KreuLetërsiBibliotekëPreng Maca: Miqve poetë, në anën tjetër të dritës

Preng Maca: Miqve poetë, në anën tjetër të dritës

Poemë kushtuar poetit Gjok Beci

“Këndoma kangën sa t’jem gjallë
Kur të vdes mos t’qofsha falë…”
(popullore)

  1. duke menduar të telefonoj ty

më ka marrë frika
të formoj numrin tënd të telefonit.
çdo ditë e më shumë, bëhesh më i sëmurë
gjithnjë më zë frika, se mos je nisur për diku
dhe vetëm pushon rrugës së gjatë,
sa për t’u mbushur me frymë.

asgjë nuk ke tënden.
ato gjëra të vlera rritur me dashuri e kujdes nëne
kanë fluturuar e janë bërë këngë;
e pak e dinë, se je djepi,
ku u përkundën e u bënë të çmueshme,
për të udhëtuar përjetësisht adresave të pafundme.

çdo ditë bëhesh më i dobët:
në duart e tua të holla, në sytë e tu plot dritë
digjet dashuria për Valmorin e largët,
ku tani shkon rrallë e më rrallë,
çmallesh nëpër ëndrra me ato bukuri
të djeg, e bën shpirtin tënd të ndizet
me një dritë të bardhë,
si lulëzonjat e livadheve alpine.

gjithnjë kam frikë, ta formoj numrin e telefonit tënd!
kam aq frikë, se një ditë prej ditësh
do të dëgjoj sinjalin pa përgjigje.

Më dridhet zemra,
kur telefonit tënd i bie!

  1. të fshehtat e Atij

së pari,
Ai që na krijoi na mëson të jetojmë
të duam, të pasurohemi me dashurinë e të tjerëve
na bën të lumtur dhe na mëson,
të qeshim, pastaj na bën të derdhim lot,
prej dhimbjes, humbjeve të zakonshme
aq më shumë, prej atyre të jashtëzakonshmeve:
na bën të mësohemi, prej ikjes së miqve të dashur,
duke jetuar të trishtuar mungesën e tyre,
jeta jonë, prej humbjesh, bëhet çdo ditë e më e vogël.

fshehurazi i zgjedh, Ai ata miq të shtrenjtë,
për të cilët na djeg malli, kur nuk janë më pranë nesh,
kjo është një kambanë tingëlluese që bie, për ata që kanë veshë
pastaj, pastaj ne jetojmë lodhemi, lodhemi aq sa
aq shumë e ndjejmë, thuajse prej asaj çlodhjeje të paprovuar
dorëzohemi,
duke bërë shenjën e largimit të papritur,
prej atyre, që pasi trishtohen prej largimit tonë
të njëjtin çast kanë për të prekur,
dhe do të gjenden të papërgatitur.

  1. alarme të rreme

shtrirë është poeti, frymë merr me zor,
duart e verdha, pa gjuhë tani janë, me pak jetë
kokën e lëviz ngadalë, ndërsa buzët kanë mbet jetime, pa fjalë.
shpreson akoma, e dorën ma shtrëngon ashtu fort
sikur më lutet: “mos më lini vetëm… bëni diçka e të mbetem në këtë botë!”
por ah koha shkon, si një dhelpër
çdo ditë na afron pamje tjetër
me ditë, me muaj, në minuta e sekonda
e shoh se dikur do të dorëzohemi.
“a thua do të jesh me ne,
kur të hapet sipari i mëngjesit të nesërm?”
dita vidhet heshtazi e më shikon,
me sy dinakë prej dhelpre

nuk e besova, kur më thanë se ishe sëmurë
mezi lëvizje e prapë jepje shenja,
se të pëlqente kjo botë,
se të pëlqente jeta.
gjithnjë dyshoj, se ti nuk do të ikësh nga kjo botë
ti shkon deri diku, pastaj vjen i penduar
jeton me ne sërish e shkruan vargje për jetën,
e cila të ra fort me pëllëmbën e shtrënguar,
duke të dënuar ashpër, të jetosh mes dhembjesh
në përpjekjen prej perëndie, për të jetuar e shkruar ëndrrën.

dyshoj gjithnjë, jam i bindur, se do të ngrihesh edhe një herë
kur të tregoj gjëra të tmerrshme ndodhur tashmë,
që s’i ke dëgjuar kaherë.

“e kanë prerë Valmorin, lisat një nga një janë të rrëzue,
pylli i pishave asht djegë, gjilpërat jeshile janë farue,
bari e myshku janë tha, krojet janë shterrue,
dhitë e egra janë zhdukë, kanë marrë arratinë vendeve të paditura,
ka shkri krejt akulli në shpellën e Fatmirave,
nuk ka ma lulëzonja të bardha, zambakët kanë dalë fare,
dielli nuk nxeh ma mbi Valmor, hana nuk del mbi bjeshkën e madhe,
zogj nuk ka askund, fëllanxat janë largue,
çiftelitë janë thye krejt, këngëtarët krejt janë, si qyqet mbet pa pyje,
fjalët janë harrue e s’ka mbetë asnjë këngë në krye,
nusja e Kamber Loshit pa shkue tek dhandrri asht kthye,
Mic Sokoli don me u ngrit me e kapë topin e nuk di, si me u ngrit,
Selam Labi e harroi brucën e leshtë e mbeti para topit krejt habit,
vera nuk vjen, kur vajza ta kthen shpinën,
dashuria humbi dhe stina asht veç dimër.”

krejt këto i thashë e ti, tunde kryet ngadalë për çudi
nuk u ngrite dot, kjo është gjë e pabesueshme për ty
“o Zot i madh!” thashë me vete, si erdhi kështu dita
ti ishe nisë me ikë, përderisa nuk të ngritën në këmbë këto të gjitha,
i sajova të gjitha, që të brofje, ta lije sëmundjen nëpër tesha,
por nuk po ngrihesh dot e dita më sheh me sytë e pabesë krejt si dhelpra.

je sëmurë rëndë miku im derisa akoma rri shtrirë
e nuk u ngrite ta shpëtosh Valmorin tënd,
kjo nuk është shenjë e mirë
e besoj, tash je sëmurë… është hera e parë që më tremb!

kam shpresë se do jetosh përsëri, besoj do të vijë ky çast,
të pret poezia e pashkruar akoma, kënga që do të vijë më pas
një libër prej teje e duam patjetër, ndaj harroje sëmundjen e ngreu
këngë të tjera më të bukura pret prej teje Atdheu!

11 shkurt 2014

4. duke u kërkuar ndjesë miqve

ju kërkojmë ndjesë që e lamë të shkonte,
por bëmë të pamundurën.
betohem, se nuk ishte gjë në dorën tonë ta ndalnim,
nuk ishte aspak në dorën tonë.
për çfarë ndodhi, nuk mund të jemi ne në faj
gjithsesi nuk mund të jemi fajtorë
kur u largua, thuajse e kishim dorën e tij në duar…

gjithë këto ditë ishim pranë,
duke ia puthur sytë, duart
duke i thirrur e lutur paprerë,
duke u lutur, të shërohet, të zgjohet
ta lërë sëmundjen vetëm por…

Ishte i lodhur nga kjo botë dhe donte të shkonte
mezi i hapte sytë, duart mezi i lëvizte ashtu
në të shumtën e kohës sytë i mbante mbyllur
tamam, sikur dikush e gënjente me një muzikë të ëmbël
të atij momenti të pakthyeshëm,
kur largimi nga kjo jetë ndodh, si në një ëndërr.

u lutëm të gjithë
fëmijët, miqtë, njerëzit e afërm
rri dhe pak i thamë,
por ai qeshte lehtë, sikur nuk donte të na dëgjonte;
në lutjet tona ishim të pafat.
kishte zgjedhur të shkonte.

dhe iku…
na la vetëm
ne, që aq shumë e çmonim dhe e deshëm.

mbrëmë ishte vetëm atje, mes mijërave që nuk janë më!
këngët e reja i la pa filluar,
ndërsa të vjetrat u spërkatën me argjendin
e shpirtit të tij, mbushur
me zambakët e bardhë e të kuq të vendlindjes,
e cila dje,
tek e përcolli ashtu të pafrymë,
u dridh prej dhimbjes.

13 shkurt 2014

5. pamundësia

mund të bëjmë shumë gjëra për atë
p.sh., të mos e harrojmë emrin,
përmendësh t’ia mësojmë vargjet,
t’ia mësojmë përmendësh çastet,
kur u ndodh keq dhe ishte sëmurë,
kur lëngonte në padije dhe zgjohej,
ndërsa balli i digjej furrë.

ta kujtojmë përditë,
kur të pimë kafe, të cilën së voni ishte i dënuar të mos e pinte
por cigaren, ah cigaren dot nuk e linte
e cila dalëngadalë, ia kafshoi zemrën e sëmurë.

gjithçka ne mund të bëjmë për atë,
veçse një gjë jemi të pamundur
nuk e bëjmë dot të ngjallet sërish
ai nuk do të marrë frymë më
kurrë.

  1. mungesë
    (një vit pa poetin Gjok Beci)

më është dukur sivjet ky mot tejet i vështirë,
nga shirat e shumtë toka krejt u përmbyt
gjithë atë kohë nuk jam ndjerë mirë,
sikur dikush më shtrëngonte në fyt.

pastaj erdhi dimri gjithë erë e ngricë,
zbardhi bora gjithandej, sakaq e bardha shndrit
akulli në fundvit na zuri rreptë pritë
na ngriu, na trembi, na la një kollë në fyt.

nuk e mora vesh gjithsesi çfarë po ndodhte ashtu
iku viti, si një lëmsh me dymbëdhjetë fije në fyt!
erdhi dhe viti i ri, fytyrëtrishtë gjithashtu,
nuk je më! shkëlqen mungesa jote, ndrit… shpirti yt!

2.1.2014

Mikut tim poet, Mehdi Dashit

  1. ngjitja

kushdo që të deshi,
mes lotësh,
sot të përcjell.
dhimbjet e tua pushuan,
ndërsa ngjitesh në qiell.

  1. fjalë për ty

ah vdekja është e të gjithëve,
vdekja nuk më tremb.

u bë kohë që ike
humbja sërish dhemb.

…kalojnë ditët një pas një
dhe ti nuk je.
më duket, sikur ike dje!

  1. përcjellje

nata që kaloi, sa një vit e gjatë,
po i vjen dielli ditës mbi qerpik
nuk do ta shohësh më dritën.
zgjodhe të jesh përjetësisht në natë.

bota mund të jetë ndryshe,
nga padija nuk arrijmë të njohim gjithçka.
atje ku je tani, ndoshta, drita është e shkëlqyeshme
na sheh ne e të dhimbsemi
në këtë rrëmujë,
ku përkohësisht endemi mes mundimeve të mëdha.

do të të ndjejmë mes nesh gjatë
në atë lidhjen magjike me poezinë e shkruar
të cilën, të fshehur e gjete brenda qenies
duke na lënë pas në dyshimin e madh:
a thua po jetojmë, apo po vrasim veten?

  1. dilemë

a thua Je në gjumë,
mos po sheh një ëndërr të re?
apo ndoshta sapo u zgjove nga ëndrra
e nga qielli po na sheh?
apo ndoshta asnjëherë nuk fle?

ndoshta kjo jetë tokësore
është thjesht një zhgënjim,
ndoshta brenda një ëndrre jemi ne
në një ëndërr të gjatë e të pafund,
ndërsa çfarë jetojmë është thjesht iluzion,
që në pavetëdije na përkund?

  1. fundvjeshtë

ra dielli i vjeshtës mbi pemë
e gjethet krejt i përflaku,
vjeshta i pushtoi gjithë vendet,
me zjarre të ndezura patriarku.

i ngrohtë dielli i vjeshtës së florinjtë,
magjike kjo pikturë e çastit,
loja e dritës mbi gjethe sikur lind
nga “dielli” i poezisë së Mehdi Dashit

  1. gjurmë

po kalojnë ditët varg e varg, aq shpejt
gjurmët në breg sërish i prish rëra
tek kafja ku pinim, kanë rënë qiejt,
ku fluturove, duke u ngjitur tek ëndrra.

deti që e deshe gjëmon në vjeshtë,
rruga ku ecje është plot me njerëz
çdo ditë po mësojmë, çfarë do të thotë mungesë
malli dhe dhimbja na pushtojnë njëherësh.

nga qielli na sheh, por nuk dëgjojmë asgjë,
tokësorët për qiellin janë të shurdhër,
banor në qiell, mes nesh nuk je më
Zoti, që e deshe, ngutshëm të dha urdhër.

mes miqsh gjithnjë është një vend bosh
karriget u lodhën, më kot të presim
ishe qenia njerëzore, që botën e përsos
me të vetmen të metë, se njerëzit vdesin.

  1. lajmi

kur mora lajmin, se ishe ngjitur në qiell
ah, thashë me vete, vdekje e pabesë!
ikja jote e papritur, dhimbja e thellë
ishte lajmi, se vdekja ishte mes nesh.

Përtej xhamave në mbramje…

(Kushtuar Martin Camajt)

jashtë është natë, një natë e ngjyer me hënë
një natë e ngrohtë, një natë tisargjendë
ndjej zhurmë të lehtë që tregon, se një këmbë
po nis gjeografinë e një udhëtimi, të end.

ndoshta diçka, akoma nuk e kam të qartë,
ka nisë shetinë tinzash në këtë mbramje të vonë
në koshtin e shtëpisë mes trëndafilave të zjarrtë
ku mëllagat magji fjalësh me ngjyrat e ndezuna më thonë.

e dalloj, se aty është ajo breshka e artë, e avashtë
tek përgjon e vëmendshme, të mos ketë asnjë qenie përreth
laramania ka emrin e Dranes, që e kam të ngulur në rrashtë
prej njeriut, që ma shumë se Atdheun e vet asgjë nuk desh!

25.06.2015

Musine Kokalarit

nga ajo kohë kanë kaluar aq shumë vite
çfarë vlen, nëse duam të kërkojmë falje?
nuk t’u afruam dot afër teje atyre ditëve,
por nuk të fyem kurrë me asnjë gjysmë fjale.

ishe e internuar, ishte krejt e pamundur
nuk të flisnim dot me ty, pengesat na dhembnin
nuk ishim të lirë as ne, ishim brenda një burgu.

emri yt jeton në një shkollë: “Musine Kokalari”
në Tiranë, pas ikjes, ta përjetësuan emrin.
ne jemi prapë në burg, veç kemi ndërruar gardianin.
2026

Dialog

(kujtimit të Poetit Pano Taçi)

nuk e pranove kurrë në jetë shtirjen
së fundmi, të vunë në pranga në qeli
të dënuan pa ngurrim me heqje lirie

por LIRIA ishte, si frymëmarrje në ty.
çfarë ngjet me emrin tënd është e vërtetë
bien në harresë edhe Poetët si ti
të kujtojmë aq rrallë në këtë të bekuar jetë.

vetëm në çastet, kur nuk kemi liri.
je i lirë atje lart në qiellin, sipër nesh
na sheh, si zakonisht, gjithë pezm e ironi

këto kohëra poezia ka shkuar për lesh,
ka aq shumë poetë dhe aq pak poezi.
mos bëj gabimin të zbresësh nga qiejt.
se do të kalbesh në burg përsëri!
2026

lajm
(ikjes së mikut tim Petrit Rukës)

lajmi se ti ike
ishte aq i papritur,
si vetëtima në një qiell të kthjellët!
faktin që të gjithë jemi të vdekshëm
e përjetova sot aq thellë!

do të na mungojë në këtë botë të zhurshme
zëri yt i ngrohtë,
me pasurinë tënde
poezinë dhe dashurinë për Vjosën!

do të duhet të mendohet gjatë Zoti,
ta krijojë sërish
një Njeri si ti!

6 korrik 2021

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË