More
    KreuOpinionA ka patur një armiqësi letrare William Faulkner - Ernest Hemingway?

    A ka patur një armiqësi letrare William Faulkner – Ernest Hemingway?

    Nga Haley Bracken

    Në Prill 1947 Uiljam Folkneri u ftua në Universitetin e Misisipit. Gjatë një seance me pyetje dhe përgjigje në një orë të shkrimit krijues, Folknerit iu kërkua të përcaktojë  “pesë shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë”. Ai renditi (sipas radhës) romancierët amerikanë Tomas Vulf, (Thomas Wolfe) Xhon Dos Pasos, Ernest Heminguej, Uilla Kather dhe Xhon Stajnbek. Kur iu kërkua të rendiste veten midis bashkëkohësve të tij, Folkneri u përgjigj:

    1. Tomas Vulf: ishte shumë i guximshëm dhe shkruante sikur s’kishte kohë të mjaftueshme për të jetuar;

    2. Uiljam Faulkner;

    3. Dos Pasos;

    4. Ernest Heminguej: ai s’ka guxim, s’ka rrezikuar kurrë të dalë kundër rrymës. Nuk njihet nga ata autorë që përdor një fjalë për të cilën lexuesi detyrohet të marrë fjalorin për ta parë nëse është përdorur si duhet;

    5. Xhon Stajnbek: dikur kam pasur shumë shpresë tek ai – tani s’e di.

    Tërheq vëmendjen fakti se Folkneri e vendosi veten të parin midis shkrimtarëve të gjallë. Në kohën e renditjes së këtyre shkrimtarëve, Vulf kishte vdekur para gati nëntë vjetësh. Përgjigjet e Folknerit u mbajtën shënim dhe u botuan. Marvin Black, drejtori i marrëdhënieve me publikun për Universitetin e Misisipit, bëri publik një njoftim për shtyp duke përmbledhur komentet e Folknerit ku përfshiu edhe mëtimin se Heminguej “s’ka guxim, s’ka rrezikuar kurrë të dalë kundër rrymës”. Njoftimi për shtyp u botua në Herald Tribune, në maj 1947.

    Është e paqartë nëse Folkneri synonte që komentet e tij të ishin provokuese. (Atij i ishte thënë që studentët s’do të lejoheshin të mbanin shënime dhe se profesorët s’do të ishin të pranishëm gjatë seancës së pyetjeve dhe përgjigjeve.) Pavarësisht, konkurencës së jashtëzakonshme, Hemingueji s’mund ta linte pa koment. Duke iu përgjigjur një versioni të perifrazuar të komenteve të Folknerit thuhet se u përgjigj: “I shkreti Folkner. Vërtet mendon se emocionet e mëdha jepen me fjalë të mëdha? Mendon se s’i di fjalët që s’vlejnë një grosh? I njoh mirë. Por ka fjalë më të vjetra, më të thjeshta dhe më të mira, dhe janë ato që unë përdor. Ai më tejla të nënkuptohej seFolkneri ishte alkoolik, talenti i të cilit kishte humbur vetëdijen”.

    Ky shkëmbim i hidhur komentesh nuk ishte as fillimi dhe as fundi i polemikës Folkner-Heminguej. Marrëdhënia e tyre prej më shumë se tridhjetë vjetësh u karakterizua nga konkurrenca, krahasimi dhe kritikat. Megjithëse e pranuan respektin për njëri-tjetrin, sidoqoftë nguruan në lëvdata. Për pjesën më të madhe të marrëdhënies së tyre, Folkneri dhe Hemingueji s’kanë komunikuar asnjëherë drejtpërdrejt mes tyre. Ka gjasa të jenë takuar vetëm një herë, diku midis 14 nëntorit 1931 dhe 4 korrikut 1952. (Një artikull i Herald Tribune botuar më 14 nëntor 1931, këmbëngul se Folkneri s’e kishte takuar kurrë Heminguejn. Rreth 20 vjet më vonë, Hemingueji aludoi për një takim të vetëm me Folknerin.) Autorët bënin komente për njëri-tjetrin tërhorazi përmes shkrimtarëve dhe kritikëve të tjerë. Midis viteve 1945 dhe 1949, Hemingueji e përmendi Folknerin në të paktën tre letra drejtuar historianit letrar Malkolm Kaulli (Malcolm Cowley). Në një letër të datës 17 tetor 1945, Hemingueji linte të nënkuptohej që Folkneri s’kishte disiplinë artistike dhe shprehu dëshirën për ta “stërvitur” Ai shkroi, “[Folkneri] ka talentin më të madh se të gjithë dhe thjesht ka nevojë për një lloj ndërgjegjeje që s’është aty ku duhet… Ai qëllon drejt e në shenjë dhe pastaj vazhdon e vazhdon pa ia gjetur fundin”.

    Edhe Folkneri shkroi për Heminguejin. Kur një redaktor me përvojë në shtëpinë botuese Random House sugjeroi që Hemingueji të shkruante hyrjen e përmbledhjes me shkrime të zgjedhura “Folkneri për këdo” (The Portable Faulkner), 1946, Folkneri shprehu mosmiratimin e tij. Në një letër drejtuar redaktorit, ai shkroi: “Nuk jam dakord që t’i kërkohet Heminguejit të shkruaj parathënien. Më duket shije të keqe t’i kërkosh të shkruajë një parathënie për gjërat e mia. Është njëlloj si t’i kërkosh dikujt në mes të një gare me kuaj të bëj komente për një kalë tjetër në të njëjtën fushë vrapimi”. Në fund, hyrjen e shkroi Kaulli.

    Pasi komentet e Folknerit dolën në Herald Tribune në maj 1947, autorët shkëmbyen letra të shkrutra. Folkneri sqaroi se s’e kishte vënë në dyshim guximin e Heminguejit si njeri, por vetëm si artist. Ai i rrëfeu “Vëllait H” se komentet “ishin nga ato gjërat e parëndësishme që thuhen pa u menduar shumë kur je duke folur, një ide e mjegullt pa asnjë vlerë, që ti e teston duke e thënë”. Në përgjigjet e veta, Heminguej kërkoi falje për reagimin dhe tregoi se ai do të ishte i hapur për më shumë kritika konstruktive të Folknerit. Megjithëse romani i tij Për kë bien këmbanat (1940) “ndoshta do t’ia sillte në majë të hundës duke e detyruar [Faulkner-in] ta rilexojë”, Hemingueji do të donte dinte se çfarë mendonte Folkneri për të, “si [një] vëlla”. Ai kërkoi që ata “të vazhdojnë të shkruajnë”.

    Folkneri dhe Hemnigueji nuk e vazhduan letërkëmbimin. Incidenti i Herald Tribune shënoi fillimin e asaj që ishte periudha më e tensionuar në marrëdhëniet e tyre.  Kur Folknerit iu kërkua më 1952 të shkruante një recensë të romanit të “Plaku dhe deti” të Heminguejt, ai nuk pranoi. Megjithatë, kur disa muaj më vonë ai mori të njëjtën kërkesë nga një revistë letrare e universitetit të Uashingtonit, Faulkner u tërhoq, duke e lavdëruar me kujdes romanin në një recensë një paragraf të gjatë që mund ta lexoni këtu:

    Më i miri i tij. Koha mund të tregojë se është proza më e mire, unike, ndër të gjithë ne, dua të them ndër bashkëkohësit e tij dhe të mi. Këtë herë, ai zbuloi Zotin, një Krijues. Deri më tani, burrat dhe gratë e tij ishin krijuar vetë, kishin formësuar veten nga balta e tyre; fitoret dhe humbjet ishin në duart e njëri-tjetrit, vetëm për t’i provuar vetes ose tjetrit se sa të ashpër mund të ishin. Por këtë herë, ai shkruajti për mëshirën: për diçka diku që i krijoi të gjithë: për plakun që duhej të kapte peshkun dhe pastaj ta humbte, për peshkun që duhej kapur dhe më pas të ikte, për peshkaqenët që duhej t’ia rrëmbenin plakut peshkun e tij; i krijoi të gjithë, i deshi të gjithë dhe i mëshiroi të gjithë personazhdet. Kështu po. Lëvdoni Zotin që gjithçka për çfarë krijoi, dashuroi dhe mëshiroi Hemingueji dhe për atë që e pengoi të mos shtonte dhe as të mos hiqte asgjë.

    Nga viti 1947 deri në mesin e viteve 1950, Folkneri dhe Hemingueji u përfshinë në një betejë të fortë për prestigj letrar. Në 1949 Folkneri fitoi çmimin Nobel për Letërsi “për kontributin e tij të fuqishëm dhe unik artistik në romanin modern amerikan”. Hemingueji ndoqi shembullin me një Çmim Nobel të tijin më 1954, për “mjeshtërinë në artin e rrëfimit, shpërfaqur së fundmi te Plaku dhe Deti, dhe për ndikimin që ka ushtruar në stilin bashkëkohor”. Në 1953 Hemingueji fitoi një çmim Pulitzer për Plaku dhe Deti. Dy vjet më vonë Folkneri u vlerësua me çmimin Pulitzer për romanin Një Fabul (1954).

    Rivaliteti i tyre vazhdoi deri në vdekjen e Heminguejt më 2 korrik 1961. Folkneri vdiq gati një vit më vonë, më 6 korrik 1962.  Mirë apo keq, Folkneri nuk i tërhoqi asnjëherë deklaratat e bëra në Universitetin e Misisipit. Ashtu si i tha Heminguejit, ai u pendua që komentet ishin reklamuar dhe “keq cituar”, por mbrojti idenë se ai vetë ishte shkrimtari më i mirë i gjallë në mesin e shekullit të 20-të.

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË