Romancieri nga Zanzibari bëhet shkrimtari i parë afrikan me ngjyrë në 35 vjet që fiton këtë çmim prestigjioz
Çmimi Nobel në letërsi i është dhënë romancierit Abdulrazak Gurnah, për “depërtimin e tij të pakompromis dhe përdëllyes në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatëve në hendekun midis kulturave dhe kontinenteve”.
Gurnah u rrit në një nga ishujt e Zanzibarit, para se t’i arratisej persekutimit dhe të arrinte në Angli si student në vitet ’60. Ai ka botuar 10 romane, si dhe disa tregime të shkurtra. Anders Olsson, kryetar i komitetit të Nobelit, tha se romanet e Gurnah-it – nga debutimi Memory of Departchure, për një kryengritje të dështuar, te më e fundit, Afterlives – tërhiqen nga përshkrimet stereotipike dhe na hapin vështrimin për te një Afrikë Lindore me kultura të shumëllojshme dhe të panjohur nga shumë anë të botës.
Asnjë shkrimtar afrikan me ngjyrë nuk e ka fituar këtë çmim që nga Wole Soyinka në vitin 1986. Gurnah është shkrimtari i parë me ngjyrë që ka fituar, që nga Toni Morrison në vitin 1993.
Romani i katërt i Gurnah-it, Paradise, ishte finalist te Booker Prize në vitin 1994, dhe i gjashti, By the Sea, ishte në listën e gjatë në vitin 2001. Olsson tha se Paradise “kishte referencë të dukshme nga Joseph Conrad në portretizimin e udhëtimit për në zemrën e errësirës të heroit të ri e të pafajshëm Yusuf”.
“[Gurnah] ka penetruar vazhdimisht dhe me dhembshuri të madhe efektet e kolonizimit në Afrikën Lindore dhe efektet e tij në jetët e individëve të çrrënjosur dhe në migrim”, – u tha Olsson gazetarëve në Stokholm.
Gurnah, i cili ishte në kuzhinë kur u informua për fitoren e tij, nuk besonte se kjo ishte e vërtetë.
“Mendova se ishte një rreng”, – tha ai. – “Këto gjëra zakonisht dalin javë përpara, ndonjëherë edhe muaj të tërë përpara, mbi finalistët, kështu që nuk ishte diçka që ishte në mendjen time. Thjesht po mendoja: kush do ta marrë?”
“Jam i nderuar që po e marr këtë çmim dhe që u bashkohem shkrimtarëve që më kanë paraprirë në këtë listë. Është trallisëse dhe jam shumë krenar”.
Botuesja e tij prej kohësh te Bloomsbury, Alexandra Pringle, tha që fitorja e Gurnah-it ishte “shumë e merituar” për një shkrimtar që nuk ka marrë vlerësimin që duhej.
“Ai është një nga shkrimtarët afrikanë më të mëdhenj bashkëkohorë dhe askush nuk e ka vënë re, dhe kjo më mundonte shumë. Kam bërë një podcast për të javën e kaluar dhe në të thosha se ai ishte një nga njerëzit që thjesht është injoruar. Dhe tani ndodhi kjo”, – tha ajo.
Pringle tha që Gurnah gjithmonë ka shkruar për zhvendosjen, “por në mënyrat më të bukura e më përhumbëse mbi atë që i çrrënjos njerëzit dhe i fryn nëpër kontinente të tjera”.
“Nuk është gjithmonë kërkim azili, mund të jenë shumë arsye, mund të jetë tregti, edukim, dashuri”, – tha ajo. – “Një nga romanet e para që mora prej tij te Bloomsbury quhet By the Sea dhe ka një imazh përhumbës të një burri tek aeroporti Heathrow me një kuti temjani të gdhendur, dhe vetëm kaq ka. Ai arrin dhe thotë një fjalë, që është ‘azil’”.
Pringle thotë që Gurnah është një shkrimtar po aq i rëndësishëm sa Chinua Achebe. “Shkrimi i tij është veçanërisht i bukur dhe serioz dhe gjithashtu humoristik dhe i butë e i ndjeshëm. Është një shkrimtar i jashtëzakonshëm që shkruan për gjëra shumë të rëndësishme”.
Afterlives, botuar vitin e kaluar, tregon historinë e Ilyas, i cili ishte rrëmbyer nga prindërit e tij prej trupave koloniale gjermane kur ishte djalë dhe kthehet te fshati i tij vite më vonë për të luftuar kundër popullit të tij. U përshkrua nga The Guardian si “një roman bindës, që mbledh të gjithë ata që duhet të ishin të harruar, dhe refuzon fshirjen e tyre”.
“Në universin letrar të Gurnah-it çdo gjë ndryshon – kujtimet, emrat, identitetet. Kjo ndoshta sepse projekti i tij nuk e arrin plotësimin në një sens përfundimtar”, – tha Olsson. – “Një eksplorim i pambarimtë i udhëhequr nga pasioni intelektual është i pranishëm në të gjithë librat e tij dhe njëlloj i shquar tani tek Afterlives, sa ishte kur filloi të shkruante si një refugjat 21-vjeçar”.
Maya Jaggi, kritike dhe gjykuese e Costa Prize 2021, tha: “Gurnah, të cilin e intervistova fillimisht për The Guardian në vitin 1994, është një shkrimtar i fuqishëm dhe detajist, lirizmi eliptik i të cilit kundërshton heshtjet dhe mashtrimet e historisë imperiale të imponuara që kur ishte fëmijë në Afrikën Lindore. Vepra e tij e brishtë është po aq e fuqishme për të metat brutale të kulturës tregtare që la, sa dhe mizoritë e kolonizimit britanik dhe gjerman, së paku jo gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe “aktet e zakonshme të terrorit” që përjetoi si një njeri me ngjyrë në Britani – duke i shndërruar këto në një triumf komik në romanin e vitit 1988, Pilgrims Way.
Gurnah u lind në vitin 1948, u rrit në Zanzibar. Kur Zanzibari kaloi një revolucion në vitin 1964, qytetarët me origjinë arabe u persekutuan dhe Gurnah u detyra të largohej nga vendi kur ishte 18 vjeç. Ai filloi të shkruante kur ishte refugjat 21-vjeçar në Angli, duke zgjedhur të shkruante në anglisht, edhe pse suahilishtja ishte gjuha e tij e parë. Romani i tij i parë, Memory of Departure, u botua në vitin 1987. Deri vonë ai ka qenë profesor i anglishtes dhe letërsisë postkoloniale në Universitetin e Kent-it, derisa doli në pension.
Me vlerë 10 milionë krona suedeze, çmimi Nobel për letërsinë i shkon shkrimtarit që konsiderohet të jetë, sipas fjalëve të testamentit të Alfred Nobel, “personi që do të ketë prodhuar në fushën e letërsisë veprën më të shquar në një drejtim ideal”. Fituesit kanë variuar nga Bob Dylan, cituar për “krijimin e shprehive poetike të reja në traditat e këngëve të mëdha amerikane”, te Kazuo Ishiguro “i cili, në romane me forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën poshtë ndjesive iluzore të lidhjes me botën”. Sipas Ellen Mattson, e cila bën pjesë në Akademinë Suedeze dhe komitetin e Nobelit: “Meritë letrarë. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi.”
Fituesi i Nobelit zgjidhet nga 18 anëtarët e Akademisë Suedezë – organizatë madhështore dhe misterioze që ka bërë përpjekje që të bëhet më transparente pasi u sulmua për një abuzim seksual dhe skandal keqpërdorimi financiar në vitin 2017. Çmimi i vitit të kaluar iu dha poetes amerikane Louise Glück – një zgjedhje jokontroversiale pas zhurmës të provokuar nga fitorja e shkrimtarit austriak Peter Handke në vitin 2019. Handke ka mohuar gjenocidin e Srebrenicës dhe që ka marrë pjesë te funerali i kriminelit të luftës Slobodan Milosevic.
Çmimi Nobel për letërsinë është dhënë 118 herë. Vetëm 16 çmime u janë dhënë grave, shtatë prej tyre në shekullin XXI. Në vitin 2019, Akademia Suedeze premtoi se çmimi do të ishte më pak “i orientuar drejt meshkujve” dhe “eurocentrik”, por vazhdoi t’ua japë dy çmimet e radhës dy europianëve, Handke dhe shkrimtares polake Olga Tokarczuk.
Marrë nga The Guardian
Përktheu E.H.