More
    KreuOpinionA ekziston ndonjë lidhje e qenësishme mes mërzisë dhe të bërit art?

    A ekziston ndonjë lidhje e qenësishme mes mërzisë dhe të bërit art?

    Nga Beethoveni te Leonard Cohen, Susan Cain përsiat rreth melankolisë dhe kreativitetit

    Përktheu Andreas Dushi

    Në 1944, kur poeti dhe muzikanti, ikona botërore Leonard Cohen ishte nëntë vjeç, babai i vdiq. Leonardi shkroi një poezi, e futi mes palave të papijonit të parapëlqyer të të atit dhe e varrosi në kopshtin e familjes së tij në Montreal. Kjo ishte shprehja e tij e parë artistike. Kjo mund t’i ketë jehuar atij sërish e sërish përgjatë gjashtë dekadave me Grammy Lifetime Achievement Award, shkrimin e qindra vargjeve për dhembjen e zemrës, mallin dhe dashurinë.

    Cohen ishte sensual, romantik dhe xhentëlmen i njohur. Joni Mitchell e quajti njëherë “poeti boudoir”. Ai kishte një zë hipnotizues dhe një karizëm të turpshme. Por asnjëra nga historitë e tij të dashurisë nuk zgjati; si një artist ai “rronte më së miri në gjendjen e mallit” sikurse biografi i tij Sylvie Simmons vëren.

    Ndoshta dashuria e tij më e madhe ishte një bukuroshe norvegjeze e quajtur Marianne Ihlen. E takoi në ishullin grek të Hydras në 1960 ku ishte krijuar një komunitet artistik me shpirt të lirë. Cohen ishte shkrimtar atëherë. Edhe për gjashtë vite të tjera nuk mundi t’ia përngjiste muzikës poezitë e tij. Çdo mëngjes punonte në një roman dhe në darkë luante ninulla për djalin që Marianne kishte me një tjetër burrë. Ata jetonin në një harmoni tipike vendase “Ishte sikur të gjithë ishin të rinj, të bukur dhe me plot talent, mbuluar nga një lloj pluhuri i artë,” tha ai më vonë për kohën në Hydra. “Të gjithë kishin cilësi të veçanta dhe unike. Kjo ishte, me siguri, ndjenja e rinisë, por në ambientin e lavdishëm të Hydras, gjithë këto cilësi ishin zmadhuar.”

    Por Leonardi dhe Marianne duhet ta linin ishullin përfundimisht: ai për të fituar diçka për të jetuar në Kanada, ajo në Norvegji për arsye familjare. Provuan të rrinin së bashku, por nuk ja dolën ta bënin të zgjaste. Ai u zhvendos në New York City, u bë një muzikant, u fshi nga një skenë e cila kurrë s’i ishte përshtatur. “Kur jeton në Hydra,” tha më vonë, “nuk mund të jetosh asgjëkundi tjetër, përfshirë Hydran.”

    Ai vazhdoi me jetën e tij, Marianne me të sajën, por ajo frymëzoi disa nga këngët e tij më ikonike rreth braktisjes. Ato kishin tituj si “So Long, Marianne” dhe “Hey, That’s No Way to Say Goodbye”. “Janë disa njerëz që anojnë nga përshëndetja,” tha Cohen për muzikën e tij, “por unë, përkundrazi jam më shumë i lamtumirës.”

    Hiti i tij i fundit, realizuar tre javë para se të vdiste në moshën tetëdhjetedy vjeçare, titullohej “You want it darker”.

    Gjendjet e trishtuara shpirtërore priren ta formësojnë vëmendjen tonë: Ato na përqendrojnë më shumë dhe na drejtojnë nga detajet, në përmirësojnë kujtesën dhe themelet e njohjes. Edhe ata që e adhuronin punën e tij, komentonin rreth natyrës së saj të zymtë. Një nga shtëpitë e regjistrimit bënte shaka rreth zëvendësimit të brisqeve me albumet e tij. Por kjo është një mënyrë e kufizuar për të menduar për të. Ai ishte në të vërtetë një poet i errësirës dhe dritës, i “Alelujas së ftohtë e të thyer”, sikurse shkruan në këngën e tij më të njohur. Cilëndo dhimbje që s’mund ta largosh, thoshte, blatoje për kreativitetin tënd.

    A është kreativiteti i lidhur me pikëllimin dhe mallin ndërmjet disa forcave misterioze? Pyetja është shtruar prej kohësh nga studiues të kreativitetit të rastësishëm. Dhe të dhënat, (ashtu sikurse intuita e Aristotelit për mbizotërimin e melankolisë në art) thotë se përgjigjja është po. Bazuar në një studim të njohur e të hershëm të 573 liderëve të krijimtarisë nga psikologu Marvin Eisenstad, një përqindje çuditërisht e lartë e krijuesve, sikurse Cohen, kishin mbetur jetimë në fëmijëri. Njëzetepesë përqind kishin humbur të paktën njërin prind deri në 10 vjeç; tridhjetekatër deri në pesëmbëdhjetë dhe dyzetepesë deri në njëzetë.

    Studime të tjera thonë se edhe artistët, prindërit e të cilëve rrojnë deri në pleqëri, janë në mënyrë disproporcionale të prirur drejt pikëllimit. Ata që punojnë me artin kanë tetë deri në dhjetë herë më shumë mundësi të vuajnë nga çrregullime të humorit, bazuar në një studim të 1993 nga profesori i psikiatrisë në John Hopkins, Kay Redfield Jamison. Në studimin e tij mbi psikikën artistike, Tortured Artist, botuar në 2012 ku profilizohen dyzetetetë artistë nga Michelanglo te Madona, autori Christopher Zara zbuloi se historitë e jetëve të tyre ndanin një masë të caktuar dhimbjeje dhe vuajtjeje.

    Dhe në 2017, një ekonomist i quajtur Karol Jan Borowiecki botoi një studim magjepsës në The Review of Economics and Statistics të quajtur “Si je ti, Mozarti im i dashur? Mirëqenia dhe kreativiteti i tre kompozitorëve të famshëm bazuar në letrat e tyre”. Borowiecki përdori një program analitik gjuhësor për të studiuar 1400 letra të shkruara nga Mozarti, Listzi dhe Beethoveni përgjatë jetëve të tyre. Ai gjurmoi kur letrat e tyre i referoheshin emocioneve pozitive (duke përdorur fjalë si lumturi) ose atyre negative (fjalë si mjerim) dhe se si këto ndjenja lidheshin me sasinë dhe cilësinë e muzikës që ata kompozonin në atë kohë. Borowiecki zbuloi se emocionet negative të artistëve nuk ishin vetëm të ndërlidhura, por edhe parathënëse të krijimtarisë së tyre. Dhe se jo çdo emocion negativ kishte këtë ndikim. Sikurse studiuesit e muzikës kanë zbuluar se mërzia është i vetmi emocion negativ që kur kthehet në muzikë nxitet brenda nesh, Borowiecki zbuloi se ajo ishte gjithashtu “ndjenja kryesore negative që nxit krijimtarinë”.

    Në një tjetër studim intrigues, profesori në Columbia Buisness Choll, Mopude Akinola mblodhi një grup studentësh dhe mati në gjakun e tyre DHEAS, një hormon që ndihmon në mbrojtjen përballë depresionit duke sulmuar efektin e hormoneve të stresit si kortizoli. Pastaj u kërkoi studentëve të flisnin para një publiku për punën e tyre të ëndrrave. Pa e përfshirë në studim, ajo u mor vesh me publikun në të tillë mënyrë që disa nga ligjërimet t’i mbështesnin me buzëqeshje e miratime, ndërsa përballë të tjerëve të lëviznin kokën e rrudhnin vetullat.

    Mandej i pyeti studentët si ishin ndjerë. Ashtu si pritej, ata që ishin përballur me miratim ishin më në humor se të tjerët. Por u kërkoi studentëve gjithashtu të bënin një kolazh me profesionet artistike që do të donin të ndiqnin. Ata që ishin përballur me mosmiratimin e audiencës përgatitën kolazhe më të mira sesa ato të përballur me buzëqeshje. Dhe ata që kishin marrë një feedback negativ nga publiku dhe kishin nivel të ulët të DHEAS, pra studentët që ishin njëkohësisht emocionalisht të brishtë dhe vuanin refuzimin nga publiku, bënë kolazhet më të bukura.

    Studime të tjera kanë zbuluar se gjendjet e mërzitura janë të prirura ta formëzojnë vëmendjen tonë: Ato na bëjnë më të fokusuar dhe orientuar nga detajet, na përmirësojnë kujtesën, korrektojnë bazat njohëse. Për shembull, profesori i psikologjisë në Universitetin e New South Wales, Joseph Forgas zbuloi se njerëzit janë më të zotë të kujtojnë gjera që kanë parë në një dyqan gjatë një dite me re krahasuar me ditët me diell dhe se njerëzit në humor të keq (pasi iu kërkua të përqendroheshin në kujtime të trishta) kishin një kujtesë vizive më të mirë të një aksidenti me makinë sesa kur u kërkohej të mendonin për kohë të lumtura.

    Ka shumë shpjegime të mundshme, patjetër, për zbulime të tilla. Ndoshta është vëmendja e theksuar që sugjerojnë studimet e Forgasit. Ose ndoshta pengesat emocionale rrënjosin një gradë më shumë force karakteri dhe këmbëngulje, të cilën disa njerëz e aplikojnë në përpjekjet e tyre kreative; studime të tjera sugjerojnë se fatkeqësitë shkaktojnë një prirje tërheqjeje në një botë të brendshme imagjinate.

    Sido të jetë teoria, nuk duhet të bëjmë gabimin që ta shohim errësirën si katalizatorin fillestar apo të vetëm ndaj kreativitetit. Në fund të fundit, shumica e njerëzve kreativë janë tipa optimistë. Dhe studimet tregojnë gjithashtu se pulset e mprehtësisë ka më shumë gjasa të ndodhin kur jemi në humor të mirë. E dimë gjithashtu se depresioni klinik – të cilin e mendojmë si një vrimë e zezë emocionale që shuan të gjithë dritën – e vret kreativitetin. Siç i ka thënë profesori i psikiatrisë te Universiteti i Columbia revistës Atlantic, “Njërëzit krijues nuk janë krijues kur janë të depresionuar.”

    Në vend të kësaj, mund të jetë më e dobishme që ta shohim kreativitetin përmes lentës së ëmbëlsisë së hidhur – të përleshjes të njëkohësisht të errësirës dhe dritës. Nuk është dhembja e barabartë me artin. Është fakti që kreativiteti ka fuqinë ta shohë dhimbjen në sy, dhe të vendosë ta kthejë në diçka më të mirë. Siç sugjeron historia e Cohenit, kërkimi për transformimin e dhimbjes në bukuri është një nga katalizatorët më të mëdhenj të shprehjes artistike. “Ai ndihej si në shtëpi me errësirën, mënyra si shkruante, mënyra si punonte,” vuri re Sylvie Simmons. “Por në fund, e gjitha ishte për të gjetur dritën.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË