More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAndreas Dushi: Të bartësh transhendenten në diçka fizike

    Andreas Dushi: Të bartësh transhendenten në diçka fizike

    (Një lexim i “Bartësi i shpirtrave të përzënë” të Adil Ollurit)

    Vite më parë, kur u animoja fëmijëve tema të ndryshme pranë qendrës “Don Bosco” në Shkodër, kujtoj njërin, shumë të gjatë në raport me moshën e tij, që ngriti dorën dhe më bëri një pyetje: “Andreas, ça don me thanë frikë?”. Si mund t’i përgjigjesha? E kisha të qartë përjetimin e frikës dhe e përceptoja çka ajo shkaktonte si dhe pasojë e kujt ishte, por çfarë ishte, vështirë të thuhej. Kujtoj se nuk iu përgjigja, kalova kohën tek i sillesha përsiatjes gjoja filozofike mbi të me shpresën të bëhesha i mërzitshëm. Qysh nga ajo kohë, përballë pyetjeve të kësaj natyre, jam ndjerë i stepur, i shqetësuar, i frikësuar…

    Jeta, një vajzë e vogël në Kosovën e luftës, çdo natë e kalon mes krismave të pafundme. Por nuk ka frikë! Valdetja, një grua punëtore dhe shumë e dhënë pas familjes, çdo ditë e kalon mes ushtarëve të huaj. Por nuk ka frikë! Bardhyli, një burrë i madh dhe mjaft i ditur, çdo moment e kalon në shtëpi. Por ka frikë. Pse ky sentiment krijohet tek ai e jo në dy “të brishtat” e familjes?

    Me anë të një rrëfimi psikologjik, të dendur nga ndjeshmëri, mendime, supozime, ëndrra, kthime pas, e ecje para në kohëra që ngjajnë si të paqena pasi janë aq reale sa t’i besosh të duket mosbesim, Adil Olluri tregon përsiatjen e brendshme të një njeriu rreth motiveve themelore të qenies dhe manifestimin e tyre në dukjen e jashtme. Heroi i romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë” në torbën e heroikes ka vetëm frikën dhe si qëllim, ndonëse vija e drejtë logjike të çon në përzënjen e saj, ai ka realizimin e asaj së cilës i frikësohet. Trupi i tij fizik endet duke bartur përqasjet e tija transhendente!

    Thuajse njëkohësisht, futet në linjën rrëfimore edhe “i hekurti”, treni në brendinë e të cilit do të kryhet rruga nga Kosova për në Maqedoni e atyre për të cilët trupi ishte vetëm mbrojtësi i shpirtit të përzënë nga vendi i tij. Aty, frikërat e heroit kristalizohen si realitete të tjetërkujt (kapja e një profesori nga milicët, vdekja e babait të moshuar të dikujt tjetër), por edhe i ndodhin si irealitete (ëndrra në të cilën e kapin, e mbajnë, e mandej e dërgojnë para togës së pushkatimit). E gjitha gjatë bartjes së ideve e shpirtrave. A kanë idetë shpirtra apo shiprtrat janë ide? Vështirë të krahasosh konkretisht dy elementë abstraktë.

    Heroin nuk e frikëson diçka, por dikush dhe ai nuk është ushtari, por vetja e tij: Ai ka frikë mos ndonjë sjellje e veçantë, e natyrshme ose jo, normale apo e çuditshme, do ta kthejë në një viktimë, në një “të kapur”. Sensi i përgjegjësisë i është kthyer në barrë frike të mezimbajtshme. Nuk di të them nëse kjo ishte shkak apo pasojë e faktit se ai gjithmonë e frikësonte vetveten.

    Cila është Toka e Premtuar për të: Vdekja apo Maqedonia? Si duhet shkuar në atë tokë, dinjitetshëm apo i përthyer? Heroizmi i Heroit qëndron në parapërgatitjen (hebrenjtë u përgatitën gjatë disa shekujve) e një vdekjeje që do të jetonte në kujtesë. Ai e mendon vdekjen aq shumë sepse dëshiron që kur ajo të vijë, ta gjejë gati, të përgatitur e ballëlartë përballë saj, por sapo duket se shikimet e tyre mund të kryqëzohen, llahtari e pushton, trishtimi e mbulon dhe guximi e lë, i tretet diku në udhët e së shkuarës. Mandej, tek e kërkon sërish, retrospektiva e nxitur prej nënvetëdijes e shpie drejt humbjes së aftësisë përceptuese të së tashmes.

    Olluri nuk luan me ngjarjet a personazhet, por shqetësohet tok me to: Ngjarjet i sjell si vëzhgime të hollësishme që para se të shkruhen, kalojnë në një sitë të ndërtuar duke ngërthyer imtësisht laramaninë e emocioneve që mbartin në brendinë e tyre “të mishtët”, pra personazhet. Nëse treni mbart njerëz, personazhet mbartin emocione: Njerëzit janë të përzënë ndërsa emocionet, në tentativë për tu përzënë!

    Arritja në destinacionin e “të hekurtit” ngjan e pabesueshme. Këtu, imagjinata e heroit (mësues letërsie – imagjinatë e pakufishme?!) hedh çapojtë në truallin e së pamundurës: “Po t’i mblidhje të gjitha pikat e lotit që derdheshin në secilin cep të asaj fushe, do ta krijoje një përroskë të vockël, që do ta lagte këtë anë fshati, po aq sa pikat e këtij shiu të imtë, që nuk pushonte dot.” Kjo nuk ndodh ngaqë përmbushen pritshmëritë e tij, por pasi kuptohet se besimi në diçka të pamundur, raste – raste sjell edhe diçka të mundur.

    I shkruar në vetën II njëjës, nëpërmjet imazheve të ëndërrta që krijojnë mbiemrat e shumtë, teksti i flet lexuesit si një ndërgjegje e fjetur aq thellë, sa vetëm ndonjë arsye e kobshme mund ta zgjojë e ta vendosë në krye të grigjës lara-lara të emocioneve. Guximi nuk është një tipar i përjetshëm, gdhendur fort brenda ADN-së tonë. Përkundrazi, është një përgjigje e herëpashershme, me dinamikë të gjallë lidhur me realitetin e jetesës. Mitet e klasicizmit bien, njeriu si “njësi” i modernizmit shuhet dhe kaosi brenda qenies post-moderne paraqitet aq qartë, saqë litari i nevojës për ta marrë seriozisht botën merr jetë të përndarë, duke u tendosur nga frika dhe lëshuar nga guximi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË