Botohet në greqisht nga Shtëpia botuese “Vakxikon” permbledhja poetike “ Afrohu orë e lumtur e poetit”, e Preç Zogaj me përkthimin e poetit të shquar shqiptaro-grek Niko Kacalidhas. Bashkë me lajmin gazeta ExLibris boton një shkrim nga Nga Georgios Nik Skhoretsanitis dhe disa nga poezitë origjinale të përmbledhjes në greqisht
Shtëpia botuese “Vakxikon” vazhdon të na befasojë këndshëm me botimin e veprave të shkrimtarëve të shquar edhe nga vendet tona fqinje të gadishullit të shumëvuajtur Ballkanik. Së fundmi, ajo solli në dritë Preç Zogajn, një nga poetët, prozatorët dhe gazetarët më të rëndësishëm të Shqipërisë bashkëkohore.
Me këtë rast, vlen të theksohet se ky intelektual ishte edhe Ministri i parë i Kulturës në vendin e tij pas rënies së totalitarizmit, në vitin 1990. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në jetën politike të Shqipërisë, por edhe në zhvillimet kulturore të saj, duke botuar dymbëdhjetë përmbledhje poetike, si dhe shumë libra me tregime, romane dhe ese.
Përmbledhja poetike e tanishme, “Afrohu, orë e lumtur e poetit” është një përzgjedhje poezish nga të gjitha vëllimet e tij të mëparshme. Vepra e Zogajt ndahet dhe analizohet domosdoshmërisht përmes dy periudhave krejtësisht të ndryshme kohore: periudhës së vështirë para vitit simbolik 1990, për shkak të censurës së rreptë dhe këmbëngulëse shtetërore, dhe asaj pas rënies së pashmangshme të komunizmit.
Ai u shfaq në letërsi gjatë viteve ’80, duke arritur të dallohej dhe të afirmohej si një krijues në ngjitje, veçanërisht si poet. Ishte ai që e quajti metaforikisht brezin e tij “brezi i antenës që ngrihet në mjegull”, siç lexojmë në hyrjen e çmuar dhe informuese të botimit nga Niko Katsalida.
Në poezinë “Afrohu, orë e lumtur e poetit”, e cila i dha titullin botimit grek, lexojmë: “Ka disa kohë që shkrimi i poezisë / më shkakton vuajtjen dhe dehjen e dhurimit të gjakut”, duke lënë të kuptohet barrën e rëndë të poetit gjatë lindjes, daljes në pah dhe ngulitjes së vargjeve të tij, por njëkohësisht edhe dhuratën e madhe të poezisë, si një lloj gjaku të ofruar në procesin fisnik dhe shoqërisht të domosdoshëm të dhurimit të tij.
Me hapjen e Shqipërisë ndaj botës së lirë dhe largimin e qindra mijëra bashkatdhetarëve të tij drejt Greqisë, poeti vazhdoi të krijojë pa u lodhur për më shumë se tri dekada. Në vargjet e tij lirike pasqyrohen qartë ndryshimet e shumta që ndodhën brenda vendit të tij, shpresat e brezave të rinj dhe, natyrisht, zhgënjimet e pashmangshme të tyre.
“Mblidhet si erashkë jeta ime”, shkruan ai në një poezi, “shkrihen vitet e ngjarjet në një shenjë/ Është zemra që përhidhet / që kërkon të shpëtojë / me të gjitha plagët .”
Por, sigurisht, poezia e Preç Zogajt është shumëdimensionale. Kudo, dashuria, erotika dhe ndjenjat njerëzore zënë një vend qendror. Kalimi i kohës, humbja njerëzore dhe vdekja e pashmangshme skicohen gjithashtu në shumë prej poezive të tij.
Në poezinë e fundit të kësaj përmbledhjeje, “Pleqtë që na merr lufta e padukshme”, ai shkruan me emocion, por edhe me një pranim të plotë të asaj që ndodh:
“Asnjë feksje, asnjë magjepsje
s’ia del të ndalojë luftën e fundit
të këtyre pleqve me fytyra përralle
Kodrave të prillit, fushave të majit
goditur në zemër bie përdhe
shoqja a shoku i vdekjes.
Të tjerët vazhdojnë përpara duke shtyrë
rrethimin.
Pas pak orësh nga padukshmëria
qitësja do të marrë shenjë përsëri.
Në shumicën e poezive të Zogaj hyn elementi i dialogut të brendshëm, zëvendësimi gradual i protestës shoqërore me meditimin dhe pjekurinë e zërit poetik, si dhe përfundimet që nxirren nga kalimi i jetës që ecën pandalur drejt fundit të saj. “Turma,” është një poezi karakteristike ku Preç Zogaj shpalos pikëpamjet e tij, duke pasur mbi supe shumë vite përvoje jetësore:
“E kam fituar jetën time duke shkruar
dhe folur.
Fundi i rrugës ngjan të jetë heshtja.
Mësimi që tani nuk më duhet më.
Lajthita dhe unë të mejtoj
Si mund të ndreqet njerëzimi.
Turma është një mostër në të cilën
askush nuk njihet.”
Në disa prej poezive të tij shfaqen shpesh
referenca që lidhin botën e tij me Greqinë, si për shembull bukuria e peizazheve të caktuara dhe emblematike të Athinës, si dhe kujtimet e tij personale nga qëndrimi ose vizitat në këtë qytet.
Duke mbyllur këtë shënim të shkurtër për këtë poet të madh shqiptar, po paraqes të plotë poezinë prekëse dhe thellësisht të ndjerë “Vdekja e nënës”, e cila rrotullohet rreth humbjes së nënës së tij:
“Kështu u bashë këtë pranverë.
të numëroj me gishtat e dorës
ditët e saj të fundit
Pesë, katër…
Ka qenë në mëdyshje gjatë
të rrinte me ne a të shkonte pas burrit.
Derisa ndaloi me marrë ushqim dhe ujë
Vetëm ajrit nuk ka çfarë t’i bëjë.
Hyjnori e gjen vetë rrugën
Ta mbushë ngadalë me frymë…
Tre… Dy…
Sa do të trishtohet babai
kur ta shohë të vogël, të vogël-qese me eshtra fildishi.
Sikur e dëgjoj të na thotë
Çfarë i bëtë kështu gruas sime?
Erdhi koha të mbaj
ashtu siç e la të thënë
shkrehje e saj prej mjellme.
Të shoh hirin e engjëllit
Duke iu hapur në fytyrë ..
Dhe gishtat e mi u zhdukën,
pasi mbaruan së numëruari
ditët e saj të fundit.
Preç Zogaj: Afrohu, orë e lumtur e poetit – poezi
Afrohu, orë e lumtur e poetit
Shtëpia fle e shpirti vuan gjatë:
një mijë zëra përqark, asnjë fytyrë,
një mijë fjalë si bletë dhe asnjë varg,
një mijë thirrje në xham, asnjë pasqyrë.
Afrohu, orë e lumtur e poetit!
Duhet të shkruaj patjetër,
po deri te letra e bardhë
zverdhon një tufë flakësh.
Si të kalosh pa u djegur?
Si ta shtypësh kalemin
kur engjëlli i pazbutur
dridhet nëpër gishta?
Ka disa kohë që shkrimi i poezisë
më shkakton vuajtjen dhe dehjen
e dhurimit të gjakut.
Afrohu, o orë e lumtur e poetit!
1987
Çast poetic
Zogj të bukur këndojnë…
Po ku janë pemët?
Pas murit përplasen dallgë,
por nuk duket deti.
Vjen aromë lulesh dhe bar pranvere,
por livadhet blerojnë në kujtesë
dhe më çmendin.
Zjarr s’ka gjëkundi, toka mbushet shkëndija,
Shi s’ka rënë gjithë verës, plot janë lumenjtë.
Është dimër dhe zogjtë vijnë nga arratia,
Unë e kam penën dhe të gjithë janë poetë. 1984
AKUARELE
***
Gjithë ditën eca me buzëqeshjen time
thuajse të pashkak: E pse ta dija?
A duhet pyetur dita e prillit,
pse i skuq trëndafilat?
***
Po pushojnë dhimbjet për ty në zemrën time.
Malit të Velës si piramidë
paralel ngjitemi unë dhe një re
me sytë katër:
kush do qajë para.
***
Dashuria nuk flet, vetëm vështron
në pikën ku mblidhen ngjarjet
që s’mund të ndodhin prapë.
***
Po të mund të të çoja një lajm
nga ato që shumë ke dashur të dish,
do të thosha: ka Fushë të Elizesë!
Prej andej çdoherë më sjell
një tufë me fllade Safoja.
Por mua s’më shqitet
e s’më shqitet hidhësia
***
Si një trëndafil i mbledhur në gem
Një vajzë e re po fle
poshtë dritares.
Vuan që është e errët nata.
***
Bota është rinore.
Këtë nuk e dija
Kur isha i ri.
***
Vajzat kanë stilin dhe mendësinë e luleve
në jetë të jetëve.
Kurrë nuk i shohim,
as duke çelur,
as duke u rritur.
***
Në orën kur dole tej horizontit
një klithmë e mprehtë m’u derdh m’u në zemër.
Përpara perëndimit perëndova.
***
Buzëqeshja e para dallon cakun
ku nuk kalohet me rrahje zemre.
Përgjithmonë bie nga buza.
Asnjë lutje nuk e spraps errësirën.
Përpara njeriut vdes buzëqeshja.
***
Sepse je gjallë, sepse do të kthehesh,
Unë sillem herë e herë nga horizontet.
Koha shkund me duar si pemë
të rrahura zemrash, por nuk e tregon
numrin e tyre.
***
Borë dhe bardhësi.
Nga lart, shumë lart
diej rrokullisen
dhe shkojnë në det.
Tani kungohen
***
Një buzëqeshje harrove këtu.
Kur ta shohësh në sytë e mi
pas shumë vjetësh,
do të kujtohesh,
do të magjepsesh.
PA CAK
Sot bie shi.
Magjistrat e përrallave hapin fletët dhe ikin,
Edhe unë iki sipër metaforave.
U mërzit lumturia këndej enigmave.
Tani e ngriti figurativisht spirancën.
Kam vizë nga Homeri, mbreti ynë demokrat,
për t’u ngjitur pa cak.
Ç’hapësirë e rrafshët, e pandashme,
limane qiellore me emrin Nëna Jote,
shpirtra shëtitës në qiell të gjithkujt,
pasqyrë që s’pasqyron, por i huan tokës
fytyrën e vet…
Në shkrepat e Velës do ta pres shpirtin tim,
endacakun që mbledh andej-këndej figura.
Shkurt, 1990
PËRSERI PËR NËNËN
Tani që dimri erdhi nga të katër anët,
ti, nënë, mbështillesh me duart e tua.
Në fund të oborrit shikon me habi
si bien gjethet, si zhvishen drurët…
Dhe loja e zogjve në çerdhe duket!
Lakorja e rrugës deri larg duket!
Vija e bardhë e avionit duket!
Nënë, nënë! Vetminë tënde zbulon papritur
si të ishte fshehur nën futën e verës,
të verës që iku si një dallëndyshe.
Tani që dimri erdhi nga të katër anët,
përse s’të bën zemra të hysh në shtëpi?
Kujt i thërret ashtu: “Ejani brenda?!”
Ah, gjethe që ratë! Nëna më ka ditur
prapa perdes suaj.
Po unë kam ikur,
motrat janë martuar.
Me radhë na hoqi koha
nga shtrati yt, nënë.
Tani që dimri erdhi nga të katër anët
dhe veriu fishkëllen fushës pambarim,
netëve vonë shtrin duart e ëndërrta
sikur do të na lindësh përsëri…
Dhe zgjohesh tashmë nga të qarat e tua. 1989
Peizazhi i rrugëve
Njëzet e katër orë
udhët udhëtojnë.
Greku i ri me çantën e zezë kaliqafë
mbledh pikë-pikë minutat, orët…
Vrapojnë troletë, taksitë, këmbësorët
ndanë supermarketeve dhe statujave antike,
mespërmes shtëpive, mespërmes miteve,
Ka një pikë diku.
Pikë e orës blu
në pragun e së cilës zulmi i furishëm
shkëputet nga toka…dhe lind dita tjetër.
Gjithçka rifillon, e re dhe e vjetër,
Mbi këtë vërvitje pambarim, marramendëse
enden si avuj meloditë greke.
Plot me kohë e trishtim shkojnë nga Perëndimi,
Greqinë e shpërndajnë dritare më dritare. Janar, 1990
Në Muzeun Nacional të Athinës
…………………………………………
Një vajzë atje qante duke parë Afërditën,
ndoshta nga gëzimi i bukur për të Bukurën,
ndoshta nga grishja e lartë për të Lartën,
ndoshta për botën që numëron antikat,
ndoshta për rrobat e veta në trup
përballë lakuriqësisë…
E kam si tani përpara syve,
në sallën numër katër, në orën njëmbëdhjetë,
mes gjithë statujave më ka mbetur në mendje
trupi i saj si rigë e harkuar shiu,
dhe era në dritare që i merrte dënesjet.
E djeshme dhe e sotme
Athina është e bukur,
por lotët e asaj vajze
si dy burime rrodhën,
u përdrodhën dhe ngrinë
rreth statuetit tim të bardhë të kujtimit.
I mbaj me vete,
gërshet dhe plaçkë
e mrekullimit.
Janar, 1990
Ndërprerje
Atleti i Miron akoma merr vrull,
por diskun s’e ka hedhur.
Në Panteon Athinaja ndjell trurin e kaltër nga lindi.
Afërdita është e re, e bukur,
por ende s’është martuar…
Të dashuruarit e shohin dhe qajnë.
Ngrihet e ngrihet shekull pas shekulli
piedestali i saj prej sumbulla lotësh.
Dafinat në kokën e fitimtarit janë mërzitur.
Vrapon, vrapon një djalë, por ende finishin s’e preu.
Dhe ne vazhdojmë të lindim, të vdesim, të lindim
gozhuar prej pritjeve, plagëve tona…
Janar, 1990
I dashuri im i vdekur
me buzë në gaz
Kujtimit të Markut
Qaj në Athinë, qaj në Pire, ju e dini përse…
Kaluan shumë vite qysh atëherë
kur erdhëm këtu, rrugë pa rrugë, me këmbë,
të joshur dhe të mbrojtur piksëpari
nga mosha dhe trishtimi i melodive greke.
Janë zbehur vijat e bardha të rrugëve,
Kisha dëgjohet më pak nga politika.
Greqia ka hallin e Mastrihtit!
Ç’gjuhë e çuditshme kjo e Mastrihtit
në një vend që s’i ngjan asnjë tjetri!
Pa zemër, pa frikë, në mëdyshje
voton afrimin, bashkimin me Europën.
Nuk e kisha idenë e kohës..
Pothuasje kisha harruar se…
Por sot në udhëkryq, në Sindakma, thellë në zemër m’u ngul
kujtimi i Markut të ndjerë, mund të vdiste këtyre anëve,
ndanë semaforëve, në metro, autostradë,
me një hutim të llahtarshëm në fytyrë.
Për fat u sëmur në atdhe dhe nuk e di a e diti
se tek po e linte fryma po buzëqeshte…
Sytë ia mbyllëm,
buzëqeshjes s’kishim ç’t’i bënim,
patëm tmerr ta çonim ashtu në varr.
Qaj në Athinë, qaj në Pire, ju e dini përse…
Ai erdhi këtu nga Mirdita në një moshë të shtyrë,
Tamam në moshën kur njeriu fillon e mendon
kujt t’ia lërë trashëgim plëngun dhe shtëpinë.
Ai erdhi këtu dhe shpejt kuptoi ca gjëra të rënda,
Për shembull, nuk e ditkësh mirë gjuhën shqipe.
Përpiqej të fliste shqipgreqisht me ca fjalë të gjymtuara,
ku klithte shpresa për punë, vëmendje, familjaritet,
por syri i kuq shuhej dhe Greqia ikte
me enigmat e saj pa përgjigje.
Greqia në fakt ishte aty, prapa kodrës Likabet.
Në ishuj dhe në Atikë si në llogore,
duke pritur çastin e vet që nuk vjen më.
Greqia ishte aty, por Marku i shkretë nuk e pa.
Ndezi llambën e saj, hëngri bukën e saj, piu ujin e saj,
u kthye dhe vdiq buzagaz me një “Jasas”…
Sytë ia mbyllëm, por buzëqeshjes s’kishim ç’t’i bënim,
Patëm tmerr ta çonim ashtu në varr.
Mars, 1998
Të dashuroj duke të pare
Nuk e di ku ka ikur ai kurmi
që më mbante në këmbë tash sa vjet!
Nuk e di ç’është kjo formë e re
ku prapë përmblidhem!
Kjo dashuri që kam për ty
më zvogëlon dhe më tret,
më bën sa një sy.
Prekja, shtrëngimi, puthja, dëshirat
përfunduan të gjitha në vështrim.
Tani të dashuroj duke të parë
dhe drita s’ka të sosur.
Babai dhe Shelbuemi
Mendonte se ishte një burrë i shëtitur,
por vonë e kuptoi se u plak
përballë Shelbuemit.
Ah, moj zemër që po shkon të çlodhesh!
Kur ishte i ri i merrte në këmbë
sa çel e mbyll sytë të përpjetat,
thjesht për të nxjerrë mërzinë e fushës.
Pastaj qysh e përse…
Ra mes qyteteve e shekujve
Pa fillim e pa fund.
Vonë e kuptoi se u plak
përballë një mali.
I shtangur tani shikon me habi
si bëhet jeshil piramida e shegëve
mu përkarshi flokut të tij borë.
Mendon: si është e mundur
të shkasin kështu pranverat
pa u menduar dy herë!
Do të vijë vdekja të mbyllë
sytë e tij prej fëmije
ku vetëm një re është kujtesë.
Gusht, 2002
Më vijnë lajme të zeza
Më vijnë lajme të zeza për Anjezën,
Më thonë del me armiqtë e mi,
të cilët s’mjaftohen duke u shërbyer
nga duart e saj, nga goja e saj,
Por duan të dinë si e doja unë,
si më donte mua, si isha si burrë…
Ajo, e mjera, e gjitha bllokuar,
me duart e tyre si pranga në qafë,
mezi shqipton “hë, s’ishte gjë”.
Ç’të bëjë tjetër e zeza Anjezë!
Ç’të bëjnë vajzat kur dashuria
i lë fillikat në rrugë të madhe…
Më vijnë lajme, lajme të tmerrshme
për të bukurën Anjezë, sikur ajo…
Por unë kujtoj lotët e saj,
kur dera ndante më dysh hijen time
dhe vështrimi i saj që binte nga sytë,
sikur s’do të kthehej më në zgavra…
Gusht 1990
Na ishte njëherë Bajroni
Na ishte njëherë Bajroni,
Fisnik anglez, i mërzitur,
si lulja e magjishme që s’ka dashur të ngrihet
nga amshimi.
E dinte patjetër se kotësia
është një sëmundje që kosit vrulle
dhe buzëqeshje.
Në moshë të re u nis drejt Greqisë
me ëndrrën për të zgjuar nga gjumi
perënditë e bardha.
Atje dha shpirt një natë me shi
larg, shumë larg Anglisë së tij.
Akoma më larg kohës së tij.
Me kupa të pista ia derdhën gjakun.
Oh, sërish nuk do ta shohim
kur të mbijë si një lule e zezë
prej amshimit.
Korrik 2009
Histori
Duhet të ecja ngadalë,
të kthehesha ngadalë majtas, djathtas,
të merrja frymë ngadalë duke duruar
dhimbjet e plagës shpërndarë
qeshje më qeshje.
Çdo minutë stamponte
fytyrën tënde në fytyrën time.
Ashtu po zhdukesha
duke të dashur.
Ylli yt
Me zemrën në duar
për të shmangur derdhjen
e gjithë të rrahurave,
mbërrita sot në mëngjesin më hënë të kësaj ujdhese,
ku ti mbretëron si hyjnesha Kalispo
në yllin e ri, të porsaformuar,
“Rini dhe ëndërr”.
Të shëtit mbi krye bukuria jote.
Vetëm më ka lënë të menduarit,
Këtu më hodhi dhe u zhduk
si dhelpër.
Shoh, veç shoh,
veç magjepsem.
Me kokë e pagova hyrjen
në yllin “Rini dhe ëndërr”.
Fytyra e dashurisë
Zoti s’u kthye, s’e tregoi fytyrën as në jetën time.
Dashuria po, e tregoi fytyrën.
Përgjatë gjithë vitit erdhi e erdhi
duke marrë formë në eter.
Linjë vishnje e mendimit të pasosur,
e vështrimit të ngulur në boshin e botës.
Krojet, fluturimet, trenat
kishin ndaluar,
I lehtë si prej pambuku
rrotullohej globi.
Nuk ka kohë për dashurinë
Duar të reja po dalin
nga forma ime.
I dashuruar lind
në formën e diskut diellor
mbi pyllin me pisha.
Jam i verbuar.
Në një tjetër jetë
ndodhin këto gjera.
Kohë nuk ka,
nuk ka kurrë
për dashurinë.
Qershor 1978-2013


