Me një mikun tim vendosëm t’i bëjmë një vizitë në shtëpi Marina Marinovës. Ai, për arsye pune, e kishte njohur prej kohësh, qysh në vitet ’60, si mike të Shqipërisë dhe si përkthyese të letërsisë shqipe në bullgarisht, dhe ishte takuar disa herë me të. Edhe unë e kisha njohur prej kohësh si përkthyese, por tani do ta takoja sy më sy për herë të parë.
Emrin e saj e pata hasur sefte më 1960, falë një përkthimi në gjuhën bullgare nga letërsia shqipe: përmbledhja me poezi e proza të Migjenit Këngë e dhimbës krenare (Pésen na górdata bóllka), një titull i vënë prej botuesve në stilin e kohës (Shtëpia Botuese “Naródna kultúra”, Sofie, 1958), me proza të Migjenit të përkthyera prej saj dhe me poezi të përkthyera prej poetit të njohur Marko Gánçev.1 Përkthimin e fundit të saj e pata gjetur në Veliko Tërnovo, më 2004: Ismail Kadare, Legjenda e legjendave (Legénda na legéndite, Shtëpitë Botuese “Stigmati” dhe “Zhanet 45”, f. 179, 2003), me përsiatjet publicistike të autorit, të botuar në shtypin shqiptar në mesin e viteve ’90. Një vit më pas, më 2005, do të ndeshesha me botimet e fundit të bibliografisë saj të pasur me përkthime nga letërsia shqipe.
Mes këtyre dy datave (1958-2005) janë mbi 45 vjet, afro një gjysëm shekulli përkthimesh të Marina Marinovës, tashmë një raft i plotë e një bibliotekë e tërë e letërsisë shqipe në bullgarisht, prej dhjetëra autorësh e veprash të përzgjedhura prej saj.
Kur lexova më 1960 Migjenin në bullgarisht, nuk e dija se ky ishte përkthimi i parë i një përkthyeseje të re, që kishte studjuar gjuhën shqipe vitet e fundit. Përkthimi më entuziazmoi dhe pata kënaqësinë që ende student, në tetor 1961, në numrin jubilar të gazetës “Drita” kushtuar 50-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh, më botuan një shkrim për të. Ndërkaq, informacionin për librin Legjenda e legjendave të Kadaresë e pata marrë nga një anketë e gazetës letrare të Sofies Literatúren véstnik (“Gazeta letrare”). Në anketën, që kjo gazetë botonte në numrat e fundit të vitit 2003 dhe në numrat e parë të vitit 2004, hasa edhe Legjendën e legjendave, në rubrikën e titujve më të pëlqyer nga përkthimet e botuara atë vit në Bullgari. Titulli nuk më thoshte asgjë dhe, kur e gjeta në qytetin e Veliko Tërnovos, pashë se ishte publicistikë, nga ajo që autori ka botuar mjaft në vitet ’90. Po atë vit i qe botuar nga Sh. B. “Ballkani” një tjetër vepër e Kadaresë: Eskili – ky humbës i madh. Më vonë mësova se, nga e njëjta përkthyese, kishin dalë ose pritej të dilnin nga shtypi edhe dy libra të tjerë autorësh shqiptarë.
Me që ra fjala, në parathënien e saj për „Eskilin…“ (bullg. „Es’hill – tózi goljám nesrétnik“), ajo ndalet edhe te vitet e saj si studente në Tiranë, të cilët pjesërisht përkojnë me ato të studentit Ismail Kadare.
„Në vitin e fundit të studimeve të mija në Tiranë, – shkruan ajo, – si student i vitit të parë në specialitetin e letërsisë shqipe erdhi Ismail Kadare. Asokohe katedrat e ndryshme në Shqipëri ishin me nga 20 studentë dhe të gjithë njiheshim me njëri-tjetrin (fjala është për gjysmën e dytë të viteve ’50). Vetëkuptohet, shokët e mij të kursit nuk vonuan të ma bëjnë me dije se ky student i vitit të parë ishte një poet shumë i talentuar, i cili tashmë kishte botuar edhe një vëllim me poezi. Por kjo nuk më la ndonjë përshtypje, sepse tashmë kisha njohje të mjaftueshme dhe e dija se poezia shqipe ka tradita shekullore dhe poetë të pashoq, kurse proza është krahasimisht më e re. Me siguri për këtë arsye nuk shfaqa ndonjë kureshtje të veçantë, sepse një ndër tre studentë të kursit tonë shkruanin poezi. Nga ana e tij, edhe Ismail Kadare, në dukje fort serioz dhe i ndrydhur thellë në vetvete, nuk shfaqte ndonjë interes për t’u njohur me grupin simbolik të studentëve të huaj, të përbërë prej tre rumunësh, dy koreanësh dhe një bullgareje.
Gjatë gjithë vitit nuk e pashë as edhe një herë që ta kalonte kohën me muhabete ose shakara me bashkëstudentët nëpër koridore dhe, edhe pse nuk qemë njohur personalisht me njëri-tjetrin, ky student më mbeti i ngulur në kujtesë, me fytyrën e tij të frymëzuar e me syzet me dioptri të lartë, si një djalosh fort serioz e i zhytur thellë në mendime. Natyrisht, atëhere as më shkonte ndër mend, pavarësisht nga interesimi im i theksuar për letërsinë, se, duke u kthyer në Bullgari, krahas përdorimit të gjuhës shqipe në institucione e organe shtetërore të ndryshme, do të merrja edhe udhën e përkthyeses së letërsisë artistike. Por‚ “ku dihen udhët e Zotit“, sepse nuk kaluan as dhjetë vjet dhe unë paraqita, për herë të parë jashtë kufijve të Shqipërisë, prozën e Ismail Kadaresë me romanin „Gjenerali i ushtrisë së vdekur“. (Marina Marinova, „Ismail Kadare, i vështruar në prizmin e kohës dhe të bashkësisë ballkanike“, në „Es’hill – tozi goljam nesretnik“, „Ballkani“, Sofia, 2003, ff. 10-11).
… Apartamenti i saj ndodhej në një pallat tipik të periudhës së socializmit, ende me 4-5 kate, me shkallë me pllaka të ngjashme me tonat e dikurshme, që tashmë dukej i vjetëruar në sfondin e ndërtimeve të reja të larta të Sofies së këtyre viteve. Nuk e pata vështirë të orientohem. Ishte vetëm katër-pesë rrugë larg shtëpisë së Thoma Kacorrit, në një bllok pallatesh ndërmjet bulevardeve „Skobelev“ dhe „Penço Sllavejkov“.
– U lodhët pak në të ngjitur, – qenë fjalët e para. Ajo e dinte se miku im e kishte të vështirë paksa nga shëndeti. Apartamenti ndodhej në katin e katërt.
Para meje kisha një grua të shkurtër, të imët, brune, me sy të zez të shndritshëm, në moshë, por ende me shenjat e asaj bukurie rinore, të kohës studentore e më pas, që miku im më kishte rrëfyer rrugës për këtu. Do imtësi të jetës së saj tashmë i dija prej tij: Ishte lindur më 1931 në qytetin verilindor Shumen, në një familje mësuesish. Nga viti 1936 familja ishte shpërngulur në Sofie dhe aty kishte kryer shkollën e mesme. Pas martesës, më 1953 vjen me të shoqin specialist bonifikimesh në Shqipëri. Nuk e kishte bjerrë kohën, por menjëherë ishte regjistruar studente dhe më 1957 ishte diplomuar për gjuhë, letërsi e histori shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Pas kthimit në Bullgari, ajo vazhdon të jetë e lidhur me Shqipërinë në punë, në institucione të ndryshme: në Komitetin për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme, këshilltare për shkëmbimet kulturore me Shqipërinë, përkthyese në ambasadë në Tiranë (1969), në një institut për politikën e jashtme dhe në seksionin shqip të Radio Sofies (1977) derisa del në pension (1986).
– Të falem nderit për artikullin, që ke botuar për mua në Tiranë. Ma kërkoi ta përktheja dhe e ka botuar „Ballkánika“ në një nga numrat e fundit, – m’u drejtua mua menjëherë, ndërsa miku im Llukan Tase nxirrte nga çanta ç’libra kishte sjellë për të nga Shqipëria. Para një viti pata botuar në një gazetë të re letrare të Tiranës („Temp“, 27. 02. 2005, f. 5) një artikull, më fort informativ, për ndihmesën e saj në përkthimin e letërsisë shqipe në bullgarisht dhe në popullarizimin e kulturës shqiptare, dhe qysh në titull pata vënë emrin e saj: Marina Marinova – përkthyese e shquar e letërsisë shqipe në gjuhën bullgare. Ishte gëzuar, që ia kishte botuar revista letrare e Sofies „Ballkánika“, e fondacionit me të njëjtin emër.
Ndërsa miku im zuri të molloisë me të për kohët e vjetra, kur ajo punonte si përkthyese në një Komitet Ballkanik, e njëkohësisht vazhdonte të ndiqte me interes botimet nga letërsia shqipe, syri më zuri në bibliotekën e saj gjithë morinë e librave shqip të dyzet e kusur vjetëve. Për pak çaste e ndala vështrimin te makina e shkrimit e kohës së hershme, e cila, sikundër e merr me mend çdo përkthyes, kishte qenë mik i ngushtë i saj. Pastaj i kujtova se përkthimin e „Gjeneralit të ushtrisë së vdekur“ të Kadaresë ia kisha lexuar herët, qysh me botimin më 1966. Iu bë qejfi: botimi në bullgarisht është i pari në gjuhë të huaj i romanit të shquar të autorit. Natyrisht, fjala ra edhe për botimin në bullgarisht të Migjenit, në vitin e largët 1958.
– Me Migjenin Marina ka qenë e lidhur shpirtërisht, qysh kur ishte studente në Tiranë, – mu drejtua mua miku im. Dhe menjëherë iu kthye zonjës së shtëpisë. – Nuk ma ke treguar se asokohe ke shkuar në Shkodër kastile, për të vizituar varrin e Migjenit, pak kohë pas vitit 1956, kur shteti ia solli eshtrat nga Torre Peliçe, Itali, ku ai pati vdekur në 1938. Dhe i ke vënë edhe një tufë lulesh në varr.
Marina u step për një sekondë, sa për të sjellë në kujtesë atë episod. Iu kujtua menjëherë sapo u përmend shoqëruesi i saj dhe i të shoqit, një inxhinier shqiptar. Të tre patën vajtur në Shkodër. Inxhinierin shqiptar e pata njohur edhe unë qysh në vitet ’50. Na kishte rrëfyer si kishin vajtur në Shkodër me makinën e ndërmarrjes së bonifikimit, ku punonte si këshilltar i shoqi. Me ndihmën e rojes së varrezave kishin vajtur te varri. Marina kishte vënë tufën e luleve dhe kishte qëndruar gjatë në heshtje. Inxhinierët qenë mahnitur me adhurimin e saj për Migjenin qysh në vitet studentore. Më pas, vite më vonë, kur binte fjala me inxhinierin shqiptar për këtë episod, të dy ndaleshim te lidhja shpirtërore e përkthyeses së re me autorin e përkthyer. Për Marina Marinovën, përkthimi ishte edhe një punë shpirtërore.
Lidhja shpirtërore me Shqipërinë dhe letërsinë shqipe ishte një lidhje proverbiale, jo e rastësishme, tek e cila kjo grua fisnike, përveç kënaqësisë estetike nga përkthimi letrar si krijim artistik, kishte gjetur edhe mbështetje për të kapërcyer ndeshtrashat e jetës vetjake e familjare, të cilat nuk kishin qenë të pakta. Pavarësisht nga ndërprerja, për arsye që dihen, edhe e marrëdhënieve kulturore ndërmjet dy vendeve për rreth 25 vjet, biblioteka e saj kishte vijuar të gjallonte nga libri shqip, fizarmonika të luante muzikë popullore shqiptare, bufeja në aneks të mbante shishe me vaj ulliri të markës shqiptare. Këto – libri, muzika, pema e ullirit, (që dihet se nuk bëhet në Bullgari), kishin mbetur simbole të lidhjes shpirtërore në fjalë. Për këto u binda kur, si vizitor për herë të parë, m’i dëftente me krenari librat shqip të përkthyer apo të papërkthyer prej saj në bullgarisht dhe disa botime muzikore nga Shqipëria, ndërkohë që ulliri dukej vetë, edhe pa u rrëfyer prej saj, në shishet e vajit prapa xhamave të bufesë së aneksit.
Miku im e kishte pjekur Marinën në Sofie përsëri, për herë të parë pas 30 vjetësh, më 1996. Ajo vetëm libra i kishte kërkuar. Shoh se këtë porosi ia kishte plotësuar edhe kësaj radhe – mbi tavolinë ishin një stivë librash shqip të sapo nxjerrë nga çanta. Dhe natyrisht, vaj ulliri i virgjër markash të ndryshme nga ullishtat shqiptare…
Puna rreth 45-vjeçare e Marina Marinovës përmbledh një numër të mirë veprash të botuara në libra më vete; dhjetra përkthime të tjera të botuara në organe letrare; një numër paraqitjesh të shkurtra, materialesh e panoramash për letërsinë shqipe, – fryt i ndjekjes sistematike dhe i studimit të burimeve shqiptare – të gjitha në të mirë të njohjes së lexuesit të vendit të vet me letërsinë shqipe.
Bibliografia e përkthimeve të Marinovës përfshin rreth 20 tituj librash, nga Migjeni, I. Kadare, R. Qosja, D. Agolli, M. Kallamata, B. Mustafaj. Një numër më i madh autorësh të tjerë të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX janë botuar në përmbledhje me tregime e novela, si N. Bulka, Dh. S. Shuteriqi, Sh. Musaraj, Q. Buxheli, Dh. Xhuvani, T. Laço, A. Abdihoxha, S. Andoni, F. Arapi, D. Shapllo, N. Lera, Z. Çela, N. Prifti etj. Ndër përmbledhjet janë Muzgu blu i mbrëmjes (Sinkávijat zdraç na veçertá, 1985), Kush e solli Doruntinën (bashkë me Prilli i thyer dhe Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, 1989), Kamarja e turpit (bashkë me Ura me tri harqe dhe Komisioni i festës, 1990). Përkthimi i romanit Kronikë në gur i është botuar më 1975. Ndërkaq, një numër veprash dhe autorësh kanë zënë vend në panoramat letrare me raste veprimtarish kulturore apo në rubrikat e posaçme në revista letrare, ku, përveç autorëve të sipërpërmendur, gjejmë të përkthyer edhe Naim Frashërin (me “Bagëti e bujqësi” dhe “Histori e Skënderbeut”), N. Mjedën, L. Poradecin, M. Kutelin, J. Xoxën, M. Camajn, Gj. Zhejin, N. Lakon, etj. Në revistën “Ballkan Media”, për shembull, Marinova ka vijuar si bashkëpunëtore qysh nga krijimi i saj më 1994. Kjo është një revistë me tirazh tri herë më të madh në gjuhën angleze dhe shpërndahet në të gjithë botën. Në numrin e posaçëm për letërsinë ballkanike (2001) u përfshinë portrete autorësh dhe vështrime për letërsinë dhe kinematografinë shqiptare. Në revista të tjera Marinova, përveç përkthimeve, ka dhënë edhe njoftime për autorë shqiptarë nga Kosova e nga diaspora. Në vëllimin VI të botimit të akademisë “Marin Drinov” në Sofie për letërsinë ballkanike, letërsia shqipe e përkthyer në Bullgari paraqitet nëpërmjet një vështrimi panoramik si dhe me tetë artikuj të veçantë për libra të përkthyer gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Bibliografia e përkthimeve nga shqipja të M. Marinovës, edhe pse nis në fundin e viteve ’50, në pjesën më të madhe është e viteve ’80 dhe vijon edhe pas vitit 1990. Në vitet ’60-’70, për arsye jashtëkulturore, përkthimet janë me dendësi më të ulët. Megjithatë, pikërisht në këtë periudhë kam patur rastin të rilexoj në bullgarisht dy nga kryeveprat e letërsisë shqipe të periudhës, Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo. Kam ndjerë kënaqësi të dyfishtë, nga vetë veprat dhe nga përkthimi. Kjo e dyta e ka burimin tek dy merita të përkthyeses: nga njëra anë, ajo ka kapur në thellësi mendimin e porosinë e veprave bashkë me kodet artistike të origjinalit dhe, nga ana tjetër, i ka dhënë me bukurinë e pasurinë e gjuhës në të cilën i ka përkthyer. Zyloja… ishte një përkthim që, veç tjerash, vinte bukur edhe nga ndjesia e aktualitetit në të dy vendet, kurse Gjenerali… edhe nga origjinaliteti shumëdimensional, por të dy bashkë dëshmonin një nuhatje të hollë të përkthyeses për modernen e njëmendët të një letërsie kombëtare tjetër e, bashkë me të, edhe për nuhatjen e domosdoshme ndaj letërsisë së mirë.
Pas suksesit të Zylos… ajo përkthen Njeriun me top (1981) si dhe një përmbledhje me tregime të dhjetë autorëve shqiptarë (1985). Koncert në fund të dimrit i I. Kadaresë i është botuar më 1992.
Nuk reshti së përkthyeri letërsi shqipe edhe pasi kishte kaluar të shtatëdhjetat.
Më 1981, në 50-vjetorin e lindjes, Marinova u dekorua me urdhrin e lartë bullgar “Kirili e Metodi”. Më 1989 u nderua me çmimin e parë për përmbledhjen Kush e solli Doruntinën (bashkë me Prilli i thyer dhe Nëpunësi i pallatit të ëndrrave), si përkthimi më mirë i vitit në Bullgari (Sh. B. „Hristo Danov“). Më 1995, për punën shumëvjeçare si përkthyese, u nderua me Dekoratën e Nderit të klasit të parë.
… Me Marinovën u takova përsëri, kësaj here në Tiranë, në maj 2005. Në sallën e Muzeut Kombëtar të mbushur plot me njerëz të artit e të kulturës, asaj do t’i dorëzohej “Medalja e Mirënjohjes” me të cilën, me nismën e Shoqatës „Miqtë e Bullgarisë“, e kishte nderuar Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Kënaqësi të madhe ndjeu edhe nga takimi me autorët shqiptarë, që kishte përkthyer dhe nuk kishte patur rastin të piqej me ta. Po edhe nga qëndrimi disaditor plot emocione në Tiranë, ku dikur pati kaluar vite të rinisë, kohë kur i kishte gjalluar dashuria për këtë vend, për gjuhën dhe letërsinë shqipe – me të cilën jetoi derisa dha frymën e fundit para dhjetë vjetësh, më 2014.
– Në Tiranë po më dukesh më e re e më energjike se në Sofie, kur u takuam për herë të parë, – i thashë në një moment heshtjeje, në barin e një hoteli te Rruga e Kavajës, ku ishte organizuar një takim me të.
Dy pika lotësh, nga emocioni, nuk e lanë të fliste.
Pamja e atyre lotëve më ka mbetur e pashlyer në përfytyrimin tim për të.
Përndryshe, ajo gjallon plot energji edhe sot e kësaj dite në mijëra faqet e përkthyera prej saj nga letërsia shqipe.
Gjallon edhe sot, kur nuk është më, në atë apartamentin e thjeshtë, në rrugën “Ivan Rilski” të Sofies, ku e takova për herë të parë.
_________________
1. Marko Gánçevin nuk e kam takuar ndonjëherë, përveçse në lexime të poezisë dhe publicistikës së tij. Megjithatë, e shoh të udhës të shtoj disa rreshta për të, me që është përkthyes i poezisë së Migjenit, me përkthime të botuara në të njëjtin libër me përkthimet e prozës nga Marina Marinova, por edhe për arsye të tjera.
I lindur në fshatin Marça, sot pjesë e qytetit Drjanovo, më 13 shkurt 1932, ai zuri të shkruajë e të botojë si student qysh në fillim të viteve ’50. Mbasi kreu studimet për filologji bullgare, Bashkimi i Shkrimtarëve të Bullgarisë e sjell në Tiranë për të mësuar shqipen e për t’u përgatitur si përkthyes i poezisë nga gjuha shqipe. Përmbledhjen e parë të veten me poezi, „Farat piqen“ („Semenáta zrjéjat“), e botoi më 1957. Në vitet ’60 punoi si drejtues në organe letrare e botuese, derisa më 1971 u përjashtua nga Partia Komuniste, sepse nuk pranoi të votojë një rezolutë kundër disidentit sovietik Aleksandër Sollzhenjicin. Vazhdoi të punojë si redaktor i thjeshtë, kurse në vitet 1989-1993 qe kryeredaktor i gazetës letrare „Literatúren Fórum“. Me vendosjen e pluralizmit, u zgjodh deputet në Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe nënshkruan Kushtetutën e re, çka shkaktoi përjashtimin nga Bashkimi i Forcave Demokratike, ku bënte pjesë. Në periudhën 1993-1999 ishte ambasador në Biellorusi e më pas vijon si shkrimtar në praktikë të lirë. Vazhdon të botojë, duke i mbetur besnik asaj poezie, që prek shqetësimet shoqërore të kohës. Sheh me sy kritik edhe realitetin e sotëm të demokracisë neoliberale në vend, i shqetësuar sidomos për dukurinë e përçarjes në popull. “Gjithmonë më ngjall zemërim, kur më quajnë disident ndaj atij totalitarizmi politik, por aq më pak kam synimin të më quajnë disident kundrejt totalitarizmit të sotëm të parasë, i cili është edhe më gjithëpërfshirës se i mëparshmi,“ thotë ai në një intervistë („Gllasove“, 30. 08. 2014).
Krijimtaria e tij letrare e gjerë përbëhet nga rreth 60 libra – poezi, satira, publicistikë, letërsi për fëmijë etj., në një periudhë mëse 60-vjeçare. Më 2012 botoi librin me kujtime „Në kërkim të brezit të humbur“ („B tȅrsene na izgúbenoto pléme“). Nuk mungojnë interesimet për letërsinë shqipe.
Në një intervistë të vitit 2015 i bënë pyetjen: “Si specialist për letërsinë shqipe, cila është përgjigja juaj, përse Ismail Kadare nuk arrin të marrë Çmimin Nobel, ndonëse është vazhdimisht ndër të nominuarit? A e njihni personalisht dhe nëse “po”, çfarë janë përshtypjet tuaja?”
Gançevi dha këtë përgjigje:
“Ismail Kadarenë sot e përkthejnë në mbarë botën. Por me siguri përkthimi i parë në gjuhë të huaj ka qenë i imi, i një vjershe, kur ai ishte ende poet i ri, i panjohur për kërkënd. Në kohën e qëndrimit tim në Shqipëri ai ishte student në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë, ku kishte miqësi me Dimo Boljárovin. Nuk më kujtohet në e shquaja mes tufës së letrarëve të rinj të Tiranës, të entuziazmuar nga shpresat e përtëritjes hrushoviane. Më kujtohet sesi shkrimtari i moshuar dhe popullor asokohe në Shqipëri Sterjo Spasse, i cili fliste në dialekt maqedonas, kuturiste me guxim dhe merak t’ua ndalte shpërthimet e tyre të mendimit të lirë: “Mosni kështu, bre djema, se do ta prishni punën” (“Nedéjte taká, be decá, ke ja obȅrkate rábotata”). Për mua, para së gjithash, e rëndësishme qe atëhere, se poezia e tij ishte e bukur, fliste për pushkën si vazhdim të shtyllës kurrizore të shqiptarit. Me Kadarenë jam takuar kur tashmë qe bërë shkrimtar botëror, në një panair libri në Bordó, ku hodhëm nga një teke konjak në kujtim të mikut tonë të përbashkët Dimo Boljárov.
Sa i përket faktit se gjithmonë e nominojnë për çmimin Nobel, e megjithatë nuk ia japin, nuk e di përse. Nuk do të jetë nga mospërfillja për Shqipërinë, përderisa nuk e kanë shpërfillur Nigerinë. Lidhur me këto çmime, gjurmët e mpleksjes së ngatërruar të kërkesave politike dhe estetike nuk mund të kapen. Mbase do forca kundërshtare i kanë gjetur vjegën, se në disa nga romanet e tij, të botuar në Shqipëri në periudhën e Enver Hoxhës, prapseprap ka edhe truke konformiste. Aq sa e dijmë përse nuk ia kanë dhënë Bagrjanës ose Radiçkovit2, aq do ta dijmë edhe këtë. Deri atëhere do të ngushëllohemi me aforizmin e Bernard Shout, që e fal Alfred Nobelin për dinamitin, por jo për Çmimin.” (Nga intervista me shkrimtarin dhe publicistin Dejan Enev, Portali “Kultura”, 16. 07. 2015).
2. Elisaveta Bagrjána dhe Jordan Radíçkov – shkrimtarë të shquar bullgarë të shek. XX. (Shën. ynë).