More
    KreuIn memoriamAgim Vinca: Nuhi Vinca, një "in memoriam" i pazakonshëm

    Agim Vinca: Nuhi Vinca, një “in memoriam” i pazakonshëm

    Do të evokoj dy-tri kujtime lidhur me tim vëlla. Do të flas si familjar e jo si letrar.

    Vite më parë isha mysafir i programit të natës në Radio Kosovë. Pothuajse në fillim të bisedës u paraqit me telefon Salih Kabashi, ai i “Alternativës” së Lubjanës dhe, duke iu drejtuar moderatorit, tha: “Ia kam lakmi Profesorit për emrin shqip dhe mbiemrin antik!”, gjë që më nxiti të mendoja më seriozisht për emrin tim personal, Agim dhe mbiemrin familjar, Vinca, për çka kam folur gjerësisht te libri “Magjia e ligjërimit” (2019).   

    Emrin ma ka lënë im vëlla, Nuhi Vinca, i cili në kohën kur kam lindur unë, në vitin 1947, ka qenë në progjimnaz në Strugë. Atëbotë ajo konsiderohej shkollë e madhe. Brezi i tij patën fat që erdhën mësuesit nga Shqipëria, këta misionarë të vërtetë të shkollës shqipe, që mbollën farën e diturisë në këto anë. Kjo ndodhi në vitet 1941-43, kohë që populli ynë e quan “e Shqipnisë” dhe e kujton me nostalgji. Në ato vite depërtuan edhe emrat e parë shqip te shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, fillimisht në qytete si Dibra e Gjakova, pastaj edhe në vendbanimet e tjera, ku tradicionalisht viheshin emra turko-arabë.

    Emri Agim në atë kohë, pra në kohën kur linda unë, pjesërisht edhe më vonë, hasej shpesh në librat e leximit. Drita dhe Agimi ishin dy simbolet kryesore të shoqërisë së re që pritej të ndërtohej, por që, fatkeqësisht, dështoi, sepse idealet e proklamuara gjatë luftës u shkelën.

    Në darkën e shtruar me rastin e lindjes sime, që në Veleshtë quhet “tretnatë”, pleqtë hijerëndë me mustaqe vesh më vesh, ulur këmbëkryq në konak, e dëgjuan zërin e një shkollari mustaqepadirsur dhe mua më mbeti emri Agim.

    Nuhiu në familjen tonë ishte njëfarë “Gjon Pagëzori”. Prej tij e kanë emrin edhe Fisniku i ndjerë dhe Vullneti (Shpendi jo, ai e ka nga halla Shpresë) dhe fëmijët e tij: Laura, Teuta dhe Vegimi (i pari Vegim jo vetëm në Strugë, por edhe më gjerë), për ta lënë në fund ëmbëlsirën, për të cilën në Kosovë e Shqipëri shumëkush mendon se është ime bijë, Iliren. (Nesër mbrëma, po në këtë sallë, do të shfaqet njëra nga shfaqjet më të ndjekura të Ilires, që flet për luftën në Kosovë dhe të zhdukurit e saj, e që titullohet: “Babai dhe babai”).

    Kur jemi këtu, të shtoj se emri, dihet, nuk e bën njeriun, por është pjesë e rëndësishme e identitetit tonë personal, kështu që mund të them se nga ky aspekt kam pasur fat.

    Ky është kujtimi i parë. I dyti i takon një kohe më të vonë.

    Në vitet 1962-66 unë isha nxënës i Gjimnazit në Strugë. Plot katër vjet, unë dhe shokët e mi, djem e vajza (vajza, ç’është e vërteta, pak), ishim nxënës të Nuhi Vincës, të cilin e kishim edhe kujdestar klase.

    Udhëtoja për çdo ditë në relacionin fshat-qytet, me biçikletë, ndonjëherë edhe më këmbë, por gjatë sezonit të dimrit rrija në banesë tek im vëlla në qendër të qytetit (një banesë njëdhomëshe përmbi vetëshërbimin, përballë kinemasë së atëhershme të qytetit); bashkë me mua rrinte edhe vëllai i kunatës, Zenes, Petriti, alias Piti, me të cilin flinim në një shtrat.

    Në vitin shkollor 1965/66 unë isha maturant në Gjimnaz. Ishte marsi i vitit 1965, dita e trembëdhjetë e muajit, kur nga Amerika e largët erdhi lajmi i hidhur se ishte ndarë nga jeta kolosi i letrave shqipe, Fan S. Noli. Im vëlla i dëgjonte çdo natë lajmet e “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Atë natë, pasi mbaruan lajmet, u drejtua nga ne dhe na tha: “Ka vdekë Fan Noli”. Ne e kishim mësuar Nolin në shkollë, por nuk e dinim rëndësinë e tij. Profesori po. Atë natë, në mesnatë, nën përshtypjen e lajmit për humbjen e poetit dhe intelektualit të madh, im vëlla shkroi njërën nga poezitë e tij më të mira: “Ligjëron Fan Noli”. Në strofën e parë të kësaj vjershe thuhet: “Ishull n’det t’Ballkanit i rrahur n’stuhi/ Nga dallgë e dallgës së vet dhe nga erna t’hu’ja/ Zhdukni nipa tetori që Leninin mbajnë zi,/ Britën horrat n’ishullin tim… dhe erdhi rrëmuja”. Nën ndikimin e rrethanave të krijuara pas vitit 1990, kur ra sistemi monist, kjo strofë u modifikua pak: kështu vargu “zhdukni nipa tetori që Leninin mbajnë zi” u bë: “zhdukni ata që kërkojnë demokraci”, veprim që për mendimin tim ishte i panevojshëm. (Vargu “zhdukni ata që kërkojnë demokraci” është dukshëm më apoetik se ai i mëparshmi).

    Ndryshimet në art lejohen kur bëhen për qëllime estetike, por jo për hir të koniunkturës politike. Ndryshimet që bëhen kur ndryshojnë sistemet shoqërore, quhen retushime dhe janë të papranueshme, qofshin edhe nga pena tw spikatura. Veprat letrare lindin në një kontekst të caktuar dhe shprehin idetë e kohës në të cilën jeton autori dhe të cilave ai u ka besuar kur e ka shkruar veprën. Fundja, poeti i shquar rus, Majakovski, i quajtur “bard i Revolucionit”, nw vitin 1917, kur po merrte fund Lufta e Parë Botërore, shkruante: “E lanë në banjë të gjaktë njerëzinë/ Vetëm/ Që dikush,/ Diku,/ Të majmet me Shqipërinë” (protestë e fuqishme e poetit të madh kundër copëtimit të një vendi të vogël si Shqipëria).

    Kalojmë te episodi i tretë, me rëndësi të veçantë.

    Në vitin 1977 Nuhiu filloi punën në Institutin Albanologjik, ku punoi deri në pension. Në këtë institucion të rëndësishëm shkencor, në Degën e Folklorit, krijoi profilin e vet si studiues i  lirikës popullore. Pikë e shpeshtë referimi e punimeve të tij nga kjo lëmi ishte, natyrisht, lirika e vendlindjes, Strugës me rrethinë, ku ka shumë perla poetike. Edhe pse magjistër, gradë që asokohe ishte ende e rrallë, për shkaqe politike, punonte përkthyes në Komunën e Ferizajt. Në konkursin e parë nuk qe pranuar, kështu që u desh që unë të flisja me drejtorin e Institutit dhe mentorin tim, Profesor Rexhep Qosjen. “Ndërhyrja” pati sukses: Nuhi Vinca u pranua në Institut dhe ky qe një moment i rëndësishëm, ndër më të rëndësishmit në jetën dhe karrierën e tij.

    Gjatë qëndrimit tim në Paris, ku isha në specializim (nëntor 1977-shkurt 1978), mora një letër nga im vëlla në të cilën më shkruante tekstualisht: “Tani e di se kam një djalë – Vegimin, një vëlla – Agimin dhe një mik – Luan Dukagjinin”. (Citat nga letrës së dt. 17 nëntor 1977). Se kush janë Agimi e Vegimi besoj se nuk e keni të vështirë ta dini, ndërsa për personin e tretë lipset një sqarim: Luan Dukagjini ishte pseudonimi me të cilin Rexhep Qosja botonte te “Jeta e re” tregimet e tij, nga të cilat do të lindë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë“, gurthemeli i letërsisë postmoderne shqipe.

    Thashë në fillim se do të flas si familjar, prandaj po përpiqem ta mbaj premtimin.

    Tetë fëmijë lindën prindërit e mi, nëna, Nadirja dhe babai, Nexhati, katër djem dhe katër vajza: Adiu, Zinija, Nuhiu, Vaja, Shpresa, Selamiu, Halidja dhe unë, Agimi. Prej atyre tetë fëmijëve tani kam mbetur vetëm unë, “i teti në bronx”, siç e kam zakon të them shpesh me shaka. Kjo mbrëmje, që i kushtohet njërit nga kjo tetëshe, i cili një kohë të gjatë ka qenë “pater familias”, le të shërbejë si një homazh për të gjithë të dashurit tanë, nënë e babë, motra e vëllezër, nipa e  mbesa, e edhe kunata, që nuk janë më fizikisht mes nesh, por që janë pjesë e jetës dhe kujtesës sonë. 

    Dëshiroj ta mbylli këtë fjalë timen me një poezi, por para se t’jua them atë më duhet të flas për rrethanat në të cilat lindi ajo dhe peripecitë që përjetoi ndër vite.

    E kam fjalën për poezinë “Letër vëllait”, të shkruar në vitin 1969, kur Nuhi Vinca dhe dy kolegë të tij, Rahmi Tuda e Axhem Kica, u larguan nga Gjimnazi i Strugës me akuzën se ishin “nacionalistë”. Largimi i dy të parëve qe i parevokueshëm, kurse të tretin e ktheu Gjykata e Manastirit, ku qenë ankuar, për ta larguar përsëri pas vitit 1981, atë dhe shumë të tjerë, kur diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni mori përmasa të papara.

    Kur filloi “gjuetia e shtrigave” ndaj intelektualëve shqiptarë, që pati si shkas demonstratat e vitit 1968, unë isha student.

    Një natë, duke ndenjur me shokë në njërën nga dhomat e konviktit ku banoja, dëgjova në radio, rastësisht, lajmin për largimin e tre profesorëve struganë, dy prej të cilëve, Nuhiu dhe Rahmiu, do të detyrohen të largohen përgjithmonë nga Struga për të gjetur strehë në Kosovë. Me të dëgjuar lajmin, shkova në dhomën time, u shtriva në shtrat dhe shkrova me një frymë vjershën “Letër vëllait”, e cila do të përjetonte një odisejadë të vërtetë. E dërgova për botim në gazetën e studentëve “Bota e re”, kryeredaktori, pasi e lexoi në praninë time dhe m’i hoqi disa fjalë e edhe ndonjë varg, sepse “nuk guxoj ta lëshoj kështu”, e dërgoi për botim, por nuk doli. U hoq nga shtypi në çastin e fundit nga drejtori gjeneral i “Rilindjes”, i cili e kishte lexuar atë si poezi kushtuar të vrarit në demonstratën e 27 nëntorit në Prishtinë, të riut Murat Mehmeti, edhe pse në fakt nuk ishte ashtu. Një tabak i gazetës “Bota e re” (tetë faqe) u rishtyp dhe në vend të saj doli një sonet kushtuar Titos, i një poeti tjetër, student dhe ai, atëbotë shumë më i afirmuar se unë, kurse tani pothuajse i harruar.

    Gjatë vitit shkollor 1971/72, kur punova si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Strugës, të cilin e kisha kryer edhe vetë, e përgatita përmbledhjen time të parë me poezi, “Feniksi” dhe e dërgova për botim në Shkup, në Redaksinë e “Flakës”. Falë dashamirësisë së recensentit F. Bojku dhe të redaktorit A. Aliu, libri doli i pacensuruar, por pa poezinë e inkriminuar “Letër vëllait”, e cila u zhduk në mënyrë enigmatike. (E kishte dorëzuar në polici kryeredaktori i Njësisë Punuese “Flaka e vëllazërimit”, “filozofi S. S”.).

    Kur në vitin 2010, në Arkivin e Maqedonisë, e mora dosjen time policore të hapur në shkurt të vitit 1972 kur punoja në Gjimnaz, në të gjeta dorëshkrimin e poezisë sime të shtypur në makinë, ashtu siç e pata dorëzuar për botim, të shoqëruar me një pikëpyetje të madhe në gjithë faqen dhe të përkthyer maqedonisht me ndihmën e dy udbashëve shqiptarë: Nafi Çegrani dhe Nazmi Musliu, kurse në komentin e inspektorit të Sigurimit Shtetëror, Ilija Bllazhevski, thuhet: “duhet të shihet mundësia e ndjekjes penale të autorit”, sepse “i fyen punëtorët e Shërbimit të Sigurimit”, të cilët i quan “qen që lehin për një koskë të thatë” dhe që “nuk e kanë të gjatë, sepse do të ngordhin së shpejti”.

    Kjo është, me pak fjalë, historia e vjershës “Letër vëllait” (e bazuar në dokumente e jo në thashetheme), të cilën e përfshiva në ribotimin e librit “Feniksi”, që doli në Prishtinë më 2014-n, bashkë me historinë që sapo jua rrëfeva.

    LETËR VËLLAIT

    Të ëndërrova mbrëmë si një shkëmb graniti,
    në breg t’liqenit qëndroje vetmitar.
    Dallgët të sulmonin, thashë: vëlla, priti,
    qëndro i pamposhtur, ballëlart, krenar!

    Kuptova qenkan tërbuar n’atë anë do erëra,
    që duan gjer në palcë të fusin acar, frikë,
    por jo! ashti ynë i fortë është, o vëlla
    barrë e vuajtje duron pa u ligë.

    E shtruar me ferra rruga e t’Vërtetës,
    ti nëpër të ece, ece pa u luhatur,
    para alternativës i preferove vetes:
    Sokrat i vuajtur, jo derr i kënaqur!

    Me fjalën tënde shumë filiza janë rritur,
    shih si u lëvaren degët me fryte t’rënduara,
    shih si ushqehen mijëra zogj të uritur
    (vallë, për k’të dikujt i erdhën t’helmuara?!)

    Përbuzja e budallenjve mos të t’lodhë aspak,
    as zëri i qenve që për një koc të thatë
    çirren duke lehur. Të veshur në frak
    do ngordhin ata, nuk e kanë të gjatë.

    Mos i merr këto fjalë vëlla si ngushëllim,
    s’është nevoja. Ti je një Promethe
    që në vend të dhuratës merr ndëshkim,
    se jeta, vetë m’ke thënë, është luftë, është betejë.

    Prishtinë, 15 mars 1969

    Dhe tani, me shpresë se nuk jeni mërzitur, më lejoni t’jua them këtë poezi, ashtu siç qe shkruar plot 55 vjet më parë, pa as më të voglin ndryshim. Jeta e Nuhi Vincës ishte luftë. U prehtë në paqe!

    (Fjalë e mbajtur në mbrëmjen përkujtimore në Strugë, më 18 gusht 2024)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË