More
    KreuIn memoriamAdil Olluri: Memuaristika e bukur e Meri Lalajt

    Adil Olluri: Memuaristika e bukur e Meri Lalajt

    “Helena, Ismaili dhe unë” është libër i natyrës së memuareve, i fundit i autores tashmë të ndjerë, Meri Lalaj, i botuar vetëm pak ditë para ajo së të ndërronte jetë. Andaj, ky libër është e udhës të shihet dhe të lexohet si një amanet, si një porosi e fundit, e Meri Lalajt për lexuesin dhe kulturën shqiptare. Si i tillë, ia vlen të lexohet qoftë edhe si nderim për jetën dhe vullnetin e mirë të Meri Lalajt për letërsinë shqipe dhe shkrimtarët tanë të rëndësishëm, si Ismail Kadare e Lasgush Poradeci, por edhe të tjerë emra mjaft të vlershëm, për të cilët M. Lalaj foli dhe shkroi me dashuri dhe dashamirësi të madhe, që nuk gjendet lehtë ndër shqiptarë.

    “Helena, Ismaili dhe unë” është një libër mjaft i vlershëm, i mbushur me plotë të dhëna biografike, kulturore e shoqërore jo vetëm për tre personazhet kryesore të kësaj vepre (I. Kadare, H. Kadare, M. Lalaj), por edhe për një periudhë mjaft të ndjeshme e të pazakontë në të cilën jetuan rinia shqiptare (mosha e personazheve të këtij libri të kujtimeve). Të dhënat na flasin për një gjendje të përgjithshme groteske, ku jetohej me frikë dhe mungesa të mëdha të lirive individuale, të paimagjinueshme për ditët e sotme. Andaj, këtu është edhe një vlerë e fuqishme faktografike e librit të fundit të Meri Lalajt, sepse duke na i shpalosur kujtimet e saj për shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare dhe të shoqen e tij, Helenën, mësojmë gjëra mjaft interesante edhe për kohën në të cilën jetuan, u njohën dhe krijuan personazhet e këtij libri.

    Libri i Meri Lalajt fillon me kujtimet për njohjen e saj me Helena Kadarenë, atëbotë Helena Gushin, që në moshën dymbëdhjetë vjeçare. Ato u njohën në një qendër rehabilitimi mjekësor për fëmijë në Pogradec, qytetin e lindjes së Merit, ku prindërit e Helenës e kishin dërguar vajzën e tyre shëndetligë për kurim. Aty fillon miqësia mes dy vajzave njomake që më vonë do të bëheshin ndër shkrimtaret më të njohura e më të respektuara në Shqipëri. Në Pogradec ngjizet një miqësi e sinqertë mes dy grave shkrimtare, të cilat gjatë gjithë jetës do ta trajtonin njëra-tjetrën me dashamirësi dhe përkushtim. Këtu fillon edhe historia e shkëmbimit të letrave të gjata mes tyre.

    Më pas në këtë libër memuaresh, Meri Lalaj na rrëfen se si u njohën Ismail Kadare me Helenën, vajzën më të bukur të gjeneratës dhe shkrimtaren e talentuar, të cilin tashmë e vlerësonin shumë vetë për talentin dhe kulturën e saj të shkrimit. Meri Lalaj i kujton takimet e tyre të fshehta, mënyrën se si ata i flisnin njëri-tjetrën dhe krejt ecejaket e një lidhje dashurore që do të kulmonte me një martesë që do ta shndërronte çiftin Kadare në një nga çiftet më të veçanta të letërsisë së përbotshme.

    Të dhënat për mënyrën se si Ismail Kadare dhe Helena Gushi i linin takimet, pengesat në dashurinë e tyre, të fshehtat që i mbanin nga rrethi familjar, që në fillim e kishte të vështirë ta pranonte një lidhje mes tyre, Meri Lalaj i përshkruan me një pedanteri dhe me një stil të veçantë, sa që na duket se jemi duke lexuar një roman dhe jo një libër memuaristik. Pra, kemi të bëjmë me një stil të bukur shkrimi dhe me një autore të kultivuar e mjaft mjeshtërore, siç ishte tashmë e ndjera Meri Lalaj. Ajo këtu na shpalos gjëra që më siguri i dinte vetëm ajo dhe po të mos e shkruante këtë libër, këto të dhëna ndoshta nuk do të shkruheshin asnjëherë. Andaj, këtu qëndron vlera faktografike e dokumentuese e këtij libri, meqë mund t’iu shërbejë jashtëzakonisht shumë biografëve të ardhshëm të Ismail Kadaresë dhe Helena Kadaresë. Janë të dhëna të begata për studiues vendorë e të huaj, që do të kishin interesim ta trajtonin edhe jetën e Kadaresë, fillet e veprimtarisë së tij në gazetën letrare “Drita”, shoqërimet e tij me shkrimtarë, afërsitë mes krijuesve të kohës, dhe shumë gjëra që e përplotësojnë figurën e Ismail Kadaresë edhe përtej veprës së tij letrare.

    Te libri “Helena, Ismaili dhe unë” nuk ka se si të mos mungonte Kosova dhe Lasgush Poradeci, tema e çështje aq shumë të dashura e të përbrendësuara për shkrimtaren Meri Lalaj. Ajo na flet për ndjesitë e saj në raport me Kosovën, luftën e fundit dhe refugjatët që kishin ardhur në Shqipëri gjatë vitit 1999. Po ashtu, na përshkruan bisedat me Kadarenë në këtë kohë për Kosovën dhe luftën e saj, ndihmën që shkrimtari i madh i bëri çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare, takimet e tij të pandërprera me njerëz të fuqishëm në Francë e gjetiu dhe telefonatat e tij të pandërprera me evropianë të mëdhenj për t’i dalë në ndihmë vëllezërve të tij të një gjaku në Kosovë, që po e përjetonin plojën dhe tmerret e një lufte që do ta sillte lirinë e shumëpritur për Kosovën dhe do ta krijonte shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan.

    Po ashtu, në këtë libër memuaristik, Meri Lalaj na i shpalos kujtimet e saj për raportet mes Ismail Kadaresë dhe Lasgush Poradecit, bisedat që ata kishin dhe respektin e ndërsjellë mes dy shkrimtarëve madhorë të letërsisë shqipe. Kadare interesohet gjithnjë për Lasgushin, e pyeste Meri Lalajn vazhdimisht për të, e vlerësonte jashtëzakonisht veprën e tij. Të njëjtin vlerësim për Kadarenë e kishte edhe Lasgushi, i cili, sipas Merit, në një takim shkrimtarësh kishte thënë për Kadarenë se “ky djalë do ta lartësojë letërsinë shqipe në botë”. Këto fjalë i kishte thënë Lasgushi, sipas M. Lalaj, për Kadarenë e ri, i cili ishte në vitet e para të krijimtarisë së tij letrare. Kjo na jep të kuptojmë se shkrimtarët e mëdhenj dinë ta vlerësojnë mirëfilli punën dhe cilësinë e shkrimtarit tjetër, qoftë ai më i ri apo më i moshuar.

    “Helena, Ismaili dhe unë” përfundon me kujtimin e autores Meri Lalaj nga vizitat që i bën në libraritë e qyteteve të mëdha evropiane, në të cilat e sheh kudo veprën e Ismail Kadarenë. Prania e veprave të tij në të gjitha këto librari të mëdha për M. Lalaj është prani e Shqipërisë në çdo cep të Evropës. Nga një prani e tillë e veprës së shkrimtarit tonë në botë, Meri Lalaj e cilëson Ismail Kadarenë  si Shqipëri të kudondodhshme, si Shqipëri me vete. 

    Rëndësi të madhe në këtë libër kanë edhe fotografitë e kohëve të ndryshme të personazheve të librit të Lalajt, si dhe letrat e shkruara me dorë gjatë viteve të ndryshme që jepen në fund të këtij libri memuaresh.

    Lexuesit të sotëm të letërsisë dhe dashamirësit të kulturës shqiptare i mbetet ta lexojë këtë libër mjaft të vlershëm dhe ta përjetojë si një fotografi të bukur e të realizuar shpirtërisht nga një njeri i këndshëm dhe i sinqertë, siç ishte Meri Lalaj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË