More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAdela Radovani: “Gruaja që deshe” ose “Romani që deshe”

    Adela Radovani: “Gruaja që deshe” ose “Romani që deshe”

    Kur boton Ridvan Dibra, unë zbatoj një rregull personal: ai libër duhet lexuar menjëherë, para se të ftohet letra e dalë nga shtypi. Që nga koha e njohjes sime me këtë autor, vjetrimin ia pëlqej në kujtesë a rilexim, kurrë në shtyrje të leximit të parë pas botimit.

    Romani i fundit i Profesor Dibrës, “Gruaja që deshe”, edhe pse roman për nga struktura, në thelbin e vet i ngjan esesë. Herë-herë i ngjan një studimi që ka tendenca për nga romani ku rregullat thyhen butësisht. Pena e Dibrës ka qenë përherë e butë, por këtë herë rreket të jetë e lehtë si pupël, sa më larg banales së përditshmërisë e në të njëjtën kohë larg ekstremeve të ngjarjeve tronditëse dhe të papriturave dramatike. Tingëllon si një nga ato fjalitë e stisura, por jo, është e vërtetë dhe është një balancë e hollë. Një balancë e arritur me shumë mund, me anë të ndërthurjes së zërit të personazhit-autor, që do të kalojë me lexuesin një natë të plotë pa gjumë pranë një vatre, duke kujtuar historinë e tij të dashurisë. Subjekti është veç kaq. Autori ndez oxhakun e shtëpisë, shtriqet dhe ngrohet ndanë tij dhe kujton veten në raport me gruan që i jep emrin romanit. Nga ana tjetër, gruaja-objekt studimi, është edhe personazh real/i gjallë. Ajo i afrohet disa herë e rreket ta bindë që ta shoqërojë në shtrat e të flejë, por burri i shkon deri në fund – ai kujton e analizon, dhe ne vëzhgojmë me të. Gruaja hyn e del disa herë, deri në agim.

    Një lexim sipërfaqësor do të perceptonte veç një histori martese të lumtur: përtej kësaj teksti rreket të na japë një studim të vetes pasqyruar në këtë histori dashurie dhe partneriteti, një studim të psikikës së vetes si shkrimtar, si ndërtues të vetes në raport me botën, por disi rrëshqanthi, si të mos dëshirojë të ngecë veç aty. Dibra synon përmes vetes të prekë universalen, synim ky që kur vepra tingëllon si autobiografi, duket pothuaj e pamundur. Zëri i narratorit në vetë të dytë i jep natyrë akoma më analitike – personazhi autor është burrë, është bashkëshort, është i penduar, është prind, ëndërrimtar e idealist, vëzhgues dhe në fund, tmerrësisht i zakontë. I lumtur pafundësisht në të qenurit i tillë, falënderues dhe në paqe me veten, por gjithnjë analitik. Gjithnjë i shqetësuar, një sëmundje që e kanë me gjasë të gjithë shkrimtarët.

    Elementi thelbësor i romanit është Oxhaku. Dibra i pëlqen shumë elementet e tilla dhe i vendos pothuaj përherë në qendër të prozës së tij.

    Po çfarë është Oxhaku?

    Burri e adhuron këtë objekt jo të gjallë, pranë tij ndihet mirë, në kontroll, ndihet se mund të analizojë lirisht veten në tri situata, si bashkëshort, si lexues e si shkrimtar. Janë tre role që personazhi i shijon në mënyra të ndryshme e në mes qëndron Oxhaku, vatra që metaforikisht herë ngjan si shpirti i familjes, herë si zjarri simbol i dëshirës për të jetuar e përjetuar fuqimisht çdo aspekt të jetës. Në dy krahët e Oxhakut qëndron biblioteka, ndarë në mes prej tij, ku librat siç na rrëfehet, ndahen në dy rryma, modernë dhe klasikë. Gati në luftë mes tyre janë librat, ashtu si gati në luftë mes tyre janë dhe tre elementet që ndërtohen: Oxhaku i ndezur, Gruaja që deshi dhe do akoma, dhe Fshati, një element i vjetër, i një romani tjetër, që sidoqoftë shpjegohet edhe për ata që nuk e kanë lexuar “Gjumin mbi borë”.

    Në fund të një analize kaq të thellë, cili element mbart peshën kryesore në jetën e një burri që çdo gjë e këqyr nën mikroskop? Cilin do të caktojmë si parësor për nga rëndësia, gruan, librat apo Fshatin që i ndryshoi jetën? Shumë gjëra nuk mund të dihen.

    “Ku me e ditë?”, përsërit si lajtmotiv autori.

    Lexuesi do të zgjedhë atë që i pëlqen atij më tepër. Vepra qëndron deri në fund e hapur dhe bashkëbiseduese, e sidomos nxitëse për vetë-reflektim. Një romantike si unë, për shembull, do të thoshte se ishte gruaja e para, një realist do të thoshte librat dhe e vërtetë do jetë me gjasë Fshati, që pothuaj i merr jetën autorit-personazh. E të vdesësh nuk është gjë e vogël.

    “Gruaja që deshe” mund të lexohet edhe si “Romani që deshe”, ndërsa shtresat kuptimore ngatërrohen, me qëllim e ndonjëherë edhe pa qëllim. Është një lexim i lirshëm dhe frymëzues. Mund të quhej dhe “Romani që deshe”, por edhe “Romani që nuk e lexuam dot”, “Romanet që i lamë në mes”, “Romanet që nuk u shkruan kurrë”. Një lexim, i cili atyre që e kanë leximin mënyrë jetese, ua lehtëson paksa barrën dhe presionin për sensacionin e radhës. Po, ka mundësi që gjërat të mos jenë gjithnjë dramatike. Ndonjëherë jeta mund të jetë e lehtë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË