More
    KreuOpinionTituj për çdo stinë

    Tituj për çdo stinë

    Nga Edison Çeraj

    Gjetja e një titulli për një shkrim, libër, ekspozitë etj. është një mundim më vete në një kohë ku (sh)përdorimi i fjalës është kaq masiv si rrjedhojë edhe e mendësisë për të qenë protagonist, për t’u dukur (ekzistuar?), për të marrë pjesë. Në fakt, gjithsesi, edhe për ata që janë pjesë e kësaj mendësie mbetet mundim, sepse, ndër të tjera ata duan të godasin shpejt e bujshëm që në titull, gjë që kërkon një supergjetje, më saktë një superkarrem të sofistikuar. 
    Në të tilla raste, titulli funksionon si gjetja e emrit për një biznes apo produkt të ri, i cili i nënshtrohet disa kërkesave të tipit duhet të jetë i veçantë, të mbahet mend menjëherë, pse jo pak seksi, i lehtë për t’u përdorur si shenjë grafike e kështu me radhë. 
    Një biznes me interes mund të ishte dhe shitja e titujve, gjë që mund ta bënte fare mirë ai apo ajo që i jepet për gjetje e nuhatje të kësaj natyre. Natyrisht mund të funksionojë për bukuri on line (akoma nuk ke një website!?), ku pasi klienti shkrimtar, artist apo gazetar t’i ketë parashtruar fabulën e papagëzuar e të ketë derdhur një pagesë të caktuar, i propozohen disa tituj të mundshëm.
    Ky do të ishte një bashkëpunim i përputhur mes atyre që s’shkojnë dot përtej titullit dhe atyre që arratisen në zemër të subjektit pa qenë në gjendje t’i japin një identitet/karakter, me gjasë ngaqë nuk e dinë as vetë se pse i janë futur asaj valleje.
    Një burim i vyer titujsh mund të ishin disa lista apo skeda me tipologji të ndryshme (një listë me tituj artistikë, një tjetër me tituj filozofikë, tjetra me tituj të një natyre absurde apo provokuese etj.), ku herë pas herë të hidheshin fjalë e togfjalësha premtues, që më pas të shërbejnë si çelësa që hapin dyer në raste amullie, kur autori nuk është në gjendje t’i vendosë një emër asaj që ka bërë.

    Ja një listë që pak rëndësi ka se si mund të klasifikohet: 
    Dhelprat janë kushërira të dobëta, Piku i rozëmarinës, Sandalet e anijes, Veshka pritje e shoferit, Roza e Kallmetit, Xhelati i fryrë i lidhëseve, Panik në borë, Muri xhuxh i hënës, Libri ndotës i të dyve, Divani i plazhit të ardhshëm, Vegla e verdhë matanë, Kulme dashurish pa qytet, Orkestrim pa qershi, Pas lamtumirës së hollë, Spirale shumë e pjekur e shëtitores, Lista e yllit të strukur, Ëndërr marine e përfshirë, Cilësi të pyetura etnike, Bicikleta të bukura poste, Fryte të destinuara në lidhje, Halle me hile në shi, Filxhan kafeje padashje, Emër i shkrirë vonë, Flakë me sedër në ankand, Fshati me zanore dhe rrëfimi për taksat, Mburoja e tejdukshme pa not, Mësim me shkurtime për vullnetin,Nxehtësi me prejardhje, Plus një me stinët, Dëgjoj sytë, Eja dhe hënën, E qarë pa titull, Përtaci e guximshme(lista vazhdon, pa pagesë në këtë rast).
    Po ashtu, ata që janë të fiksuar pas një titulli “interesant”, mund të gjejnë këshilla të shumta on line se si duhet të jetë apo se si nuk duhet të jetë një titull. Ka aq shumë këshilla, saqë e gjithë kjo të kujton supermarketin, ku duhet të përballosh hutimin aspak terapeutik të përzgjedhjes. Në njëfarë mënyre, të gjitha këto këshilla kulmojnë për një titull sa më joshës.
    Një tjetër destinacion i preferuar për gjueti titujsh është kronika e zezë dhe faqet rozë të shtypit të përditshëm, ku herë pas here gjen vërtet perla, të cilat kalojnë pa u pikasur fare si pasojë e habitatit ku pluskojnë. Ka shkrimtarë që janë të detyruar të bëjnë gazetarin, siç ka gazetarë që (nuk) janë të detyruar të bëjnë shkrimtarin.
    Është koha e titujve që sjellin tituj. Në një mënyrë apo në një tjetër gjithnjë kështu ka qenë. Tituj nga të cilët (për)fiton autori dhe humb lexuesi, sepse ka lexues që duan të humbasin (kohë). Ka lexues që nuk lexojnë. Ata duan vetëm ta konsumojnë librin, siç konsumojnë një pije energjike apo një pako me facoleta të lagura me aromë.
    Këta lexues nuk përballohen kollaj, prandaj dhe e pamë të arsyeshme të japim disa këshilla se si mund të joshen që me shikimin e parë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË