More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAdrian Zalla: Një përpjekje për të transkriptuar librin e ri të Ervin...

    Adrian Zalla: Një përpjekje për të transkriptuar librin e ri të Ervin Hatibit

    Gjatë muajve të fundit të 2020 na erdhi në treg pas 16 vitesh mungesë, pas 16 vitesh nga vëllimi i fundit një vëllim i ri me poezi nga Ervin Hatibi, një nga zërat më original të pasviteve ´90 por edhe letërsisë bashkëkohore shqipe, vëllimi quhet “Transkript nga krevati tjetër”, botim i shtëpisë botuese Onufri, kështu na dha mundësinë të themi lirshëm që 2020 nuk qe tërësisht një vit i humbur e i errët, por solli edhe të reja për tu lavdëruar e falenderuar…

    Vëllimi me poezi “Transkript nga krevati tjetër” përmban 40 poezi, duke pasur parasysh stilin, kurimin gjer në detajin më të vogël, por edhe kulturën dhe edukimin e Hatibit mbi shkencat dhe teologjinë islame, numri 40 sipas islamit  mund të na çojë në deduksionin e thjeshtë të historisë së profetit Muhamed me kryeëngjëllin Gabriel ku kuptimi i gjithë asaj historie dhe ëndrre të shpjeguar nga profeti, po ta shpjegonim me fjalë të thjeshta është se pas të 40-ave fillon një cikël i ri, një kapitull i ri, ose siç populli do thoshte jeta fillon pas të 40-ave lidhur edhe me besimin islam.

    Habi të bën fakti që në besimin e krishterë numri 40 lidhet me disa periudha gjykimi ose dënimi, (Zanafilla 7:4; Ezekieli 29:​11, 12.) pra vetëm me numrin e poezive  që ai ka vendosur të botojë do kishim mjaft material për të ndërtuar një përpjekje për ta transkriptuar këtë vëllim! Pra kemi një dikotomi mes feve me konotacione krejt të ndryshme, por nuk do ndalemi këtu, ka mjaft thesare për të eksploruar në këtë përmbledhje, për të ngecur në këtë detaj!  

    Vlen për tu nënvizuar fakti që në këtë përmbledhje nuk ka parathënie, nuk ka pasthënie, nuk ka dedikime, por ka vetëm një titull dhe nis aksioni, njëlloj si ne lindim, na vihet një emër dhe nisim proceset e të rriturit dhe eksplorimit nëse është me vend të ndërtojmë këtë paralelizëm…

    Në përpjekje për të transkriptuar poezinë e re të sjellë nga Hatibi, në përmbldhjen “Transkript nga krevati tjetër” kam tentuar të bëj një ndarje poezish e cila është krejt subjektive por që shërben për të analizuar rrafshe të ndryshme të poezisë por edhe tematikave me të cilat përballemi. Ka një grup poezish të cilat vijnë me tituj emrash të përveçëm, ose si figurë konkrete e rëndësishme për jetën e çdo njeriu. Poezitë i bashkon dashuria në thelb, admirimi, dëshira për ti gdhendur në kujtesë që nuk shuhet, dëshira për të rrëfyer të shkuarën e tyre lidhur me të veten. Poezitë janë një përzierje apologjie, elegjie, rrëfimi, kujtese, falenderimi mbushur me imazhe, metafora dhe ndërtime gjendjesh emocionale përkatësisht poezitë: “Harallamb. P”, “M.A.M.A”, “E.L.E.N.I”, “Në kujtim të Evgjeni Harizit”, “Balada e xha Xhihatit”!

    Do  veçoja poezinë “M.A.M.A”, është si një udhëtim në kohë, mbushur me emra konkretë, mbushur me histori, me ngjarje, nga cikle të ndryshme jete, me një krijim universi të lënë në pezull, tregon fakte pa mbajtur qëndrim, pa u shprehur qartë, duke e bërë abiguitetin çelës interpretimi përkatësisht në vargjet: (“Përherë kam besuar te mirësia e të panjohurve/Përherë ua kam besuar veten të panjohurve/Meqë kam veç një jetë prandaj!”) vazhdon në vargun e fundit të tercinës së katërt :(“Përditë ua kam besuar veten anonimëve”) dhe mbyllet me vargjet me të cilat mbyllet poezia: (Kështu më kishe lindur, me mirëbesim, pa më ditur më solle/Përherë i kam besuar mirësisë së të panjohurve.)

    Grupi i tjetër i poezive është ai me origjinë gjeografike, ku titujt e poezive janë ngritur mbi emra lokacionesh a vendndodhjesh, disa nga poezitë përmbajnë edhe vite, ky është një tipar tjetër i poezisë së Hatibit ka një piknisje në kohë të caktuar por koha rrjedh e rrjedh dhe nuk përcaktohet se ku përfundon! Poezitë janw një përzierje përsiatjesh poetike kulturash, ndjesish, historish e ngjarjesh të ndryshme, disa më intime se të tjerat e disa më universale se të tjerat përsa i përket rrokjes së tematikave dhe gjuhës së zgjedhur, përkatësisht poezitë: “Zjarr i madh i Selanikut” , “Golem 1993”, “Akaba 1999” (fshat në verilindje të Palestinës), “Shqipëria e re”, “Tirana e re”.

    Grupi i tjetër të cillin kemi grupuar dhe bashkuar janë poezitë me piknisje të historisë botërore dhe asaj shqiptare. Sigurisht kompozitat vijnë ndryshe, të aktualizuara dhe të rifunksionalizuara. Sigurisht në këtë grupim poezish vihet re edhe ndikimi i traditës shqiptare por edhe kulturës së saj. Këto janë poezi thellësisht të angazhuara ku përmes imazheve, sekuencave që ndërpriten e rimerren trajtohen probleme, ngrihen probleme, shfaqet pendesë për mosbërjen më shumë, këto shfaqen në poezitë: “Kryqëzata e fëmijëve”, “ Një senat”, “Skena nga historia e zbutjes së kalit” “Monogrami”. Ndërkohë në poezitë; “Veterani i valles së shpatave”, “Baladë e gjetur”, “Heronj të heshtur” na vijnë si rivizitim, rizbulim dhe risjellje dhe rikujtim i të shkuarës, me elemente thellësisht shoqërore, por edhe shpirtërore të cilat identifikohen në detaje shumë të holla!

     Grupimi i fundit që kemi mbledhur dhe bërë bashkë nga ky vëllim janë poezitë për poetin, artin, metaforën, poezinë, librinë, letërsinë pra origjinën e  Hatibit, se Hatibi është poet para së gjithash. Në këtë grup kemi poezitë; “Radio”, “Qafa e poetit”, “Fjalët e gjuhës së zjarrtë”, “Dora e poetit”, “Vdekja e metaforës”, “Dora e poetit 2” (“Iu gjetën copa poezie dhe hymnesh”), “Statujat e poetit”.

     Poezitë duken se flasin për dhimbje, moskuptim, frikë nga harresa, flasin për evolucion, për ndryshim, për rritje, për ndryshimin e të parit të gjërave ndryshe, flasin për realitetin fatkeq të poetëve, mënyrën sesi adminstrohet e shihet talenti, flet për vetminë, për dramat, sfidat por ka edhe një shpërfaqje ndërtesktorësie të jashtëzakonshme që nga Iliada e Homerit e deri te veprat më bashkëkohore, mbizotërohen nga imazhi, presja është rojatari i rregullit, gjuha është e kuruar edhe pse të jep përshtypjen e pakujdesisë vende-vende.

    Këto poezi kanë një rrokje dhe përfshirje rrafshesh dhe universesh nga të gjitha anët, me gjurmë nga çdo fushë njerëzore, reminishenca por edhe gjurmë ndërtekstorësie të rifunksionalizuara, të sjella me një konotacion dhe kompozicon krejt ndryshe nga ato të origjinës.

    Vëllimi “Transkript nga krevati tjetër” përmban edhe shumë gjurmë intime, familjare e personale për Hatibin, por edhe për kohën e komunizmit që siç vijon të na vihet  shpesh në dukje është një shoqëri e tërë e cila nuk i ka larë ende hesapet me diktaturën e rënë! Poezia “ Ekskluzive” e cila mbyll këtë përmbledhje është një dëshmi, britmë, dhe thirrje që e shkuara nuk mund të mbetet e pandëshkuar edhe pse dhimbjen, vuajtjen, dhe memorien asgjë nuk mund ti fshijë…

    Në këtë vëllim gjejmë traditë dhe përmbysje të saj plotësisht, në fakt Hatibi është në rrugën për të ndërtuar kanonin e tij të pangatërrueshëm. Gjejmë poezi të ndërtuar me 2-vargësh, 5, 6, 8-vargësh, gjejmë sonetin, gjejmë stilin e baladës popullore shqipe, gjejmë stilin epiko legjendar ala Lahuta e Malcisë, por gjejmë edhe poezi të ndërtuara mbi ritmin ku një fjalë është një varg, gjejmë poezi në formë prozë, gjejmë poezi ku injorohen shenjat e pikësimit dhe vargut, gjejmë poezi të ndërtuara mbi fakte historike pa humbur gjuhën poetike apo melodinë e brendshme, gjejmë një metaforë të thyer dhe të çorientuar por që e bëjnë këtë vëllim një markë origjinale të paimitueshme!

    Gjuha është e kultivuar, e bazuar mbi erudicion, ka një lidhje shkak-pasojë e cila mund të përjetohet ose kuptohet vetëm përmes ndjesive dhe imazheve, në poezi të tjera gjuha është ajo e mendimit, shprehëse, deklamuese, ritmi është ruajtës i gjuhës por edhe i kuptimit të poezisë. Figurat e përdorura janë poliedrike, shumkuptimësia, ambiguiteti, errësimi i tipareve të caktuara, apo kalimi nga e prekshmja në të papërceptueshme bëjnë që Hatibi të ketë krijuar një gjuhë personale identifikuese…

      Poezia “Transkript nga krevati tjetër” është shumë e veçantë nis me një element shumë identifikues, zëvendësimi i th-së me f-në dhe i dh-së me v-në  në, fjalët “gjithë, thanë, thashë, thotë, qeth, puth- kthehen me f: gjifë, fanë, fashë, fotë, qef, puf” ndërsa fjalët me dh zëvendësohen me v përkatësisht: “mëdhenj, hedhin, dhëmbë, dheu, hidhu, dhemb, erdhi- kthehen me v mëvenj, hevin, vëmbë, veu, hivu, vemb, ervi”.

    Kjo është një gjetje e jashtëzakonshme, si nga ana e jashtme e veshjes tingullore, ashtu edhe nga ana e brendshme, simboli kësaj poezie ëështë pafajsia, padija, të mos qenit i ndërgjegjshëm plotësisht për fatin personal, për fatin e të dashurëve të tua apo se çfarë mund të sjellë e ardhmja. Poezia flet për fatet, realitetet e njeriut, transformimin e botës, dhe padijen që kemi përkundrejt këtyre çështjeve, si dhe përpjekjen e vazhdueshme për të kërkuar këto përgjigjie, dhe në fund gëzohemi e lumturohemi me diçka të vogël që zhduket ende pa nisur ta shijosh!

      Vëllimi “Transkript nga krevati tjetër” është si përvoja e Ayahuascas (procesi kur një njeri zbraz të gjitha të vërtetat gjysmë i vetdijshëm, ose krejtësisht i pavetëdijshëm). Gjatë eksplorimit të tij, përthithjes së tij, dhe gjatë kalimit të tij në sistemin tënd mendor e shpirtëror duke parë të bardhë mbi të zezë ke pësuar katarsis pa e kuptuar. Shpresoj të ketë qenë një tentativë e suksesshme dhe një përpjekje e arritur me sukses transkripitimi i vëllimit më të ri me poezi të Ervin Hatibit!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË