Ka poetë që bëhen të tillë në kushte e rrethana të caktuara. Poezia e tyre është e kultivuar, pjesë e edukatës, lule e rritur artificialisht në sera, jeton pak, harrohet shpejt.
Këta janë të shumtit.
Ka të tjerë, më të paktë, që lindin poetë, e kanë në gjak vargun, mëkohen me të, jetojnë e vdesin për të. Poezia e tyre jeton gjatë, kapërcen vitet, mbetet përherë e freskët.
Gjysmë shekulli më parë, në gjallje të Lazgushit, qindra fatkeq u rrekën të hynin në aradhën e poetëve, shkruan, botuan, morën trofe. Kritikët komentuan sipas ligjeve të metrikës, analizuan me metodat e kohës, madje shumë syresh i krahasuan me të mëdhenjtë e poezisë. Pastaj u harruan bashkë me vjershat dhe librat, si të mos ekzistonin kurrë. Mbeti Lazgushi që shkroi pak, u anatemua, u përbuz, nuk mori trofe. Mbeti se ishte poet i lindur, se poezinë e kishte nëpër damarë.
Pa mëdyshje Dhimitër Pojanaku i përket këtij grupimi të përkorë.
Ka rënë herët në dashuri me poezinë, ishte fëmijë në klasën e pestë, kur shkroi vargjet e para dhe qysh atëherë mbeti rob i saj. Vëllimi i fundit poetik, që promovojmë sot, i shtati në mbi pesëdhjetë vite krijimtari është gjerdan gurësh të çmuar me tharm të epërm njerëzor. I thellë në simbolikë, tronditës në meditim, poezia e tij të rrëmben, të trazon shpirtin dhe përfytyrimin, të çon në qiellin e vet të qashtër poetik. Një poleskë e porsa çelur, lulëkuqja e këndellur nga dashuria, lumi shpërfillës pranë kopshtit, koncerti i zogjve mëngjeseve të pranverës, janë shtysa e frymëzimit poetik.
Mbi lumë,
Muzgu puth dritën e fundit të ditës,
Puthje e gjatë, e ngadaltë,
Aq e ëmbël,
Sa dita meket,
Në gjoks i mbështetet.
Përhumbur të dy,
Nata e ka të lehtë,
T’i shtjerë në gjumë të thellë.
Poezia e tij është shpërthim ndjenjash fine që të freskojnë si psherëtimë ere. Dashurinë, ndjenjën sublime të njeriut, e sheh në një kënd të vetin që mund ta përafrojmë me konceptin e Dostojevskit: “ Pak minuta dashuri, vlejnë sa një perandori e tërë. “
Binte një dëborë e butë, si lëkura jote,
Pak e ftohtë si ajo mospërfillja joshëse për afrim,
Rrëshqiste mënjanë plot lozonjëri
Si ai vështrimi yt, kur e hedh me bisht të syrit…
Ka kohë që nuk bije dëborë.
Mënyra e natyrshme si i qaset vdekjes, marrëdhënia e ndërsjellë me të, janë diçka sa e bukur, aq drithëruese, diçka që haset rrallë në poezinë shqipe. Jeta dhe vdekja ledhatojnë njëra-tjetrën në një alternim befasues për të prodhuar ndjesi që nuk harrohen kurrë.
Të panë mbrëmë të pragu i shtëpisë, nënë,
Më thanë.
Të përmendi dhimbja ime?
Kjo e reja?
Më hidhtakja ndër shoqe?
Të erdhi në fjetore?
Në shtretërit kuti-kuti?
T’i shpluhurosi lehtë supet?
Mos të pickoi mishin prej dheri?
Ka rrjedha e përrenj që mbushin lumenjtë dhe humbasin në detin e thellë të kulturës, por ka edhe burime këngësh që krijojnë një lumë ndryshe. Ai vadit arat e ndjenjave dhe ato të mendimit, të dashurisë e urrejtjes, të asaj pjese të jetës që nuk duket por shprehet, që nuk preket por lexohet.
Një lumë i tillë është vepra letrare e Pojanakut. Me talentin dhe punën e pandërprerë një jetë të tërë, e ka ngritur monumentin e vet letrar.
Ne na mbetet ta respektojmë.


