KreuLetërsiShënime mbi libraMatteo Mandalà: “Buzuku i lehtëlexueshëm”: Një kërkim që ripërkufizon fushën e studimevebuzukiane

Matteo Mandalà: “Buzuku i lehtëlexueshëm”: Një kërkim që ripërkufizon fushën e studimevebuzukiane

Dy vëllimet e veprës së Vinçens Markut, Buzuku i lehtëlexueshëm I dhe II (Botime Françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 2025 dhe 2026), vijnë në vëmendjen e komunitetit shkencor si një kontribut origjinal dhe me rëndësi të veçantë metodologjike në panoramën e studimeve kushtuar Mesharit të Gjon Buzukut, librit më të hershëm të shtypur që njohim deri më sot në gjuhën shqipe. Rëndësia e veprës së Markut nuk qëndron vetëm në pasurimin e dijeve tona mbi një tekst themeltar për historinë kulturore shqiptare, por mbi të gjitha në përpunimin e një perspektive kërkimore risore, të aftë ta zhvendosë qendrën e rëndesës kërkimore nga një përmasë kryekëput gjuhësore dhe filologjike drejt aspekteve fizike dhe materiale të objektit libror, të cilat deri më sot ishin lënë pas dore.

Për më se një shekull kërkimet mbi Mesharin u përqendruan kryesisht mbi tiparet gjuhësore, leksikore, tekstologjike dhe historiko-letrare, duke privilegjuar analizën e tekstit si dokument themeltar në rindërtimin e fazës më të hershme të shqipes së shkruar. Ky impostim prodhoi rezultate të jashtëzakonshme, falë kontributit të një aradhe studiuesish, si Pal Skiro, Mario Roques, Justin Rrota, Eqrem Çabej, Selman Riza, Namik Resuli, Martin Camaj, Wilfried Fiedler, Rexhep Ismajli, Anton N. Berisha e shumë të tjerë, të cilët hodhën dritë në një mori çështjesh të shtruara për zgjidhje mbi gjuhën, burimet dhe traditën kulturore të Buzukut. Gjithsesi, pikërisht larmia e kërkimeve filologjike dashur pa dashur shkaktoi lënien në hije të një aspekti jo më pak të rëndësishëm: vetë librin si objekt material, si prodhim editorial dhe tipografik, si dëshmi konkrete të proceseve kulturore dhe teknologjike që karakterizuan Europën e shek. XVI. Pikërisht në këtë hapësirë kërkimi e gjen vendin vepra e Vinçens Markut. Në fakt hulumtimi i tij e zë fillin nga vetëdija se Meshari përbën një dokument të jashtëzakonshëm jo vetëm për çka na thotë me përmbajtjen e vet, por edhe për çka na paraqitet për nga forma dhe aspektet e jashtme fizike, pamore dhe materiale. Nëse të dhënat historike që mund të nxjerrim drejtpërdrejt nga kolofoni na rezultojnë të pamjaftueshme, sidomos për sa i përket prodhimit dhe shtypit të librit, ksombla e vetme që na ka mbërritur përmban një sasi të konsiderueshme gjurmësh dhe të dhënash materiale të cilat, po të studiohen me vëmendje, na ofrojnë një sërë treguesish të çmueshëm mbi mjedisin kulturor, tipografik dhe artistik ku e pa dritën e diellit vepra e Buzukut. Miniaturat, germat nistore të historizuara, zbukurimet, kornizat ksilografike, shkronjat e lëvizshme, shkurtimet, grafemat e veçanta, defektet e shtypit, madje edhe gjurmët e konsumimit të matricave të shtypit, në dritën e veprës së Markut shndërrohen në burime autentike historike me informacione që përndryshe vetëm teksti si i tillë nuk mund të na i japë.

Vepra e Markut na vjen si pjesë e një reflektimi më të gjerë mbi raportin mes shtypit, alfabetizimit dhe ndërtimit të identiteteve kulturore në Europën e periudhës së hershme moderne. Meshari nuk na paraqitet më vetëm si monumenti i parë i shqipes së shkruar, por edhe si një prodhim i hershëm shqiptar i revolucionit kulturor që e zuri fillin me shpikjen e shtypshkrimit. Në fakt, në shek. XVI libri i shtypur përbënte një mjet me rëndësi vendimtare në përhapjen e dijes, për qarkullimin e ideve fetare dhe për lindjen e formave të reja të veprimtarisë kulturore. Në këtë suazë vepra e Gjon Buzukut fiton një vlerë që shkon përtej përmasës ngushtësisht gjuhësore dhe letrare: ajo shndërrohet në një dëshmi të qartë të vullnetit të qarqeve kulture të kohës për ta ngritur shqipen në nivelin e një gjuhe të kulturës, duke hedhur kësisoj themelet e një procesi alfabetizimi që do të shpinte gradualisht drejt ngjizjes së një vetëdijeje kulturore të përbashkët. Nga kjo pikëpamje, figura e Buzukut mund të përqaset me atë të Lekë Matrangës, që është një nga pararendësit e traditës letrare të shqipes së vjetër. Nën shtysën e të njëjtit kontekst kulturor dhe fetar, paçka se në rrethana të ndryshme, të dy këta autorë u bënë protagonistë të po atij procesi historik: futjes së shqipes në hapësirën e kulturës së shkruar. Kërkimet e fundit kanë dëshmuar se alfabeti që përdori Matranga për shkrimin e veprës E Mbsuame e Krështerë buronte nga synimet konkrete didaktike dhe katekizmore, por edhe nevoja e një alfabetizimi sa më praktik dhe të volitshëm. Po ashtu, studimet filologjike të kryera mbi veprat e Pjetër Budit kanë nxjerrë në pah një vijimësi kuptimplotë grafiko-alfabetike me traditën e Mesharit, duke konfirmuar kështu praninë e një hullie zhvillimi kulturor që përshkon gjithë letërsinë shqipe të shekujve XVI dhe XVII. Në këtë kuadër, merita kryesore e Vinçens Markut qëndron në faktin se ai ka vërtetuar që edhe aspektet në dukje dytësore a të parëndësishme materiale të librit të Buzukut mund të shndërrohen në burime të dijes historike. Puna e tij kërkimore dëshmon se shtypshkrimi i vjetër nuk duhet parë thjesht si mjet transmetimi i përmbajtjes, por si një dukuri komplekse ku përmblidhen veçori teknike, zgjedhje artistike, strategji editoriale, nevoja fetaro-kulturore dhe procese shoqërore. Çdo element i Mesharit fiton kështu rëndësi dokumentare dhe kontribuon në rindërtimin e një konteksti kulturor që, për shkak të të dhënave të pakta, vazhdon të mbetet pjesërisht në hije.

Merita e bazës teorike të punës së Markut, sikurse e pohon vetë autori, i duhet njohur kontributit të studiueses Lucia Nadin, veçanërisht librit të saj Albania ritrovata (Shtëpia botuese Onufri, Tiranë, 2012), si edhe një artikulli të botuar në revistën Hylli i Dritës (Ancora sul Meshari di Gjon Buzuku, nr 1-2 (2015), f. 43-66). Në këto studime kushtuar pranisë dhe rolit të shqiptarëve në kulturën venedikase të shek. XVI, Nadin ishte e para që kuptoi dhe vuri në dukje se shkronjat nistore ksilografike dhe dekorative të Mesharit nuk ishin thjesht zbukurime, por dokumente materiale që hedhin dritë në lidhjet dhe marrëdhëniet e autorit me mjediset tipografike venedikase. Evidentimi i këtij fakti i hapi udhën një revolucioni të vërtetë metodologjik në studimet buzukiane, i cili qëndron në lëvrimin e një fushe kërkimi të parrahur më parë. 

Vlera e dy vëllimeve të Vinçens Markut qëndron në pranimin e kësaj sfide dhe në zhvillimin e kësaj trashëgimie në mënyrë sistematike dhe rigoroze. Çka bie më së shumti në sy është puna e  madhe e identifikimit, e katalogimit, dhe e ballafaqimit të burimeve tipografike që ruhen në bibliotekat europiane, sidomos e inkunabulave dhe librave të shtypur gjatë shek. XVI, përfshirë repertorët ikonografikë dhe koleksionet e specializuara bibliografike. Autori ka kryer një analizë krahasimore të hollësishme, që ka përfshirë dhjetëra botime të shtypura gjatë periudhës mes fundit të shek. XV dhe gjysmës së dytë të shek. XVI. Nga ky ballafaqim ka dalë në dritë një rrjet i dendur marrëdhëniesh që e lidh Mesharin me shtypshkronjat venedikase të kohës, duke bërë të mundur në këtë mënyrë ngushtimin e qerthullit të hamendjeve mbi vendin, rrethanat, aktorët dhe faktorët e botimit të librit, si edhe duke konfirmuar, në analizë të fundit, hipotezën e shtruar nga Lucia Nadin. 

Me rëndësi të veçantë është pjesa e veprës që u kushtohet miniaturave ksilografike dhe germave nistore të historizuara. Përmes një pune ballafaquese që kërkon një kompetencë të madhe në njohjen e matricave të shtypit dhe përgjithësisht në historinë e shtypshkrimit të periudhës së Rilindjes europiane, autori ka vërtetuar se shumë nga ksilografitë që gjejmë te Meshari përkojnë kryekëput me ato të disa tipografëve venedikas, si Bernardino Benali, Lazzaro de Soardi, Luca dhe Antonio Giunta, Bernardino Bindoni, Andrea Arrivabene, Melchiorre Sessa dhe Giovanni Battista Pedrezzano. Ky përfundim nuk mbështetet thjesht në ngjashmëri të përgjithshme, por në matje, krahasime dhe identifikime të përpikta. Nga pikëpamja metodologjike, kjo procedurë merr një rëndësi të veçantë, sepse bën përfundime të verifikueshme nga ana e studiuesve.

Edhe më e rëndësishme është pandehma se do të ketë qenë pikërisht Bernardino Bindoni botuesi i Mesharit. Gjithë duke mbetur në suazën e hamendësimeve historike, pasi ende nuk kemi prova të sigurta dokumentare, rindërtimi i Markut karakterizohet nga një koherencë e brendshme që nuk mund të anashkalohet. Prania e përsëritur e germave nistore, përdorimi i matricave të njëjta, qarkullimi i repertorëve ikonografikë të përbashkët dhe veprimtaria e dokumentuar e Bindonit gjatë viteve që paraprinë dhe pasuan botimin e Mesharit dëshmojnë një sërë bashkëpërkimesh mbi aspektet më bindëse të gjithë kësaj pune hulumtuese. Kemi të bëjmë me një shembull efikas të një metodologjie gjurmëqëmtuese, ku fuqia e provës nuk mbështetet vetëm te një element i veçantë, por te tërësia e elementeve bashkëpërkuese.

Vëllimi i dytë vjen si plotësim i rezultateve të paraqitura në të parin. Nëse studimi i germave nistore dhe i miniaturave bëri të mundur zbulimin e lidhjeve të ngushta me mjedisin venedikas, rindërtimi i kornizës së frontespicit përbën një hap të mëtejshëm me rëndësi të madhe. Duke u nisur nga një fragment i vogël që ka mbetur në ksomblën vatikane të Mesharit, autori ndërmerr një kërkim të gjerë krahasues që e shpie drejt identifikimit të së njëjtës kornizë në një sërë veprash të shtypura në Venecie mes viteve 1491-1525. Bashkëpërkimet që hasen në botimet e Komedisë hyjnore të Dante Alighierit, të poemës Triumfet e Petrarkës, të veprave të Marsilio Ficino-s dhe në shumë botime të tjera mundësojnë rindërtimin virtual të gjithë strukturës së frontespicit të humbur.

Rëndësia e këtij zbulimi shkon përtej identifikimit të thjeshtë të një elementi ornamental. Në të vërtetë ai përforcon thelbësisht gjithë impiantin interpretues të zhvilluar në të dy vëllimet. Prania e së njëjtës kornizë në vepra që i përkasin traditës tipografike veneciane vendos një lidhje të mëtejshme mes Mesharit dhe mjediseve kulturore e shtypshkrimore të Venedikut. Edhe në këtë aspekt spikat hullia që hapi Lucia Nadin, pasi qasja e saj metodologjike mbante parasysh imazhet, matricat dhe zbukurimet jo si detaje të dorës së dytë, por si dokumente historike me rëndësi parësore.

Interes paraqet edhe ndjeshmëria që ka dëshmuar autori ndaj përmasës artistike të shtypit të epokës së Rilindjes europiane. Ksilografitë analizohen jo vetëm si mjete në funksion të prodhimit libror, por si vepra artistike që dëshmojnë qarkullimin e modeleve ikonografike dhe përhapjen e repertorëve figurativë në shtypshkronja të ndryshme. Prej këtej na del imazhi i Mesharit si prodhim i integruar plotësisht në kulturën pamore të Rilindjes venedikase, dhe jo si vepër e izoluar a periferike, sikurse e ka përfytyruar një pjesë e historiografisë së mëparshme. 

Së fundi, meriton të vlerësohet pozitivisht edhe synimi divulgativ që shoqëron këtë punim. Riprodhimi i disa faqeve anastatike të tekstit me fontin e posaçëm kompjuterik “Buzuku” dhe vëmendja ndaj lexueshmërisë dëshmojnë vullnetin për të pajtuar rreptësinë shkencore dhe përhapjen kulturore të veprës. Kjo përmasë e dyfishtë përbën një vlerë më vete, pasi përhap mes publikut të gjerë rezultatet e një kërkimi shumë të specializuar. Në këtë perspektivë divulgative, do të ishte i dëshirueshëm transkriptimi i Mesharit me fontin e ri: një botim i tillë i veprës buzukiane do të përbënte një nxitje të mëtejshme për studimet filologjike dhe njëherazi, një shtysë për ta njohur më mirë librin e parë që kemi në gjuhën shqipe.

Së bashku, këto dy vëllime përfaqësojnë një ndihmesë të vyer për njohjen e Mesharit dhe përgjithësisht të historisë së kulturës librore shqiptare. Vlera e tyre nuk qëndron vetëm në zbulimet e veçanta që sjellin, por mbi të gjitha në modelin metodologjik që ofrojnë. Ato dëshmojnë se studimi i një teksti themelor mund të ripërtërihet përmes analizës së përmasës materiale dhe se elemente në dukje të parëndësishme, si fjala vjen, një germë, një miniaturë, një kornizë, një matricë ksilografike e konsumuar nga koha, mund të shndërrohen në mjete të vyera për rindërtimin historik. Në këtë kuptim vepra na vjen si një nga zbatimet e fundit më të rëndësishme të metodologjisë së përuruar nga Lucia Nadin, në funksion të zhvillimit të një faze të re të studimeve buzukiane, të bazuar mbi bindjen se historia e librit dhe filologjia materiale janë po aq të rëndësishme sa edhe analiza gjuhësore për të rrokur plotësisht kuptimin dhe peshën e monumentit të parë të traditës shkrimore të shqipes. Bashkohemi jo vetëm me shpresën e mikut dhe kolegut të dashur Anton N. Berisha, se studime të tilla mund të sjellin elemente të dobishme për të gjetur një kopje të plotë të Mesharit, por edhe me nevojën e ngutshme për të ndërmarrë projekte kërkimore të mëtejme që të thellojnë njohjen e tekstit dhe të kontekstit të librit të parë në shqip. Një nga këto projekte është përvijuar kohët e fundit nga një grup albanologësh, – mes të cilëve janë Lucia Nadin, Monica Genesin, Gëzim Gurga dhe autori i këtyre radhëve – në bashkëpunim me disa ekspertë paleografë dhe arkivistë të Bibliotekës së Vatikanit, që shpresojmë të sjellë së shpejti rezultate të frytshme në këtë stinë të re studimesh buzukiane.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË