More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Linditë Ahmeti

    Poezi nga Linditë Ahmeti

    LULJA ALBA

    Kur heliosi e derdh me grusht gëzimin
    në qiellin e zymtë
    e mbi fshatrat e përgjumura
    e kur zana e mujit bëhet gati
    t’ia lajë sytë omerit të ri
    me vesë luleshqerre
    këtu te ne
    ku është çarë arka e shpresës
    këtu në ultësirë
    skaj një kaçube
    përfundi një këpuce të vjetër
    të rëndë
    të fëlliqur
    të vetëshkyer nga inati i fundit të vet
    e të grisur nga thonjtë e mi
    e shoqëruar nga rrezja e zbehtë e dritës
    së ftohtë
    bashkë me thneglat e vyeshme
    me bletët
    me fluturat krahëshkruara
    nis ta ngrejë kokën e bardhë
    si me turp
    por me krenari
    lulja alba
    e cila ndonëse nën ferrë
    e nxjerr mbi botë bardhësinë
    po pse nën ferrë
    lulja e bardhë e liqenit nën ferrë
    atëherë ia jep gazit mbi kullën time heliosi
    e më zgjon
    përballë meje s’ka kaçuba
    as ferrë
    as këpucë
    duken vetëm liqenet e lurës
    si stoli prej safiri
    e mbi ta
    me miliona lule alba
    si barkat e afërditës së bukur
    prej nga loz e përgjon erosi
    me tufën plot shigjeta në shpinë
    që i hedh bashkë me buzëqeshjen e tij
    merr arbëri e bardhë
    vetëm dashuri
    koordinatat e mëngjesit

    TREKËNDËSHI

    ikin retë e plumbta
    vijnë të kuqërremtat
    njëherë këto
    pastaj ato
    sërish këto
    pas këtyre ato
    kur bëhet ndërrimi
    në kupën qiellore paraqitet
    trekëndëshi
    i madh
    i dukshëm
    vetëm për sytë e shkruar
    tri anëza
    tre brinj
    tri kulme
    në qiellin hapësirë ndërrimesh
    qëndron trekëndëshi ngjyrë plumbi
    i qartë si halli im
    trekëndëshi
    në qiellin që s’e nxjerr dot ngjyrën e vet
    përmbi lisnajat pa gjethe
    përmbi fushat me dredhëza që u ka rënë djega
    trekëndëshi
    me tri pika të dukshme
    që janë tre rrathë
    tri pasqyra
    e s’dallohen pse shikojmë
    nga pozita më e ulët
    nga ultësira ku rrjedh vrugtësia
    tri pika janë ku kemi mbetur
    jo s’janë tri pika po tre rrathë
    tre rrathë ku kalojmë kohën
    duke lozur vallen e rëndë
    tri anëza
    tre brinj
    tri pika
    tre rrathë
    tre
    trekëndëshi

    AMERIKA IME

    “Po të isha hënë
    do të dija ku të bie”
    D. H. Lawrence

    hajt Selenë moj të lutem
    lësho ndonjë copë adulari
    t’i shohë shenjat Dreri i Bardhë
    hajt Selena ime
    t’i bëhesh fener Gjuhës së Zjarrtë
    t’ia ndriçosh rrugën Qepallës së Përlotur
    t’i bësh dritë Demit që Rri Ulur
    i cili i prin kuvendit
    me temën e vështirë
    me klenë a mos me klenë

    KUR MË VJEN AI ME MBRËMJEN

    Kur ikën dielli matanë malit
    Heliadat i lënë shenjat e buzëve
    Me tkuq

    Aty ku qiell përqafon bjeshkët
    Duke i tërë perëndimi me shenja buzësh
    të trëndafilta

    Ngadalë pastaj
    Lëshohet teposhtë drejt fshatit
    Me fustan ngjyrë vishnje
    Mbrëmja
    E shoqëruar nga simfonia
    E zogjve të malit

    Që shkojnë të flenë
    Të bartur në krahët e driadave
    Plot verë
    Që e ftojnë zefirin t’i përkundë degët
    me çerdhe

    Ndonëse hemera bie të pushojë
    Mbi fshat mbetet gjallëria
    Se e kanë marrë vesh
    E dinë të gjithë
    Ai do të më vijë
    Ma dërgon vetë Zeusi
    Mbrëmja e pret një copë nga fustani i saj
    I mëndafshtë

    E shton rrugën
    Xixëllonjat varen në gjethet e drunjve
    Për anësh

    Llamba
    Ai do të më vijë
    Gratë janë bërë gërsheta
    Nëpër dritare
    Duan të vjedhin një grimë Nga bukuria
    Që s’u takon atyre

    Për të arnuar ëndrrën e grisur
    Në fund – ndodhia
    Ai zbret në formë të flluskës
    E kur e çon dorën të trokasë
    Në derën time
    Rroket në një ferrë të kulumbrisë
    E shkon me erën

    Si balonë e shpuar
    Lojë e Zeusit kjo do të jetë
    Udhë e mbarë o çun i pritur
    Udhë e mbarë o çun syshkruar

    Poezitë janë shkëputur nga vëllimi i dytë poetik i poetes, “Ishulli adular”, Shkup 1996.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË