E pash shfaqjen “Muzg në kopshtin e qershive” të regjisores Driada Dervishi në premierë, por koha e solli që të ecejakem andej-këndej pa shprehur një mendim timin. Driada është një talent, aq më tepër një grua-artiste, ndofta e vetmja, e pakrahasueshme me një të dytë për nga fuqia dhe begatia estetike e talentit si regjisore. Shfaqjet e saj përherë më kanë lënë përshtypje të thellë. Për zgjidhjet dhe vështrimet e mprehta. Për formën origjinale. Për fuqinë shprehëse dhe posaçërisht për risjelljet e veprave klasike e të njohura, në bashkohësi. Dhe kjo parakupton përndryshe rikuptimësimin a risemantizimin e teksteve klasike jo thjesht tek idetë që ato kanë bartur dikur, por dhe në formën e re skenike regjisoriale që kanë fituar. Driada me të drejtë i mëshon, si të thuash, “shqiptarizimit” të këtyre teksteve, të cilët çmohen si të shenjtë, të paprekshëm dhe antologjikë. Por ajo nuk dëshiron t’i shoh ashtu, si fosile filologjike e dramaturgjike, si tekste klasike shkollore universitare që veçse lexohen, studiohen dhe komentohen. Jo! Në konceptin regjisorial asaj s’i pëlqen aq fort rrezatimi stilistik i tyre, ndryshe thënë “magjepsja” pas shkëlqimit dhe farfurive letrare të njëhershme. Ajo hyn në shpirtin e tyre, në bulb, aty ku drithëron ky shpirt, tashmë i universalizuar, si diçka e qenësishme duke gjetur aty asociacionet që e sjellin tekstin e vjetër jo thjesht në kohën tonë, por te problematika e shoqërisë shqiptare sot, te dramat dhe hallet e tyre.
Ky është nordi edhe i mendimit të saj në shfaqjen e fundit “Muzg në kopshtin e qershive” në Teatrin Kombëtar. E pat bërë këtë gjë ca vite më parë me “Revizorin” e Gogolit në Rusinë perandorake të gubernave dhe çinovnikëve të provincës duke rikrijuar një tjetër “Revizor”, tashmë jo rus por shqiptar, me ronxhobonxhot e bashkive tona të korruptuara, duke ruajtur thjesht strukturën dramaturgjike të tekstit të famshëm, personazhet e tij, por duke ndryshuar thuajse tërësisht dialogun, fjalët dhe ligjërimin. Kështu ka bërë dhe me shfaqjen e fundit. Brenda strukturës së dramës së mirënjohur “Kopshti i qershive” (apo vishnjeve) të Çehovit, diçka dhe nga “Tri motrat”, por më shumë, mbase, nga një tekst i njohur “Dhelprat e vogla” të amerikanit Lillian Hellman, Driada e mbushi atë me fantazinë e saj, me gjetjet regjisoriale dhe me ligjërimin e personazheve. Lakmia, zhvatja, kusaria janë kthyer sot në fenomene shkatërruese jo vetëm të mjedisit dhe hapësirës jetike të njerëzve, por dhe të vetë njeriut, familjes. Betonizimi i qyteteve tona, ngrehinat e shumta dhe kullat janë sot dukuri me ndjeshmëri të lartë në shoqërinë tonë, dhe lidhur me to gjithë vallja e çmendur e hajnive, dhelpërive dhe intrigave që e ka prishur në rrënjë njeriun e sotëm. Ka dhe një përplasje kohësh: e djeshmja dhe e sotmja. Gjithashtu një përplasje mendësish për hapësirën tonë jetike: ruajtjen apo shkatërrimin e saj.
Dialogët dhe e gjithë struktura filologjike, semantike e dialogjike e tekstit të shkruar nga Driada vjen si një vepër e re a si “rishkrim”. Kjo është një praktikë tashmë tejet e njohur, e konsoliduar dhe sunduese e regjisurës bashkëkohore. Në këtë rast, vepra e Driada Dervishit, paçka se një rishkrim, ka një identitet të vetin, të patjetërsueshëm, duke u konsideruar sa origjinale, aq dhe rimarrje, rikonceptim, rithënie a risemantizim i dy a tri teksteve njëherësh në ndërveprim idesh e shenjash kuptimore.
Më mbresoi metafora skenografike dhe regjisoriale e shfaqjes: një pemë krejt e lulëzuar dhe sheshi po ashtu i mbuluar nga një lulnajë poetike, romantike, që të kujton një kohë kur njeriu me natyrën ishin në harmoni e paqe dhe në fund motosharrat që e presin pemën, lulnaja hapërdahet nga shqota rrënuese e kohës ku të merret fryma dhe poezia, butësia, paqja dhe romantika zëvëndësohen nga shkretimi, makutëria, vrasja e mjedisit, betonizimi, paraja, ndryshe thënë nga Satanai që ngërthen dhe bluan shpirtrat tanë. Në këtë koreografi shpirtrash të demonizuar, vetëm një shpirt i pastër mbetet ende i pamolepsur: vajza. Po a do ta mbroj dot ajo rrebeshin që po bie gjithandej apo do të marrë arratinë diku gjetkë, ku njeriu jeton me natyrën duke mbetur përjetë bir i saj, jo shkatërruesi i saj? Një pyetje që nuk e përjeton vetëm shoqëria shqiptare, por gjithë bota besoj…
Natyrisht mendja ime çmoi më shumë disa nga karakteret më të thadruar, me një daltë sa regjisoriale aq dhe aktoriale. Dhe duke pëlqyer lojën e aktorit dramatik Adem Karaga si gardian i nderit dhe traditës së vyer, hirin skenik të aktores së sprovuar Liza Xhuvani në rolin e një gruaje të munduar, të zhgënjyer e të shpërfillur, më tutje rolin e Neritan Liçajt dhe Amos Zaharias, babë e bir si një xhins hajdutësh, Florian Agalliut, Alesia Xhemalaj etj., do doja të veçoja dy nga rolet më të realizuara: e para ishte Olta Daku, e cila, ndryshe nga shumë role të tjerë të mëparshëm ku elementi komik merrte me vete edhe formën burleske e groteske të tyre, tanimë qasja komike e saj i nënshtrohet po aq gjendjeve të forta dramatike, sidomos optikës sarkastike. Aktrimi i saj bëri që demaskimi dhe vetëdemaskimi si dy elemente të shpërfaqjes së satirikes dhe komikes, erdhën në një mënyrë të besueshme, të përmbajtur, po aq energjike, imponuese dhe goditëse. Fshikulli i denoncimit të lakmisë për para, prona dhe egocentrizmi i një nëne që nuk kupton brishtësinë e bijës së vet. Përkundrazi ajo ia shkel egërsisht si shpirtin e dëlirë, si hapësirën e saj jetike, ashtu dhe ëndrrën. Të trija këto kahe i janë përcjellë publikut përmes një loje të fortë, që ka gjithë autoritetin e skenave ku ajo është e pranishme.
I dyti është Laert Vasili, një aktor i kulturuar me një profil të qartë artistik, i mëvetshëm dhe i ndryshueshëm nga roli në rol. Me rolin e tij ai solli njeriun që luhatet sa andej-këndej në një “skakierë” mashtrimesh e mashtruesish për të zhvatur sa më shumë për vete. Ai lëvizi në skenë dhe rrjedhën dialogjike mes ndryshimeve të shumta e të papritura të qëndrimeve të tij, falë një përshtatshmërie të studjuar të veprimit aktorial. Fytyra e tij është dykahëshe si prej Janusi, madje ajo është shumëfytyrësia dhe pacipësia. Më pëlqeu sidomos dalja nga situatat edhe pse i “kapur mat”, pra një mashtrues inteligjent, si profesionist, elegant, jo një xhambaz, i trashë apo grykës, që e mbyt grykësia dhe trashësia e tij. Këtyre ai i hedh një napë të mëndafshtë prej njeriu të ekuilibruar, dashamirës madje, që ia do të mirën “tjetrit” (?!) dhe bie në ujdi me të. Por në fakt është një ujk i vjetër, një skile, që dridhet e spërdridhet, duke luajtur me fjalën dhe intonacionin e saj, me gjestin, mimikën, lëvizjen e kuptimtë dhe mjete të tjera që aktori i ka harmonizuar në një rol vërtet të bukur… Krahas aktrimit, më lejohet të them se Laerti është një regjisor i talentuar e me kulturë, shfaqjet e të cilit më kanë mbresuar pikërisht për dijen, njohjen, mendjemprehtësinë dhe talentin në risjelljen e disa visareve klasike e antike nga dramaturgjia botërore në një formë të mprehtë bashkëkohore. Dua të them po ashtu se L. Vasili ka operuar me struktura regjisoriale të modelit konstruktivist, me mizanskena domethënëse, ekspresivitet lëvizjesh, pozash, vendosjesh aktoriale në dekore, veshje të stilizuara, imazhe skenografike me mbartje simbolike etj.
Një Shqipëri e vjedhur, në shitje, me hajdutërinë si parim jetik, që shkel me putra prej rinoceronti mjedisin ku njeriu jeton; një shoqëri e gllabëruar dhe e sulmuar mu në zemër nga shtiza e biznesit të pashpirt e të satanizuar; një ëndërr e brishtë që shkelet e shqyhet, tok me të mirën, të ndershmen, virtutin, duke lënë pas një bosh moral dhe gërmadha të frikshme humane e urbane – këtë më tha shfaqja “Muzg në kopshtin e qershive” të Driada Dervishit.


