More
    KreuIn memoriamVllasova Musta: Moikom Zeqo - Një jetë e pazakontë e një njeriu...

    Vllasova Musta: Moikom Zeqo – Një jetë e pazakontë e një njeriu të madh

    Kaloi një vit, prej asaj dite të kobshme, kur miku ynë i shtrenjtë Moikom Zeqo, iku nga kjo jetë.

    Edhe pse i ikur, ai është përherë mes nesh, na thërret dhe ne, s´bëjmë tjetër veçse duam të flasim e të tregojmë për të.

    Ai la krijimtari të pafundme, libra dhe libra pambarimisht sikur e dinte, që do të shkonte shpejt dhe nxitonte t´i linte duke përcjellë në to gjithë tharmin e diturisë së tij të pamatë,me kulturën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme, me talentin e madh dhe aftësinë befasuese për të punuar, pa ndjerë kurrë lodhje dhe të gjitha këto, përbëjnë atë që është quajtur „Fenomeni real i një çudie njerëzore, me emrin Moikom Zeqo“.

    Moikom Zeqo, është  portreti emblematik ku spikati poeti, prozatori, studiuesi, gazetari, arkeologu, historiani, politikani e shumëçka tjetër, i papërsëritshëm dhe i rrallë në diturinë dhe mrekullinë e tij.

    Fenomeni Moikom Zeqo, është modeli tipik i një vizionari të lartë, që çeli një etapë të re në letërsisë dhe kulturën shqipe.

    Në poezitë e Moikomit, figurat artistike, metaforat, fantazia ishin në pikat më kulmore aqsa, të dukej sikur para teje hapej një tjetër botë, e paparë dhe e padëgjuar më parë.

    Kujtoj, se teksa lexoja me ëndje librin e tij me poezi „Përjetësi me qira”, më shoqëronin pandërprerë motivet e poezive, befasitë shpërthyese, metaforat e përndritura dhe kësisoj, ndihesha sikur isha nën një vezullim yjor, që më vërtitej në çdo hap e në çdo kohë.

    Pasi e mbarova së lexuari krejt librin, ndjeva sikur rreth meje vërtiteshin dhjetëra universe, me dije, me kulturë, me shkëlqim, me dhunti tej njerëzores së përditshme e në fund, e mrekulluar prej asaj që kisha marrë, thashë me vete: udhëtova në universin magjik me tingull, me ngjyrë, e me dritë të Moikom Zeqos!

    Përherë jam ndjerë fatlume, që u njoha me të, kur ishim bashkëstudentë, 18 vjeçarë, e kisha shok e më pas mik të shtrenjtë e tejet të çmuar, maratonomakun me flakadan drite që, edhe pse me ritmin e tij i kish kapërcyer kohët, e kishim  mes nesh e na përcillte mrekullinë e penës së tij!

    Po, gjithë jetën, ai ishte një maratonomak dijeplotë, që rendtte e nuk dinte të ndalej.

    Sa herë më thoshte që, do të pimë një kafe dhe do të të sjell botimin tim të fundit, gjithherët ndjeja një gëzim dhe isha si në festë, sepse e dija se përballë meje, po vinte maratonomaku me një flakadan të ri në duar dhe brenda atyre fletëve vezullonin mrekullitë e talentit dhe fantazisë së tij të epërme.                                    

    Ky ishte Moikomi, një njeri krejt i veçantë, në dituri, në mirësi, në lidhje miqësore, në dhënie dashurie, me aftësi unikale dhe tepër të natyrshme për të pasur pranë jo një, dy apo tre miq e shokë, por pambarimisht, si në Shqipëri, Kosovë e kudo nëpër botë.

    Ai kishte pranë vetes jo vetëm miq prej një jete, por edhe të sapo njohur, që i mirëpriste me një bujari të pazakontë, aq sa pa hezitim mund të thuash se, ai dha, por edhe mori shumë dashuri njerëzore.

    Këtë vlerë të karakterit të Moikomit e trajton, në librin e sapo botuar, të titulluar ”Me Moikomin”  në këndvështrimin më të bukur e më të plotë, miku i tij i kahershëm dhe shkrimtari i penes elegante e gjithë ngjyrë, Enver Kushi.

    Para pak ditësh e mora këtë libër, që e prisja të dilte nga shtypi, e lexova me një frymë dhe faqe pas faqeje, më rishfaqej Moikomi me gjithë madhështinë e shpirtit të tij njerëzor.

    Askush më mirë se Enveri, nuk mund ta jepte me kaq botë, me kaq emocion, me këtë vërtetësi të ngrohtë portretin njerëzor të Moikom Zeqos. Një jetë pranë njëri tjetrit, një jetë e mbushur plotepërplot me mirësi dhe ndjenja të një fisnikërie për t´u admiruar, një jetë krah për krah, duke shpërfillur distancat e duke bashkuar gëzimet, shqetësimet, e deri tek sëmundja e mundimshme e mikut të vyer.

    Enver Kushi, një mik i rrallë, që pasi largohet nga spitali, është i paqetë dhe s´bën tjetër veçse merr letrën përpara e nis të shkruajë, isha tek Moikomi, duket i përmirësuar, më tej, shkova në spital, ishte si në kllapi, në një tjetër ditë, sot ligjëroi pafund për gati një orë, e habitshme, ku e gjen gjithë këtë forcë, e kështu ditë pas dite ai është pranë tij, i pandarë, duke përjetuar gjithë ecurinë e shëndetit të tij të keqësuar, por përherë duke e shmangur mendimin kobzi se nga dita në ditë, po avitej e mund të trokiste vdekja.

    Në këtë libër janë ndërthurur në një harmoni të përkryer kujtimet, mbresat, letërkëmbimet mes tyre ndërvite, shkrimet dhe fotot, që kanë si kryefjalë të pandarë, Moikomin, por Moikomin njeri, Moikomin mik dhe shok, aqsa të duket sikur gjithçka rrjedh si në një bashkëbisedim që zgjat pambarimisht.

    Po, ky libër, është si njëbashkëbisedim i papërsëritshëm, i një erduditi, që përherë na befason, që në gjithçka thotë duket sikur ka zbritur nga kozmosi dhe shpalos gjithë dituritë jo vetëm për mikun e tij, Enver Kushin,  por njëherazi për gjithë ata, që do të duan të lexojnë e të dinë, cili ishte Moikom Zeqo.

    Dhe pikërisht në këtë përzgjedhje materialesh të një jete të tërë, në këtë strukturim të gjithë librit, Enver Kushi ka ditur të japë tharmin e vlerave, esencën kulturore dhe shpirtërore të atij tempulli gjigand, që mbartte emri i ndritur, Moikom Zeqo.

    Në gjithësinë e këtij libri ka brenda shumë dashuri, ka fisnikëri dhe dritë shpirtërore, ka frymë, ka emocion, ndjen dhimbje dhe ajo që është më parësore, ke përballë një portret jetësor, të vërtetë, të pakrahasueshëm dhe pa asnjë ngjyrim dashamirës nxitur nga miqesia.

    Në të është Moikomi ynë, ashtu siç e kemi njohur e për çka e kemi dashur!

    Sepse, tek të gjithë miqtë e tij, ai mbetet pasuri pa cak, që patëm fatin ta njihnim dhe do të jemi krenarë sa herë që do të themi: e kisha mik!

    Në letërsinë botërore është shkruar për personalitete të mëdha të të gjitha kohëve, për shkrimtarë, për artistë, për shkencëtarë dhe përherë më ka tërhequr vëmendjen një fakt që, pasi thuhen gjithë vlerësimet absolute për njërin apo tjetrin në fushën e suksesit të tyre, kur ndalen tek portretizimi i tipareve në marrdhëniet njerëzore, ka përherë një “por“, thuhet: ishte gjeni, por, në mërrdhëniet njerëzore ishte zemërak, apo, ishte talent i madh, por, në raport me të tjerët, ishte i mbyllur, ishte i ngurtë, apo ishte vigan, por, krejt i vetmuar, pa miq, etj,etj.

    Jam e sigurt, se sa herë do të flitet për Moikom Zeqon si poet, shkrimtar, studiues, arkeolog, historian… një univers dijesh, nuk do të ketë kurrë një “por”, sepse ai ishte i madh në gjithçka dhe atij i takon si askujt tjetër vleresimi, Moikomi i Madh.

    Ndaj them se libri “Me Moikomin“, i shkrimtarit të talentuar dhe mikut tim të mirë,  Enver Kushi, është një dëshmi autentike e sjellë me art dhe shpirt për figurën e ndritur të Moikom Zeqos, ndriçon dhe i jep vezullim jetës, karakterit dhe botës së tij të brendshme.

    Moikomi nga njera faqe e librit e në vijim të tyre, flet, tregon, bashkëbisedon e pasi e mbyll faqen e fundit, ti ndjen se ai vazhdon të frymojë, të shkruajë e të sjellë një tjetër libër, një tjetër studim, një tjetër esse sepse ai vetëm kështu do të jetë në kohë e paskohë, duke shpalosur, duke rrëfyer, duke sjellë vlera dhe vetëm vlera për ne, por edhe për ata që do të vinë, sepse Moikomi nuk di të ndalet, sfidon mbi gjithçka dhe troket në hapësirë.

    Ai ishte një univers qiellor që patëm fatin ta kishim pranë, ta dëgjonim e të mësonim prej tij.

    Ai ishte dhe mbetet një libër i hapur, që do të shfletohet tej kohëve!

    Dritë emrit të tij!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË