More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kronika ime si dytës përshkrues", tregim nga Vasil Vasili

    “Kronika ime si dytës përshkrues”, tregim nga Vasil Vasili

    Jam dytësi i fjalës, të kqyr jetën e saj në çdo çast është qëllimi im. T’i vë në pikëpyetje diturinë, ta brohoras diku në një përballje, t’i largohem paksa dyshues, por asnjëherë të mos e braktis. T’i vë kundruall mure, ta vëzhgoj se si do t’i kapërcejë dhe, ta ndihmoj përsëri të rimarrë veten. Ta vë prore në udhë, të vjel kuptimet që ajo i lëshon nga përplasjet me simotrat e fshehura, t’ia jap ato kuptime si pajime për të vijuar më tej. Të ndiej keqardhje për plagët që merr, por gjithsesi ta lë fillikate me plagët, t’i mjekojë vetë me lëngjet e gjuhës. Të mos ketë më tepër kohë se sa për t’u kujdesur për këto plagë. Si spartane ta ndjekë fatin dhe të shikojë me kthjelltësi rreth brerores. Ky përshkrim mund të jetë i anasjelltë, domethënë është fjala, që më kqyr mua, por gjithsesi po e lë gjendjen e parë të flasë. Unë po e përshkruaj fjalën e paralindur. Pra, ajo ka filluar ta hapë tragën, të cilën s’do ta quaj kurrë të vetën. Mbi atë, mbas saj, ecin të tjerë, ndonëse ajo s’qorton askënd, vetëm rend, me hap të lehtë çel rrugën. Unë ligështohem se ajo, ndonjëherë, ndonjë grimë mund ta rimarrë veten, por gjithsesi në këtë qëndrim ajo ecën me taktikë, pra jeton në një formë tjetër për të lëvizur më me vrull në tragën që po hap. Ajo i ka caktuar vetes një qëllim, askush tjetër s’ka pjesë në këtë qëllim, ndërsa ajo në rast se do të mbërrijë diku, gjënë e mbërritjes do ta ndajë me të gjithë, ndonëse s’është me të gjithë, është e dëlirë, pa veskun e armiqësisë dhe, të gjithë s’janë me atë, por janë pa pezëm, madje në heshtje e quajnë të lajthitur. Ajo të tillë ka vetëm hovin e lindur për të ecur më tej, për të mbërritur diku që ende s’e di ku ndodhet, por me të mbërritur atje bëhet e mosqënë. S’merr parasysh këshilla. Edhe unë, dytësi i saj, jam i panevojshëm për të tilla dhënie. Përsëri është e vetme, takon fjalë me mendësi të përafërt, tek ato merr pak përndritje, u vë në provë farefisninë dhe prapë u largohet, ndonëse ato i kanë shërbyer si gjonpagëzorë, s’janë qëllimi i saj, më shumë janë pengesa të vëna nga verbëria e panjohur. Edhe për këtë duhet të luftojë, po këtë s’e quan luftë. Mbase ajo s’e kupton luftën. Unë, dytësi i saj, ia emërtoj hovin si luftë ngadhënjyese. Si përherë, ajo shmang me mjete të pa vëna re verbërinë, që i ka dalë përpara. Unë e shikoj që po mbërrin diku. Atje rrugët janë të hapura, por hapja është aq e madhe, sa mund ta quash edhe mbyllje. Ajo, për vetveten, e ka shkokëluar nyjen dhe, ka ndihmuar edhe simotrat e përafërta dhe tani është e lirë të kthehet përsëri nga erdhi. Përpara saj gjithçka është e hapur, aq sa të krijon mbresën e zënies me perden e hapësirës së lëbyrët. Një cast, thashë mbërriti atje ku kishte synuar dhe sa s’thirra i ngazëllyer për fitoren e fjalës, por ajo e kishte pikasur rrugën e lirë, zënë nga hapësira pa fund. Ajo është mësuar të eci mbi tragë, dhe, për më tepër ta çajë vetë, u kthye përsëri. Mendova se do të vijë tek unë, me hop të menjëhershëm dhe, unë paskëtaj do dal në rezervë nga detyra e dytësit përshkrues. Diku do të çlodhem, derisa fjala të ketë nisur një tragë tjetër. Porsa u kthye mbrapsh, shtegu që kishte qënë i hapur, u mbyll. Kjo ishte e papritur për mua. Një keqardhje e re për shpirtin ngazëllyes të fjalës që po përballej me mbylljen më kaploi. Por fjala përsëri filloi të ecë. Traga që kishte mbetur e hapur për të tjerët, pikërisht për atë që e kishte çarë, u mbyll në kthim dhe, ajo filloi ta çelë me hapin e saj të pa vënë re. Unë them me hapin e saj, por ai hap është një ushtrim gramatikor i një vështirësie të panjohur që ajo e zgjidh me lehtësi, në fshehtësi të plotë. Madje “me lehtësi”, s’është përcaktimi i duhur, se cilësimi është imi dhe unë s’e kam tagrin e së vërtetës. Ajo s’i njeh vështirësitë dhe, natyrshëm, s’i njeh edhe lehtësitë. Përdor një mënyrë që e kanë ditur paraardhësit, por tani ka humbur për ne. Unë, jam vetëm një dytës përshkrues që s’e kam durimin dhe madhështinë e saj si të një kreshte të qetë, por edhe ky mendim për madhështinë është imi. Ajo kurrë s’përdor epitete. E mbarështron mendimin krejtësisht ndryshe, ndërsa unë ia kam ndotur me epitete dëlirësinë. Ajo s’përdor as krahasime dhe kam kuptuar se krahasimet janë shkak lufte në botën tonë. Ajo përdor vetveten në çdo rrethanë, ajo i mjafton. Punon me një mënyrë të panjohur nga njerëzit. Përsëri nisi lëvizjen në tragë tjetër. Ata që kishin ecur lirshëm në tragën e hapur prej saj i ishin mirënjohës, por ajo s’takoi asnjë mirënjohës në kthim. Ndoshta ajo tragë kishte qënë vetëm e saj dhe, pikërisht prej saj pritej të hapej, të tjerët vinin mbrapa. Kishte filluar të ndeshej me pengesa të tjera. Edhe një herë, i kërkoj ndjesë për të menduarit tim të palatuar, por më tepër ndiej se gjuha e saj e vërtetë, gjuha që e vë në lëvizje pa qëllim praktik, është e huaj për mua. Do t’i ndodhem pranë gjithnjë, pa ia kuptuar dot kthjellësinë. Pas një mbërritje vjen një pushim. Ajo s’është e ndikuar në thelbin e vet nga shprehitë që luhen me gjakim mbi tokë. Ka ardhur në jetë të lëvizë për hapje shtigjesh të njohur, kinse të mbyllur, ndërsa unë mendoj se e kam të siguruar lavdinë me shërbimet që i bëra fjalës sime. Ajme për mua! Përpara kam një gotë ujë me lëng limoni, ktheva ca gllënjka. Fjala, me siguri, po ecën në kthim, ndonëse s’jam i sigurt se ka kthim për të dhe unë kam të drejtë ta përfytyroj, por s’mund ta ndjek në të gjitha shtigjet. Në thelb, jam automat, se ia shfrytëzoj përvojën, pa ia njohur diturinë që mban në trurin e saj. Në këtë grupfjalësh që sapo shpreha: “në thelb jam automat”, s’mund ta di me përpikmëri në cilën fjalë bie theksi logjik. Edhe në ma thënçin gramatikanët, përsëri do jem dyshues. Tani, dua pak pushim të lavdishëm, ndërsa për fjalën time, që po rend mbi tragë të fortë, kam keqardhje dhe, po filloj ta përfytyroj gjithnjë e më pak.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË