KreuLetërsiShënime mbi libraAnxhela Pashaj: Për nga “Porta e ngushtë e purgatorit” të autorit Besnik...

Anxhela Pashaj: Për nga “Porta e ngushtë e purgatorit” të autorit Besnik Mustafaj

I ndëshkuar është njeriu për t’u endur përpjetë e përposhtë në kërkim të vetes, të vërtetës dhe Zotit. Me fat është ai që gjen qoftë njërën prej tyre. Me shumë fat ai që gjen veten, e cila fshihet pas hijeve të fjalëve dhe veprimeve tona. E si një qenie sociale, njeriu nuk e kërkon dhe gjen veten vetëm brenda tij, por edhe në shoqëri. Njeriu është i ngjashëm me planetin ku jetojmë, nuk vërtitet vetëm rreth vetes, por edhe rreth diellit (të tjerëve). Të tjerët janë një komponent i rëndësishëm në jetën e tij. Për çudi, ne, shqiptarët kemi jetuar për një kohë shumë të gjatë pa të tjerët, të izoluar me besimin e fanatikëve që adhurojnë zotat e rremë. Të jetuarit mes dhe me veten na shndërroi në ca qenie me botë foshnjërake, ku u mbollën paranoja, frikëra, dyshime nga më të përçudnuarat. E kur bota jonë u hap, kur Ferri i la shpirtërat e munduar të lirë, ata u vërsulën të uritur drejt Parajsës, por rruga drejt saj është shumë e gjatë dhe e ngushtë. Për këtë rrugë edhe më të mundimshme se vetë Ferri, shkruan Besnik Mustafaj në përmbledhjen me novela “Porta e ngushtë e purgatorit”.

Në këtë përmbledhje, autori përthyen përvojën dhe përjetimet e tij në rreshta, ku rrëfen përmes një narratori-personazh tre kallëzime që tregojnë botën psiko-emocionale të shqiptarit pas diktaturës komuniste në botë, por edhe në Shqipëri. Tre rrëfime mbërthyese, që vijnë me një gjuhë të pastër, besnike dhe letraro-diplomatike, ku herë pas here vërshon një përrua psikologjik, i një narratori-personazh inteligjent dhe me vetëkontroll. Një përrua ndryshe nga ai që kemi lexuar te Prusti apo Xhojsi, një përrua i një ndërgjegjeje të kthjellët, ku derdhen mendimet e një intelektuali të ri, racional për ndodhitë dhe përjetimet e së shkuarës.

Mustafaj krijon tre personazhe, të cilët edhe mund të jenë realë, që u përkasin moshave të ndryshme dhe deri diku janë njerëz të mendimit. Këto personazhe disi naivë, janë të përfshirë prej dyshimit të vazhdueshëm, paranojës dhe emocionit të frikës. Rrëfimi përfshin botën e unit (narratorit-personazh), të tjetrit (personazheve) dhe të asaj çka qëndron mes dy njerëzve dhe dy botëve, të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes.

Personazhi i parë, shqiptaro-amerikani edhe pse ka vite larg Shqipërisë komuniste, e torturon mendimi se dikush e vëzhgon dhe se është thurur ndaj tij një lojë për ta tallur. Ai i nënshtrohet një testimi për t’u punësuar në një shkollë (e gjetur me ndërhyrje nga e shoqja) dhe habitet se si mund të jetë pyetja e parë për emrin e tij, në e njeh ai veten. Kujton se dikush e konsideron budalla dhe në vend që të vazhdojë t’u përgjigjet pyetjeve të tjera, ai nis e mendon për komplotistin. I mjeri kalon orë të tëra duke menduar për arsyen dhe personin që fshihet pas lojës tallëse, pa i shkuar ndonjë çast në mend se e gjitha mund të jetë thjesht një testim i zakonshëm, jo, mendja e tij nis e tjerrë histori të tëra që e kaplojnë gjithë vetëdijen e tij.

“U ndal veçanërisht gjatë tek “Alush Bello’’, i cili ishte i katërti në radhë. Nuk po u besonte syve. 

…

Këta ose kanë dashur të tallen me mua, i tha vetes, ose më dinë për budalla të madh, ose prapa kësaj pyetjeje fshihet një lojë tjetër, një dhelpëri e poshtër, nga ato që përfytyrimi i tij i nxehur papritur nuk i rrokte dot.’’

Edhe pse ka nisur një jetë të re në një kontinent të ri, e shkuara nuk e lejon që të marrë frymë lirisht. Në mendjen e tij qëndron e gjallë dhuna psikologjike nën diktaturën komuniste, e cila i kushtëzon jetën edhe përtej oqeanit. 

“Alush Bello i përsëriti vetes se FBI-ja nuk kishte asgjë të ngjashme me Sigurimin e Enver Hoxhës. Larg qoftë!Por nuk arriti, megjithatë të qetësohej.

…

Alush Bello po ma përshkruante, sipas tij shkurtimisht, bisedën me oficerin e FBI-së. I kishte mbetur në mendje sidomos që biseda ishte regjistruar.’’

Përtej kësaj, ai, shqiptaro-amerikani, ndërtohet si një qenie me ëndrra të ëmbla për letërsinë dhe përkthimin. Alush Bello, personazhi ëndërronte të përkthente në shqip romanin “Absalom, Absalom!’’  të Folknerit si dhe të lexonte në qetësi veprat e autorëve amerikanë, që shënoheshin si letërsia e tij e parapëlqyer qysh prej rinisë. Bello dëshiron çlirimin nga çdo përgjegjësi tjetër për t’iu përkushtuar plotësisht artit. Kjo ëndërr e tij që në Shqipërinë komuniste ishte e pamundur, (“Në Shqipëri për më shumë se tri dekada kishte punuar vetëm për të ngrënë.’’) nis t’i duket edhe më e pamundur në Amerikë.

“Tërheqësi i fijeve’’, ose dikush tjetër mbi të, i cili e kishte parë si të përshtatshëm për rolin e ri, e kishin vlerësuar vetëm nisur nga çfarë shkruhej në letra. Ata, pra, do t’i ngarkonin një detyrë të përshtatshme për një gjashtëdhjetëvjeçar. Alush Bello ndjeu një si këputje. A do të thoshte kjo se po shënohej vdekja e ëndrrave për të vazhduar përkthimin e veprës së Folknerit (…)?’’

Pra, Bello, jo vetëm që nuk fiton dot lirinë si njeri, por nuk e fiton dot as si artist apo intelektual. Duket se përmes këtij personazhi, Mustafaj i rrëfen lexuesit pamundësinë e njeriut për të qenë vetëm njeri, në këtë botë të ndërtuar prej vetë tij (njeriut). Se liria është vetëm një ide, e cila nuk instalohet as në vendet që i mendojmë si më demokratiket dhe më të lirat. E kjo lëndon dhe zhgënjen naivët dhe ëndërrimtarët. Bello jepet edhe naiv edhe ëndërrimtar.

Naivët dhe ëndërrimtarët gjenden edhe në novelën e dytë, ku narratori – personazh, që rrëfen shpesh në vetën e parë, na fut në një botë në dukje të shkëlqyeshme, ku premtohen çaste të lumtura, të cilat lexuesi nuk i beson, duke patur në mendje që ka të bëjë me personazhe që lëvizin në korsinë e politikës dhe diplomacisë. Në këto fusha nuk ka besim apo ndershmëri, madje në këto fusha dyshimi është gjithçka. Me këtë ndjenjë lëvizin të gjithë personazhet e novelës së dytë, ku diplomati shqiptar në Paris kërkon një nder për të shlyer një detyrim moral ndaj bashkëkombasve të vet, për të bërë më pas një zbulim. Një zbulim që lidhet ngushtë me atdheun e tij dhe lojën e stërzgjatur politike dhe diplomatike, e cila nuk pikëtakohet me shpirtin artistik të narratorit – personazh dhe idealeve të tij. Çdo frymëmarrje diplomatike është një shtrirje kah hapësira e tjetrit, nga liria e tij.

Po ashtu në këtë novelë, “De profundis’’, narratori i mëshon fort mungesës së lirisë dhe pamundësisë për të qenë vetvetja, për të qenë vetëm dikush, pa kostumin e profesionit apo pa ndonjë kornizim. Duket se Mustafaj ka gjetur përmes këtyre personazheve të rrëfejë shtrëngesat që e kanë kufizuar dhe e kanë detyruar të jetë çdo gjë e çdo kush tjetër përveçse atij që dëshironte më shumë, shkrimtarit. Këto personazhe janë autobiografikë, pra jo vetëm narratori- personazh, por edhe Alush Bello dhe Agron Shala janë reflektime të alter-egos së shkrimtarit. Duket se ai ndërton rrëfime me të gjitha vetet e tij, të cilat dallojnë mjaft prej njëra-tjetrës, por edhe pikëtakohen te mendimi, ideja, ëndrra, liria.

 Personazhi i Georges bën dallim, ai nuk është ndonjë alter-ego e shkrimtarit, ai është e huaja. Georges është e huaja, e ndryshmja nga ne, të cilën ne rrekemi ta njohim (kemi kureshtje) dhe mahnisim. Georges nuk mahnitet me Shqipërinë e shqiptarët, përkundrazi ka një fije zhgënjimi në përvojën e tij. Përveç kësaj, Georges është edhe provë se sytë që shohin e kokat që mendojnë mund të përdoren nga cilido regjim.

Novela e tretë i sjell lexuesit, të riun shqiptar, i cili nuk beson te regjimi i kohës apo te demokracia. Ai është njeriu i thjeshtë, që mundohet të ikë prej pellgut ku ka lindur, ndihmohet prej fatit dhe në një moment të jetës, diçka brenda tij nis e këlthet. Personazhi i tretë, e çon lexuesin në një faqe tjetër të diktaturës, te erosi.

Agron Shala ka shumë dëshira, ku më e fuqishmja është të jetojë jetën në tërësinë e saj. Në këtë tërësi përfshihet edhe të eksploruarit të botës erotike. Në të vërtetë kjo lind vetëm pasi ai bie në kontakt me femra të huaja, me të cilat i ndalohet afrimiteti. Ndalesa e ka zanafillën te regjimi i kohës dhe te eprori i tij, i cili jo vetëm e ndalon, por edhe e fyen dhe poshtëron. Një frazë banale e thënë prej eprorit, që i kumbon në kokë Agron Shalës sa herë një femër e fton për të qenë në një raport intim. Pas shumë përpjekjeve, torturave psikologjike ndaj vetvetes ai i dorëzohet dëshirës për intimitet me femra të huaja, të cilat me gatishmërinë dhe lirinë e tyre përbëjnë një tjetër goditje për botën e tij të ngurtë sociale e mentale.  Sa më shumë që eksploron trupat e grave të huaja, aq më shumë vetëdijësohet mbi gjendjen e tij emocionale dhe mendore në të cilën gjendet sa herë përfshihet në intimitet. Shala kupton se erotizmi i tij ka lidhje të ngushta me frikën. Frikë nga që bën diçka të ndaluar për të cilën mund të dënohet. Po pikërisht frika edhe e emocionon pafundësisht.

 Kur e kupton këtë i lind pyetja se si do të ishte të eksploronte erosin i lirë, në mungesë të frikës. A do të përjetonte të njëjtën ndjesi si në diktaturë? Këtë narratori – personazh na e lë të pazgjidhur, ai zgjedh të na rrëfejë për ballafaqimin e dy botëve, asaj franceze dhe shqiptare, të njohurës dhe të panjohurës, të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes, demokracisë me lirinë dhe diktaturës me ndalesat dhe dhunën, i cili çon në një shok kulturor edhe intelektualin më të gatitur të kohës.

Mustafaj nuk e kursen edhe këtë herë intelektualin, për të është e qartë, izolimi i Shqipërisë prekte gjithkënd, ai që këtu bënte diferencën, në botën e madhe perëndimore ishte një njeri i zakonshëm, ndoshta shumë i zakonshëm. Ndryshimet mes Shqipërisë dhe Perëndimit ishin dhe janë të mëdha, e mbi të gjitha përshtatja dhe integrimi, i vështirë e sfidues. Sfida më e madhe qëndron me bindjen, pranimin dhe emancipimin e vetvetes.

Ajo që mbetet për t’u shtuar për këto novela të Mustafajt është se kanë një përafri të vogël me disa novela të Koliqit, jo në nivel përmbajtësor a strukturor, por në nivelin e formësimit të personazheve. Të dy sjellin personazhe me natyrë dhe mendësi të njëjtë. Personazhe që vuajnë gati-gati prej të njëjtave dilema, që luftojnë fort me veten, veçanërisht në novelën e fundit “Zbulimi i Parisit nga shqiptarët’’. Të dy sjellin në novelat e tyre shqiptarin e edukuar dhe të kulturuar të cilin përherë e tërheq më fort gjaku, norma e pashkruar, e harruara. Shqiptari i gjendur mes lindjes dhe perëndimit, mes të resë dhe të vjetrës, zakonit dhe ligjit. Shqiptari që jeton paralelisht dy jetë…dhe asnjërën të plotë. Shqiptari që lufton me mish e me shpirt për të përqafuar modernen, emancipimin dhe përfundon si i tërhequr me magnet te rrënjët e tij të egra.

Në optikën e shkrimtarit Besnik Mustafaj, për shqiptarin ferri është një hon i përgjakur, shtëpi e tij prej shekujsh dhe parajsa një vend përtej horizontit, rruga për te e cila kalon përmes një shtegu fare të ngushtë që nuk premton shpëtim, por mundim dhe sfilitje. E megjithatë, ai nuk nxit për të mos e ndjekur shtegun e mundimeve, ndoshta sepse në thelb të qënies së tij, si te çdo shkrimtar dhe idealist frymon shpresa.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË