KreuTeatërGani Bytyçi: Nga romani në skenë: “Sikur të isha djalë” në Teatrin...

Gani Bytyçi: Nga romani në skenë: “Sikur të isha djalë” në Teatrin Metropol

Me këtë shfaqje regjisori e ka gdhendur dhe e ka spikatur idenë se jeta, liria dhe dashuria janë tri përmbajtje fundamentale, të patjetërsueshme, të përhershme e të përbotshme. Kur këto cënohen, shkelen e shtypen, atëher ato kthehen në qëllim e ideal dhe ne luftojmë për t’i legjitimuar, për t’i mbrojtur dhe realizuar.

Një miku im artist, regjisor e skenarist, një ndër me të përgatiturit e më të përkushtuarit, në gjithë teatrin e sotëm shqiptar, Dritan Boriçi, më kishte bërë nderin, që të isha mysafir në (para)premieren e shfaqjes së tij Sikur të isha djalë. Kisha kënaqësinë që të shihja aktorët duke performuar për t’i dhënë maksimumin e shkathtësisë së tyre artistike publikut artdashës të skenës së kryeqytetit. Kjo është sikur të kesh privilegjen të lexosh një dorëshkrim libri, para se ai të dalë nga shtypi. Dritan Boriçi është nga artistët-regjisorë me perceptimin teatral e skenik krejt modern. Në skenën shqiptare, është gjithnjë aktiv me punën e tij si regjisor dhe aktor. Ftesën për (para)premierën në Teatrin Metropol të Tiranës e kisha në orën 20.00.

Një çerek ore para kohe, isha para Teatrit. Sapo arrita atje dhe po qëndroja para hyrjes se Metropol-it, u hap porta dhe nga aty doli nje grua me kaçurrela.

– Kërkoni dikë? mu drejtua ajo.

-Po, iu përgjigja, kërkoj dikë nga teatri.

-Kë kërkoni, nxitoi të dinte zonja.

Unë ia thashë emrin e regisorit, që me kishte ftuar.

-Po, tha ajo gruaja me kaçurrela.

-Ejani me mua, regjisori më ka porositur t’ju pres!

Ajo zonja më priu drejt një hyrjeje me shumë labirintha.

Kurrë dhe askund nuk kam parë diçka te tillë. Nje teatër që magjeps me strukturën dhe gjithë kompleksitetin e tij dhe që të pushton diçka misterioze, sapo futesh brenda.

-Regjisori është në Sallën e Shekspirit, po me thoshte ajo zonja, teksa më printe në korridorin e gjatë e me plot labirintha.

-Po, Shekspiri, a është aty, e pyeta atë zonjën.

Ajo shpërtheu me të qeshura.

-Jo, Shekspiri nuk është aty, mu pergjigi ajo, me shumë dashamirësi dhe me një lloj keqardhjeje, për atë që unë nuk e dija se Shekspiri nuk jetonte prej shumë shekujsh.

-Po ku ta di unë, jam fshatar e çoban, ia prita me shaka asaj.

Ajo vazhdoi të qeshte me dashamirësi.

U futëm në atë Sallën e Shekspirit, por që Shekspiri nuk ndodhej aty. Ishte një sallë e madhe në formë rrethore. E ngjashme me ato teatrot antikë. Vetëm në një anë salla kishte një ballë të vogël, një si lloj bime. Skena ishte në mes te sallës.

Trekëndeshi dramatik e fatal i personazhit.

Shfaqja është ndërtuar sipas motiveve të romanit “Sikur te isha djalë” të Haki Stërmillit. Rrëfimin e romanit, regjisori e ka kthyer në interpretim skenik. Kështu fjala është shndërruar në simbol e në lëvizje dhe veprim artistik. Bosht i gjithë shfaqjes është jeta e Dijes. Një vajzë e re me dëshira, ambicje e shumë ëndrra për jetën. Por Dija nuk është në botën e saj. Ajo asgjë nuk ka në dorën e vet. As jetën as ëndrrat, as lirinë, as përditshmërinë. As dashurinë. Për të gjitha këto, në vend të saj vendosin të tjerët. Asaj i kufizohet lëvizja dhe hapësia. I imponohet mënyra e veshjes. Dashurinë e ka të ndaluar. Martesën i’a caktojnë të tjerët. Dhe në një çast jehon kënga (gjithë ironi).

Gëzonju ju gëzonju o ju krushq-ooo,

Se sot po marrim nusen-ooo…

Kënga, një herë vjen si jehonë e një ëndrre të bukur të Dijes. Herën tjetër ajo bëhet kulm ironie për martesën e saj me detyrim. Krushqit edhe mund të gëzojnë, por Dija përmbyset e shuhet nga dhimbja e pikëllimi.

Ky është jo vetëm motivi, por edhe thelbi i dramës. Eshtë ajo dilema jetike. Eshtë konflikti i pashmangshëm që e vë në lëvizje një dramë jete dhe dramë skene. Është dëshira fundamendtale e një të reje për jetën dhe lirinë. Për të gjitha ato që bartin përbrenda tyre këto dy nocione. Rrjedhimisht ishte edhe dëshira e lirisë për të dashuruar e gëzuar jetën. Por, në këtë rast, mund të dashurohet vetëm duke i takuar një bote tjetër. Botës së të qenit i gjinisë tjetër. Në këto rrethana, dashuria e një vajze është mëkat i pafalshëm. Eshtë edhe akt imoral e i ndëshkueshëm. Dashurinë duhet ta caktojnë te tjerët.

Me këtë shfaqje regjisori Boriçi ka hequr një parabolë ndërmjet dy epokave dhe dy botërave aq të kundërta. Në këtë mënyrë ai, si mjeshtër që është, ka krijuar një metaforë-pasqyrë për t’i vënë perballë njëra-tjetrës dy periudha kohore, dy mendësi të ndryshme, dy përjetime dhe për ta bërë të dukshëm një rrugëtim tonin socio-kultutror shekullor.

Ndonëse skenari i shfaqjes është ndërtuar sipas motiveve të një romani, regjisori Dritan Boriçi, në skenë nuk sjell naracion prozaik. Ai, atë e ka bërë rrëfim skene dhe mënyrë të të shprehurit simbolik. Kështu, sapo të hyjmë në sallë, akoma pa u shfaqur në skenë aktorët, aty shohim të vendosura në formë trekëndëshi tri manekinë. Ato krijojnë atë trekëndöshin dramatik e tragjik të jetës së Dijes. Manekinët, me simbolikën që bartin, shprehin qartë tri periudha, a tri drama të jetës së saj. Fëmijëria pa nënën. Jeta adoleshente plot ëndrra. Dashuria e ndaluar dhe izolimi e vdekja si fatalitet. Ato tri manekinë, që në të vërtetë është Dija në tri periudha jete, barten nga të tjerët dhe tërhiqen nga skena per t’u vënë në prapaskenë dhe për t’u izoluar, ashtu siç do të izolohet e shuhet edhe Dija në jetë.

Regjisori, me shkathtësine prej mjeshtri, aty ku e ka reduktuar tekstin, atë e ka plotësuar me gjuhë artistike dhe me simbolikë të goditur. Ai, në këtë mënyrë i ka dhënë simbolit dy a me shumë kuptimësi. Dija rebelohet, ngre zërin dhe e kundërshton. Por ajo është krejt e pafuqishme para zakonit të kohës dhe përballë injorancës, prapambetjes dhe patriarkalizmit të kohës dhe rrethit ku jeton. Ky ishte fenomeni i kohës. Ishte rregulli në jetën e femrës. Me frymën moderne dhe përmasën artistike të të shprehurit, që regjisori i ka dhënë shfagjes, motivin e saj, ai e ka ngritur ne rrafsh universal. Kështu, kryepersonazhin, Dijen, dhe dramën e saj, ai nuk e kufizon vetëm brenda skenës. Atë, ai e lë të hapur. E shtrin gjithandej. Një vajzë me fatin tragjik të Dijes mund të jetë e pranishme edhe (sot) në sallë. Atë mund ta takojmë edhe në rrugë. Ajo mund të jetë e pranishme kudo.

Skena dhe magjia e saj.

Kjo është ajo magjia e lojës së aktorëve. Ata, nëpërmjet skenës, para publikut sjellin ngjarje, drama, fate e  fatkeqësi njerëzish. Por në skenë ato nuk i sjellin as si kujtime dhe as si rrëfime. Aktorët, ngjarjet dhe dramat e njerëzve, i kthejnë në përjetime dhe emocione të fuqishme për publikun. Këtë e përjetova edhe unë atë mbrëmje.

Loja e aktorëve ishte e shkëlqyer dhe të jepte një mallëngjim dehës dhe pushtues. Lëvizja artistike, ecja në skenë e kryepersonazhit, (Dijes) Xhoana Karaj dhe e Luna Çaushollit e Joan Mezinit, ishte me koreografi prej baleti.

Përmes kësaj shfaqjeje, regjisori sjell në vëmendje tri vlera thelbësore të ekzistencës njerëzore: jetën, lirinë dhe dashurinë. Të pandashme nga përvoja njerëzore, ato ruajnë karakterin e tyre universal dhe të përhershëm, ndërsa marrin një domethënie edhe më të thellë në çastet kur vihen në pikëpyetje. Pikërisht atëherë bëhet më i dukshëm kuptimi i tyre, si pjesë e dinjitetit njerëzor, e nevojës për të qenë i lirë dhe e dëshirës për të dashur e për t’u dashur.

Këto përmbajtje janë pjesa jonë më legjitime në këtë botë. Romani “Sikur të isha djalë”, i Haki Stërmillit, regjisorit i ka dhënë idenë, materien dhe mundësinë për të vënë në skenë një nga motivet më fundamentale dhe më të ndjeshme nga jeta jonë socikulturore dhe per të realizuar një shfaqje të shkëlqyer. Kjo shfaqje, romanit të Haki Stërmillit, pos vlerës historike e letrare që ka si vepër e traditës letrare, i ka dhënë edhe një përmasë tjetër teatrale, dramatike. Në këtë kuptim, shfaqja nuk është thjesht një rikthim te një vepër e rëndësishme e së kaluarës, por një mënyrë për ta bërë atë të flasë sërish me të tashmen.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË