More
    KreuKinematografiTimo Flloko: Tri poezi për tri qytete ku kam jetuar

    Timo Flloko: Tri poezi për tri qytete ku kam jetuar

    Qyteti ëndërr

    Gjirokastra, qyteti i tim eti, i gjyshit Grigor dhe gjyshes Katerina, i xhaxhallarëve të mi dhe të afërmve të tyre. Qytet ku gjyshi ndërtoi një shtëpi, në vitin 1927, që ndodhet përballë gjimnazit “Asim Zeneli” të qytetit, në krye të Palortosë (sot bulevardi “Kadare”). Në atë shtëpi jetoi familja e Grigorit, im atë dhe vëllezërit e tij deri pas lufte, kur familja u vendos në Vlorë. Unë nuk kam jetuar në Gjirokastër asnjë ditë, s’kam fjetur në atë shtëpi asnjë natë (shtëpinë e kishin dhënë me qira te doktor Zhusti, i ungji i aktorit Viktor Zhusti; ata jetuan aty deri në fund të viteve ’60). Kam xhiruar katër filma në Gjirokastër, kam jetuar atje në mënyrë “virtuale”, artistike nëse e kthej në metaforë, vetëm përmes roleve në filma, që nga filmi i parë Ngadhënjim mbi vdekjen, deri te Çerçiz Topulli, heroi legjendar, i kthyer në legjendë jo veç përmes bëmave të tij asokohe (që vrau dhe bimbashin turk), por edhe prej statujës së mrekullueshme në bronz, të punuar me art nga Odise Paskali i madh! Në këmbën e djathtë të atij monumenti ka një shpim plumbi, qëlluar hershëm nga një ushtar a komit grek, me ose dhe pa qëllim. Dhe vitet ikën si nëpër erë, duke lënë historitë e këtij qyteti magjik pas, të legjendarizuara e të kthyera në mite kohëve. Në bulevardin “Ismail Kadare”, dikur Palortoja, nga shtëpia e Fllokajve, te Skëndulajt dhe deri te Hoxhajt (shtëpia e udhëheqësit komunist Enver Hoxha), diku në midis, merr për poshtë Sokaku i të Marrëve, më i përfoluri, më i çarturi, më i çuditshmi dhe më absurdi në qytetin kryelartë.

    Shtëpia e gjyshit në Gjirokastër

    Sokaku i të Marrëve

    Qytetit të origjinës

    Tatëpjetë Sokakut të të Marrëve zbres, 

    Nëpër të mistertin katakomb, në terr.

    (Ç’fantazi e prapë ta ketë shpikur, vallë, 

    Këtë pjerrinë a udhë të fshehtë për ferr?)

    T’i merr mendtë, të pataks ky qytet, 

    Që rri pezull atje përmbi re, 

    Ngritur lartësive, dozot, enkas, 

    Erërave të qiellit për t’u bërë fole.

    Yjet varur sa s’i prek me dorë,

    Dritë e Hënës e ngjyros me ar qytetin,

    I çuditshëm duket ai, surreal,

    Si në pikturat e Bashkim Zano-Ahmetit.

    Mbahem fort mos më merr rrëpira, 

    Tatëpjetë atij honi mesjetar, 

    Rrapëllimës, ku dikur lëshoi 

    Aeroplanin Dino Çiçua i marrë…

    Si i verbër mund të qorrollisesh,

    Të gremisesh, shenjë të humbësh fare, 

    Ca më keq, mendsh të ikësh përngaherë, 

    Kur shkon poshtë Sokakut të të Marrëve.

    Si skaj ëndrre që s’ia gjen dot fundin,

    Të tërheq me vete e të merr.

    (Tek shkel gurë prej stralli, më ngjan vetja 

    Si Virgjili i Dantes nëpër ferr…)

    Kufi i shuar mes dheut, nëndheut, 

    Arkeolog në botë ta ndajë s’e ka të lehtë, 

    Nën një sterrë të këtij labirinti, ndoshta, 

    Fshihet Grali, misteri i shenjtë.

    Sokak i fantaksur, kryemarrë,

    Më i thikëti pa fjalë në univers,

    Që mbyt grahma dhimbjesh gjer në zgrip, 

    Dhe jep shpirt te pragu i Kadaresë.

    Më bëhet se prej shekujsh endem,

    Si një hije nëpër gjurmët e të parëve, 

    I përhënur nga magjí e natës zbres 

    Si i marrë Sokakut të të Marrëve.

    Shtëpia buzë Bistricës, në Pejë

    Qyteti ku linda 

    Peja, e rrethuar malesh të larta deri në qiell, në përfytyrimin tim prej fëmije, nga Bjeshkët e Nemuna, përgjatë grykës përpirëse të Rugovës, ku derdhet gjithë pesha e atyre maleve si një uragan erërash të forta e sa herë përmbysëse… Lindja dhe frymëmarrja e parë thonë se lidhet me mbrujtjen e bionatyrës njerëzore, si të thuash se ajri që thith në vitet e para të jetës krijon dhe prirjen e trupit përshtatur me atë klimë, të ftohtë a të ngrohtë, krijon madje kiminë ndjesore, fiziobiologjike, të individit njerëzor. Në vite kam ndier se pëlqej, në rastin më të parë, klimën malore, sa më lart nivelit të detit… Peja më afron si ndjesi klimatike me Lurën, Voskopojën, Leskovikun…

    Në Pejë jetova 8 vjet, para se të vendosesha në Vlorë, në një klimë tipike mesdhetare, sigurisht, nga më të jashtëzakonshmet mbi glob, por disi të panatyrshme për mua në krye të herës. Në Pejë kalova miturinë, bri lumit të Bistricës, që përshkon qytetin; në bregun e saj. Shtëpia jonë ishte në rrethin qendror të qytetit, përballë kinemasë (aty ku nisën ëndrrat) dhe në afërsi të Teatrit. Në kinema isha i përhershëm, një spektator pa “portofol”, me hyrje të lirë në çdo seancë, ku me orë të tëra mahnitesha nga filmat western me cowboys. Sa herë ndodhte të më merrnin kur errej e vonoja të kthehesha në shtëpi. Ndieja dorën e ashpër të nënëgjyshes ose zërat e butë të tezeve apo dhe të nënës kur ndodhte të vinte përmes errësirës së sallës ku shfaqej filmi. Në atë bioscop (kinema) më lindi embrioni i dashurisë për t’u bërë një aktor filmi, i frymëzuar e plot ëndrra aventurash në kryet e mi, një dëshirë e dashuri e pavetëdijshme prej fëmije. Për të mos i thënë të gjitha, po e lë këtë rrëfim në mes sa edhe në imagjinatën e kureshtjen lexuesit, me idenë se ka kohë kurdoherë për t’i thënë gjërat që s’janë thënë.

    Peja

    Vendlindjes

    Pejë,

    në ijë të Bjeshkëve të Nemuna

    që si pleq të moçëm,

    me plisa resh mbi krye,

    qiejsh kuvendojnë.

    Gërryer thellë, zhuritur,

    Gryka e Rugovës.

    Lart malet shpinat shtrijnë, 

    murana flijimi,

    ku heshtjen e vet ha durimi,

    me lot ujëvarash,

    sytë e kalimtarëve i nginj.

    Ka rrjedhur koha lumë,

    por shtrati i mallit s’është tharë. 

    Nga padurimi klith:

    Më ke pritur herët,

    po vij!

    Gryka zërin e përpin…

    Më pështjell një erë, më mpin.

    Nderem në ajrí,

    dhe më merr harrimi.

    Pejë,

    vendlindja ime,

    në zgrip të pikëllimit!

    Roli i Çerçiz Topullit me Liza Laskën, nënën
    Filmi i parë, “Ngadhnjim mbi vdekjen”

    Vlora, fëmijëri dhe rini e parë

    Mbërrita prej së largu, si një alien, nga një botë e natyrë tjetër, në një qytet të dielltë, të ngrohtë e mikpritës pa kufi, por edhe të ashpër e të egër nga natyra e njerëzve. Mbërrita i brishtë, i “sjellshëm”, i ndryshëm nga të gjithë moshatarët e mi, nga vëllai im Aleksandër, i vetmi mik e vëlla, i pari që më krijoi hapësirë e kohë, së bashku me Medinin dhe Jahjanë, shokët më të afërt, që natyrshëm të ambientohesha. Nga dita e parë, d.m.th. nga klasa e tretë deri në maturë… 11 vjet jetë, formova “veten”, përgjatë një trajektoreje nga më të paimagjinueshmet, me dinamikë intensive, me frekuencat, uljet e ngritjet, rëniet e ngjitjet në rrugën e kalimit (si në kapërcyell), nga fëmijëria dhe çuditë e lojërave të saj në adoleshencë, në zgjimin e dëshirave për art, për poezi e vajza. Nga s’shkova me shokë e s’brodha, nga s’u ngjita e s’u hodha, Qafës së Topit, nga ku Selam Musai qëlloi me top anijet e Italisë së 20-ës, siç thoshin të moçmit, a kur lëshohesha teposhtë Budakut të lugetërve në Tophana… apo kur hidhesha prej majës së Kalasë detit poshtë me krye e jo me këmbë (tani veç kur e shoh nga poshtë më pushton tmerri) dhe si notoja largësisë e zhytesha thellësive për të prekur funddetin, si personazhi i Xhon Steinbekut te Margaritari, për të shkulur pina (guaska të mëdha) kumit (rërës) disa pashë nën ujë. Nuk dyshoj se ato aventura krijuan përvojat e hershme emocionale, pa të cilat s’mund të imagjinohet krijimtaria e aktorit. Duke u rritur dhe duke u larguar nga prapësitë e duke iu afruar librit, leximit, pasionit të të mësuarit të poezive përmendsh e duke provuar si një adhurues naiv artin e të shkruarit – poezi, novelëza, frymëzuar nga leximet, nga Mopasani, Cvajgu, Gogoli… Si ritual, e ndaja kohën e të shkruarit me kohën e plazhit, të lojës së futbollit në rërë me shokët, me kohën e peshkimit netëve vonë me tim atë. Isha plot ëndrra dhe ndonjëherë, i romantizoja netët me firmamentin plot yje mbi vete, me ëndërrimet rinore si personazh romantik përrallash, me pritjet e sahershme të sirenës që do të dilte nga deti, mbështjellë me luspa peshku… (!) Por, krahas dëshirës për të “fluturuar” (ku e gjej dhe shkakun e dëshirës së atëhershme prej fëmije për t’u bërë pilot… gjë që e kam shprehur në ndonjë intervistë), përsëri, filmi ishte pasioni dominues, sa në pavetëdije aq në pamundësi. Si çdo djalosh, isha i pushtuar çdo çast nga dashuria për muzikën e huaj, atë italiane më tepër se na ndante veç deti në midis, ndiqja hit-paradat, adhuroja Modunjon, Çelentanon, Batistin, Luçio Dalan…

    Asokohe, kur s’kishte nisur ashpër lufta ndaj çdo vlere në art apo, më keq akoma, ndalimi i çdo gjëje të kulturës perëndimore, shfaqeshin filma të huaj, sidomos filma francezë me shumicë, me aktorë të mëdhenj, si Zhan Gaben, Zherar Filip, Belmondo, Klaudia Kardinale, Ani Zhirardo etj. Nuk ndodhte të humbisja një film pa e parë, atyre që s’lejoheshin për moshën ua gjenim hilenë, duke kapërcyer murin e duke u futur fshehtazi në kinemanë verore para se të errej dhe dilnim nga poshtë stolave porsa niste filmi.  Ato aventura, e jo vetëm, më mbrujtën në mënyrë më serioze një ëndërr, disi të kristalizuar: dhashë dhe fitova konkursin në profilin e artin dramatik për t’u bërë aktor! Rastësia e solli, por ëndrra i dha krahë. 11 vjet në Vlorë, mësova të rritem, të kuptoj, t’u jap formë e trup vizioneve, të notoj e të “fluturoj”, të shijoj bukuritë plot mistere të nënujit, t’i dashuroj njëmend si detin dhe qiellin. 

    Portreti i Timo Fllokos, në rolin e Çerçizit, nga piktori Bujar Luca, gjatë xhirimeve të filmit, 1969

    S’mora kum te bova

    Vlorës, qytetit të rinisë së hershme

    Ndarja me ty, Vlorë, ishte më e hershmja. 

    Sa ndarje pata… si jotja, rrallë në jetë. 

    Dashurive të shtira ua mbylla portat,

    Me ndarje të tilla ku e ku më lehtë.

    Ika prej teje me një valixhe të drunjtë, 

    Mbushur me ëndrra dhe dëshira-peng, 

    Një vështrim fajshëm në ikje i hodha, 

    Orës së qytetit ngelur dymbëdhjetë.

    Zemra m’u zbraz, u ndjeva i përzënë, 

    Më tepër nga vetja, Vlorë, se nga ti. 

    (Mos po ikja larg udhëve pa kthim, 

    Prapa diellit ta hasja fatin tim?)

    A më përzije se dashuria qe sosur? 

    Zemra jote me pashë s’matet dot, 

    Shtatin ma ndoqe me nishane sysh, 

    Stepja ndaj rrezikut nuk më ra për short.

    Sa herë kryet rrokullisa Qafës së Topit, 

    Mbi humnera, vdekjes pranë i shkova, 

    Zhytur thellësive, frymën gjatë e mbajta, 

    Cika fundësitë, s’mora kum te bova.

    Ma mbolle fatin si një rrënjë ulliri, 

    U deha nga deti, nga jod’ i Jonufrit, 

    Dunave u shtriva netëve plot magji, 

    Mblodha yje të këputur gushti.

    Ngashëreva mbytur agut kur u nisa, 

    Rrugica e ngushtë shkretane mbeti,

    Më tërhiqte pas çdo skërkë e shkelur,

    Nga majë e Shashicës në Shesh të Kateqit.

    Lehtas m’u çapit pas nëna, loti iu këput, 

    Kollën e babait e gërreu heshtja,

    Më humbi vështrimit mëhalla e fjetur, 

    Kuiste era, më përcillte vjeshta.

    Vura Sazanin në vend të zemrës, 

    Rrëmbeva blunë e detit dhe të qiellit, 

    Perëndimet okër të Nestor Jonuzit, 

    Thellësinë plumb të Skënder Kamberit.

    I mora edhe retë ngarkuar me vete, 

    Lundrën me kujtime, vitet e një jete, 

    Harruar pastaj rashë në gjumë të thellë, 

    M’u bë se fjeta mbase njëqind vjet.

    Gjithçka ndryshoi, dashuria ime jo! 

    Rrënjosur thellë meje, Vlorë, a s’e ndien, 

    Në këtë heshtje burri mallin e patretur, 

    Kthimin tim aty ku zemrën lashë peng?

    Po Tirana? Asnjë poezi për të? Asnjë varg? Çudi, vërtet, se s’ndodh që një dashuri e gjatë dhe e madhe të mos marrë çfarë natyrshëm i takon! Tiranën, mendoj se e kam pasur ngaherë me vete, në vete, të pandarë sysh e në sy, ndryshe nga qytetet e mia të dikurshme, të cilat, nga droja se po i humbja, më largoheshin e largoheshin, duke më lënë të vetëm apo, në të kundërt, duke u ndier të braktisura prej meje. Tirana është qendra e botës sime. Jetova e jetoj në shtatin e saj, në shtrojën e kraharorit ku ndiej rrahjet e forta të zemrës së saj të madhe, kur shkela për herë të parë në oborrin e shkollës “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Popullor, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, për t’u bërë, siç thonë njerëzit, artist – dhe bëra emër. 

    Shtegtimi, Los Anxhelesi? Asnjë mbresë, asnjë dedikim, glorifikim, fashinim… Asnjë varg?!

    Jo. S’ndodhi, siç kishte ndodhur dikur,  në librin e parë, me poemën kushtuar  Parisit, Natë në Montparnasse, një poemë e gjatë programatike, po ca më shumë çudi poemi qiellor, Takim me të dashurën Mari…, shkruar si në trans, ndaj një qyteti imagjinar, të së ardhmes, si të kishte qenë real e jo në fantazi, pas një kthimi nga fluturimi fantastik në Tokë pas 9.000 vjetësh, në një raketë me shpejtësinë e dritës… (!) (Pse jo, kur qielli është për këdo qyteti i fundit, i përjetshmi.)

    Nuk ka arsye, as ndonjë paradigmë a rregull, se përse nuk lind një poezi a çfarëdo vepër arti në çdo rast, të pritshëm madje, ka veçse një fjalë: destin, përsëri si dashuria, e cila nuk ka shpjegim se si ndodh… mbetet mister. Enigma e krijimit fshihet më përtej, në zona të paditura a në ndjesi besëtyte, ku ta dish, asgjë s’mund ta shpjegojë, veçse ta imagjinojë shtysën fanepsëse të frymëzimit, Pulëbardhën e Anakreontit. 

    Jetoj në Tiranë, shkoj në Los Anxheles, në Pejë më rrallë, në Vlorë pranë detit, në Gjirokastër në shpirt të surreales a të ëndrrës dhe, pas çdo ikjeje e shtegtimi në ato qytete, në kthim, ndiej në zemër të më marrë malli…     

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË