua anëtarin e vetëm shqiptar, nuk më mbeti tjetër veçse të jepja dorëheqje.
Betejën intelektuale që kam bërë unë për gjuhën dhe kulturën shqiptare në Maqedoni dhe në përgjithësi, e cila, në njëfarë dore, vazhdon edhe sot, Rudolf Marku nuk mundet as ta imagjinojë, por kjo s’është temë e bisedës, prandaj preferoj të kthehem në temë: tek “antologjia” e Rudolfit. Kjo antologji është e gabuar që në start, sepse niset nga koncepti shtetëror e jo kombëtar dhe gjuhësor. Pretendimi për kinse kriter estetik është një flluskë, sepse duke përfshirë vetëm poetë nga Shqipëria shtetërore (fjala është për poezinë e sotme) privohet a priori nga vlera estetike poezia e krijuar jashtë sinorit shtetëror.
Siç kam theksuar edhe në shkrimin tim të parë “Poeti laureat me shikim separat!”, ky botim, i përgatitur nga “poeti laureat” refugjat në Londër dhe i financuar e promovuar nga Ministria e Elvës dhe Qendra e Aldës në Tiranë, kështu siç është, nuk mund të jetë antologji e poezisë shqipe, gjë që është e pakontestueshme për çdo njeri normal. Të huajt e paraqesin letërsinë shqipe si një, kurse Rudolfi e ndan! Dhe, në vend që të kërkojë falje, sulmon e akuzon.
Por ky botim nuk mund të quhet as antologji e poezisë moderne shqipe, sepse me përmbajtjen e tij nuk e përballon këtë barrë. Autorët e prezantuar në të, jo të gjithë, por një pjesë e mirë e tyre, në mos shumica, nuk mund të quhen “modernë” në kuptimin teorik dhe historiko-letrar të kësaj fjale, gjë që për njohësit e modernes në art është po ashtu plotësisht e qartë.
“Termin Poezi moderne e kam përdorur në një vështrim thjesht personal (…) në kuptimin e një poezie që mund të ishte shkruar në çdo kohë”, nënvizon Rudolfi. Dakord. Dante, Shekspiri, Gëte, Bajroni, Hygoi, pa shkuar te Safoja, Homeri, Eskili, Virgjili e të tjerë, kanë krijuar poezi “që mund të ishte shkruar në çdo kohë”, por nuk e përfaqësojnë “poezinë moderne”. Rudolf Marku është dashur ta lexonte së paku librin e studiuesit gjerman Hugo Friedrich (Fridrih) “Struktura e lirikës moderne” (Struktur Der Modernen Lyrik), të përkthyer pothuajse në të gjitha gjuhët e Evropës, për të parë se ç’është moderniteti në poezi dhe cilët poetë mund të quhen modernë në kuptimin tipologjik të fjalës, sepse moderniteti është kategori përcaktuese e jo vlerësuese, siç kuptohet gabimisht ndër ne dhe siç e ka kuptuar, në të vërtetë keqkuptuar, edhe antologjisti ynë. Ajo që në letërsinë evropiane quhet lirikë moderne fillon me Bodlerin, Rembonë, Malarmenë, vazhdon me Apolinerin, Lorkën, Ungaretin, Pol Valerinë, Eliotin, Sen-Xhon Persin e të tjerë. Përdorimi individual i termave në diskursin letrar shkakton kaos dhe anarki.
Në shkrimin “Fahrenheit 451”, të botuar edhe në “ExLibris”, edhe në “Nacional”, duke dashur të tërheqë paralele mes “situatës” së krijuar pas botimit të “Antologjisë” së tij dhe djegies së librave në sistemet totalitare, Marku i referohet romanit të njohur distopik të shkrimtarit amerikan Ray Bradburi, “Fahrenheit 451”. Aluzioni është i qartë, por shndërrohet në bumerang. Djegiet janë të ndryshme dhe jo vetëm fizike. Rudolf Marku ka djegur, me a pa dashje, një letërsi të tërë: letërsinë e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Ballkan, tok me atë të arbëreshëve të Italisë. Rrjedhimisht, veprimi i tij do të mund të cilësohej si: Farenhajt 2023!