More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver S. Morina: Prolog për rileximin e një studimi gjithëpërfshirës

    Enver S. Morina: Prolog për rileximin e një studimi gjithëpërfshirës

    Nuk jam hakmarrës, në një mënyrë absolute fare, po bie radha që t’i kujtosh, edhe se i kujton, nuk don të thotë se i hakmerresh…” (thënie e Dhimitër Zografi, djalit te Pandeli Zografit, i dënuar me burgim të përjetshëm, nga “Histori me zhurmues, viti 1949”, dhënë në televizion me 24 maj 2009)

    Pas dy “kënetave” prozaike, pas skenimeve dhe ekranizimeve “të para” dhe pas “historive me zhurmues”, së fundi vjen për lexuesit një studim analitik, vepra e autorit Artan R. Hoxha “Tharja e kënetës së Maliqit dhe ndërtimi i regjimit komunist në periferi të Shqipërisë” nga botuesi “Onufri”. Libri ka parathënien, si hyrje. Libri ndahet në katër kapituj: “Projekti”, “Flijimi”, “Bonifikimi” dhe “Ndërtimi”.

    Të bazohesh në një vepër letrare, apo të mos bazohesh në realizimin e një vepre të zhanrit tjetër! Këtu është çështja! Më mirë ta tejkalosh artistiken për ta dokumentuar realitetin! Skenari i filmit “Vitet e para” (1965) është i bazuar në veprën “Këneta” të autorit të skenarit, shkrimtarit Fatmir Gjata.

    Nën ndikimin e vazhdueshëm të filmit (kisha harruar rileximin e romanit “Këneta”) dhe dikotominë mes filmit dhe veprës, në lexim krijohet një afri e llojit të vet për të nxjerr shtresën reale të projeksionit kinematografik. Nëse tashmë romani “Këneta” ishte krijim letrar, filmi “Vitet e para” vepër ekranizim, libri i Artan Hoxhës gërsheton një arkiv të gjerë me dijen më të thellë për tërë atë periudhë “të shkurtër” me shkaqe, ndërtim e pasoja të mëdha këtu e 70 vite më parë.

    Kronologji (Një histori e shkurtër e një ngjarjeje e cila u “kthye” në prozë, u inskenua dhe u ekranizua postfestum)

    1946 Fillon puna për bonifikimin e fushës së Maliqit

    1946 Gjyqi i sabotatorëve të Maliqit

    1959 Botohet romani “Këneta”. Autor: Fatmir Gjata.

    1961 Regjisori dhe studiuesi i teatrit Esat Oktrova në Teatrin “Migjeni” dramatizoj romanin “Këneta

    1962 Teatri i Korçës inskenon romanin e Fatmir Gjatës “Këneta” nga regjisori Pirro Mani…

    1963 Bonifikimi i kënetës së Maliqit nuk zgjati një vit, as dy, por plot shtatë vjet.” (Artan R. Hoxha “Tharja e kënetës së Maliqit”, faqe 186)

    1965 U shfaq filmi “Vitet e para” me regji të Kristaq Dhamos ku interpretuan aktorë si Pirro Mani, Sandër Prosi, Ilia Shyti, Edi Luarasi, Pandi Raidhi, Margarita Xhepa, Bexhet Nelku, Marie Kraja, Violeta Manushi, Dhimitër Pecani, Lazër Vlashi etj. Filmi u xhirua thuajse plotësisht në qytetin e Korçës dhe premiera u dha në kinemanë “Morava” të Korçës më 21 mars 1965. Ky film u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Dytë për regjinë …

    1996 Botohet romani “Këneta e vdekjes”. Autor: Makensen Bungo. Për dy romanët të shkruar dhe të botuar në kohë të ndryshme (1959 e 1996) shkrimtari Vizar Zhiti në shkrimin “Dy romane-një kënetë…” (botuar në vitin 2020) shkruan “Tani më duket se dy romanet kanë mbetur përballë njëri-tjetrit si në një duel, ky fat u ra dhe në përleshjen morale të tyre përdorin armët, me të cilat janë pajisur: e vërteta kundër mashtrimit, vuajtja me përtalljen e saj, dënimin me harresën vrastare.

    Krahasimi (Utopia dhe distopia e një realiteti në të cilën triumfon idealja përpara divergjencave)

    Tharja kishte parahistorinë e saj. Elitat urbane të Korçës, shkruan autori (faqe 39) e interpretuan si “ideologji e rigjenerimit perandorak” dhe më pas “rigjenerim kombëtar”. Pikërisht detaji i fjalimit të Mehdi Frashërit si fusnotë-citat që në vitin 1927 na bënë me dije interesimin dhe rëndësinë e tharjes së kënetës.

    “Teatri politik” dhe “spektakli pedagogjik” i një gjyqi përmes një propagande gjuhësore? Origjinaliteti i një filmi (“Vitet e para”, 1965) dhe librit (“Tharja e kënetës së Maliqit”, 2021) në “regjime” të ndryshme, ndërhyrja e gjuhës dhe rëndësia e saj, në një mes të largët krijimi, janë paradigma në thellësi të trajtuara nga autori. Fillimisht duke u bazuara në diskursin e filologut gjerman Viktor Klemerer se pas fundit të Luftës së Dytë Botërore autoritetet e Rajhut të Tretë se gjuha përdorej për “të prodhuar dhe riprodhuar pushtet”. Është citimi i një eseje të filozofit gjerman Valter Benjamin që përmes krahasimit na fut tërësisht në ingranazhin e të mëpastajmës. Ai krahason punën e operatorëve të filmave me atë të kirurgëve dhe thotë se “njerëzit që ushtrojnë këto dy profesione depërtojnë indet e realitetit dhe i manipulojnë ato.”(76-77). Dhe pikërisht një postmortum i shekullit XXI, debati i nisur për dhënien a ndalimin e filmave të Kinostudios ka shëmbëlltyrën e një vendimi për të ndarë drejtësinë që vije nga ajo kohë. Dhe për filmin ekranizim “Vitet e para”. Dilema e një historiani në kuptimin dhe ndarjen e të vërtetës nga trilli? Kjo është çështja e autorit të librit “Tharja e kënetës së Maliqit” (79). Nga kjo rrjedhimisht kontesti dhe debati për filmat e Kinostudios e në veçanti filmi “Vitet e para”. Aktori dhe regjizori i njohur i teatrit Pirro Mani fillimisht inskenon romanin “Këneta” më pastaj do interpreton rolin kryesor në filmin “Vitet e para” i bazuar në veprën e Fatmir Gjatës.

    Në faqe 88 krahasimi marimanga-Fullc. “Sipas autoriteteve komuniste shqiptare Harri Fullc ishte merimanga që kishte endur fijet e rrjetës së spiunëve që mbulonte vendin, të cilën ai kishte nisur ta tirrte qysh gjatë kohës së Ahmet Zogut, në vitet ’20-’30.

    Në faqen 92 autori ndërlidh krahasimin e diskursit konvergjentë me një fusnotë citati: “… komunistët shqiptarë ishin të ngjashëm me puritanët anglezë e amerikanë të shekullit XVII.

    Sipas raportit dhe inxhinierëve një rrëfim artistik i thënë nga autori.

    Ndërhyrja e shtetit dhe shteti si “shërues”. Një nga fragmentet më të arrira të këtij libri. Shpjegim dhe krijim brilant që rilexohet pafundësisht. Krahasimi i plagëve të tokës së sëmurë të Maliqit me ato të një pacienti diabetik.  (94-95) Krahasimi mes bashkëkohësisë dhe mitologjisë: PKSh kërkonte shkaqet e dështimit te forcat e errëta të nëndheshme njëlloj “si me rastin e legjendës së Rozafës, ata kërkonin një fli.” (113)

    Krahasimi mes realitetit dhe hapësirave të pafundme sovjetike: bonifikimi i Maliqit-fshatrat e gjeneralit Potemkin (136)

    Analogjia e një krahasimi divergjentë: “Në Maliq shohim të shfaqet e njëjta sindromë si ajo për të cilën flet Dimitri Furmanov në biografinë e heroit sovjetik, Vasili Çapajev.” (157)

    Divergjencat e krahasimeve tek shembujt e të burgosurve në Bashkimin Sovjetik dhe Gjermaninë Naziste dhe konvergjencat e përputhshmërisë krijuese të romanit të Makensen Bungos me realitetin. Krahasimi konvergjencë në kohë dhe sistem tjetër si pasqyrim postmortum jo vetëm të narratives komuniste por edhe krijimit artistik të zhanrit të romanit realistë. Fillimisht imazhi i të burgosurve në kampet e përqendrimit në Bashkimin Sovjetik dhe Gjermaninë Naziste dhe pastaj “ndërhyrja” në mitologji: “Bungo i krahason shpesh të burgosurit në romanin e tij me skllevërit që ndërtuan piramidat e Egjiptit të lashtë, aluzion ky që e vendos regjimin komunist shqiptar në kategorinë e “despotizmit oriental”. E thënë ndryshe, në të njëjtën mënyrë që regjimi dehumanizoi të deklasuarit dhe “armiqtë e popullit” po në të njëjtën mënyrë shihet se si në kujtimet e tyre viktimat dehumanizojnë viktimizuesit. Ky ligjërim, që kthen me kokëposhtë narrativen komuniste por që ruan boshtin aksiologjik dhe dikotomitë e krijuara prej saj është bërë dominues pas rënies së komunizmit dhe nuk lejon një debat më të hapur mbi periudhën komuniste të vendit dhe efektet afatgjata të saj.” (184-185)

    Krahasimi i numrave në kuptimin e statistikave. Romani i Jevgenj Zamjatinit “Ne” dhe numrat sipas Enver Hoxhës për syrin e pushtetit. (222)

    Dija e një studiuesi dhe niveli i absorbimit krijues në gjithëformimin intelektual nis nga psikologjia e historianëve tek pritshmëritë e funksionarëve të hierarkisë komuniste nga qendra në periferi dhe anasjelltas. Një analizë për citatin në një libër studim historik për kohën e sotme. “… duke u përqendruar tek interpretimet që kuadrot partiak në kantierin e Maliqit i bënin ngjarjeve, krijohet mundësia të mësohet për parametrat e përzgjedhjes së fakteve dhe konceptet përmes të cilave ato analizoheshin dhe lidheshin.” (90)

    Me tharjen e kënetës së Maliqit shkallëzimi hierarkik i “nofkës” së ndërtimeve socialiste si parafrazim i tri periudhave shteruese para “pesëvjeçarëve” ideologjik: “nisi ndërtimi i Shqipërisë”, “dëshmia e parë e ndërtimit të socializmit” dhe “vepra e parë e madhe e regjimit komunist.” Konkluzione të thuktë dhe mirëvlerësuar edhe në pikëpamje artistike shkencore. “Projekti, do të kthehej kështu në një palimpsest, rishkrimi i vazhdueshëm i të cilit do të ishte i mbushur me tensione, konflikte, e drama, karakteri i të cilave do të ishte teknik, ekonomik, institucional, organizativ, dhe politik. Bonifikimi ekspozoi gjithashtu vështirësitë shumë të mëdha që kishte qendra për të njohur, kontrolluar dhe rregulluar periferitë, e për rrjedhim, të përçonte pushtetin e saj në to dhe t’i jepte formë atyre në përputhje me vizionin që ajo ndiqte.” (137)

    Citati (Hyrje në përgjithësimin sentencial në konglomeratin e dijës kontekstuale të leximit të parë pa koment)

    Referenca sentenciale është një pikë udhëkryqi ku thellohet më tej mesazhi universal që sjell autori me anë të veprës. Sentenca ngërthen tërë rrëfimin më vetëm edhe një fjali. Dhe si citat edhe me një frazë.  Herën e parë si pikënisje, herën e dytë si pikëmbërritje. Sentenca është qëllim shterues i un-it të autorit.  Komentet, nënteksti dhe intertekstualiteti i një citati mbeten në nënvetëdijen e çdo lexuesi duke e “dërguar” mesazhin dhe porosinë tek shtresat me të thella të receptivit. Pritjes.

    Ideologjitë që kanë ushqyer dhe drejtuar veprimtarinë e shtetarëve shqiptarë në sistemet e ndryshme politike që kanë qeverisur vendin janë shpalosur në formën e nacionalizmit antiperandorak, komunizmit antiborgjez, apo liberalizmit antiautoritarist. (5)

    Kujtesa historike është thellësisht politike dhe konfliktuale. (14)

    Përmasat nuk tregojnë domosdoshmërisht rëndësi. (25)

    Nuk ka pushtet pa subjekte dhe subjekti formohet nga pushteti. (27)

    Jeta e shqiptarit të zakonshëm dallohej nga thjeshtësia spartane. (51)

    Në Maliq komploti kishte gjetur një tokë pjellore në radhët e stafit teknik. (73)

    Filozofi gjerman, Valter Benjamin, në një ese të njohur të tij e krahason punën e operatorëve të filmave me atë të kirurgëve. Njerëzit që ushtrojnë këto dy profesione, thotë, ai, depërtojnë indet e realitetit dhe manipulojnë ato. (76-77)

    Mantra e historianëve “gjithmonë kontekstualizo” ndihmon për të kuptuar situata si ajo e Maliqit, pa e detyruar hetuesin e historisë të bëjë një ndarje të prerë ndërmjet realitetit empirik dhe atij të ndërtuar dhe perceptuar në mendjet e aktorëve historikë. (79-80)

    Trillet na informojnë për realitetit që hartuesit e dokumenteve prodhojnë, për botën që krijohej në zyrat e burokracisë dhe policisë, për mënyrën se ky realitet shihej dhe interpretohej. (80-81)

    … shpesh informacioni merr formë nga qëllimet e vëzhguesit dhe jo nga të vëzhguarit. Historiani Lin Viola, paralajmëron se vëzhguesi është një entitet shumë problematik, pasi ai është i kapur në rrjetë marrëdhëniesh pushteti, hierarkish institucionale, fjalori dhe ligjërimi, i cilit kushtëzohet nga audiencat. (90)

    Maliqi, nuk ishte një rrethinë moçalore e Shqipërisë, por një front i një konflikti me përmasa titanike. (91)

    Mbi të gjitha, rasti i Maliqit ishte një pedagogji në praktikë e mënyrës se si regjimi komunist klasifikonte shtetasit e tij në shërbëtorë të Satanit kapitalist amerikan të cilët kërkonin të prishnin ndërtimin e Kamelotit shqiptar apo në ata që ishin mbrojtës së fortesës komuniste. (92)

    Dështimet krijojnë mundësi shumë të mëdha për shtetin të zgjerojë sferën e tij të pushtetit. (120)

    Ksenofobia ishte nganjëherë edhe më e fortë se çdo antagonizëm i supozuar ideologjik … (154)

    Qëllimi kryesor i udhëheqjes komuniste ishte të hynte në aleancë me popullsinë në përgjithësi, në kurriz të vendosur dhe shkrirë me aparatin e pushtetit të organizuar nga PKSH-ja. (186)

    Mirënjohja ndaj komunistëve të rënë duhej të përkthehej në mirënjohje ndaj atyre që ishin gjallë dhe mbanin pushtetin. (202)

    Për të kuptuar politikat ekonomike autarkike të udhëheqjes komuniste shqiptare përveç kontekstit ideologjik duhet kuptuar gjithashtu edhe historia e vendit dhe brishtësia e tij. (208)

    Edhe pse në dukje apolitikë, numrat janë thellësisht politikë sepse ata luajnë një rol me rëndësi shumë të madhe për ndërtimin e realitetit në përputhje me parametrat e ligjërimit të formuluar nga aparati i pushtetit dhe njëkohësisht e veshin atë me aureolën e shkencës dhe saktësisë. (223)

    Propaganda e regjimit ndërthurte numrat dhe mjetet figurative për të ndërtuar mitologjinë e tij ligjitimuese, e cila nuk kufizohej vetëm tek qëndresa Antifashiste, por shtrihej edhe në luftën tjetër për ndërtimin e socializmit. Atje ku nuk kishte ekskavatorë, kishte njerëz që e zëvendësonin punën e tyre duke arritur norma të pamundura dhe tregonin se si vullneti njerëzor kapërcente mungesën e mjeteve dhe varfërinë. Objektivi i shtypit ishte të krijonte një realitet krejt tjetër për Maliqin nga ai që përjetonin ata që punonin në batakun e kënetës së tij. Numrat ishin pjesë e arsenalit që përdorej për të arritur këtë qëllim. (224)

    Vendi i punës u shndërrua në një truall me rëndësi qendrore për krijimin e njeriut të qeverisshëm dhe mprehjes së aftësive qeverisëse të regjimit komunistë. (236)

    Projekti modernizues i komunistëve shqiptarë ndryshoi pozitivisht mjaft jetë dhe në shkëmbim mori një mbështetje që u shtri për dekada. (239)

    Maliqi ishte një kantier i madh dertimin ku modernizmi socialist shoqërohej nga melodia e tingujve të simfonisë së punës. (239)

    Socializmi ishte leva e Arkimedit dhe me të punëtorët e rinj dhe regjimi mund të ngrinin në ajër krejt botën. (245)

    … sistemet politike dhe socio-ekonomike nuk janë të ngrira në kohë. Përkundrazi, ato janë në transformim të vazhdueshëm. (250)

    Pushteti nuk është një atribut, por është një produkt i marrëdhënieve të shumëllojshme dhe shumëfishta. (253)

    Epilog (Përftim në analogjitë e hershme krijuese në rrjedhën e studimit të realizmit socialist në letërsi dhe kinematografi)

    Literaturë e gjerë si burime të para me dhjetëra fonde, dokumente, gazeta e revista dhe burime të dyta qindra libra e studime të botuara. Në fund gjendet edhe indeksi i emrave.

    Në listën e literaturës mungon Fatmir Gjata, edhe pse për romanin e tij është folur gjatë në faqe 7, 8 dhe 250 e 252 siç edhe gjendet tek indeksi i emrave.

    Një studim shterues për ndërtimin e regjimit komunist në periferi të Shqipërisë në veçanti tharja e kënetës së Maliqit.

    Studimi monografi për kantierin e Maliqit, tharjen, bonifikimin e kënetës, ndërtimin e fabrikës së sheqerit i autorit Artan R. Hoxha duhet rilexuar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË