KreuLetërsiShënime mbi libraAnja Levanaj: Trupi, gjuha dhe mbijetesa: Një lexim i romanit “Teo nga...

Anja Levanaj: Trupi, gjuha dhe mbijetesa: Një lexim i romanit “Teo nga 16 në 18” të Raluca Nagy

Teo nga 16 në 18 i Raluca Nagy (Botimet Toena, 2026) nuk ndjek trajektoren e zakonshme të një romani formimi. Në qendër të tij është Teo, një grua e re që, pas një fëmijërie të vështirë dhe të shënuar nga komplikacionet mjekësore, fillon të kuptojë se marrëdhënia e saj me botën nuk përputhet me atë të njerëzve përreth. Megjithatë, romani shqyrton se çfarë ndodh me identitetin kur njeriu detyrohet të jetojë brenda një trupi që papritur bëhet nje burim frike dhe pasigurie.

Raluca Nagy, antropologe dhe shkrimtare rumune, sjell në roman një ndjeshmëri të lidhur ngushtë me interesin e saj për kulturat, hapësirat dhe mënyrat e ndryshme të të jetuarit. E lindur në Cluj-Napoca në vitin 1979, ajo ka studiuar ekonomi, antropologji dhe sociologji. Romani i saj i parë, Un cal într-o mare de lebede (Një kalë në një det mjellmash), u vlerësua me çmimet e debutimit “Sofia Nădejde” dhe “Observator Cultural”. Romani i dytë, Teo nga 16 në 18, i botuar në vitin 2021, përfaqësoi Rumaninë dhe u rendit mes finalistëve për Çmimin e Bashkimit Europian (EUPL) për Letërsinë 2022.

Titulli është një nga elementet e para që krijon ndjesinë e enigmës për lexuesit. Numrat 16 dhe 18 u referohen dy tipave të virusit HPV me rrezik të lartë, të lidhur me zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, pra, trupi vendoset në qendër të romanit. Pas historisë së Teos qëndron përballja me një diagnozë që ndryshon perceptimin e saj për kohën, marrëdhëniet dhe të ardhmen e saj.

Titulli krijon njëkohësisht një dialog me filmin Cléo de 5 à 7 të Agnès Varda-s. Edhe personazhi i Varda-s jeton nën hijen e një diagnoze të mundshme dhe të një kohe të papritur. Në të dyja veprat, pritja mjekësore e ndan jetën në një “para” dhe një “pas”. Koha nuk është më një sfond neutral, por një motiv stilistik e cila përjetohet përmes ankthit dhe vetëdijes për vdekshmërinë.

Gjithsesi, Teo nga 16 në 18 nuk e paraqet vuajtjen si një rrugë të pastër drejt heroizmit. Jeta e Teos mbetet e çrregullt, e mbushur me dashuri, zhgënjime, abuzime, martesa, udhëtime dhe përvoja që shpesh dalin jashtë kontrollit të saj. Sëmundja nuk e shndërron automatikisht në një personazh më të urtë ose më të plotë. Ajo e detyron të jetojë më nga afër me paqëndrueshmërinë e trupit dhe me pamundësinë për ta kontrolluar plotësisht historinë e vet.

Udhëtimi është një tjetër element qendror i romanit. Teo largohet nga qyteti i saj për të studiuar, vazhdon arsimimin jashtë vendit dhe më pas lëviz pothuajse vazhdimisht nga një qytet në tjetrin. Por këto hapësira nuk shfaqen vetëm si vende të identifikueshme në hartë. Ato marrin emra të rinj dhe transformohen përmes gjuhës dhe imagjinatës së personazhit.

Lëvizja gjeografike shoqërohet kështu nga një lëvizje mes gjuhëve, identiteteve dhe mënyrave të ndryshme të perceptimit. Teo përpiqet të kuptojë veten përmes vendeve ku jeton, por asnjë prej tyre nuk i ofron një identitet të qëndrueshëm. Bota e romanit është e fragmentuar sepse e tillë është edhe përvoja e personazhit: e ndarë mes vendeve, punëve, marrëdhënieve dhe versioneve të ndryshme të vetes.

Në këtë kuptim, gjuha bëhet një nga protagonistet e vërteta të librit. Nagy ndërthur stile dhe forma të ndryshme shkrimi, luan me fjalët dhe parodizon herë pas here edhe gjuhën akademike. Fragmentarizimi i historisë pasqyron vështirësinë e Teos për t’i dhënë kuptim një përvoje që nuk i bindet rendit. Kur trupi ndryshon dhe e ardhmja bëhet e pasigurt, edhe gjuha e zakonshme mund të duket e pamjaftueshme.

Pikërisht këtu merr rëndësi humori. Përballë sëmundjes dhe frikës, Nagy nuk zgjedh gjithmonë një ton solemn. Absurdi, sarkazma dhe loja gjuhësore krijojnë një mënyrë tjetër për t’u përballur me realitetin. Humori i jep Teos një hapësirë të përkohshme lirie, ku ajo mund ta shohë frikën nga një kënd tjetër dhe të mos përcaktohet plotësisht prej saj.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i romanit është marrëdhënia e tij me Biblën. Historia e Teos ndërtohet pjesërisht si një rishkrim feminist i figurave dhe strukturave të Biblës. Përvoja personale e një gruaje vendoset në dialog me rrëfime që kanë formuar nëpër shekuj mënyrën se si kuptohen mëkati, vuajtja, trupi dhe shpëtimi. Nagy nuk e përdor këtë traditë për të ndërtuar një tregim moral. Përkundrazi, ajo e rishkruan nga këndvështrimi i një gruaje, trupi dhe historia e së cilës nuk përshtaten lehtësisht me rolet e trashëguara.

Për lexuesin shqiptar, botimi i romanit nga shtëpia botuese TOENA krijon mundësinë për t’u njohur me një zë të veçantë të letërsisë rumune bashkëkohore. Romanin e ka përkthyer në shqip Maniela Sota, përkthyese me përvojë nga rumanishtja dhe anglishtja dhe me një katalog të gjatë e të larmishëm përkthimesh letrare dhe joletrare. Puna e saj e kujdesshme merr rëndësi të veçantë në një vepër ku gjuha është pjesë e pandashme e përvojës së personazhit. Në këtë kuptim, botimi në shqip hap një dialog të ri mes dy letërsive ballkanike që, pavarësisht afërsisë gjeografike, vazhdojnë të njihen pak me njëra-tjetrën.

Teo nga 16 në 18 kujton lexuesin se jeta nuk organizohet gjithmonë në një rrëfim të rregullt dhe se identiteti nuk zbulohet një herë e përgjithmonë. Ai rindërtohet pas një sëmundjeje, një udhëtimi, një dashurie ose një humbjeje. Raluca Nagy ndërton një personazh që ndryshon vazhdimisht, njësoj si gjuha përmes së cilës tregohet historia e saj.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË