More
    KreuLetërsiShënime mbi libraYmer Çiraku: Kavafis, Poeti i sfidave estetike

    Ymer Çiraku: Kavafis, Poeti i sfidave estetike

    Poeti mjaft i njohur grek, K. P. Kavafis, i përcaktuar si ndjekës i parnasizmit dhe simbolizmit, ka lindur në Aleksandri të Egjiptit, ku jetoi tërë jetën e tij – me përjashtim të pak viteve, kur familja ishte vendosur në Angli. Nëpunës në një zyrë që merrej me problemet e ujitjes, natyrë mjaft e tërhequr, krijimet e veta nuk preferoi që t`i përfshinte në rrjetin e botimeve publike. Të përmbledhura, sigurisht në një numër relativisht të pakët krijimesh poetike, sikundër e kishte prirje të vet autori të shkruarit e kursyer, ato u botuan dy vjet pas vdekjes së tij (1935), duke u ndjekur nga një radhë botimesh e ribotimesh viteve më pas, në greqisht e në shumë gjuhë të tjera.

    Në krye të përmbledhjes poetike të K. Kavafis-it (në variantin më të fundit të përkthyer në një shqipe të begatë nga Aristotel Spiro, krahas dhe mjaft përkthimeve të tjera të kryera nëpër vite nga: N. Kacalidha, R. Çollaku, Andrea Zarballa, P. Jorgoni…), është poezia me titull Muret. Në këtë poezi, përcillet në nivel metaforik situata e vështirë, absurde e tragjike e atij njeriu, rreth të cilit, papritur, nisin të ngrihen shkallë-shkallë mure asfiksues, e ai – poeti dhe njeriu në përgjithësi, që s`i vuri dot re, që s`e pati mendjen të dëgjonte zhurmën e muratorëve, kur ata i ngrinin lart e më lart ato mure rreth tij. Dhe së fundmi, e ngritur dilema provokuese: mos vallë njeriu për nga natyra e tij i ndjell (i ndërton) vet ato mure, për të realizuar/formatuar brenda vetes instinktin e vet të vetmbylljes, vetizolimit, e pastaj shkatërrimit!? Apo është i shtyrë nga alteregoja e tij mitike për t`i provuar forcat e veta se si mund që t`i rrëzojë e të ngrihet ngashnjyes mbi ato mure?

    Pa drojë, pa mëshirë e pa kujdes

    mure të larta rrotull meje ngrenë.

    Tani këtu kam mbetur pa shpresë.

    Tjetër s`mendoj: ky fat mendjen ma bren;

    se jashtë plot gjëra kisha për të bërë.

    O, si nuk i vura re kur muret lart i çuan.

    Por zhurmën e ndërtimeve s`e ndjeva asnjëherë.

    Dhe fare papandyer prej botës më larguan.                  

    Shtrohet pyetja: ç`janë këto mure që e shigjetojnë trandshëm shpirtin e poetit? U rrethua, u pengua, por prej çfarë rrethanash nuk u mposht dot prej tyre e si mundi që t`i kapërxejë e të triumfojë mbi to, me famën e njerit prej poetëve të shquar të shek. XX?

    Brenda kësaj atelieje krijuese, ku endej në vetminë e tij poeti, e ku nuk dukeshin aspak modele aq të ngjajshme, ai krijonte vargje të çuditshme e blasfemike për nga struktura ligjërimore dhe konceptuale, pothuaj të padëgjuara deri kësaj kohe, në gjendjen tëhuajtëse të atij njeriu të mënjanuar prej të tjerëve, si i pakuptuari, i papranuari, por njëherazi edhe si i paarrituri dot prej tyre. I pakuptuari – për tejkalimin elegant mes teknikave formale të prozës e poezisë, për rrezëllitjen poetike që buronte prej atyre toneve e mjediseve depresive, të derdhura dendur në poezinë e tij.

    Në studime kritike, në përcjellje të përkthimeve, në manuale e në histori të ndryshme të letërsive, Kavafis është vlerësuar si poeti zëpërveçëm i shekullit, që konstruktoi gjeometrinë e absurdit, si poeti dekadent i poetikës së demoralizimit njerëzor dhe i funksionalizimit deri edhe të regjistrave – të ashtuquajtur më të ulët të gjuhës, duke u derdhur atyre një magji poetike mbresëlënëse.

    Krijimtaria e këtij poeti, ka një shfaqje të veçantë, e klasifikuar në tre nivele. Janë 154 poezitë e pranuara sipas vullnetit të tij, të cilat, mund t`i vlerësonim si krijime që ngrihen e kalojnë përtej mureve dhe në anën tjetër, janë ato të mohuarat dhe pastaj vijojnë më tej, ato të pabotuarat. Tematikisht, ajo poezi është parë dhe ndarë specifikisht në: poezi filozofike, hedonike (ose mirëfilli estetike) dhe historike. Kjo poezi, u mbrujt konceptualisht si një endje në universin helen dhe atë bizantin, duke kombinuar në harmoni artin e distancimit helen prej objektit me polifonizmin (shumëzërësinë) e mistikës bizantine. Kësisoj, në të kemi të shkrira: refleksionet e dendura filozofike me gjendjet e trazimeve kundërthënëse e dramatike. Pra, nga pikëvështrimi i ngjyrave poetiko-semantike, në ato krijime, ndihen të bashkëshoqëruara në harmoninë e kundërshtive, ndriçimet solare helene me transhedencën e botës bizantine.

    Dhe e gjithë kjo ngrehinë komplekse dhe e mirëmenduar (kalkuluar) poetike, i gjen referencat e veta ligjërimore tek një gjuhë e thjeshtë, e xhveshur nga shkëlqimi tradicional, e cila shfaqet pothuaj përmes kuptimeve fillestare të fjalëve, sikur të synojë që të shkojë tek rrënjët e tyre. Kjo tendencë, që në një vështrim të parë formal duket si apoetike, funksionon brenda strategjisë së një ligjërimi, që, siç e vren një kritik (K. Steriopulos), aq sa kufizon zgjedhjet, duke krijuar gjuhën e tij vetiake – aq më shumë ngjitet lart poetikisht me aplikimin e teknikave të gjuhës rrëfimtare të rrugës. Atë që konsiderohej deri atëhere si dobësi prej shijes tradicionale, poeti e ktheu në fuqi dhe burim suksesi, pikërisht duke arritur rilindjen e fjalës poetike. Përmes një leksiku bazik, me të atilla shenja gjuhësore – në nivel gati të thjeshtëzuar, të cilat kanë qarkulluar e qarkullojnë njëkohshëm tek të gjithë folësit dhe në të gjitha kohërat, ai krijon modelin e teksteve moderne, të cilat do të ndihet të zotërojnë si prirje edhe në poezinë europianë e më gjerë.

    Por le t`u kthehemi mureve, përballë të cilave u end kjo poezi e përveçme për nga modeli që përcillte. Fryma helene dhe bizantine e saj, e ngopur me filozofi, ngjarje dhe personazhe të larmishëm të atyre epokave, do të projektonte anacionalitetin, një tipar ky, që prej kohësh, nuk dukej të ishte i pranishëm në letërsinë e re greke, madje në të, vrehej e kundërta. Kavafis ishte pra, ai i ndryshmi, ose i papranuari lehtë brenda shijeve letrare e mentaliteteve të kohës. Sigurisht, kjo situatë do të bëhej më evidente edhe prej gjuhës së poezisë së tij, e cila, e refuzonte prej vetes kantilenën e poezisë me paradigma të drejtpërdrejta nacionale, që sigurisht, kishte pasur kontekstet e veta në të cilat ishte krijuar dhe përcillej prej dekada vitesh te lexuesit. Arti poetik kavafian, i pati të huaja manierat romantike dhe etnocentriste, të shfaqura aq shpesh prej poezisë së kohës, duke guxuar që të përballej kësisoj estetikisht me prestigjin autoritar – që kjo texturë poetike kishte fituar. Ai nuk ndiqte rrugën, që, prej historisë e ngjarjeve të mëdha, të zbriste pastaj tek njeriu, por në kahje të kundërt, prej individit tentonte të eksploronte gjithë botën. Dhe prej mikrobotës së Kavafi-sit, në fakt, arrihet që të depërtohet ngultazi tek makrobota, duke krijuar kështu modelin e një komunikimi poetik maksimalisht të brendshëm, të intimizuar e për rrjedhojë, në trajtë mjaft përjetuese.

    Për poetin, mure ishin tërë  tabutë dhe mitet letrare, sociale, fetare, shtetërore e morale njerëzore, të cilat, kanë aftësinë e tyre, që të krijohen e të lartësohen rreth njeriut pa u ndjerë, tinëzisht, shpesh si muzikë këndellëse, për ta kufizuar e mbytur pastaj horizontin e tij. Bjerrja e njeriut, apo edhe tundimi i tij prej pushtetit, janë gjithashtu mure mbytëse. …Prej madhështive, ruaju, o shpirt…, apelon me alarm drithëronjës poeti, duke renditur në përskaj edhe vargjet:

    Dhe nëse s`mundesh ta bësh jetën si ta kënda,

    veç për një gjë lufto të paktën

    sa mund: të mos e bdarësh…

    Aq sa muret i krijoheshin prej së jashtmi, për poetin kishte edhe nga ato mure, që ai paradoksalisht ia krijonte vetes në planin njerëzor. Mbase si baste me veten për të provuar se a do të ishte në gjendje për t`i kapërcyer ato. Me këtë lidhet fakti që p.sh. sa ishte gjallë, ai nuk i botoi asnjëherë si libra krijimet e veta, por ua çonte ato në fashikuj miqve, duke u përballur me sfidën e moskomunikimit përmes botimit. Po kështu, shndërroi në përvojë estetike devijancat tabu erotike, që kishin vetëm shanse refuzimi në receptimin e tyre. Por koha tregoi se këto e të tjera rrethana të disfavorshme, nuk e penguan dot njohjen dhe vlerësimin e lartë të kësaj poezie, edhe përtej kufijve të gjuhës, në të cilën ai e krijoi atë vepër poetike.

    Kësisoj, vepra e Kavafis-it, jo vetëm i dëshmoi muret (pengues) realë e metaforikë të njerëzimit, të cilat ngrihen për ta rrethuar e asfiksuar shpirtin e individit, por dëshmoi poetikisht po aq – edhe vullnetin e njeriut për t`i dalluar, për t`i përballuar e pastaj për t`i rrëzuar ato mure, estetikisht e moralisht.

    Kavafis mbetet poeti i madh i sfidave estetike.

    (Shënim: tekstet e poezive të cituara në këtë shkrim, janë marrë nga përkthimet e A. Spiros prej greqishtes)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË