KreuMuzikëMinella Aleksi: Kur dora dorëzohet, fillon arti i Tedi Papavramit

Minella Aleksi: Kur dora dorëzohet, fillon arti i Tedi Papavramit

Në festivalin ndërkombëtar të filmit në Tiranë (TIFF) u shfaq filmi “Harku dhe Peneli”, i cili nuk ka qenë fillimisht një ide filmi. Ka qenë një zbulim personal artistik, një takim që më pas u shndërrua në ide kinematografike.

Dy artistë me dy instrumente që, në pamje të parë, nuk kanë asgjë të përbashkët.

Njëri prodhon tingull, tjetri lë gjurmë në heshtje. Pavarësisht largësisë kulturore, mënyra se si të dy i qaseshin artit ishte jashtëzakonisht e afërt. Vetë Papavrami ka përmendur ngjashmëritë që ndjeu me kaligrafistin, Miyashitën: ekzigjencën, kërkesën për përsosmëri, kokëfortësinë për të arritur diçka, pakënaqësinë ndaj vetes dhe teknikën e lëvizjes.

Dhe këtu lind metafora e fuqishme, Harku dhe peneli janë dy gjymtyrë të së njëjtës ide. Harku dhe peneli si mjete të kontrollit dhe të dorëzimit. Kontrolli e bën artin të mundur; dorëzimi ndaj çastit e bën atë të gjallë.

Por të dy bëjnë të njëjtën gjë, në një nivel më të thellë shprehin një lëvizje të brendshme përmes një gjesti të disiplinuar. Harku kalon mbi tela dhe krijon muzikë. Peneli kalon mbi letër dhe krijon shenjë.

Prandaj në film veç përgjigjes se çfarë kanë të përbashkët muzika dhe kaligrafia, mëson se çfarë kanë të përbashkët dy njerëz që përmes disiplinës së gjatë artistike përpiqen ta kthejnë lëvizjen në shprehje. Kjo është zemra e dokumentarit. Bahu me “Chaconne” bëhet ura mes dy botëve, zgjedhja është veçanërisht domethënse. Papavrami interpreton Bahun, ndërsa Miyashita krijon kaligrafi në ritmin dhe atmosferën e muzikës. Kështu ndodh diçka shumë interesante: muzika nuk shoqëron kaligrafinë dhe kaligrafia nuk ilustron muzikën. Ato përpiqen të komunikojnë në të njëjtin çast. Njëra është e dëgjueshme, tjetra e dukshme. Njëra zhduket sapo tingëllon; tjetra mbetet në letër.

Të dyja lindin nga gjesti. Këtu filmi kalon nga një eksperiment estetik në një reflektim mbi artin. Papavrami dhe Miyashita nuk flasin të njëjtën gjuhë, vijnë nga kultura dhe tradita artistike shumë të ndryshme. Megjithatë filmi sugjeron se arti i madh mund të jetë një gjuhë që nuk ka nevojë për përkthyes. Dy njerëz që nuk flasin të njëjtën gjuhë zbulojnë se arti nuk është pronë e atij që e krijon; është një gjuhë që kalon përmes tij dhe vazhdon pas tij. Në këtë kuptim, Bahu bëhet territori neutral ku takohen Perëndimi dhe Japonia. Ata nuk kanë qëllim t’i mësojnë njëri tjetrit mjeshtëritë përkatëse. Ata bëjnë diçka më interesante: secili qëndron brenda artit të vet dhe përpiqet të dëgjojë tjetrin. Filmi nuk flet vetëm për bashkimin e dy arteve, por për mundësinë e dialogut, pa e humbur identitetin e secilit. Harku dhe peneli janë dy mjete të së njëjtës betejë të heshtur: të kontrollosh dorën pa e lënë egon të kontrollojë artin.

Filmi dëshmon se artisti e kalon jetën duke disiplinuar dorën. E ushtron, e përsos, e detyron të bindet. Por vjen një çast kur edhe kjo bindje duhet të thyhet. Sepse, nëse dora kontrollon gjithçka, vepra mbetet vetëm një demonstrim mjeshtërie. Është e saktë, por nuk merr frymë. Prandaj artisti duhet të dijë edhe të dorëzohet. Të lejojë një tingull të dalë ndryshe nga sa e kishte menduar. Të pranojë një vijë që nuk e kishte planifikuar. Të mos e korrigjojë menjëherë të papriturën, por ta dëgjojë. Pikërisht aty, në atë çast të vogël ku kontrolli lëshon pe, mund të shfaqet diçka që teknika nuk e kishte parashikuar.

Arti lind në atë kufi të brishtë ku, disiplina nuk e mbyt lirinë dhe liria nuk e shkatërron disiplinën.

Dhe ndoshta ky është edhe çasti më i vështirë për artistin: të heqë dorë nga vetja pa hequr dorë nga vepra. Sepse egoja kërkon të lërë gjurmën e saj kudo. Arti i madh, përkundrazi, ndonjëherë kërkon që artisti të tërhiqet aq shumë mbrapa veprës, sa emri i tij të mos jetë më pengesë për të.

Atëherë dora nuk është më thjesht dora e artistit. Ajo bëhet një përcjellës. Përmes saj kalon diçka që nuk i përket plotësisht atij. Prandaj thuhet se mjeshtëria fillon me kontrollin, por arti i vërtetë fillon atëherë kur kontrolli di të dorëzohet.

Prandaj dokumentari mund të lexohet edhe si një meditim mbi proçesin krijues: mjeshtëria nuk është thjesht aftësi teknike. Është gjendja në të cilën teknika, pas shumë vitesh pune, bëhet aq e brendshme sa artisti mund të fillojë të flasë përtej teknikës. Papavrami dhe Miyashita kanë kaluar vite duke përsëritur një gjest, njëri me harkun tjetri me penelin. Rezultati që shohim është vetëm maja e një mali të tërë pune të padukshme. Bazë e edukatës budiste është koncepti: Mundimi nuk kushton, sepse ajo që fitohet përmes tij nuk është një send që mund të blihet. Është transformimi i vetë njeriut.Tedi nuk gjeti një subjekt për të bërë një film; gjeti një pasqyrë të artit të vet në një art që dukej krejt i huaj.

Dhe kjo është ajo që e bën idenë më interesante se një dokumentar mbi “takimin e dy artistëve”. Në të vërtetë, filmi pyet nëse arti, përpara se të jetë gjuhë, kulturë apo teknikë, është një mënyrë e përbashkët e të qenit njeri.

Filmi “Harku dhe Peneli” i Tedi Papavramit nuk është vetëm film për dy artistë. Është film për vazhdimësinë e artit përtej artistit. Regjizorja e filmit, franko-zvicerania Raphaelle Regnier ka një meritë të veçantë në mënyrën se si e ka strukturuar dhe shtrirë materialin filmik. Ajo nuk mjaftohet ta regjistrojë takimin e dy artistëve, por e ndërton filmin si një proçes gradual zbulimi.

Materiali nuk serviret i gjithi menjëherë. Ai merr kohë të marrë frymë, të krijojë ritëm dhe të na afrojë ngadalë me botën e dy protagonistëve. Pamja, heshtja, tingulli, lëvizja e harkut dhe gjesti i penelit fitojnë kuptim pikërisht nga mënyra se si vendosen dhe ndërthuren.

Kjo i jep filmit një cilësi të veçantë: nuk kemi thjesht një dokumentim të një takimi artistik, por një dramaturgji të vetë proçesit krijues. Regjisorja di të presë, të mos e shpjegojë gjithçka dhe, mbi të gjitha, t’i besojë imazhit dhe heshtjes.

Në këtë mënyrë, materiali filmik shtrihet përtej historisë së dy artistëve dhe shndërrohet gradualisht në një reflektim mbi disiplinën, përkushtimin, mjeshtërinë dhe lirinë krijuese.

Merita e saj qëndron pikërisht se, ajo nuk e imponon kuptimin e filmit, e lejon atë të lindë përpara syve të spektatorit. “Harku dhe Peneli” është një eksperiencë e rrallë filmike, sepse nuk të vendos thjesht përballë një vepre arti, të lejon të hysh brenda proçesit të krijimit të saj.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË