Bisedoi: Kadia Dedja
Në librin Historitë e çmendura të Tiranës, botuar nga “Onufri”, trajtohen ngjarjet dhe fenomenet më të spikatura që kanë ndodhur në Tiranë, duke filluar nga vitet 1600 me krijimin e saj, miti i origjinës së emrit, marrëdhënia mes qytetit dhe njerëzve që e kanë drejtuar, si bejlerë, familje të fuqishme, mbretër, diktatorë dhe politikanë, lagjet dhe kafenetë kryesore, hapësirat publike, parqet, ndryshimi i emrave të rrugëve sipas etjes së sundimtarëve të ndryshëm, qoftë shqiptarë apo të huaj, tjetërsimi i Tiranës nga një vendbanim me infrastrukturë të kufizuar në një kryeqytet që ndryshon nga projektet arkitekturore, regjimet politike dhe interesat ekonomikë, deri te ngjarjet e pasviteve `90, konkretisht deri në vitin 2010. Në këtë intervistë për “ExLibris” shkrimtari Ben Blushi shpjegon çfarë e shtyu të shkruante këtë roman, si dhe flet për mënyrën se si ka rindërtuar përmes letërsisë historinë e Tiranës, për figurat historike që kanë ndikuar në zhvillimin e saj, për absurditetet e së shkuarës dhe për gjurmët që ato vazhdojnë të lënë në shoqërinë shqiptare.
Teksa lexon librin Historitë e çmendura të Tiranës, ku sillni një galeri historish, personazhesh dhe episodesh që e bëjnë qytetin të shfaqet në një dritë të pazakontë, lind natyrshëm kureshtja se si keni arritur t’i mblidhni këto ndodhi kaq të veçanta. Keni shfrytëzuar arkiva, dokumente dhe burime historike, apo për disa prej tyre jeni mbështetur në rrëfime gojore? Dhe a ka pasur edhe zbulime rastësore që ju kanë çuar në drejtime të papritura?
Unë nuk jam historian dhe nëse do të bëja një libër të mirëfilltë historik, do të bëja armiq edhe historianët. Më dalin armiqtë që kam, të cilët janë kryesisht politikanë, gazetarë dhe shkrimtarë. Megjithatë, që t’i përgjigjem pyetjes, romani është një histori e rikrijuar. Është, pra, një fiction, një fryt i fantazisë që merr përsipër të tregojë ngjarje reale dhe personazhe që kanë jetuar vërtet.
T’ju jap një rast.
Pak a shumë pranohet se qyteti u themelua në vitin 1614 nga një pasha i vogël me emrin Sulejman pashë Bargjini, i cili la një ditë fshatin e vet, Mulletin dhe vendosi të krijojë disa biznese në qendër të Tiranës, aty ku sot është Ushtari i Panjohur. Ai ngriti aty një xhami, një han, pra hotel, një hamam, pra një tualet publik apo qendër estetike dhe një çezmë. Ky është fakti historik që dimë. Ngritja e këtyre katër objekteve çoi në krijimin e qytetit me 1 milion banorë që kemi sot. Mirëpo motivet e këtij pashai, dilemat e tij, kundërshtitë që pati nga njerëzit e afërt kur braktisi fshatin, sherret me gratë e veta, udhëtimet e tij në Azi, ku mësoi si funksionojnë qytetet e mëdha, si bëhen hotelet dhe hamamet, vështirësitë për të ndërtuar dhe arsyet pse zgjodhi pikërisht këtë vend dhe jo një pikë tjetër në fushën e pamatë të Tiranës ne nuk i dimë. Këto rrëfime të panjohura përbëjnë librin. Prandaj ky libër është roman dhe nuk është histori. Ato që i lejohen një shkrimtari nuk i lejohen një historiani. Teknika që përdor një historian i ngjan hapjes së një sënduku të vjetër ku ka disa letra dhe disa rroba apo enë kuzhine, kurse teknika e një shkrimtari i ngjan vizatimit në qiellin e pafund me penelat e fantazisë.
Ky libër përmban njëqind personazhe reale dhe një mori ngjarjesh të vërteta, të ndodhura përgjatë më shumë se katër shekujve. Historitë ndryshojnë nga një kapitull në tjetrin, por rrëfehen në mënyrë artistike dhe pasurohen nga imagjinata e autorit, çka kërkon një ekuilibër delikat mes dokumentimit dhe krijimit letrar. Cili është, sipas jush, filli i padukshëm që i lidh këto histori kaq të largëta në kohë dhe i bën të funksionojnë si një roman? Dhe a ekziston një tension mes fakteve dhe trillimit, apo, përkundrazi, janë pikërisht faktet ato që e ushqejnë imagjinatën?
Tirana është filli që bashkon njëqind personazhet që veprojnë në 400 vjet, duke u ndarë nga njëri-tjetri në tridhjetë e tetë kapituj. Ky libër mund të shijohet si një serial në Netflix. Pra, ti mund të shikosh serinë 26 pa pasur detyrimisht nevojë të shikosh serinë 25 apo 13. Kjo është bërë me qëllim. Personazhet veprojnë në të njëjtën hapësirë, që është Tirana, por në kohë të ndryshme. Ata mund të mos kenë asnjë lidhje me njëri-tjetrin, por kanë të njëjtin qëllim: të dominojnë qytetin. Pra, të grumbullojnë më shumë pushtet, pasuri dhe të marrin më shumë vendime. Prandaj diku kam thënë se ky libër i ngjan një historie me tiranë. Tiranët e kanë bërë Tiranën. Egërsia e tyre dhe konkurrenca e përgjakshme na ka dhuruar një qytet që edhe sot mban gjurmët e tiranëve që e kanë drejtuar për 400 vjet.
Megjithatë, nga galeria relativisht e varfër e politikanëve, urbanistëve apo artistëve që kanë parakaluar në këto 400 vite mbi tokën e Tiranës, unë kam përzgjedhur njerëz të cilët sipas meje kanë lënë një gjurmë në ndërtimin e qytetit apo në kulturën e tij. Ata janë të gjithë aventurierë. Pa aventurat e tyre, pa intrigat e tyre, pa ambiciet e tyre, pa grykësinë e tyre dhe pa çmenduritë e tyre nuk do të kishim qytetin që kemi sot. Mund të kishim një qytet tjetër, ndoshta më të mirë, por jo këtë që kemi. Të shkruash për Tiranën është e pamundur të mos përdorësh fantazinë. E kam thënë në krye të librit se Tirana është kryeqyteti europian, ndoshta edhe botëror, për të cilin janë shkruar më pak libra. Sidomos mesjeta është një terr që duhet rikrijuar dhe dy-tre libra që janë shkruar për të përmbajnë më shumë legjenda sesa të vërteta. Nga vitet 1600 deri në vitin 1900 për Tiranën dihet shumë pak. Për fat të keq, udhëtarët e huaj europianë në ato vite shkonin vetëm në Jug ose në Shkodër dhe e injoronin Tiranën, që u dukej një fshat pa interes. Këtu nuk kishte hane, pra hotele të mira dhe njerëzit ishin shumë të prapambetur. Po t’ju them se vizatimi i parë për Tiranën është bërë në vitin 1848 nga një piktor anglez, e kuptoni se sa i parëndësishëm ka qenë ky gjysmëqytet ku deri në atë vit jetonin më pak se 5 mijë banorë. Prandaj ka kaq pak libra për Tiranën dhe shumë pak dëshmi. Por nëse për historianët është shumë e vështirë, për shkrimtarët është më e lehtë. Kjo nuk do të thotë se ishte e lehtë për mua të shkruaja 100 mijë fjalë, apo rreth 600 faqe, në gjashtë muaj, duke punuar ditë e natë, ndërkohë që shfletoja nëpër libra të vjetër për të zbuluar detaje mbi të cilat duhej të rikrijoja një histori të zhdukur. Është njëlloj sikur të krijosh një qytet duke parë vetëm majat e oxhakëve që nxjerrin më shumë tym. Pjesën poshtë tyre, dritaret, dyert, rrugët dhe bodrumet, duhet t’i marrësh me mend. Kështu kam vepruar edhe unë duke krijuar siluetën e Tiranës nga tymi i historisë.
Nisur edhe nga ngjarjet që rrëfeni, Tirana ka qenë vazhdimisht objekt dëshirash, projektesh, ndërhyrjesh dhe keqkuptimesh nga të huajt. Disa kanë lënë gjurmë në arkitekturë, si Musolini, të tjerë në politikë, ndërsa disa kanë qenë thjesht aventurierë që kanë hyrë në historinë e qytetit përmes episodesh thuajse të pabesueshme, si Otto Witte, klouni që pretendonte të ishte mbret i Shqipërisë dhe John Wesley de Kay, për të përmendur vetëm disa. Çfarë e ka bërë Shqipërinë kaq të ekspozuar ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe çfarë kanë lënë ata pas në Tiranë, përtej ndërtesave dhe gjurmëve të dukshme?
Tirana u bë interesante kur ikën turqit. Pra, pasi u bë e pavarur, në fillim të shekullit të kaluar, Tirana filloi të shërbente si një lidhje mes Jugut e Veriut dhe Lindjes e Perëndimit. Turqit osmanë lanë shumë pak gjurmë në Tiranë. Gjatë kohës së tyre këtu mungonin plotësisht elementet urbane për ta quajtur Tiranën një qytet të organizuar. Duhet të dini se deri në fund të viteve 1800 Tirana ishte një grumbull shtëpish nga Parlamenti te Pallati i Kulturës dhe xhamia e sotshme. Gjithçka tjetër që kemi sot, që nga zona e Trenit, zona jashtë Unazës, Blloku, Tirana e Re, Stadiumi, Liqeni, Ali Demi, Astiri, Kinostudioja, madje edhe Rruga e Durrësit dhe Rruga e Kavajës, nuk ekzistonin. Këto ishin fusha boshe, në disa raste kullota, kurse rrugët kryesore që zbresin në qendër ishin shtigje që çonin në qytete të tjera, por jo zona të banueshme. Kur vendi fitoi pavarësinë, ambiciet e familjeve të pasura që kontrollonin qytetin shpërthyen dhe konkurrenca mes tyre, si dhe hapja ndaj Perëndimit, filloi ta mbushte Tiranën me tregtarë të huaj, mashtrues, spekulantë dhe piktorë, më pas edhe me fotografë shëtitës. Pas tyre erdhën me radhë ushtritë më të mëdha të kohës, austriakët, italianët dhe gjermanët, të cilat sollën edhe teknologji të re, bashkë me urbanistë dhe shije më të rafinuara jetese. Kjo është arsyeja pse shumica e arkitektëve që kanë ndërtuar Tiranën janë të huaj, kryesisht italianë, por edhe austriakë, gjermanë, rusë dhe bullgarë. Tirana është një mishmash arkitekture që u ndërtua sipas shijeve të pushtuesve të saj. Pushtuesit krijuan qytetin tonë modern. Tirana mori formën e një qyteti vetëm gjatë kohës së Ahmet Zogut i cili, për hir të së vërtetës, është njeriu që e modernizoi këtë qytet. Askush deri sot nuk ka lënë dot më shumë gjurmë se Ahmet Zogut në zhvillimin e Tiranës. Ëndrra e tij për t’i dhënë mbretërisë një kryeqytet është arsyeja pse sot kemi një qytet relativisht të rregullt në qendër dhe jo një grumbull shtëpish. Pra, nëse Sulejman pashë Bargjini ishte themeluesi i Tiranës, stërstërnipi i tij, Ahmet Zogu, ishte modernizuesi.
Në libër shfaqen edhe momente groteske, dobësi njerëzore dhe situata që shpesh i afrohen absurdit. A është historia vërtet më absurde se trillimi apo mendoni se natyra njerëzore zbulohet më mirë përmes humorit dhe ironisë?
Po, jam përpjekur të vizatoj karakteret e njerëzve që krijuan Tiranën duke përshkruar dobësitë, manitë dhe meskinitetin e tyre, bashkë me madhështinë, atëherë kur ajo ka qenë diçka që duket. Kështu, nëse historianët tregojnë madhështinë e burrave të shtetit, shkrimtarët duhet të futen pak më thellë në ndërgjegjen e tyre. Pra, në shpirtin e tyre, në motivet që qëndrojnë pas veprave, godinave, prishjeve, shkatërrimeve, urave, shesheve dhe gjithë elementeve që përbëjnë një qytet. Jam përpjekur të tregoj historinë e objekteve kryesore që përbëjnë Tiranën, që nga xhamia në qendër, Sahati i Madh, bulevardi, ministritë, sheshi “Skënderbej”, Rruga e Kavajës, centrali i parë elektrik, shkolla e parë, hotel “Tirana”, Muzeu Kombëtar, Ura e Tabakëve etj. Këto janë objektet me të cilat identifikohet çdo njeri që jeton sot në Tiranë. Pa njohur historinë e krijimit të tyre, bashkë me njerëzit që i ndërtuan ato, nuk e njohim Tiranën. Prandaj ky libër mund të jetë një mundësi që miliona njerëz që jetojnë këtu të dinë si u krijua qyteti që i ka bashkuar nën një çati apo në një lagje. Më vjen keq që për Tiranën janë shkruar kaq pak libra dhe do të isha i lumtur sikur ky botim të mbushte një boshllëk kaq të madh. Njerëzit që jetojnë sot duhet të dinë si u krijua qyteti i tyre, lagjet e tyre dhe çfarë betejash janë bërë për truallin në të cilin ndodhet pallati i tyre.
Në libër flitet për protestat studentore kundër diktaturës në vitin 1990 dhe për trazirat e vitit 1997, që shpërthyen në një kontekst krize të thellë politike e shoqërore. Së fundmi, Tirana është përfshirë nga lëvizje sociale, të cilave ju, duke mos qëndruar indiferent ndaj zhvillimeve që shqetësojnë shoqërinë, u keni kushtuar vëmendje edhe përmes shkrimeve dhe qëndrimeve tuaja publike. Nëse Tirana do të mund të fliste përmes këtyre tri momenteve, çfarë do të na tregonte për ndryshimet në shoqërinë shqiptare dhe për ato probleme që, ndonëse kanë ndryshuar formë, vazhdojnë të rikthehen?
Fëmijët e lindur pas viteve 1990 i habit jeta që kemi pasur para këtij viti. Ata nuk kuptojnë dot se si kemi jetuar në një qytet ku ndaloheshin makinat, ku ndalohej Coca-Cola, çamçakëzi, antenat e televizorëve, kanalet e huaja, muzika perëndimore, mjekrat, flokët e gjatë dhe ku nuk mund të takoje lirshëm një të huaj. Për gati dyzet vjet Tirana ka qenë qyteti më i çuditshëm në botë. Askund tjetër, as në Lindje dhe as në Perëndim, as në Azi dhe as në Afrikë, njerëzit nuk i kanë vendosur kaq shumë kufizime njëri-tjetrit. T’ua shpjegosh këtë çudi fëmijëve të sotshëm, rrezikon të dukesh një trillues, ose një njeri që tregon përralla. Si mund ta besojnë ata se dikur në Tiranë nuk kishte asnjë makinë dhe asnjë burrë nuk mbante dot mjekër, xhinse dhe flokë të gjatë, sepse kjo ndalohej me ligj. Unë i kam shpjeguar me detaje këto çudi, me shpresë se fëmijët do të kenë një pasqyrë të jetës sonë të përmbledhur në një libër. Këto ndalime të çuditshme që erdhën nga Kina komuniste janë disa nga arsyet që më shtynë ta quaja librin Historitë e çmendura të Tiranës. Tirana është e mbushur me histori të çmendura, nga të cilat ka shpëtuar me vështirësi, duke paguar një çmim shumë të lartë. Natyra i dha Tiranës çdo gjë, klimën, ujin, freskinë dhe fushat, bashkë me kodrat e mrekullueshme, por njerëzit e penguan të rritej me shpejtësinë që duhej. Prandaj Tirana ishte një qytet kaq i vogël për gati 300 vjet. Që nga viti 1600 deri në vitin 1900 njerëzit që jetonin këtu ia bënin jetën ferr njëri-tjetrit. Tirana ishte shumë e egër, shumë e varfër dhe shumë e rrezikshme. Në çdo çast mund të rrëmbeheshe, të vriteshe dhe të bastiseshe për shumë pak. Çmenduria ishte tipari kryesor i këtij qyteti që, megjithatë, ishte i bukur, i mbushur me lule dhe me shtëpi të ulëta. Po aq e çmendur sa mesjeta ishte edhe koha e komunizmit dhe pastaj ngjarjet e vitit 1997, kur njerëzit hipnin në tarraca duke bërë gjueti mbi pallatet e tjera sikur të jetonin në një çmendinë të braktisur befas nga rojat dhe mjekët që ishin çmendur njëlloj si pacientët. Edhe sot mund të gjesh gjurmë çmendurie në Tiranë. Këtu çdo ditë arsyeja me marrëzinë bashkëjetojnë me vështirësi në dëm të së parës. Gjurmët e çmendurisë mund t’i gjesh në çdo lagje ku një pallat njëzetkatësh i ka zënë frymën një vile dykatëshe apo ku një lagje me pesë mijë banorë, tre mijë pleq dhe dy mijë makina nuk ka asnjë parking dhe asnjë lulishte. Çmenduria që vazhdon do të ishte titulli i dytë i këtij romani. Por mendoj se titulli që ka nuk mërzit askënd, përfshi historianët. E kam quajtur Historitë e çmendura të Tiranës dhe jo Historia e çmendur e Tiranës, siç ishte një variant. Nëse do të vendosja titullin e dytë, do të më akuzonin se nuk di të shkruaj histori, çka as e kundërshtoj dhe as e pohoj. Unë kam shkruar një histori në mënyrën time. Duke përdorur letërsinë. Nuk kam treguar një histori, por kam mbledhur ngjarjet më të çmendura, njerëzit më të çmendur, aktet më të çmendura, të cilat kur i lexon të krijojnë përshtypjen se je duke jetuar në një qytet shumë interesant, për të cilin ia vlen të luftosh. Tirana duket një qytet shumë kozmopolit, pasi në libër shfaqen shumë të huaj që kanë lënë gjurmë në këtë qytet. Edhe unë vetë e kam vështirë të besoj se si kanë ndodhur gjithë këto histori që kam përshkuar. Për fat të mirë, janë të gjitha të vërteta. Unë kam shtuar kripë dhe vaj mbi një copë bukë. I kam dhënë pak më shumë shije bukës së thekur të Tiranës duke e lyer mirë me vajin e fantazisë dhe duke e ëmbëlsuar me kripën e letërsisë moderne.
Ka ngjarje dhe personazhe që kanë ndryshuar fatin e qytetit, por edhe momente kur një vendim tjetër mund ta kishte çuar historinë në një drejtim krejt të ndryshëm. Nëse do të veçonit një pikë kthese, nga ato që trajtoni në libër ose edhe përtej tij, cila mendoni se do të kishte bërë që historia e Tiranës të shkruhej ndryshe?
Ngjarja që shënoi historinë e qytetit është zbritja e një fisi të egër nga Kruja. Këta ishin Toptanët. Në fillim ata zbritën për të grabitur kafshë, pasuri dhe vajza, por pastaj ky qytet i qetë, i mbushur me lule, u pëlqeu, derisa e pushtuan dhe e dominuan për afro 200 vjet. Kjo familje shumë e madhe, që unë e kam quajtur dinasti, bëri Tiranën që kemi sot. Toptanët u ndanë në disa degë dhe luftuan me njëri-tjetrin për pushtet dhe pasuri derisa i humbën të gjitha. Nëse nuk do të kishte ardhur Italia fashiste dhe më pas komunizmi, Toptanët e sotshëm do të ishin pronarë të çdo centimetri tokë brenda Unazës së Tiranës, deri në Kamëz dhe Rinas. Por, nga ana tjetër, nuk mund të them se zbritja e tyre në Tiranë e shpejtoi apo e ngadalësoi zhvillimin e qytetit. Fisi tiranas që ata mposhtën ishin Bargjinët, të cilët kishin një sens më të zhvilluar artistik dhe arkitekturor. Bargjinët, që u mundën dhe pastaj u shartuan me Toptanët, mund t’i kishin dhënë qytetit një drejtim tjetër. Një nga ngjarjet më të bukura të Tiranës, që ktheu historinë dhe pushoi gjakderdhjet, ishte martesa në të njëjtën ditë e katër motrave nga Tirana me katër vëllezër nga Kruja. Pra, katër Bargjine u martuan me katër Toptanë në përfundim të një lufte 100-vjeçare që drejtohej nga katër Ibrahimë. Pra, lufta për Tiranën që nuk u zgjidh dot me shpata u zgjidh në krevat. Paqja mes fiseve të egra që luftuan për njëqind vjet u firmos poshtë çarçafëve. Ky moment, që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Europës, pra katër martesa në një ditë, e shpëtoi qytetin tonë nga shkatërrimi përfundimtar. Nëse betejat do të vazhdonin, Tirana do të ishte djegur dhe shumica e njerëzve ndoshta do të kishin shkuar në qytete të tjera. Duke notuar në këto ujëra, unë kam shpjeguar historinë e këtyre fiseve, jetën e njerëzve të lidhur me ta, që nga Haxhi Et`hem Beu, që ishte një gjeni, tek Esat Toptani, një makiavelist, tek Ahmet Zogu, një talent i madh politik, te mamaja e tij, Sadije Toptani, që ishte matriarka e familjes mbretërore, te gjashtë motrat e tij tekanjoze dhe pastaj deri tek tiranët e mëdhenj të botës që u morën me Tiranën, si Musolini, Viktor Emanueli, Hrushovi, Enver Hoxha dhe shumë të tjerë. Mozaiku i personazheve shqiptare dhe të huaja është i pafund, por të gjithë kanë një të përbashkët: sipas meje, janë të gjithë të çmendur. Ndryshe nuk do të hynin në librin tim. Ky është i vetmi kriter që kam përdorur. Por që disa njerëz që janë akoma gjallë të mos mërziten, dua të them edhe diçka tjetër. Unë kam përmendur vetëm emrat e njerëzve që kanë vdekur. Atyre që janë ende gjallë nuk kam dashur t’ua them emrin, megjithëse kuptohet cilët janë. Ky është kriteri i dytë. Pra, që të jesh personazh në librin tim duhet të jesh i çmendur dhe i vdekur.
A ka ndonjë personazh që, gjatë shkrimit, ju ka befasuar, ju ka bërë ta shihni më ndryshe nga sa e kishit menduar fillimisht? Dhe cili prej tyre mendoni se do të ngjallë më shumë simpati te lexuesi?
Nuk i ndaj dot. Natyrisht, njerëzit do të priren të zgjedhin ata që i njohin më pak. P.sh., shumë pak dihet për poetin Zenel Bastari, një bejtexhi shumë inteligjent që, përveçse zbuste xhinde, u bë bektashi, u arratis, u fsheh në male, u shpëtoi disa vrasjeve, pastaj filloi të shiste poezi si fletërrufe, derisa, kur e zbuan nga të gjitha tavernat e Tiranës, u bë një rrobaqepës magjepsës që unë e kam krahasuar me Valentinon për nga finesa dhe shpikjet e modeleve që u sajonte grave. Besoj po aq interesantë janë edhe disa aventurierë të tjerë, si Otto Witte, një kloun gjerman që u bë mbret i Shqipërisë për pesë ditë duke mashtruar Esat Toptanin, amerikani më i pasur i kohës John de Kay që mashtroi Ahmet Zogun duke i vjedhur bankës së Shqipërisë disa miliona, arkitektët e mëdhenj italianë që ndërtuan qendrën e qytetit apo Haki Stërmilli, një shkrimtar shumë i mirë që pasi punoi si shefi i shërbimit sekret të Zogut, përfundoi në burg si komplotist dhe kur doli, shkroi bestsellerin e letërsisë shqipe, Sikur të isha djalë. Pa dyshim, nuk janë më pak interesantë Beqir Valteri që i bëri atentat Zogut dhe u fsheh në banjën e parlamentit, Mid’hat Frashëri që kishte librarinë kryesore të Tiranës apo amerikani Harry Fultz, njeriu që elektrifikoi Tiranën dhe ngriti shkollën teknike, ku studionte komunisti Mehmet Shehu. Romani fillon në vitin 1600 dhe mbaron në vitin 2000 dhe përveç njerëzve shumë të njohur, aty ka edhe njerëz të zakonshëm, siç është rasti i Dylit, komshiut tim, njeriut që rregullonte telefonat e Tiranës në kohën e komunizmit, që ishin diçka e rrallë. Unë e kam jetuar kohën e komunizmit bashkë me ndalimet e saj absurde dhe besoj shumë njerëz që e kanë jetuar bashkë me mua do të gjejnë në përshkrimet e mia jo vetëm miqtë, por edhe vetë jetën e tyre, bashkë me çuditë e asaj kohe. Jetët e gjithë këtyre njerëzve i kam rindërtuar sipas mënyrës sime, duke përdorur një teknikë të thjeshtë: fakte të marinuara me fantazi. Kjo është menuja e këtij romani.
Në librin Historitë e çmendura të Tiranës bie në sy mungesa e dialogëve, një tipar që vihet re edhe në romanin Jam mysliman dhe në librat e tjerë të shkruar nga ju. A është kjo një zgjedhje e vetëdijshme stilistike?
Sigurisht. Në pothuajse dhjetë romanet që kam botuar, me përjashtim të njërit, unë nuk përdor dialogë. Më duket sikur kjo formë e ngadalëson stilin. Letërsia e sotshme ka shumë ndryshime me letërsinë e vjetër, por kryesorja është ritmi. Pra, shpejtësia. Sipas meje, dialogët e ulin ritmin. Dialogët janë si pengesat në rrugë. Si policë të shtrirë. Koha e sotshme i jep shumë pak minuta letërsisë. Kështu që të ndalosh në postbllokun e çdo dialogu humb kohë. Unë nuk dua t’i lodh lexuesit e mi. Prandaj dialogët i shmang, ose i shkruaj ndryshe. Deri tani koha më ka dhënë të drejtë. Asnjë nga lexuesit e mi nuk është ankuar pse mungojnë dialogët. Kush mund të ankohet pse nuk ka pengesa në rrugë? Unë kam dëgjuar lloj-lloj gjërash për librat e mi. Në disa raste kam dëgjuar se nuk janë fare libra. Në disa raste pse bëj një libër çdo vit. Në një rast pse shkruaj kur duhej të merresha me punë të tjera. Por kjo është thënë vetëm nga ata që bëjnë libra vetë. Asnjëherë nga lexuesit, të cilët nuk ankohen se nuk e çuan dot librin tim deri në fund. Librat e mi ose lexohen ose nuk lexohen fare. Ta lësh librin në mes, duhet të jetë mallkimi më i rëndë për një shkrimtar. Gjyshja ime nuk mërzitej kur unë thyeja ndonjë pjatë. Ajo mërzitej vetëm kur nuk e mbaroja pjatën që kishte gatuar për mua. Që atëherë jam mësuar të përdor ekonominë dhe ritmin. Pra, çdo fjali duhet të jetë me masë dhe e shpejtë. Një lexues duhet të ngrihet nga libri si nga tavolina e gjyshes sime: gjithmonë i pangopur. Kjo është e vetmja mënyrë që ai të kthehet prapë.
Për ta mbyllur, pjesa më e madhe e romaneve tuaja janë bestseller. Mendoj se kjo lidhet, përveç stilit të lartë letrar, edhe me faktin që trajtoni tema delikate, duke folur shpesh për problemet më aktuale me të cilat përballet shoqëria shqiptare sot. Çfarë ju nxit të prekni këta nerva të ndjeshëm?
Shkrimtarët janë si kalimtarët. Nëse ecën dhe shikon një makinë që ka bllokuar rrugën apo një vandal që ka zënë trotuarin, nuk mund të ngresh kokën lart dhe të kërkosh zogjtë në qiell. Kështu që unë përpiqem të flas për temat që dominojnë kohën tonë. Kur ndodh që nuk dua t’i fus duart në baltën që na rrethon, përdor dorezat e simbolikës. Pra, flas për atë që po ndodh duke e zhvendosur ngjarjen në një kohë tjetër. Prandaj disa nga romanet e mia të fundit janë distopike. Ato përshkruajnë realitete të zymta, të cilat nuk kanë ndodhur ende, por rrugët ku po ecim po na çojnë me shpejtësi aty. Para dhjetë vjetësh kam botuar një roman që tregonte se si një qytet votoi një kandidat të vdekur. Njerëzit në atë kohë thanë që kjo nuk ndodh. Si mund të votohet një kandidat i vdekur? Për fat të keq, kjo po ndodh sot e kësaj dite dhe nëse vendi ka një krizë përfaqësimi, kjo është një nga arsyet. Ne votojmë ata që politikisht kanë vdekur apo kanë skaduar, si në romanin tim Kandidati. Atëherë kam marrë shumë sulme për këtë libër, siç ndodhi edhe para dy vitesh me romanin Komploti, ngjarjet e të cilit zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri mund të jetojnë 1.5 milion shqiptarë dhe 500 mijë emigrantë të huaj. A mund të zbrazet Shqipëria në këtë masë pas njëzet vjetësh? Nëse vazhdojmë të votojmë kandidatët e vdekur, kam frikë se po. Zbrazja është një fenomen i ashpër shqiptar, siç është radikalizmi fetar që po fiton çdo ditë e më shumë terren në jetën tonë. Sot për shkak të radikalizmit politik dhe ideologjik kemi kaq shumë konflikt në shoqëri. Në të ardhmen do të kemi edhe më shumë konflikte. Konfliktet mes të pasurve e të varfërve dhe vendasve e emigrantëve po e bëjnë Europën të paqeverisshme. Ne nuk bëjmë përjashtim. Nëse një shkrimtar nuk merret me këto tema, atëherë ai i ngjan atij kalimtarit që ecën në trotuarin e vet dhe flet me zogjtë, ndërkohë që makina e së keqes ka zënë rrugën. Shkrimtarët nuk kanë lindur për të numëruar lulet në pranverë. Ata jetojnë edhe në dimër, edhe në vjeshtë, edhe në zheg, edhe në ngricë. Nëse shkrimtarët kanë një funksion, ky është i ngjashëm me atë të sensorit. Pra, ata testojnë shqisat e shoqërisë. Shkrimtarët janë mjekët e shoqërisë njerëzore. Ata kuptojnë të parët sëmundjet e saj. Kur gjërat shkojnë keq, ata e paralajmërojnë apo e tregojnë me gisht. Disa shkrimtarë të sotshëm shqiptarë mendojnë se letërsia nuk duhet ta ketë fare këtë funksion. Kjo është arsyeja që nuk lexohen dhe prandaj harxhojnë kohën duke u marrë me shkrimtarët e tjerë. Shkrimtarët ndahen në disa raca. Më fatkeqja është ajo e shkrimtarëve që fajësojnë shkrimtarët e tjerë për dështimin e tyre. Në vend që të shkruajnë libra, ata bëjnë fletërrufe në Facebook dhe përdorin pseudonime të marra nga azilet e pleqve. Kur shkrimtari i përdor duart për të djegur librin e një shkrimtari tjetër, ai ka vdekur. Dhe varreza e shkrimtarëve të gjallë është shumë e pasur. Unë kaloj nganjëherë aty dhe më vjen keq kur shikoj se si e kanë shkatërruar veten pa kuptuar pse janë gjallë. Zilia është robëria e shkrimtarit. Ai e vdes shpirtin e tij duke e marrë peng. Kur mendon më shumë për një shkrimtar tjetër se për vete, nuk je më i lirë. Shkrimtari i ngjan një njeriu që ka hipur në majë të direkëve dhe duke parë me dylbi një masë në horizont, u thotë marinarëve aty poshtë se përballë kanë një ajsberg, një anije tjetër apo një breg. Nëse shkrimtarët do të kuptojnë se letërsia duhet ta luajë këtë rol, do të shesin pak më shumë dhe nuk do të merren as me sytë e as me dylbitë e shkrimtarëve të tjerë. Në tregun e sotshëm të ideve, dylbi ka për të gjithë. Sytë duhet t’i kesh vetë. Por duhet t’i hapësh.


