KreuLetërsiShënime mbi libraFlor Agalliu: Më fal, Xhek, por nuk të paskam njohur!

Flor Agalliu: Më fal, Xhek, por nuk të paskam njohur!

Shënim i përkthyesit

Lajmi për vdekjen e Xhek London më 22 nëntor 1916, duhet të jetë pritur me një lloj lehtësimi në qarqet e larta të kulturës dhe politikës. Më në fund do mund t’i vihej kapaku historisë së këtij trazuesi të madh, siç iu vu kapaku katër ditë më parë Betejës së Somës (Somme, Francë), mësymjes fatkeqe të aleatëve kundër gjermanëve në Frontin e Perëndimit, që pas 300,000 të vrarëve e më shumë se një milion të plagosurve nga të dyja anët, vijën e frontit e kishte lënë pak a shumë aty ku dredhohej katër muaj më parë.

Por ndryshe nga Beteja e Somës, që i la të gjitha palët ndërluftuese të kapura fytazi baltërave dhe llogoreve të Luftës së Parë Botërore, beteja për titullin e arkitektit të letërsisë së re botërore të shekullit XX sapo kishte humbur pretendentin kryesor, shkrimtarin që nuk duhej të kishte ekzistuar kurrë, Xhek London.

Autodidakti “socialist”, aventurieri “individualist”, “mbreti i rrëfimeve të “thjeshta” për popull të thjeshtë e fëmijë ëndërrimtarë, tani mund të klasifikohej, kategorizohej, katalogohej, e përfundimisht të arkivohej. Në marrëveshje të ftohtë, secila palë e konflikteve madhore ideologjike që e formuan shekullin e 20-të, zgjodhi çfarë ua mori mendja se do iu hynte në punë nga krijimtaria e Xhek London, dhe së bashku duartrokitën etiketimin që ai mban sot e kësaj dite.

Ja ç’na thotë Wikipedia Shqip për Xhek London: “Proza e tij mbetet një nga më të fuqishmet në antologjinë amerikane dhe jo vetëm. Ishte dhe mbetet shkrimtari anglo-sakson më i përkthyer në gjithë botën, sidomos në Evropë. London ishte një shkrimtar me ide socialiste, por shumë romantike, naive, konfuze dhe kontradiktore. Megjithatë vepra e tij gjeti përhapje shumë shpejtë në Bashkimin Sovjetik, në vendet e kampit socialist si dhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, bindjet e tij për nevojshmërinë e ekzistencës së “racës superiore”, u gjetën të vlefshme dhe patën sukses edhe në letërsinë për fëmijë dhe të rinj në Gjermaninë e Hitlerit apo edhe në Italinë fashiste në vitet ‘20 dhe ‘30. Në të gjitha këto vende, regjimet në fuqi ditën ta interpretonin “ngatërresën” e ideve londoniane dhe ta shfrytëzonin në interes të politikës së tyre.”

I “armatosur” me këto koncepte të parafabrikuara për Xhek London, i bindur se po pranoja një projekt sa për t’u eglendisur, sa për të mbushur kohën e lirë që sa vinte e po më shtohej, sa për të testuar ujërat a ia vlen tregu i përkthimeve letrare në Shqipëri, mjaftoi një “kafe” virtuale me Arlindën dhe, pa ia vënë shumë veshin paralajmërimeve të saj, me lehtësinë e profanit u ula ta “grija” Xhekun për një apo dy muaj maksimumi.

Shkarkova versionin italisht që ia kishte tronditur Arlindës perceptimin për Xhek London, më shumë që ta kisha si bazë krahasimi, shkarkova botimin origjinal në anglisht, i hapa pdf-të krah për krah në ekranin e hollë 22 polësh të desktopit tim, dhe me pafytyrësinë më të madhe i thashë vetes, “Jepi”.

Por, si fëmijës që për herë të parë i shtrojnë peshk të paqëruar e nga frika mos i mbetet ndonjë halë në fyt rri e vështron pjatën pa ditur nga t’ia nisë, ashtu edhe mua më kapi ankthi pasi lexova faqen e parë. Nuk u besova syve, kalova 3-4 kapituj para, por ngeca edhe më keq. Ky nuk ishte Xhek London që kujtoja se njihja; nuk ishte Dhëmbi i Bardhë që m’i kishte freskuar netët e verës 1984; nuk ishte aventurieri i ngrirë grykave të akullta të Kllondajkut; nuk ishte djaloshi me ide të majta që vret veten për dashurinë e dështuar; nuk ishte supremacisti i bardhë mizogjen. Ky do të ishte “Ibn Battuta” i mendimit filozofik njerëzor, shoqëruesi dhe udhërrëfyesi im përmes dilemave morale të mijëvjeçarëve. Isha përgatitur për garë 800 metra, dy xhiro të shpejta rreth stadiumit, por e gjeta veten lakuriq mes ajsbergëve.

Nga “testi i lakmuesit”, që ishte orvatja e parë e përkthimit, dhe nga leximi i kujdesshëm që i bëra më pas veprës, kuptova se përballë kisha një skemë narrative të vjetër sa Gilgameshi e Bibla, që vihet në lëvizje përmes antinomisë (përplasjes dhe bashkëveprimit të kontradiktave të papajtueshme), të rrëfyer përmes arketipit të antiheroit, të gatuar me retorikën e Platonit, Kantit dhe Futurizmit, të stolisur me pasurinë e figurave dhe fjalorit të Shekspirit, të ëmbël si vargjet e Bajronit, të frikshme dhe tmerruese si Libri i Zbulesës i Shën Gjonit.

Sa ia kam arritur ta shqipëroj e ta ruaj fuqinë e veprës, këtë jeni ju lexues që do ta vlerësoni. Por di që nëse ndeshni në pasazhe apo përshkrime që ju bëjnë për vete, ju detyrojnë të ngrini pyetje, ju shtyjnë drejt ndonjë përgjigjeje të parehatshme, ta dini që merita është vetëm e Xhek Londonit. Aty ku mendimi ngec, apo fjala topitet, ta dini që është dështimi im. “Fort i sikletshëm paske qenë, o Xhek!”

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË