Botohet në Athinë romani “Muri i Turpit” i shkrimtarit Kleo Lati
Shkrimtari, publicisti e përkthyesi i mirënjohur Kleo Lati, autor i dhjetë romaneve dhe i 20 veprave të tjera të përkthyera prej tij, u paraqit kohët e fundit para lexuesit grek me romanin e tij të ri ”Muri i Turpit”, botim i Shtëpisë së njohur Botuese NIKAS, me një historik gati shekullor. Ky bollëk krijimtarie tregon se Kleo Lati e ka ndier me shpirt misionin e shkrimtarit për të qenë një zë i kohës, duke e pasuruar letërsinë tonë me vepra të reja dhe duke dëshmuar respekt ndaj qytetarëve. Ky qytetërim te ai ka gjetur vendin e vet dhe i ka folur kohës me një zë krejtësisht origjinal.
Ajo çka spikat në universin krijues të këtij autori është kuraja intelektuale për të trajtuar tema delikate që dikur janë quajtur herezi. Në disa nga romanet e tij të mëparshme, ai ka lëvruar me sukses temën e dashurisë, aq sa kritikët e kanë vlerësuar si “romancierin e dashurisë”. Ai i thurr himn dashurisë së vërtetë si diçkaje hyjnore përmes përshkrimeve joshëse, personazheve të dashuruar marrëzisht, skenave të erosit dhe këndvështrimeve reale e jetësore. Stili i tij i këndshëm, ku mbizotëron një lirizëm i thellë dhe intimitet jetësor, e ndan atë prerazi nga ata autorë që temën e dashurisë erotike nëpër vepra e trajtojnë në mënyrë sipërfaqësore apo “rozë”.
Filozofia e tij për dashurinë qëndron pranë idesë që shpaloste Ajnshtajni:
”Për dashurinë jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuri. Kjo forcë jep shpjegimin e gjithçkaje, i jep kuptim jetës. Është pikërisht ajo që kemi anashkaluar për kaq shumë kohë, mbase sepse kemi frikë prej saj, meqenëse është e vetmja energji në univers që njeriu nuk ka mësuar ende ta manipulojë”.
Te romani i tij i ri modern “Muri i turpit”, K. Lati bëhet përsëri sfidues përmes guximit të një shkrimtari e qytetari të përgjegjshëm për fatet e njerëzve. Ai trajton një temë të fuqishme shoqërore, e pse jo edhe politike, duke shfrytëzuar shpirtin dhe arkivin e kujtesës. Autori e ndërton romanin mbi bazën e një trilli fantastik duke përdorur alegorinë – një teknikë e praktikuar rrallë në gjinitë e mëdha të letërsisë, pasi historikisht ka qenë privilegj i fabulave dhe tregimeve të shkurtra. Mënyra se si ai e ka sendërtuar këtë strukturë, se si i përshkruan ngjarjet dhe se si i ka skalitur personazhet është për t›u përgëzuar; edhe pse ka zgjedhur rrugën më të vështirë, ai ia ka dalë me sukses të plotë.
Romani ndërthur ngjarje reale me tregime imagjinare të personazheve që jetojnë dhe përballen me rëzimin e një sistemi sundimtar. Ngjarjet zhvillohen në Qytetin që autori e titullon “Gropa”, në mes të të cilit ngrihet një qytetth i izoluar i quajtur “Kupola” – një qytet brenda qytetit. Përmes kësaj hapësire përshkruhet jeta e dy botëve të ndryshme. Autori nuk e përcakton qëllimisht vendin gjeografik ku ndodhen Gropa dhe Kupola. Ky abstraksion nuk vjen nga “frika” se mos e pëson nga alegoria e përdorur, sepse romani ka një tingëllim të fuqishëm aktual, por sepse qytete si Gropa gjenden kudo në botë. Në këtë mënyrë, alegoria e shkrimtarit Kleo Lati merr përmasa të përbotshme. Gjithandej ndodh i njëjti fenomen shoqëror: hendeku i madh ndarës mes të pasurve dhe të varfërve, një humnerë që thellohet vazhdimisht.
Në këtë kuptim, Kleoja nuk na ofron thjesht një pasqyrë alegorike, por një pasqyrim të thellë, real dhe dramatik që shkon deri në tragjedi. Synimi dhe ambicia e shkrimtarit është të zhveshë lakuriq kohën që jetojmë nga gënjeshtra, mashtrimi e mynxyra, me qëllim që mbi këto të vërteta të hidhura të ngrihet një botë me fuqi transformuese. Kësisoj, alegoria fiton një kuptim të ri.
Qyteti qeveriset me ligje e rregulla, por ligjin, rregullat dhe drejtësinë e bëjnë kupolistët – njerëzit e fortë të hierarkisë së pushtetit, mashtruesit dhe shfrytëzuesit. Me mjeshtëri artistike, Kleo Lati paraqet kontrastet e ndezura mes Qytetit të vjetër (Gropa) dhe Kupolës si pjellë e tij. Në Kupolë jetojnë e gëzojnë lumturinë e vjedhur shtetarët e pasur. Atje çdo gjë shkëlqen nga luksi, dritat, vilat dhe lulishtet me lule erëmira; jeta zien nga qentë e macet e racës që flenë me njerëzit, dhe qejfet nuk ndalojnë nëpër ballo e darka me orgji që zgjasin deri në të gdhirë.
Në Gropë, përkundrazi, banojnë shtresat e varfra ku mbizotëron mjerimi dhe harresa nga ana e administratës. Edhe pse jetojnë në të njëjtin qytet ku parimisht duhet të vepronin të njëjtat ligje e kode, Gropa mbetet tërësisht jashtë vëmendjes së shtetit, ndërsa kupolistët i shfrytëzojnë pa mëshirë qytetarët e thjeshtë.
Përmes episodeve të thurura bukur dhe figurave interesante artistike – si simbolet, legjendat dhe mitet – autori përdor një alegori therëse që thërret nga e kaluara. Kjo narrativë të shtyn të urresh marrëzitë aventuriere të Kupolës dhe të ngjall dëshirën për ta zhdukur atë realitet të shtrembër dhe për të realizuar ëndrrat e shpirtit.
Në majë të Kupolës vazhdimisht përplasen kumbimet e kambanave të alarmit që vijnë nga Qyteti Gropa që po zgjohet. Lindin konflikte të reja, ndërsa urrejtja reciproke dhe kontradiktat thellohen deri në papajtueshmëri. Duke vënë përballë Gropën me Kupolën, autori na ballafaqon me të mirën dhe të keqen, ndershmërinë dhe pandershmërinë, luksin dhe mjerimin, servilizmin dhe ironinë, si dhe urrejtjen e frikën e madhe që ka mbërthyer vetë Kupolën.
Nepërka, e shoqja e Guvernatorit (dhe ajo që bën ligjin në Kupolë), i thotë e tmerruar të shoqit: „Ndërto sa më shpejt një burg të madh, se na urrejnë për vdekje ata të Gropës! Do të na vrasin të gjithëve, ty do të të vrasin të parin…”
Pas ndërtimit të burgut ku do të izoloheshin njerëzit e Gropës, nis një kalvar i vërtetë aventurash. E gjitha zë fill nga dhëmbët e një qeni rrugësh të Gropës, i cili hyn në Kupolë dhe kafshon një punonjës të administratës, që vdes pas tri ditësh. Urrejtja ndaj njerëzve të Kupolës kishte arritur deri te qentë. Ata dhëmbë qeni sollën një alarm të madh që u kthye në lemeri. Të afërmit e të vdekurit kërkojnë ta varrosin atë brenda në Kupolë. Guvernatorit sikur i pëlqeu ky propozim, pasi varret e Kupolës do të ishin më vete, pa u përzier me ato të Gropës.
Këtu vjen një episod mjaft i bukur: varrmihësi nuk pranon ta kryejë varrimin me pretekstin se ishin në „grevë shtëpie”. Kjo ishte një hakmarrje e heshtur ndaj njerëzve të Kupolës. Si rrjedhojë, Guvernatori e shkëput Kupolën edhe nga varrezat e përbashkëta, duke ndërtuar varreza të reja që ngjajnë me një kopsht të lulëzuar posaçërisht për elitën. Kjo gjë krijon një tjetër hendek ndarës.
Më pas, Guvernatorit i lind “ideja gjeniale”: ta rrethojë Kupolën me një mur të madh e të lartë ndarës, që të mos e kapërcenin qentë dhe sidomos “qentë njerëz”. Muri u ndërtua brenda 10 ditëve. Në fjalimin e tij gjatë mitingut madhështor të përurimit, Guvernatori e quajti këtë mur si një “gjerdan të artë në qafën e qytetit”. Mirëpo, përfaqësuesi i njerëzve të Gropës, Shpëtimtari, e pagëzoi menjëherë si “Muri i Turpit”. Sapo tha këto fjalë, Shpëtimtari u zhduk dhe nuk u pa më – një tregues i qartë se çfarë u bëjnë pushtetarët atyre që guxojnë t’i kundërshtojnë.
Ndërtimi i murit vetëm sa e rriti pakënaqësinë dhe urrejtjen. Ai ndau përfundimisht kufijtë mes Qytetit dhe Kupolës. Çudia arriti deri aty sa kushdo nga Gropa që shkelte në Kupolë, konsiderohej shkelës kufiri dhe dënohej. Kupolistët u përhapnin propagandë qytetarëve se uji në Kupolë ishte i helmuar dhe po ta pinin do të vdisnin. Përballë Murit të Turpit tashmë lartësohej një “kështjellë” e padukshme, e ndërtuar jo me gurë të vërtetë, por me shkëmbinj akoma më të rëndë: me shkëmbinjtë e urrejtjes. Muri nuk ishte gjerdan, por një lak në fytin e popullit.
Në këtë kuadër, nuk mund të lihet pa përmendur edhe një episod që flet shumë për ironinë dhe fyerjen që njerëzit e thjeshtë u bëjnë pushtetarëve. Një ditë, Nepërka ndodhet në mes të Qytetit Gropë dhe aty i vërsulen qentë për ta kafshuar. Të gjithë qentë ishin kockë e lëkurë nga uria, por Nepërkën e shpëton Lypësi – një figurë e rrallë dhe e jashtëzakonshme në roman. Qentë i binden atij sepse e njohin. Pasi i shpëton jetën, Lypësi i kërkon Nepërkës ndonjë kacidhe, por ajo e sheh me përbuzje të thellë. Fyerja që i bën Lypësi pas kësaj është më e fuqishme se arroganca e saj: “Meqë s’ke kacidhe në portofolin tënd të fryrë, më jep një të puthur”. “Mbreti i Rrugës”, siç e quanin, i kërkoi një puthje mbretëreshës së Kupolës, e cila erosin e kishte pasur gjithmonë profesion të parë.
Këto ngjarje e çuan në kulm urrejtjen e njerëzve të Gropës. Përmes një shoqate që krijuan për të zgjidhur hallet dhe për të kanalizuar pakënaqësitë, ata vendosin ta sulmojnë dhe ta shembin përtokë “Murin e Turpit”. Kryespiuni vë urgjentisht në dijeni Guvernatorin, të cilin e tmerron ideja e përmbysjes së murit nga „barbarët“. Atë nuk e zë më gjumi; frika e madhe i kthehet në një makth të pandalshëm. Për net me radhë, ai shikon një ëndërr ku zhvillon një dialog me vetë Murin, i cili i bën thirrje që ta rrëzojë. Prej këtij tmerri, guvernatori vendos ta rrëzojë vetë murin përmes një fjalimi të zjarrtë, për t’i dalë së keqes përpara, me mendimin se me rënien e murit do të përmbysej gjithçka. E gjithë kjo ide ishte thjesht një mashtrim i radhës: të rrëzojmë murin që të ruajmë privilegjet dhe pushtetin.
Muri ra, por turpi mbeti…
Kleo Lati e ka skalitur me kujdes të veçantë botën e personazheve përmes një narracioni brilant. Si personazhet e Kupolës, ashtu edhe ata të Gropës, ai i ka lënë pa emra realë në funksion të qëllimit të tij alegorik. Ata etiketohen me nofka ose me funksionin e detyrës shtetërore që kryejnë: Guvernatori, Kryepushtetari – strumullari dhe ideatori i gjithçkaje që ndodh në qytet, një burrë megaloman dhe delirant; e shoqja, Nepërka, e cila në fakt bën ligjin dhe është de facto Kryeguvernatorja; Kryesekretari, Kryespiuni, Kryeadministratori, Shefi i Kabitetit, Shefi i Policisë, Gjenerali e të tjerë zyrtarë. Ndërkaq, ata të Gropës mbajnë emra të thjeshtë profesionesh: gurgdhënësi, punëtori, muratori, varrmihësi, lypësi etj. I vetmi që mban një emër të vërtetë në tërë këtë ansambël është qeni Erik. Përmes këtij etiketimi të personazheve, autori u vesh atyre një karakter të fortë përgjithësues. Këta personazhe shpërfaqen me një botë meskine, me cinizëm të papërmbajtur, vese dhe perversitete, ku shkrimtari i shtjellon karakteret e tyre gjithmonë në interes të idesë qendrore. Kleo Lati, i njohur si romancier i dashurisë, në këtë vepër demaskon me forcë degjenerimin, amoralitetin, aventurat e shëmtuara erotike dhe çthurjen deri në skaj, veçanërisht te e shoqja e Guvernatorit, e cila me sjelljet e saj kthehet në një figurë krejtësisht të neveritshme.
Teksa mbaron së lexuari romanin e Kleo Latit, ndien kënaqësi dhe emocione të forta që burojnë nga përshkrimet e gjalla, filozofia, bota e veçantë psikologjike, gjuha e pasur dhe lirizmi i hollë. Këtu arti buron nga një logjikë e ftohtë dhe largpamëse, por njëkohësisht ndien edhe neveri e urrejtje ndaj asaj bote të korruptuar. Muri u shemb, por alegoria na çon edhe më larg. Si një shkrimtar me përvojë dhe fuqi të madhe krijuese, që e sundon magjinë e fjalës, psikologjinë njerëzore dhe narracionin, Kleo Lati sheh përmes këtij stili alegorik te brinjët e dërrmuara të njerëzimit, ku shfrytëzimi i egër ekziston i fshehur mes retorikës politike dhe realitetit.
Duke lexuar këtë roman të ndërtuar mbi alegorinë, ndërmend të vjen pashmangshëm „Alegoria e Shpellës“ e filozofit të madh grek, Platonit, e shpalosur në veprën e tij “Republika”. Siç e përshkruan Sokrati aty, një grup njerëzish të lidhur me zinxhirë në fund të një shpelle gjatë gjithë jetës së tyre, qëndrojnë përpara një muri bosh. Ata shikojnë vetëm hijet e projektuara në mur nga objektet që kalojnë para një zjarri të ndezur pas shpinës së tyre, dhe u japin emra këtyre hijeve. Hijet janë i vetmi realitet që njohin të burgosurit. Mirëpo, kur dikush lirohet, ai përballet me dritën dhe zbulon Diellin, i cili përfaqëson simbolin e së vërtetës absolute. Platoni e përdor këtë analogji për të treguar se njeriu shpesh sheh vetëm iluzionet (hijet), pa e parë dot burimin e vërtetë që qëndron pas tyre.
Në të njëjtën mënyrë, Kleo Lati me romanin e tij të fundit “Muri i Turpit” na fton të dalim nga shpella e iluzioneve dhe e propagandës së Kupolës, për të parë në dritën e diellit të vërtetën e zhveshur të shoqërisë sonë.


